Fjala e Zëvendëskryeministres, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në takimin me drejtuesit e OSHEE në nivel qendror dhe rajonal:
Përshëndetje të gjithëve!
Unë kërkova këtë takim sot me të gjithë drejtorët rajonal të OSSH-së, por edhe punonjës të tjerë të OSHEE-së, pasi fillimisht kisha dëshirë që t’ju prezantoja zyrtarisht, pavarësisht se ai ka disa javë që punon me ju, administratorin e OSHEE-së, Enea Karakaçi, një nga kolegët e mi të gjithë rrugëtimit në Ministrinë e Infrastrukturës dhe të Energjisë, që unë mendoj që zgjedhja e tij në këtë pozicion, si drejtues i një nga ndërmarrjeve më të mëdha energjetike që ne kemi në vend, tregon që vëmendja qëndron me OSHEE-në si zakonisht.
Padyshim KESH-i ka një peshë shumë të madhe përsa i përket të gjithë prodhimit dhe menaxhimit të situatës së vështirë që kemi kaluar gjatë vitit 2022, sigurisht nuk do të ketë asnjëherë ndërprerje të investimeve përsa i përket rrjetit të transmetimit, duke pasur parasysh edhe të gjitha investimet individuale dhe private që po bëhen në fushën energjetike, kështu që OST-ja vazhdon të ketë mbështetjen dhe vëmendjen e Ministrisë së Infrastrukturës dhe të Energjisë, por OSHEE-ja dhe bijat e saj mbeten për ne një nga pjesët kyç të sektorit duke qenë se janë ata që përballen direkt me klientin tonë, me abonentin.
Keni kaluar një periudhë jo të lehtë, përsa i përket riorganizimit. Jeni një nga ndërmarrjet që jeni për t’u marrë shembull përsa i përket përafrimit me kërkesat e Bashkimit Europian. Keni bërë atë që për ne, në gjuhën tonë quhet Unbundling, por për abonentët kjo nuk është e rëndësishme, rëndësi ka që ata të marrin shërbimin ashtu siç duhet, por që konsiston në ndarjen e kompanive, të cilat tashmë operojnë si kompani të pavarura, pavarësisht se ndodhen nën strehën e madhe të OSHEE-së.
Kështu që me të gjitha këto ndryshime dhe sfida të sektorit, duke nisur nga kriza energjetike e 2022-it, edhe duke vazhduar më pas me të gjitha sfidat e reja që na presin, duhet thënë që OSHEE-ja, OSSH-ja, FTL-ja dhe FSHU-ja, që të gjitha kanë nevojë për një riorganizim të fuqishëm, për një frymëmarrje të re, për një ritëm të ri, gjë të cilën unë besoj që Enea, bashkë me Blendianin, bashkë me Tonin dhe gjithë të tjerët do ja dalin me shumë sukses. Sidomos në rastin e Eneas që vjen nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, i qartë për të gjitha synimet, politikat, strategjitë tona për vazhdimësinë, unë jam e sigurtë që nuk do të ketë as ekuivoke, as nuk do jeni të paqartë për çka kërkohet në të ardhmen.
Kjo ishte pjesa e parë e takimit. Sigurisht ne do kemi për të folur edhe më tej në detaje kur të mbarojmë komunikimin publik, por arsyeja tjetër dhe më e rëndësishmja që sot jemi mbledhur këtu ka të bëjë me përballimin e sezonit veror përsa i përket ofrimit të shërbimit që ju bëni duke pasur parasysh që kemi dy komponentë shumë të rëndësishëm. Kemi një fluks ekspansional të turistëve tashmë. Ka zona, qytete bregdetare kryesisht, duke nisur nga Velipoja dhe duke përfunduar poshtë në Ksamil, të cilët bëhen mikpritës të shumëfishit të numrit të banorëve që kanë zakonisht. Diçka që e bën sifiduese ofrimin e shërbimit nga ana jonë. Dhe, komponenti i dytë me të cilin po përballemi këto ditë, por që nga çfarë më rezulton mua nga të gjithë të dhënat që do kemi do të na shoqërojë gjatë gjithë verës, janë temperatura ekstremisht të larta, të cilat padyshim krijojnë probleme teknike. E kemi pasur këtë sfidë gjatë javës së fundit, por këtu gjej rastin, pavarësisht se nuk janë këtu me ne, të falënderoj edhe grupet e OST-së, të Operatorit të Transmetimit, për të gjithë bashkëpunimin e shkëlqyer që kanë pasur me OSSH-në javën e fundit dhe për të gjithë masat që janë marrë për të mitiguar problemin sa më shpejt dhe për ti pasur kohët e shkëputjeve sa më të shkurtra.
Megjithatë ne do diskutojmë rajon për rajon të gjithë situatën, do të marrim vendime dhe masa sesi duhet të funksionojë që sot e tutje deri në përfundim të sezonit, por, para se të filloj me këtë pjesën unë do dëshiroja që t’ja lija fjalën Enea Karakaçit, pasi, siç thashë, pavarësisht se ai ka ditë që punon me ju, ky është prezantimi i tij i parë publik.
###
Unë tani do të doja të filloja me relatimin e Blendianit përsa i përket OSSH-së dhe të gjitha rajoneve, situatën si e kemi dhe pastaj do bëjmë një përmbledhje të shkurtër përsa i përket të gjithë treguesve të cilët pavarësisht se jemi në kushtet e operimeve të sezonit, sërish të gjitha shifrat që unë kam parë dhe të gjithë treguesit janë të përmirësuar dhe kjo është gjë e rëndësishme dhe më pas kalojmë e tek pjesa e rajoneve kush nga rajonet do të ketë diçka për të thënë. Sigurisht ato që mbajnë pjesën kryesore të volumeve që janë të gjitha rajonet në këto momente të zonave bregdetare janë të lirë për të shprehur mendimet apo edhe për të folur për situatën e tyre.
***
Shumë faleminderit Blendi për të gjithë prezantimin. Ashtu siç thashë, sot ka rëndësi që të kemi operime të suksesshme për sezonin, pa dyshim pa humbur fokusin tek targetet dhe treguesit të cilët duhet të përmirësohen në të gjitha rastet. Tërheq vëmendjen e rajonit të Kukësit përsa i përket humbjeve të cilat vazhdojnë edhe mbajnë vendin e parë, sigurisht edhe atij të Shkodrës edhe atij të Burrelit, po do të kalojmë në pjesën e dytë të bisedës, e cila nuk është se ka interes për mediat për të diskutuar për të gjitha këto çështje pasi shikoj që pak a shumë edhe arkëtimet, apo jo, ndjekin të njëjtin trend. Pra aty ku kemi humbje më të mëdha kemi dhe argëtimet më të ulëta gjë që tregon performancë jo të mirë të këtyre tre rajoneve.
Por, nga ana tjetër, siç u thashë, sot prioritet ka padyshim operimet e sigurta dhe të vazhdueshme brenda këtij sezoni veror me dy komponentë sfidues, numrin shumë të lartë të turistëve në vend dhe temperaturat shumë të larta, ekstreme do të thoja, përsa i përket stinës së verës. Prezantimi i administratorit të OSSH-së ishte i plotë unë dua të përsëris vetëm disa nga shifrat që u dhanë. Ne kemi 1100 punonjës në dispozicion për të gjitha zonat bregdetare të cilët, jo vetëm mundohen që të zgjidhin problematikat të cilat ndodhin, por nga ana tjetër mundohen dhe që ti paraprin ato, pa arritur në ndërprerje, por dhe në rastet kur ne kemi ndërprerje të gjitha këto grupe që ndodhen në terren mundohen që ta rikthejnë shërbimin sa më shpejt e mundur. Duhet të na mirëkuptoni edhe ngarkesën edhe përsa i përket të temperaturave të larta të cilat ndikojnë në operimet e nënstacioneve tona.
Nga ana tjetër, unë do përfitoj nga rasti për ti bërë thirrje të gjithë qytetarëve. E kemi shumë të qartë që këto temperatura duhen patjetër shoqëruar me përdorimin e kondicionerit dhe gjithçka tjetër që e lehtëson situatën, megjithatë ju lutem efiçenca energjetike është ajo çfarë na ndihmoi dhe çfarë na shpëtoi në 2022-in, kështu që edhe entitetet private që operojnë në fushën e shërbimeve, hoteleri restorante e tjerë, por edhe vetë qytetarët pra individët, abonentët duhet të jenë shumë të kujdesshëm për të ruajtur sa më shumë energjinë elektrike. Sigurisht do të përdorni atë që është e nevojshme në këto kushte atmosferike, por nga ana tjetër gjithçka që është e panevojshme nuk duhet përdorur. Për ta pasur energjinë, e kemi thënë dhe në 2022-in, duhet ta ruajmë.
Megjithatë ne po bëjmë maksimumin. Kemi disponibilitet të plotë të sasive energjetike, nuk kemi asnjë problem, na ka ndihmuar moti edhe gjatë muajit Qershor, niveli i Fierzës vazhdon të jetë i lartë në këto momente sigurisht ne dalim në import me sasi të vogla për të mbuluar ato orare pikë kur nuk mbulohen dot vetëm nga prodhimi i vendas. Megjithatë, përsa i përket situatës së prodhimit ky është një nga vitet më të mirë që ne kemi. E gjithë sfida, siç ju thashë është përsa i përket transmetimit, Operatorit të Transmetimit, OST dhe përsa i përket OSHEE-së dhe bijave të saj, për ofrimin e shërbimit të abonentëve. Edhe në këtë sfidë të re që ka të bëjë me temperaturat dhe me turistët e shumtë në Republikën e Shqipërisë ne duhet të bashkëpunojmë, ne besojmë që qytetarët e mirëkuptojnë situatën dhe ata do të jenë të kujdesshëm me përdorimin e energjisë.
Përsa i përket drejtorëve rajonal, duhet të jeni në krye të detyrës 24 orë. Kjo është koha kur ju punoni, ndërkohë që të tjetër pushojnë. Ju e dini shumë mirë këtë. Keni prej vitesh që e bëni. Nuk duhet të ketë asnjë mungesë të vëmendjes tuaj në terren, pasi ashtu siç e kemi thënë gjithmonë udhëheqim sipas shembullit. Në rast se ju do të jeni në terren 24 orë. Në rast se ju do ti përgjigjen qytetarëve, telefonatave 24 orë, të njëjtën gjë do të bëjnë edhe vartësit tuaj dhe nga ana tjetër duhet pasur parasysh që gjithmonë në momente sfiduese kemi dhe abuzime. Kështu që, pavarësisht shërbimit që ne ofrojmë, pavarësisht të gjithë përpjekjeve që bëjmë për të mos pasur ndërprerje, nga ana tjetër nuk do të ketë ulje të vigjilencës për asnjë moment përsa i përket abuzuesve. Grupet që ndodhen në terren për të kontrolluar të gjitha humbjet apo edhe vjedhjet, ta themi ashtu siç është, do të vazhdojnë ta bëjnë punën e tyre në mënyrë rigoroze, pavarësisht se ky është një sezon veror shumë i rëndësishëm për ekonominë shqiptare. Por, kjo nuk do të thotë që të ketë abuzime, meqë kam një hotel dhe kam turistë, mund të vjedh energji. Kjo nuk do të ndodhë. Do të ndërpritet menjëherë, do të merren masa, do të vendosen gjoba. Me të vërtetë shërbimet janë shumë të rëndësishme gjatë sezonit turistik, por nga ana tjetër duhet të jenë dhe të ligjshme. Kështu që këtë mos e harroni. Janë dy punë që shkojnë paralelisht dhe që janë në kurriz të drejtorëve të rajoneve.
Dua t’ju bëj me dije, që pavarësisht se shumica prej jush kanë kohë që punojnë në këtë ndërmarrje, ky është testi juaj për vlerësimin e performancës së secilit. Përveç treguesve që unë këtu kam përpara, që Enea i ka, që Blendiani i ka, që Toni i ka, përveç këtyre treguesve edhe çka do të ndodhë gjatë këtij sezoni turistik shumë i rëndësishëm, e nënvizoj këtë për ekonominë shqiptare, kemi punuar të gjithë për të arritur këtu. Kemi punuar të gjithë për të pasur 8 milionë pasagjerë në aeroportin e Rinasit. Qeveria Shqiptare ka ndërtuar infrastrukturë rrugore për t’ju përgjigjur sot kësaj sfide. Qeveria Shqiptare ka investuar në rrjetin energjetik për t’ju përgjigjur sot kësaj sfide, ndaj çka mbetet është performanca njerëzore që është ajo më delikatja gjithmonë. Pasi edhe rrugët përgjigjen, edhe linjat e transmetimit përgjigjen, edhe ato të shpërndarjes përgjigjen dhe problematika mbetet gjithmonë tek njerëzit. Ndaj kjo është sfida juaj. E drejtorëve që janë këtu me mua, apo e drejtorëve të rajoneve dhe në përfundim të këtij sezoni ne do të bëjmë një analizë të re, si kjo që po bëjmë sot, për të parë punën e secilit dhe unë jam e sigurt që ju e keni vetë të qartë sesa e rëndësishme është kjo për OSHEE-në.
Shumë faleminderit për vëmendjen.