Auto Moto Park, një hap historik për automotorizimin shqiptar dhe aktivitetet automobilistike - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Auto Moto Park, një hap historik për automotorizimin shqiptar dhe aktivitetet automobilistike

Konkursi Ndërkombëtar për Projektin “Auto Moto Park Albania”, i cili po zhvillohet sot me praninë e kompanive prestigjoze të interesuara për zhvillimin e këtij projekti, sjell një hap më pranë jetësimin e ëndrrës së cirkuitit të parë motosportiv sipas standardeve të FIA dhe FIM që do të ndërtohet në Krastë, Elbasan.

Ky projekt krahas promovimit të kulturës së motorsportit dhe sigurisë rrugore, do të kthehet në një destinacion tërheqës për garuesit e huaj dhe do të zhvillojë turizmin dhe ekonominë vendase duke e kthyer Shqipërinë në epiqendrën e rajonit për organizimin e eventeve motorsportive. Projekti do të financohet nga fondet e DPSHTRR-MIE në bashkëpunim me Bashkinë e Elbasanit dhe me mbështetjen e Qeverisë Shqiptare.

Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në prezantimin e projekteve prej kompanive të rëndësishme që zhvillojnë aktivitetin e tyre në këtë fushë, duke e cilësuar këtë garë si një event historik për automotorizmin shqiptar, por edhe për Shqipërinë.

* * *

Faleminderit në radhë të parë kompanive që marrin pjesë në këtë event historik për automotorizmin shqiptar por edhe për Shqipërinë sepse, falë ideve të tyre dhe projekteve të tyre, ne do të përzgjedhim edhe projektin më të mirë apo atë që ne do na duket më i miri për t’i hapur rrugë një epoke të re, një epokë të re për Elbasanin dhe Shqipërinë, për ta vendosur Shqipërinë në një tjetër hartë ku ajo mungon plotësisht dhe për t’i hapur Shqipërisë një tjetër derë prej ku një tjetër kategori vizitorësh do të mund të hyjnë për të fuqizuar më tutje ekonominë tonë, për të fuqizuar më tutje imazhin tonë.

Nga ana tjetër, ky projekt i hap rrugë edhe një tjetër fronti të punësimit cilësor të të rinjve, jo thjesht vende pune, por vende pune të mirë paguara, teknologji e lartë padiskutim dhe mundësira të reja dhe horizonte të reja për gjeneratën e re.

Nuk dua të zgjatem më shumë. Dua të falenderoj sinqerisht Blendi Gonxhen dhe gjithë skuadrën që me frymëzim, me pasion, me përkushtim vazhdon të udhëheqë, me forcën e shembullit, transformimin e shërbimeve publike në Shqipëri.

Sot shërbimet e Transportit janë në krye të klasifikimit të shërbimeve tona dhe kjo pikërisht falë këtij përkushtimi, kësaj përgjegjshmërie dhe mbi të gjitha këtij frymëzimi.

Ky projekt nuk është një kërkesë në përshkrimin e punës së drejtorit të kësaj drejtorie të përgjithshme apo të skuadrës së drejtorisë së përgjithshme. Ky projekt është frut i këtij frymëzimi për të cilin fola dhe jam i bindur që, duke bashkuar të gjitha forcat, ne do ta realizojmë dhe po ashtu jam i bindur që, sic shumë gjëra deri dje në dukje të pamundura, tani janë në rrugën që po bëhen të mundura, edhe ajo çka do të dukej e pamundur deri më sot që në Shqipëri të kishim edhe një garë të Formula 1, e ardhmja do të tregojë se edhe kjo është e mundur.

Shumë faleminderit!

Previous Konkursi ndërkombëtar për projektin ‘Auto Moto Park’