Ministri i Mbrojtjes, Z. Niko Peleshi dhe Znj. Elizabeth L. Dibble, Përfaqësuesja më e lartë e Forcës Shumëkombëshe dhe Vëzhguesve (MFO) nënshkruan ditën e sotme marrëveshjen midis Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Forcës Shumëkombëshe Vëzhguese (MFO) për pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në misionin e MFO në Sinai, Republika Arabe e Egjiptit.
Misioni i MFO-së është të mbikëqyrë zbatimin e dispozitave të sigurisë të Traktatit të Paqes midis Egjiptit dhe Izraelit. Marrëveshja e nënshkruar i hap rrugën përfaqësimit të vendit tonë me një personel prej 4 (katër) efektivë të Policisë Ushtarake (PU) në role drejtuese, mbikëqyrëse dhe veprimtari hetimore.
Ndër të tjera, znj. Dibble shprehu mirënjohje për kontributin e vendit tonë në këtë mision dhe vlerësoi përpjekjet e Shqipërisë si eksportuese të sigurisë edhe përtej rajonit. Ministri i Mbrojtjes shprehu dëshirën e qartë politike dhe vendosmëri për përfaqësim dinjitoze të RSH në këtë mision.
Dislokimi i efektivëve të FARSH në këtë mision është një event me rëndësi historike, pasi për herë të parë Shqipëria kontribuon me trupa ushtarake për garantimin e marrëveshjes së paqes në Gadishullin e Sinait. Në të njëjtën kohë ky është një kontribut i veçantë për sa i përket bashkëpunimit strategjik në fushën e Mbrojtjes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.