Në Bruksel është duke u zhvilluar takimi i parë dypalësh në Komisionin Europian, për shqyrtimin analitik të Kapitullit 24. Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, i cili udhëheq delegacionin shqiptar, e vlerësoi këtë si një mundësi të shkëlqyer për të dialoguar drejtpërdrejtë, për mundësitë e përshpejtimit dhe avancimit të procesit të integrimit të vendit.
“Jemi krenar që sot prezantuam punën si produkt i ekipit tonë, për përafrimin e legjislacionit kombëtar me Acquis të BE-së në lidhje me këtë kapitull. Ministria e Brendshme çel siparin e një përpjekje që do të vazhdojë me përkushtim e profesionalizëm.
Ne jemi të vetëdijshëm se kemi ende shumë punë për të bërë, për përmbushjen e detyrimeve të anëtarësimit, jo thjesht si plotësim i detyrimeve tona, por sepse besojmë se reformat dhe rritja e standardeve i shërbejnë mbi të gjitha qytetarëve shqiptarë”, shkruan ministri i Brendshëm në rrjete sociale.