Berat, në dialogun e hapur me njerëzit e tokës mbi perspektivën e zhvillimit të bujqësisë - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Berat, në dialogun e hapur me njerëzit e tokës mbi perspektivën e zhvillimit të bujqësisë

Dialogu i hapur me njerëzit e tokës, pjesë e dialogut mbarëkombëtar në bashkitë e vendit vijoi sot në Berat, me takimin e Kryeministrit Rama me fermerët e zonës mbi çështje të bujqësisë, buxheti i së cilës për vitin 2023 është më i larti ndonjëherë i parashikuar për bujqësinë dhe zhvillimin rural, dhe mishëron një përpjekje të madhe në rrugën e duhur të rritjes së konkurrueshmërisë, zhvillimit të vijueshëm të sistemeve prodhuese dhe rritjes së eksporteve në përputhje me objektivin për të arritur 1 miliardë eksporte agroushqimore në Shqipërinë 2030.

* * *

Në nisje të bashkëbisedimit, fermerët falënderuan për mbështetjen e marrë përmes skemave kombëtare në mbështetje të bujqësisë, si dhe parashtruan kërkesat e tyre lidhur me aspekte të ndryshme të punës së përditshme:

– Ju falënderojmë për këtë ardhje. Ishte meritë e qeverisë që na nxiti, na ndryshoi, na ndryshoi ritmin e punës, atë punë që në e bënim për 10 vjet, e bëmë për 1 vit.

-Përshëndetje! Unë kam dalë përfitues deri më sot nga skemat mbështetëse të qeverisë, nga çfarë kam aplikuar, qoftë edhe për bletët, qoftë edhe për grurin.

–  Duam t’u falenderojmë pasi shumë bletarë i kanë marrë cdo vit subvencionimet. Shpresojmë që edhe këtë vit të mbështetemi me subvencionime, ashtu siç jemi mbështetur edhe më herët nga ju. Kisha një propozim, duke qene se bleta shtegton në zona të ndryshme, që mbase të mund të përfshihet edhe nafta për trajtim, këtë ta kini parasysh për për vitin e ardhshëm.

–  Dua të falënderoj për mbështetjen që është dhënë për serat, për inputet edhe farat e fidanët. Unë jam përfitues edhe i skemës së naftës, por do doja që të gjithë aplikantët që përmbushin kushtet, të përfitojnë nga kjo skemë mbështetëse.

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit shumë për durimin se për arsye objektive nuk arrita dot në kohë dhe këtë e kam shumë bezdi kur ndodh, por më vjen shumë mirë që munda ta shoh nga afër, akoma se kam parë plotësisht, por pjesërisht këtë investim shumë domethënës, i konsiderueshëm dhe jam i bindur që do të jetë një investim që do të kthehet në mirësi për këtë familje brez pas brezi.

Kur ne e kemi nisur këtë proces dhe kemi filluar të nxisim agroturizmin, faktikisht në Shqipëri s’kishte, përjashto tek-tuk ndonjë iniciativë të ndonjë personi me vizion, por me mundësi të kufizuara nuk kishte një sistem agroturizmi. Sot, ky sistem është në fazën e tij embrionale akoma edhe pse në gjithë territorin kemi agroturizme, por potenciali i zhvillimit të këtij sistemi dhe potenciali ekonomik dhe financiar i agroturizimit është i gjithi për t’u zhvilluar.

Ende kemi zbërthyer një minimum të minimumit të këtij potenciali, por ka rëndësi që kemi sot shembuj konkretë se si dikush që ka një pronë, një tokë në fshat, ose që merr një tokë me qira ose që ka një shtëpi të vjetër të trashëguar ose që jo thjesht që ndërton një shtëpi të re, por ndërton një shtëpi në funksion të agroturizmit, bën një biznes që është shumë më fitimprurës sesa të punojë jashtë për të tjerë dhe fakti që në këtë aktivitet kemi shembuj shumë pozitivë dhe kuptimplotë edhe të njerëzve të kthyer nga jashtë, që i kanë investuar kursimet e tyre në agroturizëm, na ndihmon që t’ju përcjellim të gjithëve këtë mesazh. Ka plot pika Shqipëria ku është e vështirë të mendosh se mund të bësh zhvillim intensiv bujqësor, por këto pika dhe çdo pikë e Shqipërisë, sado e largët të jetë për shkak të bukurisë magjepsëse që ka vendi ynë në çdo cep, në çdo zonë, në çdo kilometër katror janë pika mjalti për tu mbledhur përmes agroturizmit sepse agroturizmi nuk ka nevojë për rrugë, nuk ka nevojë për të pasur logjistikë, për të nxjerrë prodhimin në treg, nuk ka nevojë për asgjë tjetër përveçse për një derë të hapur dhe një realitet ku tradita e mikpritjes, e ushqimit, e të jetuarit e kombinuar me përkushtimin e njerëzve që e mbajnë derën hapur, i sjell klientët aty. E kam thënë dhe në ndonjë rast tjetër dhe po e sjell dhe këtu rastin e atyre suedezëve që kanë bërë një investim jashtëzakonisht të mençur në zonën lart në Nivicë, pa e prekur tokën fare, asnjë pikë beton, vetëm materiale të lehta që mund të mblidhen brenda ditës. Një destinacion, një resort ekologjik me çmime të shtrenjta me thënë të drejtën, në mes të një bukurie të jashtëzakonshme të natyrës dhe e kanë me rezervime nga Suedia, nga Norvegjia dhe vijnë turistë që paguajnë jo pak.

Kur vajta për t’i përshëndetur ishin nja dy kilometra rrugë pa rrugë, komplet një torturë si shumë e shumë vite përpara, me makinën që tundej gjatë gjithë rrugës dhe u ndjeva keq me thënë të drejtën. Madje mora dhe drejtorin e Fondit të Zhvillimit në telefon duke i thënë që këtu është bërë një investim, ne s’mund ta lëmë për një ndërhyrje këtu në një rrugë fshati dhe kur arrij atje i them, “më vjen keq për rrugën, por do marrim masa”. “Jo, jo, nuk duam në asnjë mënyrë. Kush vjen këtu, vjen për këtë, nuk vjen për të ecur në rrugë autostradë, as në rrugë komode, vjen në një majë mali dhe duhet ta marrë të plotë gjithë eksperiencën e majës së malit edhe në rrugë”.

Pse e sjell këtë shembull? Për të thënë që elementet e natyrës dhe kombinimi i tyre me mençuri pa bërë super shpenzim, por duke përdorur kursimet e një pune të gjatë në emigracion apo duke e diversifikuar aktivitetin në fermë janë garanci për sukses. Elementi tjetër dhe sigurisht që këto agroturizme sot janë produkt edhe i mbështetjes së bërë nga qeveria. Do ishte shumë mirë që ne t’i plotësonim të gjitha kërkesat e të gjithëve, por kjo nuk është e mundur dhe kjo nuk ndodh në asnjë vend të botës, për të dhënë përgjigje asaj që u tha.

Ndërkohë, një gjë tjetër që mendoj se është koha për ta pasur mirë në konsideratë që të gjithë dhe në radhë të parë bashkitë, kryetarët e bashkive me të cilët kemi folur shumë në këtë periudhë në këtë aspekt është nevoja për të kaluar në një nivel tjetër në bashkëpunimin e fermerëve me njëri-tjetrin dhe bashkive me fermerët.

Ju e mbani mend shumë mirë kur ne e filluam këtë përpjekje, pikat e grumbullimit numëroheshin me gishtat e njërës dorë, në gjithë këtë zonë, përfshirë dhe Lushnjën, përfshirë dhe Fierin.  Sot ne kemi një sistem pikash grumbullimi që për hir të së vërtetës është një nga arsyet kryesore të suksesit sepse në bujqësi ne kemi bërë sukses, duan, s’duan, ata që s’duan faktet janë fakte dhe fakti që ne sot na gënjen mendja që do arrijmë deri në fund të vitit gjysmë miliard eksporte, ndërkohë që kur e kemi filluar këtë përpjekje mezi i bënim 120 milionë, është shumë kuptimplotë, për të gjithë ata që flasin për fundin e botës edhe për vdekjen e bujqësisë, bashkë me mbarimin e botës, por sigurisht që kjo nuk mjafton dhe ajo që na duhet sot është që të shikojmë me shumë më tepër ngulm tek agropërpunimi që të mos lëmë asgjë pa përdorur, që përveç atyre eksporteve dhe atyre daljeve në tregun e brendshëm të gjithë prodhimeve të freskëta, e gjithë ajo pjesë e prodhimit që për shkak të cilësisë nuk futet në arkë, nuk futet në kosh, të kalojë në përpunim dhe të mos kemi vetëm mollët, të mos kemi vetëm portokallet, mos të kemi vetëm mandarinat e me radhë, specat e domatet e zarzavatet e tjera, po të kemi edhe reçelrat, të kemi edhe kompostot, të kemi dhe salcat e kështu me radhë.

Përsëri vij tek rruga që kemi ndjekur dhe i referohem shembujve që sot janë krijuar në Shqipëri fatmirësisht. U desh kohë sepse fobia nga kooperativat, fobia nga puna kolektive dhe marrëzia politike dhe retorika skandaloze. Sot është e vërtetë që kemi një rritje në numër të koshereve, kemi një rritje të prodhimit, por kemi dobësi të madh me përpunimin, me paketimin, me ambalazhimin, me krijimin e brandeve shqiptare të zonave kur vjen puna të mjalti dhe nuk mundet dot të shkojmë larg nëse secili merr mjaltin e kosheres së vet dhe mbush kavanozin e vet. Për këtë arsye duhet të krijojmë sinergji dhe në këtë sinergji bashkitë dhe qeveria do të përfshihen për ta lehtësuar punë duke kontribuar qoftë nga pikëpamja institucionale, burokratike, qoftë nga pikëpamja financiare. Që do të thotë që bletërritësit, nuk ka nevojë të mblidhen të gjithë bletërritësit, mjafton të mblidhen disa prej tyre që e kuptojnë rëndësinë e kësaj nevoje dhe bashkë me bashkinë ndërtojnë një shoqëri, ndërtojnë një ndërmarrje, një kompani, një kooperativë, quajeni si të doni. Një federatë i kishin vënë emrin në Elbasan asaj kooperativës së përpunimit të ullirit, të vajit dhe secili nga fermerët fut një kontribut modest, bashkia një kontribut pak më të madh se të gjithë ata bashkë dhe pastaj me një projekt konkret, me fabrikën e grumbullimit dhe të përpunimit të mjaltit i drejtohen qeverisë, AZHBR-së ose garancisë sovrane të qeverisë për të marrë kredi që janë shumë të favorshme në funksion të bujqësisë dhe kështu krijojnë një mekanizëm që rrit vlerën e asaj që prodhojnë secili në fushë. Kjo vlen për të gjitha.

S’ka arsye të ketë një kokërr domate të hedhur për shkak se nuk është e të njëjtës cilësi. Ka në çdo prodhim, 3%, 5%, 10%, 15% që nuk është në të njëjtën cilësi si prodhimi që hyn nëpër arka për të shkuar për eksport. Kjo është një sasi me të cilën mund të bëhet një ekonomi tjetër dhe për këtë ekonomi tjetër duhet të punojmë bashkërisht dhe për të punuar bashkërisht na duhet një nivel tjetër, nuk mund të jetë më një histori ku gjithsecili aplikon individualisht. Individualisht për agroturizmin patjetër se nuk mund të bëjmë kooperativë agroturizmi, individualisht për kantinën, por jo për fabrika përpunimi sepse është shumë e rëndësishme që të çojmë në një nivel tjetër mendësinë sipërmarrëse. Nuk është mbijetesë bujqësia, është sipërmarrje dhe është një sipërmarrje që mund të ketë të ardhura shumë të mëdha në rast se njerëzit bashkojnë forcat, bashkojnë dijen, bashkojnë teknologjinë, bashkojnë të gjitha dhe në fund fare secili merr pjesën sipas asaj që fut atje si sasi prodhimi. Nuk thotë njeri, “hajde të bashkojmë tokat si dikur dhe pastaj të gjithë jemi njësoj”! Nuk jemi njësoj. Unë kam 1 hektarë, ti ke 3, ai tjetri ka 5 dynymë. Ama, kjo sasi toke që ne bashkojmë na jep shumë më tepër rezultat.

Ashtu sikundër, ky prodhim që ne bashkojmë në shitje na jep shumë më tepër kapacitet negociues dhe këtë ju e dini shumë mirë sepse kjo është gjëja që bëjnë grumbulluesit.

E fundit që kam, për ta mbyllur, është aspekti i një situate ku realisht jemi në të tretën fatkeqësi radhazi që nuk ka lidhje fare me çfarë ne kemi dëshiruar dhe që nuk varet nga ne se kur mbaron. Nga tërmeti tek pandemia, për të ardhur tek kjo e treta, kjo është më e keqja, pa diskutim, është më e keqja sepse është ndërtuar, konceptuar dhe organizuar për të qenë më e keqja. Kush thotë që nuk ka luftë, ose është komplet i verbër dhe kokëbosh ose ka qëllim për ta bërë këtë. Unë nuk dua të hyj këtu se më keni dëgjuar besoj.

Ajo që dua të them është që lufta është konceptuar për të gjunjëzuar të gjithë perëndimin e Rusisë. Si? Bombat në Ukrainë, shkatërrimet fizike në Ukrainë, sfida ndaj të gjithë rendit të së drejtës ndërkombëtare në Ukrainë, ama dy armë të cilave nuk ke fare se nga tu ikësh janë prodhuar enkas për të shkuar në çdo shtëpi të të gjithë botës në perëndim të Rusisë, nga Polonia deri në Islandë dhe matanë pastaj, por flasim për kontinentin ku jemi ne. Arma e parë është goditja e çmimit të energjisë dhe çmimi i energjisë vjen në çdo derë, kudo ku ndizet një dritë dhe e dyta është inflacioni, dora e padukshme që të kap sa herë ti fut dorën në xhep për të paguar dhe për të blerë diçka dhe thotë, “dua pjesën time, nuk kushton kaq kjo domatja sepse kaq i kushton atij që e ka prodhuar, por është dhe kaq, plus se dua unë”; inflacioni i luftës.

Ne kemi neutralizuar, deri tani, armën e parë. Faturat e energjisë që vijnë nën dyert tuaja nuk kanë asnjë ndryshim. Po të lexosh faturën, nuk ka luftë. Pse? Sepse çdo familje dhe çdo biznes i vogël në Shqipëri ka një mburojë financiare që e ka vendosur qeveria qysh përpara fillimit të luftës kur filloi kriza energjetike që ishte në fakt, preludi i luftës që erdhi mbrapa dhe provokimi i gjithë situatës nga Putini atje në Kremlin. Ajo mburojë financiare bën që çmimi që paguan çdo familje të jetë 20-25%, 30% në ndonjë rast dhe çfarë paguan qeveria, që nuk duket në faturë, përmes buxhetit, të jetë 70%, 75%, 80% e faturës, por nuk do të mjaftonte kjo në rast se do të kufizoheshim vetëm tek familjet dhe nuk do të shtriheshim dhe tek biznesi i vogël sepse çdo dyqan, në rast se do të kishte një faturë energjie më të lartë, do ta kalonte pjesën më të madhe tek ata që blejnë dhe kjo është arsyeja se pse ne kemi një inflacion lufte që është më i ulëti në rajon dhe ky është fakt.

Natyrisht, kjo nuk është një arsye për të thënë që nuk keni asnjë arsye për të qenë të mërzitur, se nuk ka. Jo, ka dhe ka vështirësi të mëdha, por është e sigurt që po bëjmë jo më të mirën, por po bëjmë një sforco të jashtëzakonshme për ta bërë më të mirën dhe unë jam i bindur që nëse ne do arrijmë ta mbajmë këtë mburojë të pa lëvizur në vijim, kjo do të jetë një mirësi e madhe ekonomike në vazhdim.

Sigurisht që atmosfera e një lufte kërkon mirëkuptim kombëtar, kërkon njerzillëk sepse ka njëmijë e një arsye për të bërë debate, për tu kacafytur për çështje të caktuara, por mungesa totale e njerzillëkut dhe jo mungesa e mirëkuptimit, por nxitja nga mëngjesi deri në mesnatë e keqkuptimit, e mosmarrëveshjes, e sherrit, e konfliktit dhe pasqyrimi gjithmonë e më i deformuar nëpër media i realitetit janë sot aq evidente saqë duhet ta bëjnë të mendohet çdo shqiptar; duhet ta bëjnë të mendohet për çfarë do të thotë sot të jesh shqiptar dhe t’i thuash vetes shqiptar, çfarë do të thotë sot që të jesh krenar për vendin tënd dhe me krenari ta mbrosh vendin tënd dhe pa mbyllur sytë përpara asnjë problemi dhe asnjë shqetësimi dhe asnjë halli që vendi yt mund të ketë, të mos i hapësh më shumë halle, më shumë probleme, më shumë shqetësime duke u sjellë kundër interesave të tij.

Kjo nuk vlen fare për ata që këtë punë e bëjnë sepse janë në mision. Janë në mision, për fat të keq. Për fat të keq, është një degë e shtrembër e pemës gjenealogjike e shqiptarëve që është në mision qysh në 1912 që është një mallkim me të cilin duhet të merren shqiptarët vetë sepse nuk ka kush e zgjidh tjetër, dhe unë nuk di se çfarë duan të shikojnë akoma me sy dhe të dëgjojnë akoma me veshë disa shqiptarë. Fatmirësisht janë pakicë. Do të jenë pakicë. S’ka se si të bëhen kurrsesi shumicë se nuk funksionon kështu, por të gjendesh përpara faktesh aq tronditëse dhe aq domethënëse sa shpërblimi financiar nga të huajt, jo dashamirës ndaj vendit për të ngatërruar vendin tënd dhe të vazhdosh të besosh ose të ndjekësh verbërisht ata që arrijnë deri këtu, kjo është në pikëpyetje shumë të madhe. Realisht, çfarë do të thotë për këta njerëz të jesh shqiptar.

Megjithatë, unë e di çfarë do të thotë për mua. Unë e di çfarë do të thotë për shumicën dhe unë e di çfarë do të thotë për këtë familje që ka ndërtuar këtu këtë investim kaq të bukur dhe kuptimplotë.

Po e mbyll duke iu uruar shëndet e mbarësi dhe jam i bindur që ata që janë sot të vegjël dhe që do rriten nesër, do të kujtojnë me shumë respekt dhe shumë mirënjohje ata që e ndërtuan këtë.

Shumë faleminderit!

Previous Përmbledhje e Performancës Paraprake 10 – Mujore të të Ardhurave dhe Shpenzimeve