Në përfundim të mbledhjes mes qeverive të Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut, ministrat e Brendshëm Çuçi dhe Spasovski, nënshkruan dy marrëveshje që kanë të bëjnë me bashkëpunimin policor dhe me qarkullimin e lehtësuar të shtetasve në dy anët e kufirit.
Në marrëveshjen e bashkëpunimit policor, përcaktohen kushtet dhe mënyrat e ndërtimit të strukturave të përbashkëta hetimore, të tipit “task force”, për luftën kundër krimit të organizuar, gjë që mundëson shkëmbimin e shpejtë të informacioneve dhe ndërmarrjen e veprimeve operacionale. Kjo marrëveshje do të jetë një instrument i rëndësishëm në duart e dy agjencive tona policore për luftën e krimit të organizuar, i cili, siç u shpreh Ministri Çuçi “nuk ka as kombësi as shtetësi”.
Marrëveshja tjetër ka të bëjë me procedurat lehtësuese të lëvizjes në pikën e përbashkët të kalimit kufitar në Qafë Thanë, e cila është porta kryesore e lëvizjes në të dy anët e kufirit të përbashkët. Çuçi tha që infrastruktura tashmë është pothuajse e gatshme dhe ky regjim i kontrollit me një ndalesë në të dy anët e kufirit, shumë shpejt do të bëhet realitet.
Ministri u shpreh që në këtë pikë kufitare synohet të arritje niveli i bashkëpunimin që kemi tashmë me Republikën e Kosovës, qoftë në numër të shtetasve që do të lëvizin, ashtu edhe të mallrave etj.
Çuçi u shpreh besimplotë se në kuadër të bashkëpunimit dypalësh, do të realizohet edhe nisma për hapjen e pikave 24 orëshe për lëvizjen e banorëve të të dyja anëve të kufirit.
Fjala e ministrit Çuçi në mbledhjen e përbashkët të qeverive të Republikës së Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut:
I nderuar z. Kryeministër Kovaçevski,
Të nderuar kolegë,
Bashkë me kolegun tim, Spasovski, ne kemi intensifikuar shumë këto kohë bashkëpunimin, jo vetëm në kuadër të instrumenteve të përbashkët rajonalë, siç është nisma “Open Balkan”, apo “Procesi i Berlinit”, por edhe një bashkëpunim bilateral. Dhe fryt i këtij intensifikimi, sigurisht që janë edhe dy dokumentet që kemi sjellë për të firmosur sot, dhe që do t’i firmosim sot, e që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me një intensifikim të marrëdhënieve dypalëshe, në luftën kundër krimit dhe në rritjen e sigurisë të të dy vendeve. Si dhe një dokument tjetër, që është shumë i rëndësishëm për të jetësuar marrëveshjen që kemi nënshkruar për pikën e përbashkët të kalimit kufitar në Qafë Thanë.
Marrëveshja që do të nënshkruajmë ka një rëndësi të veçantë sepse krijon një instrument ligjor, shumë të rëndësishëm në mënyrë që agjencitë ligjzbatuese të të dy vendeve të kenë komoditetin për të bashkërenduar punët e tyre në aksione të përbashkëta, në fushën e sigurisë dhe veçanërisht në atë të krimit të organizuar.
Marrëveshja për krijimin e Task Forcave të përbashkëta në fushën e sigurisë, që do nënshkruajmë sot, krijon një hapësirë që policitë e të dy vendeve, të bashkëpunojnë në mënyrë eficiente, për të adresuar më mirë krimin e sidomos krimin e organizuar, që, siç dihet, nuk ka as kombësi as shtetësi e që shumë herë është më eficient se sa institucionet shtetërore. Kështu që kjo marrëveshje bën të mundur që pa patur nevojë për shumë protokolle, ne të shkëmbejmë informacione, të krijojmë ekipe të përbashkëta edhe për çështje konkrete në lidhje me krimin e organizuar.
Dokumenti i dytë, siç thashë dhe siç tha kolegu im Spasovski, vjen si rezultat i nevojës për ta jetësuar atë marrëveshje që kemi nënshkruar një vit më përpara, për hapjen e pikës me një ndalesë, në kufirin e Qafë Thanës. Ky është një model që ne, me sukses, e aplikojmë me Malin e Zi dhe me Kosovën, dhe besoj se do krijojë një realitet krejtësisht të ri, në qëllimin tonë për të pasur një mjedis dhe një lëvizje sa më të lirë të njerëzve dhe mallrave midis dy vendeve, vizion ky, qoftë i instrumentit të “Open Ballkan”, qoftë “Procesit të Berlinit”.
Ashtu siç tha kolegu im, shumë shpejt infrastruktura do jetë gati. Unë besoj që në një të ardhme shumë të afërt, ne do ta kemi këtë pikë të përbashkët, duke synuar që të arrijmë në nivelin e bashkëpunimit që kemi me shtetin e Kosovës, që besoj vitin e fundit ka treguar që është në të mirën e përbashkët të të gjithë vendeve kufitare, lehtësimi i lëvizjes, qoftë të njerëzve, qoftë edhe të mallrave.
Kështu që besoj se të dyja këto marrëveshje janë të një rëndësie të veçantë, por po kaq e rëndësishme është edhe nisma që sapo e anonçoi kolegu, në lidhje me hapjen e pikës për 24 orë, për lëvizjen në këtë rast, të banorëve, të të dyja anëve të kufirit. Unë besoj se ne jemi të hapur ta diskutojmë dhe ta çojmë përpara këtë nismë që u anonçua sot. Faleminderit.