Bruksel, Konferencë e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Rama, Presidentit të KESE Oliver Ropke, Zvpresidentes së deleguar të Komisionit Europian të Vlerave & Transparencës dhe Kryeministrit të Malit të Zi Milojko Spajić - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Bruksel, Konferencë e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Rama, Presidentit të KESE Oliver Ropke, Zvpresidentes së deleguar të Komisionit Europian të Vlerave & Transparencës dhe Kryeministrit të Malit të Zi Milojko Spajić

Kryeministri Edi Rama ndodhet në një vizitë zyrtare dyditore në Bruksel me rastin e pjesëmarrjes së tij në mbledhjen e Komitetit Ekonomik dhe Social Europian.

Në ditën e dytë të vizitës së tij, Kryeministri Rama mbajti një Konferencë të përbashkët për shtyp mbi ecurinë e punës për Planin e Ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, me Oliver Röpke, President i Komitetit Europian për Ekonominë dhe Çështjet Sociale (EESC), Věra Jourova, Zëvendëspresidente e deleguar e Komisionit Europian të Vlerave & Transparencës dhe Milojko Spajic, Kryeministër i Malit të Zi.

 

* * *

 

Presidenti i Komitetit Europian për Ekonominë dhe Çështjet Sociale, Oliver Röpke: Mirëmëngjesi, zonja e zotërinj! E nderuar zëvendës presidente, Të nderuar kryeministra,

Doja së pari t’ju uroja  mirëseardhjen në këtë konferencë shtypi. Është një nismë e shënjuar e EESC që ne nisim sot qysh prej para 10 muajsh kur unë mora presidencën, nisma ime e parë kryesore ishte të forconim përfshirjen e vendeve kandidate ne punën tonë.

Donim që të bëheshim një prej institucioneve të para të BE-së që përfshinte vendet kandidate në punën tonë këshillimore.

10 muaj më vonë jam vërtetë krenar të them që në Komitet, ne kemi vendosur njëzëri të nisim këtë projekt dhe për më tepër që dy ditë më parë, në zyrë ne saktësuam anëtarët e vendeve kandidate. Disa prej tyre janë këtu dhe jam shumë i nderuar dhe i kënaqur t’ju shoh këtu. Është një shenjë mjaft e madhe që mund t’ju tregojmë sot fillimin e kësaj nisme.

Gjatë këtyre viteve të fundit konteksti gjeopolitik në Europë dhe në mbarë botën ka ndryshuar në mënyrë dramatike. Kemi parë që zgjerimi vërtetë ka arritur një moment kyç për fat të keq lidhur me luftën e agresionit kundër Ukrainës, por ne, në nismat tona kemi përfshirë të gjitha vendet kandidate që do të thotë; Ukraina, Moldavia e Gjeorgjia, Turqia, por edhe të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor përfshirë Malin e Zi dhe Shqipërinë sepse personalisht jam i mendimit që nuk mund t’i lëmë më gjatë në sallën e pritjes. Na duhet të angazhohemi për të dëshmuar se edhe pse anëtarësimi në BE duhet të jetë i bazuar në meritë, shumë gjëra mendoj se mund t’i bëjmë më përpara për të ndihmuar të integrojmë vendet kandidate në punën tonë e sidomos në këndvështrimin tonë si EESC, si një organizëm i shoqërisë civile për të forcuar e për të fuqizuar shoqërinë civile dhe partnerët socialë në vendet e zgjerimit. Po nisim tanimë një fazë të re sepse ky projekt do të nisë çka nënkupton që premtimet  janë vënë në rrugën e duhur. Presim me padurim që të punojmë me ju, me vendet në procesin e zgjerimit dhe jam i bindur që ju mund të sillni nisma dhe këndvështrime e pikëpamje të reja në vendet në prag të zgjerimit në BE, pra nuk është vetëm një drejtim njëkahësh. Të dyja palët mund të përfitojnë nga njëra –tjetra edhe këtu në EESC ndaj vendosëm që të çelnim dyert e për të përfshirë përfaqësuesit tuaj në punën tonë.

Duhet të ndaj me ju që reagimi, përgjigjja ndaj thirrjes sonë për vendet në zgjerim ishte mbresëlënës. 600 aplikime e më shumë! Nuk ishte e thjeshtë që të përzgjidhnim, por tashmë kemi 131 anëtarë nga vendet anëtare kandidate që tregon se sa e gjallë, sa energjike është shoqëria civile në këto vende.

Kam patur nderin të vizitoj disa prej vendeve kandidate gjatë muajve të fundit dhe pata kënaqësi dhe vërtetë që u impresionova nga shoqëria civile në këto vende dhe pres me padurim që të caktojmë këtë standard të ri këtu tek ne sa i takon integrimit gradual.

Së fundmi, do të doja të falënderoja të gjithë institucionet e BE-së për mbështetjen e tyre për këtë nismë sidomos Komisionin Europian, zëvendës presidenten Jourova, po kështu shprehimisht presidenten von der Leyen që e ka mbështetur këtë nismë qysh prej fillesës e shpresoj që kjo të jetë një histori suksesi.

 

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit shumë që na keni ftuar!

Duhet të them që është lajm i shkëlqyer ky që vjen nga një organizëm shembullor, kompleks institucionesh sic është Komiteti Ekonomik Social Europian i cili vendosi që të merrte hapa shumë të guximshme duke iu dhënë faktikisht të gjitha vendeve kandidate mundësinë për të qenë pjesë e një komuniteti që përbëhet nga shtete anëtare.

Besoj se kjo përbën shembullin e parë të shkëlqyer se si duhet të parashohim të ardhshmen e afërt dhe se si me gjasë duhet të biem dakord me miqtë tanë të Bashkimit Europian lidhur me qasjet e ndryshme për t’i bërë gjërat së bashku, duke na lejuar ne, vendet kandidate që të jemi pjesë e hapësirave të dialogut, të ndërveprimit dhe bashkëpunimit që kjo organizatë e jashtëzakonshme ofron për të gjithë anëtarët.

Kështu, duke patur vendet tona sot në këtë Komitet si anëtare, në kuptimin e plotë pa të drejtën e votës është saktësisht ajo çka duhet të ndodhë në të ardhmen e afërt për Bashkimin Europian dhe Ballkanin Perëndimor që duhet të gjejnë rrugën për t’u siguruar që rrugëtimi drejt anëtarësimit tonë të plotë të jetë një rrugëtim bashkëpunimi shumë i ngushtë, por po kështu një rrugëtim ndërveprimi mjaft organik që duhet të ofrohet nga Bashkimi Europian dhe institucionet e tij.

Unë besoj fort që është tanimë kohë që Bashkimi Europian të kuptojë se vendet kandidate të Ballkanit Perëndimor, por jo vetëm nuk janë vetëm mjaftueshëm të pjekura, por po kështu janë në një situatë ku meritojnë të përqafohen e të sillen më pranë, pa qenë domosdoshmërish anëtarë me të drejta të plota siç në fakt është objektivi fundor i të gjithë këtij procesi.

Ajo çfarë po ndodh sot, është një shembull ekzemplar i asaj çfarë duhet të ndodhë më tej në nivele të tjera, në struktura të tjera dhe organizma të tjera të Bashkimit Europian.

Besoj fort se ajo çka po ndodh sot këtu, duhet të ndodhë në Parlamentin  BE-së, duhet të ndodhë në Komisionin Europian dhe në Këshillin Europian. Kjo është e vetmja rrugë për të qetësuar të gjithë shpirtrat dhe për të injektuar një energji mjaft konkrete, një energji mjaft të prekshme, një energji mjaft të dobishme në të gjitha vendet kandidate dhe qytetarët e tyre lidhur me të ardhmen mjaft konkrete të të qenit pjesë e Bashkimit Europian, në të kundërt do të rrezikojmë t’i hyjmë një rruge që s’mbaron kurrë të qëllimeve të mira, të një morie premtimesh, por pa asnjë rezultat konkret apo mbajtjen e tyre.

Mendoj që ndërkohë plani i ri i rritjes është po ashtu një tjetër shembull shumë i rëndësishëm i një shkalle ndërgjegjësimi, i një mënyre ndryshe e të parit të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të tjera kandidate, e të parit të vetë së ardhmes së Bashkimit Europian. Duke thënë të gjitha këto dëshiroj ta përmbyll duke thënë se së fundi po shohim që Bashkimi Europian është shumë më i vetëdijshëm në vepra, jo vetëm me fjalë për rëndësinë strategjike që ka Ballkani Perëndimor për Bashkimin Europian dhe është e trishtë që duhet Vladimir Putin që të ndodhte kjo gjë.

Besoj sidoqoftë fort se ne tashmë duhet ta ruajmë këtë ritëm duke ecur përpara me hapa të guximshëm e të mos presim për një agresion tjetër, për një goditje tjetër a një katastrofë tjetër që të na kujtojë pikë së pari të kujtojë njerëzit në Bruksel se sa i rëndësishëm është Ballkani Perëndimor për Bashkimin Europian.

E themi gjithnjë që Bashkimi Europian është shumë i rëndësishëm për ne, por të gjithë në Bashkimin Europian duhet të kuptojnë dhe duhet ta kuptojnë jo vetëm teorikisht, por duhet të sigurohen që ky ndërgjegjësim të bëhet dhe praktik, se po kaq rëndësi sa ka Bashkimi Europian për Ballkanin Perëndimor, po aq ka Ballkani Perëndimor për Bashkimin Europian.

* * *

– Kryeministri Rama, në fakt ju edhe keni folur dhe jeni shprehur kundër Komisionit Europian apo Bashkimit Europian për këtë proces që ishte i ngadalshëm, por procesi ka nisur të ecë shumë shpejtë tashmë dhe vendi juaj tashmë po ngre dhe qendrat për migracionin me qeverinë italiane që mund të sugjeroj edhe që kjo mund të mos parandalojë dhe vende të tjera të BE për këtë gjë, por nëqoftëse ju si të thuash merreni me këtë lloj pune, me këtë detyrë të vështirë të emigracionit, a mund t’ju ndaloj juve një gjë e tillë për integrimin?

Kryeministri Edi Rama: Nuk jam shumë i sigurt nëse e kuptova pjesën e dytë të pyetjes, por më lini t’ju them këtë. Unë nuk u shpreha apo fola kundër bashkimit Europian. Fola në favor në Bashkimit Europian si një europian që ishte i palumtur me atë çfarë po ndodhte në këtë qytet melankolik për të ardhmen e Bashkimit Europian dhe siç e thashë në fjalët hapëse është mjaft e trishtë që nuk mjaftoi që as unë dhe kolegët e mi në Ballkanin Perëndimor të ngrinim zërin dhe të thoshim: dëgjoni Ballkani Perëndimor është shumë strategjik dhe duhet ta merrni parasysh këtë. U desh Vladimir Putini që të shkundte çdo kënd dhe t’ju hapte sytë të gjithëve. Tanimë jemi në një pozitë tjetër dhe tashmë ka një shkallë shumë më të lartë ndërgjegjësimi dhe ndryshim të prekshëm sa i takon vullnetit të Bashkimit Europian dhe shteteve anëtare për të shtyrë përpara zgjerimin, por sigurisht nuk e marrim të mirëqenë. Kemi bërë një rrugë të gjatë dhe e dimë që në kohë të mira është shumë e mundshme që të dembelosemi dhe t’i hyjmë rrugës së vjetër të humbjes apo të lënies së përmbushjes në nivel strategjik të BE-së në radhë të dytë.

Thënë kjo, nuk jam i sigurt nëse e kuptova pjesën e dytë të pyetjes suaj sepse nuk e shoh sesi ajo çfarë po bëjmë më Italinë bie ndesh me qëndrimin e Bashkimin Europian për migracionin. Është e kundërta do të thoja, ajo që po bëjmë me Italinë si shtet jo anëtar, është ajo që supozohet të bëjë shteti anëtar dhe nëse e ashtuquajtura politikë e rishpërndarjes ka dështuar masivisht, kjo nuk e bën atë çka po bën Shqipëria diçka që është ndesh me qëndrimin e bashkimit Europian në raport me migracionin. Krejt e kundërta, ne po sillemi si një vend anëtar i BE-së dhe po pranojmë që një tjetër vend anëtar i BE-së të ndajë me ne peshën e përgjegjësisë për tu përballur me një çështje kaq të vështirë në kontekstin kur migracioni i paligjshëm është bërë ushqim i politikes të përditshme e debateve si edhe këto debate ushqim për zgjedhjet e radhës dhe më tej, por kjo natyrisht nuk mund të jetë përgjigja e përbashkët e Bashkimit Europian për mënyrën sesi duhet trajtuar kjo situatë.

Në fakt e gjithë politika që prodhohet nga kjo çështje nuk po merret me thelbin apo me shkakun por po merret me simptomat ndaj shkaku po bëhet gjithmonë e më shqetësues dhe situatat në të ardhmen e afërt apo afatmesme mund të ndalin krejt jashtë kontrollit

Natyrisht Shqipëria nuk ka asnjë fuqi këtu për të qenë ajo që jep zgjidhjen por jemi një kontribuues modest dhe po qëndrojmë krah për krah me një vend që për ne ka një vlerë shumë të veçantë, që është Italia. Ne jemi fqinj që na ndan veç deti dhe në këtë det por ndodhin gjëra dhe nuk mund të rrimë larg e të bëjmë sikur nuk ka aspak lidhje me ne.

Ne nuk jemi shtete anëtare të Bashkimit Europian dhe nuk na detyron asnjë marrëveshje, asnjë angazhim për tu përfshirë në atë që ju e quani punë e pisët por në fakt është më shumë sesa një punë  e tillë. Është një punë shumë – shumë sfiduese dhe mos ta besh si duhet këtë punë sot, mund t’i shkaktojë nesër BE dëme që nuk jam i sigurt se mund të parashikohen sa katastrofike mund të jenë.

Previous Shqipëria nënshkruan Konventën Lubjanë-Hagë