Adresimi i ministrit të Brendshëm Taulant Balla, për vizionin dhe drejtimet e punës, në detyrën e re - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Adresimi i ministrit të Brendshëm Taulant Balla, për vizionin dhe drejtimet e punës, në detyrën e re

Ministri i Brendshëm Taulant Balla, gjatë një takimi me drejtuesit më të lartë të institucionit dhe strukturave të varësisë, ndau vizionin dhe drejtimet e punës së tij, në nisje të detyrës së re. Ai e vuri theksin tek krijimi i një fryme skuadre për përmbushjen e objektivave në fushën e sigurisë.

“E sotmja nuk ka krahasim me të shkuarën dhe gur pas guri ndërtimi i murit të shtetit në këtë sektor ka avancuar në mënyrë të dukshme dhe të padiskutueshme. Por e ardhmja nuk duhet të ketë krahasim me të sotmen”, theksoi në mesazhin e tij ministri Balla.

Kreu i Ministrisë së Brendshme tha prerë se asnjë funksionar nuk duhet të pranojë ndërhyrjen e askujt në ushtrimin e detyrës.

Balla premtoi se  do të kujdesej posaçërisht për rritjen e standardit të jetesës së punonjësve të policisë, duke filluar me trajtimin e problemit të banimit për ata që shërbejnë në qytete të ndryshme nga qyteti ku kanë familjen. Gjithashtu do të nisin aplikimet për vitin 2023, me 100 banesat e para, të cilat do t’u jepen familjeve të reja të punonjësve të policisë.

Duke iu rikthyer ngjarjes në Fushë Krujë, ministri i tërhoqi vëmendjen Policisë së Shtetit, duke kërkuar të bëjë detyrën për të ndëshkuar ligjërisht personat e kërkuar nga drejtësia. “Në territorin e kësaj Republike nuk do të mund të ketë më feude apo bajraqe, ku mbi ligjin dhe mbi qytetarët të jenë të fortët”, tha z. Balla.

Në vijim, ministri kërkoi një luftë edhe më të fortë kundër kultivimit të kanabisit si dhe zbatim rigoroz të Kodit Etik, për punonjësit e drejtuesit e Policisë së Shtetit.

Më tej, z. Balla u shpreh se revolucioni Digjital në Policinë e Shtetit duhet të çohet përpara me një ritëm dhe efikasitet shumë më të lartë. Policimi në Komunitet, sipas tij, duhet të ngrihet në një nivel krejtësisht të ri. Ai tërhoqi vëmendjen për një lufta më të ashpër kundër korrupsionit, duke nisur nis së pari, brenda radhëve të Policisë, e këtu një rol kyç ka Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.

Fjala e plotë e Ministrit të Brendshëm Taulant Balla, në takimin e përgjithshëm me drejtuesit më të lartë të institucionit dhe strukturat e varësisë – VIDEO:

Zonja dhe zotërinj,

Ju drejtohem sot me ndjenjën e përgjegjësisë më të madhe të jetës sime publike dhe të mirënjohjes më të thellë për besimin e Kryeministrit, Presidentit të Republikës dhe grupit parlamentar të mazhorancës, për marrjen e detyrës së ministrit tuaj.

Ju bëj me dije që në fillim, se kam hyrë në këtë godinë me vetëdijen se suksesi në punën time është i pamundur pa ju dhe se krijimi i një fryme skuadre në luftën për përmbushjen e objektivave të këtij sektori, është baza e suksesit që unë synoj. Ju siguroj për respektin tim për dijet, eksperiencën, profesionalizmin e kësaj trupe dhe për gatishmërine time të plotë që të punoj me të gjithë ju, duke i dhënë secilit prej jush mundësinë të shpalosë aftësitë e veta për të bërë së bashku më të mirën.

Ka ndodhur në të shkuarën që paraardhës të nderuar të mitë në këtë detyrë, ta kenë nisur punën e tyre duke ndërruar drejtuesit dhe shefat. Unë nuk e ndjej sot veten më të zotin se askush nga ju dhe nuk e shoh të udhës që të gjykoj asnjërin prej jush nga lartësia e detyrës sime. Jam këtu për t’ju udhëhequr, duke ju dëgjuar, duke ju mbështetur, duke mësuar prej jush dhe duke zbritur në çdo nivel të veprimtarisë së kësaj ministrie, në çdo zyrë e komisariat, nga Tropoja deri në Konispol. Natyrisht fakti që unë e marr stafetën nga një koleg dhe shok i imi, i njohur për seriozitetin dhe për korrektesën e tij, në një fazë kur reformimi i sektorit ka tanimë 10 vite që ka nisur, ma bën të lehtë se sa sikur të më duhej të nisja gjithçka nga e para.

E sotmja nuk ka krahasim me të shkuarën dhe gur pas guri ndërtimi i murit të shtetit në këtë sektor ka avancuar në mënyrë të dukshme dhe të padiskutueshme. Por e ardhmja nuk duhet të ketë krahasim me të sotmen dhe unë jam këtu me detyrën për të vazhduar me ju ndërtimin e murit, edhe më mirë, edhe më shpejt, duke përmirësuar çdo gjë, në çdo drejtim. Kush do të jetë i gatshëm për ta bërë këtë në pozicionin që ka në vijën e këtij fronti të përbashkët, do të ketë mbështetjen time pa rezerva në çdo hap dhe derën time të hapur pa orar për çdo nevojë. Ndërsa kush nuk do të tregojë gatishmërinë për të punuar së bashku, për të shkuar përtej vetes, duke e rritur kontributin për kauzën e përbashkët, do ta ketë të pamundur të qëndrojë në pozicionin që ka.

Unë vij nga një jetë tanimë si deputet dhe mes deputetëve. Besoj se nëse do bëhej një garë se kush e kupton dhe kush e vlerëson më shumë rolin e deputetit, do të isha një pretendent serioz për ta fituar. Besoj që biem dakord!? Por asnjë deputet nuk duhet dhe nuk mund të ndërhyjë në punën tuaj, prandaj kush do të pranojë ndërhyrje nga deputetët, për çdo lloj aspekti konkret në dinamikën e kryerjes së detyrës së vet, nuk do të mund të paraqesë asnjë justifikim për të qëndruar më tej në detyrë. Deputeti ka të drejtë madje ka detyrë, t’ju drejtohet për çdo shqetësim, t’ju shprehë, secilit prej jush, ankesat e qytetarëve siç e parashikon dhe ligji për statusin e deputetit, i cili kërkon që deputetit t’i kthehet përgjigje brenda një afati, që duhet respektuar detyrimisht. Ju keni detyrën t’i dëgjoni me respekt sa herë ju bie telefoni prej çdo deputeti, por për çdo rast që arsyeja e telefonatës përbën ndërhyrje në kryerjen e detyrës suaj, ju kërkoj që deputetin, këtej e tutje, ta drejtoni tek unë. Besoj vetëkuptohet që kur them këtë për deputetin, – e theksoj, për deputetin – ndërhyrja e kujtdo tjetër, nga sot, është e papranueshme. Respekt maksimal në komunikim për këdo. Mirësjellje dhe durim për këdo. Por përzierje të kujtdo në detyrën tuaj, në asnjë rast apo mënyrë! Ky është standardi i kërkuar në fakt nga Kryeministri, mbaj mend unë, që në mbledhjen e parë te grupit parlamentar prej vitit 2013, me theks të posaçëm te Policia e Shtetit. Ky është dhe standardi i kërkuar nga të gjithë kolegët e mi, që më kanë pararendur, por ky është një standard që duhet aplikuar 100% dhe nëse më parë drejtues e shefa policie kanë çeduar nga ky standard, unë nuk do të çedoj në asnjë rast në masat që do të merren drejt tyre, për cenim të këtij standardi dhe çedim ndaj ndikimeve nga jashtë.

Nga ana tjetër, do të kujdesem posaçërisht për rritjen e standardit të jetesës së punonjësve të policisë dhe përmirësim të kushteve të shërbimit të çdo punonjësi policie, që nga kushtet financiare e deri te kushtet e strehimit kur shërbejnë jashtë vendbanimit apo krijojnë familje të reja, pa harruar që nga sot sistemimin përfundimtar të të gjitha familjeve të policëve të vrarë në krye të detyrës, fëmijët e të cilëve janë dhe fëmijët tanë. Prandaj nga nesër do të fillojmë të trajtojmë problemin e banimit për ata që shërbejnë në qytete të ndryshme nga qyteti ku kanë familjen dhe gjithashtu do të hapim rrugën e aplikimeve për vitin 2023, duke e nisur me 100 banesat e para, të cilat do t’u jepen familjeve të reja të punonjësve të policisë. Kriteret do të bëhen publike në vijim në bashkëveprim me Ministrinë e Financave dhe të Ekonomisë.

Në takimin e parë që kam zhvilluar me Drejtorin e Përgjithshëm dhe me Drejtorin e Tiranës, kërkesa ime e parë ishte ndalimi sa më parë, arrestimi, i vëllait dhe i djalit të ish-deputetit të Fushë-Krujës, i cili është miku im, ish-kolegu im, Rrahman Rraja. Ai me gjestin e tij të dorëzimit të mandatit, bëri detyrën e tij karshi qytetarëve, duke u vetëndëshkuar moralisht. Po ndërkohë Policia e Shtetit ende nuk e ka bërë detyrën e saj për të ndëshkuar ligjërisht dy individët e lartpërmendur, të cilët e kanë vendin para drejtësisë, një orë e më parë! Por ajo skenë e shëmtuar në Fushë-Krujë, ka një përmbajtje shumë më domethënëse për Policinë e Shtetit se sa kapja e autorëve të saj. Sepse ajo skenë flet për një situatë të mahisur më parë, nga toleranca e papranueshme e policisë së asaj zone, e cila nuk i dëgjoi ankesat e banorëve dhe për pasojë zgjodhi të bëhej mburojë e paligjshmërisë, duke u sjellë si e fortë me të dobëtit dhe e dobët me të fortët. Shkrirja e komisariatit të Fushë-Krujës ishte përgjigjja e duhur ndaj një dështimi shumë më të gjerë dhe më të thellë, se sa gurorja e konfliktit që e nxori dështimin e atij komisariati në sipërfaqe. Sot sapo kanë marrë emërimet drejtuesit e rinj aty. Por shkaqet e atij dështimi janë ende aty dhe nuk janë vetëm në Fushë-Krujë, po edhe në disa zona të tjera periferike të vendit, ku syri i Drejtorisë së Përgjithshme apo i drejtorisë së qarkut ka qenë miop dhe duhet të hapet menjëherë! Sot, jo nesër!

Qytetarët janë jo vetëm arsyeja pse ekziston Policia e Shtetit, por janë edhe partnerët tanë të pazëvendësueshëm në mbrojtjen e vendit dhe të çdo individi, nga çdo lloj paligjshmërie, që nga krimi i organizuar, tek krimi ordiner dhe deri tek krimi ndaj pronës publike e private. Veshi i shurdhër dhe syri qorr, heshtja bashkëfajtore me të fortët e lagjes dhe mosreagimi i forcave të rendit ndaj denoncimeve të qytetarëve, janë rreshtim i policisë kundër tyre, kundër shtetit. Në territorin e kësaj Republike nuk do të mund të ketë më feude apo bajraqe, ku mbi ligjin dhe mbi qytetarët të jenë të fortët dhe nuk mund të ketë individë më të fortë, sesa e bardha e vijave të rrugës apo e kuqja e ngjyrës së semaforëve. Në çdo komunitet të Shqipërisë duhet të ketë rend ligjor dhe siguri për të gjithë, nën kujdesin dhe me garancinë e Policisë së Shtetit.

E kam vlerësuar gjithmonë si deputet deri dje dhe nuk kam si të mos e vlerësoj me respekt si ministër sot, përpjekjen kolosale të bërë deri më tani nga Policia e Shtetit kundër kultivimit të lëndëve narkotike. Por po ashtu, s’kam sesi të mos ju kërkoj sot që kjo luftë të vazhdojë edhe më fort, përderisa përsëri e përsëri, tek apo tuk, kanabisi rinxjerr kokën sapo policia e kthen kokën nga ana tjetër. Prandaj ju lutem shumë, të mos më thotë askush se një rrënjë kanabisi e ka një shans të rritet, pa një polic që paguhet për të mos e parë apo se një parcelë kanabisi e ka një mundësi të vetme të korret, pa një shef komisariati që paguhet nga trafikantët për të mos e shkulur.

Të nderuar drejtues të Policisë së Shtetit,

Ka një Kod Etik të kahershëm tanimë, por për fat të keq, të pazbatuar deri tani, që thotë se drejtuesit e Policisë së Shtetit nuk mund të ulen nëpër kafe e restorante as gjatë pune, as pas pune, përveçse për arsye familjare apo arsye të tjera për të cilat kanë vënë më parë në dijeni eprorët. Por jo vetëm kështu nuk ndodh, po ndodh fatkeqësisht që edhe drejtorë e shefa komisariatesh, jo vetëm të frekuentojnë lokale ditën e natën, por edhe të kenë kontakte të papërshtatshme në mjediset e tyre, ku deri dhe u përcillen kriminelëve informacione sensitive të punës dhe të aksioneve policore. Natyrisht edhe në rrugë të tjera, po kjo rrugë që po them, është përveçse po aq skandaloze sa të tjerat, edhe një karshillëk poshtërues për gjakun e dëshmorëve të Policisë së Shtetit dhe për çdo qytetar të Republikës së Shqipërisë. Përveçse është edhe shembulli më i keq dhe më demotivues, për punonjësit e Policisë së Shtetit në vartësinë e drejtorëve e shefave të këtij profili kaq të ulët moral. Brenda 10 ditësh nga sot, Kodi Etik i Drejtuesve dhe Punonjësve të Policisë së Shtetit, do t’i lexohet çdo efektivi të Policisë dhe do të vendoset në kornizë në çdo hyrje drejtorie dhe komisariati në Shqipëri.

Revolucioni Digjital në Policinë e Shtetit duhet të çohet përpara me një ritëm dhe efikasitet shumë më të lartë se deri tani. Komisariati Dixhital duhet të marrë një peshë dhe rëndësi të dorës së parë. Ai aplikacion duhet të jetë porta e hapur 24 orë në 7 ditë të javës, ku çdo qytetar jo vetëm mund të hyjë nga çdo smartfon apo kompjuter, po edhe të marrë përgjigje të shpejtë. Jo vetëm me fjalë në të gjitha rastet, por edhe me vepra në çdo rast që ankesa është e drejtë. Në kohën kur qeveria po punon për të futur inteligjencën artificiale në platformën e-albania, në procesin e integrimit europian, në procesin e tenderimeve publike dhe të tjerë sektorë dhe kur dikastere të ndryshme kanë bërë kapërcime të mëdha në rrugën e Revolucionit Digjital, Policia e Shtetit nga një pararojë, deri para pak kohe, në dixhitalizim siç ishte dikur, tashmë është kthyer në bishtin e fundit të kavallit sot. Marrim shembull nga Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor Shqiptar. Dje një nga simbolet e kaosit dhe korrupsionit në këtë vend, sot ai institucion është një pasqyrë e forcës së modernizimit digjital, falë të cilit lejet shqiptare të drejtimit u njohën deri edhe nga Gjermania, ku dihet mirë se sa vështirë është të kalosh provën e besueshmërisë teknike.

Policimi në Komunitet, bashkëpunimi me ekspertët policorë dhe me institucionet e komuniteteve vendore, bashki e drejtori qendrore, shkolla dhe komunitete fetare, duhet të ngrihet në një nivel krejtësisht të ri. Policia nuk qarkullon në lagje thjesht dhe vetëm për të vënë gjoba apo për t’u dukur se është thjesht aty, por për të bashkëjetuar me njerëzit, mësuar prej tyre dhe mbështetur zgjidhjen e konflikteve të vogla, që kur mahisen mund të kthehen në kusure të mëdha për të gjithë ne këtu.

Lufta kundër korrupsionit nuk nis jashtë nesh, por së pari, brenda radhëve tona. Agjencia e Mbikëqyrjes së Policisë është krijuar me një ligj të punuar bashkë me partnerët tanë ndërkombëtarë, në parlament e kemi konsideruar si një ligj të rëndësisë së veçantë, të cilin e njoh shumë mirë dhe e kam mirë parasysh se sa pritshmëri kemi pasur kur e kemi miratuar këtë ligj. Pyetja ime kaq kohë pas krijimit të Agjencisë si një derivat i SHKB-së së dikurshme është: – sa drejtues e shefa komisariatesh të Policisë së Shtetit janë kapur deri më sot, me presh në duar?! Nuk i vë në diskutim këtu rezultatet e Agjencisë, të kuptohemi  mirë dhe të kuptohemi qartë! Por ama nuk mund të mos vë në diskutim faktin se pas statistikave të saj qëndron e vërteta se janë goditur shumë keqbërës të vegjël nën uniformë, por keqbërës të mëdhenj më shumë se sa pak, për të mos thënë aspak!

Nuk po zgjatem më tutje, sepse ka shumë gjëra për të thënë, po gjërat për t’u bërë janë ato që fundja do të përcaktojnë edhe vlerën e atyre që thashë edhe që themi. Prandaj ju falënderoj për vëmendjen, ju siguroj se nuk do të dëgjoni shumë fjalime nga unë. Kam mbajtur shumë fjalime në Kuvend për 18 vite. Shpresoj që të jem kuptuar si do të doja unë në këto piketa fillestare të drejtimit tim dhe që uroj me ndihmën e Zotit, të jem fuqia e madhe e ndryshimit të mëtejshëm, që shqiptarët duan dhe meritojnë nga ne në këtë ministri. Vetëm Përpara! Shumë faleminderit.

Previous Ministrja Kushi firmos udhëzimin për uljen e numrit të nxënësve për klasë dhe ngarkesat mësimore javore të mësuesve