Shqipëria meriton mbajtjen e Konferencës Ndërqeveritare, presim vendimin gjatë presidencës franceze.
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, priti në takim Ministrin grek të Punëve të Jashtme, Nikos Dendias.
Ministrja Xhaçka shprehu mirënjohje ndaj Greqisë për mbështetjen e vazhdueshme në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, teksa theksoi se vendi ynë do të vazhdojë të ndjekë një politike aktive, të moderuar, të udhëhequr nga synimi për një integrim euro-atlantik rajonal.
“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë plotësuar kushtet dhe duke shpresuar në gjetjen e një zgjidhjeje midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, shpresat mbeten akoma për një vendim gjatë presidencës franceze të BE-së”, deklaroi ministrja Xhaçka në konferencën për shtyp.
Në fokus të takimit ishin edhe sigurimet shoqërore dhe çështje të tjera që lidhen me lehtësimin e lëvizjes dhe jetës së shtetasve shqiptarë në Greqi. Sa i përket çështjes së delimitimit të zonave detare, të dy ministrat rikonfirmuan vullnetin për kërkimin e një kompromisi për ta referuar çështjen tek Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.
“Ne besojmë dhe shpresojmë që konstruktiviteti dhe vullneti i mirë për të kërkuar një zgjidhje të pranueshme reciprokisht në një çështje kaq të vështirë sa ajo e hapësirave detare, mund të shërbejë si një shembull i qasjes konstruktive me të cilën vendet tona mike mund të fillojnë diskutimet edhe për çështje të tjera, sado të vështira që kemi trashëguar nga historia e nga periudha tragjike e Luftës së Dytë Botërore, siç është nevoja për të abroguar Ligjin e Luftës, apo çështja e të drejtave të pronësisë dhe të drejtave të njeriut të komunitetit çam”, tha ministrja Xhaçka.
Nga ana tjetër, Ministri grek Dendias u shpreh se Greqia është e përgatitur të vazhdojë të ofrojë asistencë teknike sa i përket procesit të integrimit, ndërsa theksoi rëndësinë mbi përcjelljen e çështjes së delimitimit të zonave ekskluzive ekonomike dhe të Shelfit Kontinental në Hagë.
“Përfundimi i këtij procesi ka një rëndësi të madhe për ne. Të dy vendet duan t’i zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre sipas ligjit ndërkombëtar, dhe në veçanti Ligjit të Detit, UNCLOS. Paralelisht, mendoj se përtej rëndësisë që ka për të dy vendet tona, dërgon dhe një mesazh shumë të rëndësishëm te të gjithë vendet. Se kjo është mënyra e duhur, e vetmja, e përshtatshme, për të zgjidhur mosmarrëveshjet tona”, tha ministri Dendias.
Vizita e ministrit grek Nikos Dendias, në Shqipëri, vjen në kuadër të një turi rajonal që ai po zhvillon në Ballkanin Perëndimor.