Balluku merr pjesë në konferencën “Rrugë të sigurta, turizëm i sigurtë” - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Balluku merr pjesë në konferencën “Rrugë të sigurta, turizëm i sigurtë”

Fjala e ministres Balluku gjatë konferencës “Rrugë të sigurta, turizëm i sigurtë”:

Përshëndetje të gjithëve.

Për të thënë të drejtën kam kërkuar nga kolegët e mi, nga z.Balla dhe znj.Kumbaro që të kishim sot një takim, pasi jemi sigurisht nuk mund të themi as në prag të sezonit më, pasi sezoni ka filluar si kurrë më parë këtë vit, ka filluar herët, por sigurisht ne presim që në ditët në vazhdim të kemi një intensifikim të turistëve që do të vijnë në vendin tonë dhe shqiptarëve që kthehen për të takuar familjarët gjatë kësaj periudhe. Për këtë arsye Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë prej kohësh është përgatitur që gjatë fillimit të këtij sezoni të dorëzojë disa nga akset më të rëndësishme, të rehabilitojë disa nga akset e tjera, të mirëmbajë një pjesë të mirë të akseve kombëtare nga veriu deri në jug dhe e gjitha kjo është një paketë e rëndësishme që nuk menaxhohet vetëm nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, po duhet patjetër dhe ndihma e kolegëve. Për këtë arsye ndodhemi të gjithë këtu sot.

Gjithashtu do të desha që të informoj publikun se duke nisur nga sot do të kemi edhe nisjen e një fushate sensitivizimi për sigurinë rrugore, që për ne është thelbësore në ditët e sotme tek dorëzojmë akse të cilat do të kenë të gjitha parametrat e sigurisë rrugore, por edhe të gjithë parametrat teknike siç i ka edhe Bashkimi Europian. Pra, do të kemi për herë të parë në Republikën e Shqipërisë një autostradë, ajo e Thuman-Kasharit me 130 kilometra në orë, diçka që gjithmonë na pyesin. Ndërtoni gjithë këto rrugë, por 130 kilometra në orë do ti shohim ato tabela? Do ti shohim. Ne të Ministrisë së Infrastrukturës dhe të Energjisë, por përsa i përket Ministrisë së Brendshme dhe sigurisht Policisë së Shtetit do të përballeni me një situatë të re që do të dojë vëmendjen tuaj, pasi janë akse të reja, janë akse të panjohura për drejtuesit e automjeteve që operojnë në Republikën e Shqipërisë, por imagjinoni për të gjithë ato automjete që do vijnë në vendin tonë.

***

Shumë faleminderit Taulant,

Shumë faleminderit Mirela,

Në ndërkohë, e-transport që është shumë i rëndësishëm. DPSHTRR-ja, ashtu siç tashmë është bërë e ditur prej kohësh, është një nga ndërmarrjet më të avancuara përsa i përket teknologjisë dhe shërbimeve të kostumizuara për të gjithë qytetarët, qofshin ata shqiptarë apo të huaj. Kështu që është shumë e rëndësishme që e-transport të promovohet nga e gjithë trupa dhe sigurisht është shumë e rëndësishme që vetë qytetarët ta shikojnë këtë. Për ne duhet thënë që nevoja për e-transport ka lindur si kërkesë e turistëve të huaj të cilët vijnë në Shqipëri dhe kanë nevojë që të informohen sesi mund të kalojnë nga një destinacion në tjetrin duke qenë se, siç e tha dhe ministrja e Turizmit, qytetarët e huaj që vijnë dhe vizitojnë Shqipërinë nuk ndalen vetëm në një destinacion, por ata provojnë shtigjet malore, më pas zbresin në det, vijnë shikojnë Tiranën edhe shumë destinacione të tjera. Dhe sigurisht ka lindur nevoja për të pasur një transport publik ndërqytetas tashmë të një niveli tjetër cilësor dhe sigurisht të modernizuar.

Për këtë arsye Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nisur nga puna dhe ka krijuar të gjitha kushtet ligjore për ngritjen e Agjencisë  Kombëtare të Shërbimit të Transportit Rrugor e cila së shpejti do të fillojë funksionin. Do të ketë një rrjet të stabilizuar në të gjithë Republikën e Shqipërisë me stacionet e duhura dhe sigurisht edhe me stacionet në qendrat kryesore të bashkive që janë qendër qark. Kështu që e-transport është një nga modulet më të reja dhe më të rëndësishme përsa i përket informacionit dhe lëvizjes në të gjithë territorin e Shqipërisë.

Nga ana tjetër dua të theksoj që do të kemi një imazh të ri të pikave kufitare këtë vit. Të gjitha pikat kufitare, në një bashkëpunim midis tre ministrive tona, tashmë kanë arritur të përfundojnë një pjesë e mirë e tyre dhe një pjesë tjetër do të dorëzohet në javët në vazhdim. Kemi një imazh të përcaktuar për secilën prej tyre. Ne do kemi mundësi që edhe ta publikojmë në ditët në vazhdim, diku do jetë Mirela, diku do jem unë, diku do jetë Taulanti. Është bërë një punë shumë e mirë për të krijuar një trade hyrje për Republikën e Shqipërisë. Pra nga çdo pikë hyrje ka një ngjyrë që është dedikuar. Do të ketë murale me të cilat ka qenë detyrë e Ministrisë së re, MEKI, Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për pjesën e muraleve të cilat do jenë dhe pjesë e paketës së gjithë ndryshimit të imazhit të pikave kufitare.

Nga ana tjetër duhet thënë që patjetër Thumanë-Kashar përbën një lajm shumë të mirë për transportin rrugor shqiptar, por përbën edhe një fakt të prekshëm sesi do të jetë Korridori Blu. Korridori Blu apo Korridori VIII, siç e tha dhe Taulanti, tashmë Republika e Shqipërisë nuk ndërton rrugë që lidhin dy qytete, dy zona, dy krahina, por ndërton Korridore rrugore të cilat lidhin, ndërlidhin Shqipërinë me shtete të tjera. Ndërlidhin Shqipërinë me Europën, duke nisur nga veriu deri në jug. Dhe e thënë kjo, duhet pasur parasysh që kështu do të jenë dhe të gjitha lotet e tjera të Korridorit Blu, me të njëjtat parametra që do të ketë Thumanë-Kashar të cilin ne e kemi bërë të dukshëm gjatë kohës së kantierit shpeshherë për qytetarët, por nga data 30 qershor do jetë e aksesueshme.

Dua këtu të nënvizoj një fakt. Rrugët kur ndërtohen kanë disa parametra. Kanë disa parametra edhe përsa i përket automjeteve që e përshkojnë ato. Kështu që duhet të keni parasysh që DPSHTRR është e pajisur me një pajisje moderne që kontrollon tonazhin e automjeteve dhe sidomos në akset e reja të cilat do të dorëzohen tani, siç është Thumanë-Kashar apo siç janë bypass-i i Fierit, bypassi-i Vlorës, tuneli i Llogarasë, kjo pajisje do të jetë në funksion të vazhdueshëm edhe të gjitha automjetet e tonazhit të rëndë që shpesh apo nuk dua ta them që në të gjitha pothuajse rastet e kalojnë tonazhin e parashikuar për të përshkruar x rrugë, do të penalizohen pasi me të vërtetë ne sot ndërtojmë rrugë të një cilësie tjetër, por këto rrugë duhen mirëmbajtur dhe duhen respektuar të gjitha kushtet teknike të përdorimit të tyre.

Duhet thënë gjithashtu që gjatë këtij sezoni do të dorëzohen edhe akese të tjera të rëndësishme. Tuneli i Llogarasë i cili do të hapë një portë të re për jugun e Shqipërisë. 7 minuta do të duhet për të përshkruar tunelin e Llogarsë në kushte sigurie maksimale, krahasuar me 45 minuta që duheshin deri dje për të kaluar nga Qafa e Llogarasë e cila do të vazhdoj të mbetet një rrugë e rëndësishme turistike, por sigurisht vetëm një rrugë turistike dhe jo një rrugë me parametrat e duhur për të kaluar të gjitha automjetet, sidomos edhe autobusët që janë të shumtë dhe që do të drejtohen vitin tjetër në këtë kohë nga aeroporti i Vlorës në drejtim të rivierës së jugut.

Diçka tjetër shumë e rëndësishme që u përmend nga të dy kolegët është sensitiviteti që të gjithë ashtu siç duhet ta kenë institucionet, duhet ta kenë edhe vetë qytetarët. Sensitivitet përsa i përket sigurisë rrugore. Siguria rrugore patjetër duhet të ofrohet nga institucionet shtetërore, por nga ana tjetër një rrugë mund ti përmbushë të gjitha parametrat, por në rast se drejtuesi i automjetit ndërkohë që i jep atij automjeti me 120-130 km/orë apo edhe i tejkalon tabelat e shpejtësisë, është duke shkruar në telefon, është e pamundur për policinë e shtetit që të parandalojnë këtë lloj aksidenti. Kemi pasur vitin e kaluar një aksident të tmerrshëm, pikërisht nga pakujdesia e një drejtuesi automjeti që mori me vete një familje të tërë që kishin ardhur me pushime në Shqipëri. Ajo që ne kërkojmë, kërkojmë vëmendjen e të gjithë publikut përsa i përket sigurisë rrugore. Masat do të jenë të rrepta. Policia rrugore do të marrë në dorëzim të gjitha akset e reja, por sigurisht edhe akset që janë në funksion dhe patrullimi gjatë periudhës së sezonit do të jetë shumë më intensiv se zakonisht.  Dhe unë jam në të njëjtën mendje me Taulantin, patjetër ne me porosi të Kryeministrit, bëjmë një kontroll të të gjithë ankesave që na vijnë, por shumica e ankesave, një shumicë e madhe e tyre, rezultojnë të jenë të pabaza dhe shkeljet e Kodit Rrugor janë të përditshme. Janë të përditshme dhe çka është më e çuditshme nuk janë vetëm të moshave të reja apo të drejtuesve pa përvojë, shkeljet vijnë nga të gjithë grup moshat edhe vijnë dhe nga drejtues me shumë përvojë përsa i përket kohës kur kanë marrë lejen e tyre të drejtimit. Kështu që përgjegjësia, padyshim një pjesë e madhe është tek institucionet shtetërore, por përgjegjësia është personale e çdo drejtuesi ndaj ne do monitorojmë dhe penalizojmë të gjithë ata që i shkelin rregullat e Kodit Rrugor, i cili tashmë është një Kod i rishikuar, një Kod i cili është pothuajse i ngjashëm me atë të Bashkimit Europian, pa asnjë ndryshim.

Nga ana tjetër do të ketë një bashkërendim të forcave. Bashkërendim të forcave përsa i përket DPSHTRR, ARRSH, Policisë Rrugore dhe të gjitha forcave të tjera të cilat njihen për punën e tyre në territor. Ne e kemi bërë një provë zjarri vitin e kaluar, sigurisht me një numër shumë më të vogël vizitorësh dhe bashkë me dy kolegët e tjerë kemi pasur një sërë task forcash të cilat operonin në territor. Nëse provën e zjarrit e kemi kaluar me sukses ju siguroj që këtë vit do të jemi edhe shumë më të angazhuar. Ministria e Brendshme, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, por të bashkërenduar me Ministrinë e Mbrojtjes me Ministrinë e Shëndetësisë dhe padyshim me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit do të jenë 6 trupat kryesore të cilat do të menaxhojnë këtë sezon.

Dhe për ne është shumë e rëndësishme që të kemi mirëkuptimin tuaj, pasi do të ketë task forca në territor për këtë mbarëvajtje. Duke nisur nga task forcat që operojnë sot për mbrojtjen e ujërave larës, task-forca për mbrojtjen e territorit dhe sigurisht deti ka një fokus maksimal gjatë këtij sezoni, por siç tha dhe ministrja, dhe pjesa malore është shumë e rëndësishme që të monitorohet nga trupat tanë, por që të ketë dhe një sensivitet nga vetë komunitetet të cilat menaxhojnë edhe njësitë turistike atje.

Siç e tha Ministri i Brendshëm, ne na vjen keq që nuk patëm mundësi që këtë vit të kishim paketën e re të smart city, siç do të kemi vitin tjetër edhe Qendrën e Monitorimit të Trafikut që bashkë me paketën e smart city, që është një nga paketat më inovatore për sigurinë rrugore, por jo vetëm, edhe për sigurinë kombëtare, ne vitin tjetër do të jemi të pajisur plotësisht me një monitorim që ndryshe nga ky vit që do të vazhdojë të jetë në terren direkt, një monitorim i cili do të jetë monitorim virtual me gabim zero. Qendra e Monitorimit të Trafikut është një qendër ku trupat e të gjithë institucioneve të cilat kontribuojnë në menaxhimin e trafikut rrugor do të jetë të vendosura së bashku. Do të kemi trupën e ARRSH-së, trupën e DPSHTRR-së, trupën e Policisë së Shtetit, atë të Emergjencave Civile, Urgjencën Kombëtare dhe çdo trup tjetër e cila do të monitorojë në kohë reale trafikun.

Kemi marrë përsipër gjithashtu që gjatë këtij viti të ndërtojmë edhe një radio që do të ndërhyjë në të gjitha momentet gjatë kohës që ju jeni në drejtim të automjetit për t’ju njoftuar për situatën e trafikut nëse do të ketë aksidente apo problematika të tjera që do t’ju detyrojnë që të devijoni nga rruga ku jeni nisur për të arritur në destinacion me një zgjidhje tjetër rrugore. Kjo do të menaxhohet gjithashtu nga Qendra Kombëtare e Trafikut. Nga ana tjetër, do të vendosen në pika të rëndësishme duke nisur nga ky sezon, tabela informuese të cilat po ju jap një shembull për ta bërë më konkret që mos të diskutojmë në abstraksion, para arritjes në nyjen e Rrogozhinës do të kemi tabelë të vendosur atje që tregon sesi është fluksi i trafikut, pasi kemi vënë re që kohët e fundit të gjithë drejtuesit e automjeteve që futen në Tiranë preferojnë që të zgjedhin hyrjen nga Elbasani, e cila sigurisht për shkak se ne jemi në proces tashmë për nisjen e të gjithë procedurave për ndërtimin e bypassit të Elbasanit për momentin rruga kombëtare futet në një hinkë në pjesën që akseson autostradën Elbasan-Tiranë, duke krijuar radha të gjata të trafikut. Ndërkohë që shpesh rruga e cila kalon nga Kavaja dhe nga Durrësi është më e lirë, por nuk zgjidhet nga qytetarët. Kështu që në këto raste do të ketë tabela informuese, në pika të caktuara, që i tregon qytetarëve, drejtues të automjeteve, se kush është rruga më e mirë për tu zgjedhur me më pak trafik, apo ku nuk ka problematika. Se për shembull Tiranë-Durrësi njihet për problematikat që ka në aksidentet rrugore, të cilat shpeshherë janë pikërisht për shkak të pakujdesisë, pasi janë aksidente që vijnë nga përdorimi i telefonit apo tërheqje të tjera të vëmendjes.

Duhet thënë këtu që planet tona për vitin e ardhshëm janë shumë të rëndësishme. Ne do nisim menjëherë nga puna këtë vit për zgjerimin e aksit Tiranë-Durrës, një aks shumë i rëndësishëm i cili sot mban peshën kryesore të trafikut, por duke pasur parasysh ndërtimin e akseve të tjera, Thumanë-Kasharit dhe më pas Kashar-Lekaj, një pjesë e mirë e trafikut do të largohet nga kjo autostradë për tu drejtuar direkt në Korridorin Blu, drejt Rrogozhinës. Megjithatë duke pasur parasysh ndërtimin e ballinës ujore të Durrësit që tashmë është nisur nga puna, duket edhe gjithë ecuria që kemi aty për plazhin e ri që po krijohet, nga ana tjetër, ndërtimi i Porto-Romanos, portit të ri në Porto-Romano ku me shumë gjasa do të kemi edhe një bazë të NATO-s, do të kërkojnë që aksi Tiranë-Durrës të jetë një aks i parametrave të ri. Kështu që nga të dyja anët e këtij aksi do të ketë shtim të një korsie, plus korsinë e emergjencës, duke e kaluar kështu në një kategori më të lartë të kritereve të autostradave të Bashkimit Europian.

Dua të theksoj edhe njëherë atë që Taulanti tha, përdorimin e dronëve. Dua t’ju informoj që nuk do të përdoren vetëm dronët që janë në dispozicion të Ministrisë së Brendshme. Ne kemi një marrëveshje të plotë me Ministrinë e Mbrojtjes që përgjatë sezonit do të përdoren edhe dronët e rinj bajraktar që janë në përdorim të Ministrisë së Mbrojtjes, do të përdoren për arsye civile dhe për arsye monitoruese. Kemi bërë një ushtrim me dronët bajraktar kohët e fundit, pikërisht me Autoritetin Rrugor Shqiptar. Kemi bërë një simulim dhe një ndjekje të trafikut në hyrje të qytetit të Sarandës. Saranda është një nga qytetet me trafikun më të dendur dhe të ngarkuar gjatë sezonit veror dhe për më tepër me një zgjidhje jo shumë të mirë të qarkullimi të brendshëm, duke qenë se ka 6 hyrje, por që secila prej tyre pengohet nga radhët e gjata. Kështu që duke pasur parasysh që në të ardhmen e afërt, pra vitin tjetër, ne do të nisim nga puna për ndërtimin e një bypassi në Sarandë, kemi përdorur dronët bajraktar pikërisht për të parë sesi ky trafik zhvillohej në ditë të ndryshme të javës dhe në orë të ndryshme të javës. Ju siguroj që pamjet janë aq të qarta sa dhe vetë syri nuk është aq i qartë. Këto dron do të jenë në dispozicion të institucioneve të cilat monitorojnë dhe operojnë në territor gjatë sezonit veror, duke ju shtuar kështu dronëve që ka në përdorim Ministria e Brendshme.

Nga ana tjetër duhet thënë që të gjitha këto detyra ne kemi kohë që i bashkërendojmë. Të gjitha këto detyra janë detyra organike të ministrive tona, por nga ana tjetër me përgjegjësinë e lartë dhe duke kuptuar që tashmë e gjithë puna që është bërë për promovimin e Shqipërisë, kryesisht nga Kryeministri Edi Rama dhe nga puna që është bërë nga Ministria e Mjedisit dhe Turizmit për ta promovuar vendin tonë në çdo event që është i lidhur me turizmin, ne na lind të gjithëve përgjegjësia, jo thjesht ajo e detyrës organike, por edhe si shqiptarë për të kontribuar për këtë industri të re që duket që do të kthehet shumë shpejt në industrinë më të rëndësishme për vendin tonë.

Unë shpresoj që të gjithë së bashku të jemi të qartë për detyrat që na lindin gjatë këtij sezoni. Shpresoj që të mos kemi asnjë problematikë dhe bashkërendimi dhe sinergjia midis trupave është shumë e rëndësishme. Fakti që drejtuesit e ministrive që janë këtu e kanë këtë sinergji dhe punojmë në mënyrë të organizuar për t’ia dalë dhe për të qenë të suksesshëm, unë jam e sigurtë që kjo transmetohet edhe tek njësitë tona të varësisë dhe do të keni edhe ju të njëjtën mënyrë operimi.

Shumë faleminderit për vëmendjen sot. Dua të falënderoj Ilir Mëngrën dhe DPSHTRR-në që na dhanë mundësinë për këtë fushatë sensitiviteti të sigurisë rrugore. Shpërndajeni nëpër rrjet tuaja sociale, edhe të punonjësve, edhe ne do të bëjmë punën tonë me mediat, pasi me të vërtetë është e rëndësishme që të jemi të gjithë të qartë se rrugët ne do të vazhdojmë ti ndërtojmë me një cilësi shumë të lartë. Policia e Shtetit do ta bëjë detyrën ashtu siç duhet, por është e rëndësishme që çdo qytetar të ndjejë përgjegjësinë përsa i përket sigurisë rrugore.

Shumë faleminderit për sot dhe të gjithëve punë të mbarë.

Previous Sezoni turistik veror, Ministri Balla njofton masat për kontrollin dhe lehtësimin e qarkullimit në rrugë