Burrel, me të rinjtë dhe të rejat që kërkojnë dhe gjejnë suksesin tek puna, talenti dhe përkushtimi i tyre në mësime dhe jo vetëm - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Burrel, me të rinjtë dhe të rejat që kërkojnë dhe gjejnë suksesin tek puna, talenti dhe përkushtimi i tyre në mësime dhe jo vetëm

Të rinj e të reja të Burrelit, këmbëngulës e të përkushtuar në mësime, por edhe të talentuar dhe angazhuar në fushën e teknologjisë dhe inovacionit, – shumë prej tyre, përfaqësues të denjë të Shqipërisë, në konkurse dhe olimpiada ndërkombëtare, – ishin bashkëbiseduesit e radhës në takimin me Kryeministrin Edi Rama, ku shkëmbyen mendime dhe ide, për çfarë mund të bëhet më bukur e më mirë për shkollën, për qytetin dhe për të ardhmen e tyre.

* * *

Kryeministri Edi Rama: Përshëndetje! Tani mbase do ishte më mirë që më tutje, pas kësaj paraqitje që bëri Belinda, ta vazhdonim pak si bashkëbisedim ose të paktën duke u nisur nga pyetja, nga shqetësimi apo nga opinioni që ju mund të keni. Kështu që, nëse ju keni diçka për të thënë, Bora thotë që kudo ku shkon dhe takon vajza dhe djem si ju, përfshirë dhe këtu, jeni shumë çaprazë nga goja derisa vij unë. Kur vij unë pastaj nuk flisni. Tani unë nuk flas, nëse nuk flisni ju!

– Bashkia Mat ka bërë një hap të madh duke marrë iniciativa dhe duke zhvilluar aktivitete, trajnime, duke hapur shkollën profesionale. Sot jemi një hap para të tjerëve. Ne të rinjtë i njohim shumë mirë vlerat tona dhe po investojmë çdo ditë e më shumë.

Kryeministri Edi Rama: Çdo gjë në rregull me një fjalë? Kush do ta marrë fjalën të bëjë ndonjë vërejtje, ndonjë kritikë, të thotë: “ore këtu kjo punë nuk shkon”. Unë gëzohem që jeni kaq mirë, por puna është që çfarë ka që nuk shkon mirë. Kjo është më interesante besoj.

– Meqë po flasim për kritika, unë faktikisht kisha vetëm për pjesëmarrjen aktive të të rinjve. Në shumë aktivitete prej tre vitesh kam patur fatin të jem dhe në projekte të Erasmus jashtë Shqipërisë, por në këto aktivitete gjithmonë shikoj të njëjtët persona që marrin pjesë në aktivitete, ndoshta është shkak i mos informimit, i mosinteresimit, por pyetja që kisha është: A ka qeveria një projekt plan ose një përgatitje që të ketë një pjesëmarrja më të lartë të të rinjve dhe siç ishte shkolla profesionale një super projekt i qytetit të Burrelit, a do të vijë ajo ditë që Burreli të ketë një qendër rinore?

Kryeministri Edi Rama: Për pjesën e aktivizimit të të rinjve, kjo është e dyanshme dhe mbi të gjitha, kjo lidhet dhe me një kohë goxha të ngatërruar siç është koha që jetojmë sot, jo në Shqipëri, por në të gjithë botën. Ky është një problem që e kanë të gjithë, që ato mrokllat digjitale e kanë larguar shumë njeriun. Në radhë të parë, i kanë larguar më shumë të vegjlit dhe më të shkathëtit për t’i përdorur ato nga tjetri, nga shoqëria, nga radhët e ndryshme të njerëzve ku zakonisht zhvillohen aktivitete që kërkojnë ndërveprim mes tyre dhe ky është një problem i madh  për të gjithë jo vetëm për ne. Ndërkohë që, ajo që ne e kemi shumë të qartë që duhet bërë është që të rrisim sa më shumë mundësitë dhe rritja e mundësive ka të bëjë me domosdoshmërinë e krijimit të hapësirave të reja, që nga hapësirat për teknologjinë që po zgjerohen dhe do vazhdojnë të zgjerohen vit pas viti në mënyrë të ndjeshme, duke filluar nga janari ose shkurti i vitit të ardhshëm. Në të gjitha bashkitë do të ketë pasditeve kurse në shkolla të caktuara, jo në çdo shkollë por nuk ka rëndësi sepse ato shkolla janë për nxënësit e tyre gjatë mësimit pastaj mund të jenë për të gjithë mbrapa, kurse për programimin, kurse për kodimin, për teknologjinë. Ashtu sikundër, kurse për artet, për zejet, ashtu sikundër edhe aktivitet sportiv.

Janë ngritur skuadrat në të gjitha shkollat, basketboll-volejboll, meshkuj-femra dhe do të fillojnë aktivitetet pasi të bëhet gjithë pajisja e gjithë skuadrave me uniforma dhe me gjithë materialet e nevojshme për të qenë tamam skuadra dhe do të zhvillohen kampionate në tre nivele, nivel bashkie, nivel qarku dhe pastaj në nivel kombëtar për të stimuluar një lëvizje sportive e cila është lëvizje sportive shkollore, nuk është qëllimi që të bëhen të gjithë sportistë, por është qëllimi që të stimulohet aktiviteti fizik dhe të stimulohet gjithë ajo ndjenjë e fortë skuadre dhe ndjenjë e fortë përkatësie që sporti e stimulon si askush tjetër, si asgjë tjetër edhe për ata që nuk e luajnë, por që e ndjekin.

Në pjesën tjetër, unë besoj që edhe përtej shkollës është jashtëzakonisht e rëndësishme që sa më shumë të rinjtë të informohen mbi mundësinë e madhe që u jep teknologjia për tu punësuar kudo dhe kudo jo kudo në Shqipëri, por kudo në botë pa lëvizur nga shtëpia dhe për të marrë paga shumë herë më të larta se pagat e kryetarit të bashkisë dhe kryeministrit. Kjo nuk është një gjë që do të ndodhë në të ardhmen, kjo është një gjë që ndodh sot që flasim edhe në Shqipëri. Në Shqipëri kemi vajza dhe djem të moshës suaj edhe më të vegjël, edhe pak më të mëdhenj por rreth kësaj moshe që janë të punësuar në tregun global online dhe që marrin paga shumë të mira. Për fat të mirë janë dhe për fat të keq janë pak.

Ne kemi gjithë programin për këtë punë me disa drejtime për të stimuluar në radhë të parë edukimin që ju të keni mundësi që të hyni në kurse që janë shumë intensive dhe të cilat të bëjnë të kapërcesh në një kohë të shkurtër atë që normalisht bëhej dhe bëhet me vite të tëra nëse kalon nga rruga e mësimit tradicional.

Duke pasur këtë aftësi, pastaj ju mund të punësoheni kudo dhe nuk keni nevojë fare të lëvizni nga shtëpia, mjafton një kompjuter, mjafton një lidhje interneti dhe je në tregun global, ofron dijet e tua për lloj-lloj kompanish, për lloj-lloj shërbimesh që nga më të thjeshtat e të ndërlikuarat sepse e krijon teknologjia këtë mundësi.

Unë e kam përsëritur disa herë, por është një shembull për tu përsëritur që kur un po bëja këtë bisedë kam qenë me Borën në një takim me të rinj në Durrës në kuadër të takimeve për strategjinë e rinisë dhe shumëkush aty që dëgjonte filloi të nënqeshte qartësisht me idenë, “Ky tani nuk është më këtu, iku” dhe më shpëtoi, më nxori nga situata një vajzë aty që ishte prezente, e cila mori mikrofonin dhe tha, “Pse qeshni? Unë jam një nga personat për të cilët po flet kryeministri”. Ajo banonte në Shënavlash, si me banu në Xibër këtu, ekzaktësisht kjo distancë, ajo lloj situate, familja e saj ishte e ardhur atje. Ajo ishte 16 vjeç dhe punonte në Amerikë dhe Poloni dhe shtëpinë e kishte në Shënavlash dhe tha, “unë nga shtëpia dal për të shkuar në shkollë. Kthehem, bëj mësimet, pastaj filloj punën” dhe këtë punë e bënte që në moshën 11 vjeç dhe ishte personi që sillte të ardhurat kryesore në familjen e vetë. Më shumë sesa prindërit, sepse është lloji i punës që sjell të ardhura të mëdha dhe është lloji i aftësisë që kërkohet sot shumë kudo në botë.

Deri para disa kohësh, nuk jam përditësuar me shifrën aktuale, kërkoheshin 16 milion njerëz në këtë treg, 16 milion vende bosh ishte kërkesa e tregut. Merreni në konsideratë këtë, e natyrisht pastaj secili me mundësitë e veta. Ajo që dëgjova për këtë grup që qenka real, qenka këtu person real për historinë që unë po tregoj. Ti je një nga këto? Ja, person real për historinë që unë po tregoj.

 

– Unë si dhe shumë të tjerë, punojmë për kompani jashtë. Sot po punoja nga Tarzani, kjo kafja që kemi këtu në Burrel, për kompaninë time në Britani. Jam kthyer në Shqipëri gjatë pandemisë dhe pashë që mund të punoja nga Shqipëri, s’kishte asnjë pengesë dhe vendosa të kthehem përgjithmonë.

Kryeministri Edi Rama: Njeri real! Se në qoftë se thjesht i them unë këto, e pastaj i shihni në televizor, do shihni sesi unë po flisja kot e do dëgjoni sesi unë harxhoj 22 milion euro për avionë. Realiteti është krejt ndryshe. Sot ishim në Bulqizë, pavarësisht vështirësive, se nuk është kjo për të thënë sa lehtë e kanë, përkundrazi e kanë të vështirë, po në Bulqizë nuk ka dynym tokë pjellore të papunuar dhe po të shikoni gjithë komponentët e prodhimit bujqësor e blegtoral të Bulqizës është impresionues dhe natyrisht që eksportet rriten sepse njerëzit punojnë. Me vështirësi, por punojnë dhe nga ana tjetër, në këtë vend mundësitë janë, por duhet pak vizion, një ide e mirë dhe këmbëngulje. Një djalë më i madh se ju, po i ri në moshë, kishte studiuar për bimët medicinale, si bimët medicinale mund të ktheheshin në një biznes, kishte bërë dhe diplomën me atë temë. Ishte kthyer atje, fillimisht me minierat pastaj kishte investuar për një pikë grumbullimi të bimëve medicinale. Sapo e ka hapur, na tregoi një grumbull relativisht të vogël i një bime medicinale, tha: Kjo është mbledhja e një dite e babait, djalit dhe nënës dhe për këtë mora 35 mijë lekë të reja. Bimët medicinale nuk kanë nevojë as për t’i mbjellë, ujitur, prashitur, për asnjë gjë. Janë aty për tu mbledhur. Natyrisht që nuk është një punë e lehtë sepse është malore, nuk është shëtitje. Duhet të punosh, por ama janë 35 mijë lekë të reja në ditë. Nuk bëhet dot çdo ditë, po le të themi s’bëhet çdo ditë. Po më tregoni mua një vend ku nisesh mbas Berihait me gomone, kalon kanalin për tu futur ilegal dhe paguan 10, 15, 20 mijë paund për lloj-lloj kriminelash që mund të të mbysin edhe në det. Ma tregoni ku është ky vendi ku shkon dhe merr 35 mijë lekë të reja në ditë, nëse merresh me një punë të zakonshme po themi. Se mund të ketë inxhinierë në nivelet më të larta të kompanive që mund të marrin edhe më shumë, por po flasim për normalen.

Ashtu sikundër këtu, edhe me afrimin e distancës që bëhet më e arsyeshme, është një vend ku potenciali për të organizuar biznese të vogla që mund të rriten të bëhen të mëdha, për agroturizëm, turizëm, guida turistike për gjithfarë lloj aktivitetesh, për teknologjinë. Teknologjia nuk do një vend, o këtu o patjetër. Kudo mund të bëhet. Janë mundësi reale. Duhet edhe vullneti për tu bashkuar me njëri-tjetrin. Mund të rrisësh bletë e mund të mbledhësh mjaltë, po nëse je vetëm është shumë e vështirë se ku do e çosh. Do ta mbledhësh vetë, kavanozat do t’i sajosh vetë, etiketat do t’i bësh vetë, je vetëm. Ndërkohë që, nëse bashkohesh me disa të tjerë, e solla këtë shembull se në Bulqizë e këtë zonë ka plot bletërritës, nëse krijojmë një ndërmarrje që ka një pikë grumbullimi, një linjë përpunimi dhe një produkt sipas llojeve të mjaltit, me disa lloj kavanozash, etiketash. Ajo është komplet gjë tjetër e të ardhurat janë më të mëdha. Kështu mund të flasim për të gjitha llojet e produkteve që mund të bëjmë.

Flasim për turizëm. Ne duam të mbështesim linjat e artizanatit sepse është një zonë e industrisë së turizmit që është shumë e çmuar, sjell shumë të ardhura. Dy të rinj me një autobus të dekoruar dhe me kostume, produkte artizanale në Tiranë kanë bërë namin. Duhet një ndërveprim. Ne jemi këtu për të stimuluar, për të mbështetur siç mbështesim agroturizmat, startup-et, të tjera iniciativa, siç do mbështesim edhe kurset për kodimin.

Me bashkitë kemi diskutuar gjatë sesi duhet të përfshihen në mbështetjen e këtyre iniciativave dhe të jenë pjesëmarrëse për tua lehtësuar të rinjve gjithë procesin, por është e rëndësishme që ju të bëni pjesën tuaj. Gati s’ka. Gjysmë të gatshme po, por gati jo.

 

-Kam qenë pjesëmarrëse në shumë konkurse shkencore, ku jam vlerësuar me certifikata dhe medalje. Kam përfaqësuar Shqipërinë në rang ballkanik në dy olimpiada, atë të matematikës dhe olimpiadën ballkanike të fizikës. Sot këtu jam paraqitur si e apasionuar e teknologjisë. 

 

(Në vijim nxënësja 16 vjeçare prezantoi një prej projekteve në fushën e teknologjisë të vlerësuar me disa çmime në konkurset ndërkombëtare)

Kryeministri Edi Rama: Unë po ja kaloj Borës që të bëjë një përmbledhje të shkurtër të këtyre programeve sepse jo vetëm për ju, por edhe për ata që na ndjekin mbase për të ditur se çfarë konkretisht kemi në proces se janë gjëra të reja.

Dhe një gjë tjetër, që është futur këtë vit. Ne kemi pasur dhe ka qenë dhe më përpara, një fond për të mbështetur vajza dhe djem ekselentë që shkojnë në shkollat më të mira të botës, kishte një listë shkollash dhe faktikisht çdo vit harxhohej një fond i konsiderueshëm për rreth 20 studentë me idenë që këta do të vinin pastaj në Shqipëri të punonin, gjë që nuk ka ndodhur. Dhe ajo që ne bëmë tani, këtë fond tani e kemi vënë në dispozicion, e kemi kthyer dhe e kemi vënë në dispozicion të atyre që janë me të gjitha dhjeta këtu. Dhe që do të shkojnë në universitet dhe që do kenë të gjitha dhjeta, jo që i kemi quajtur ekselentë nga nënta te dhjeta. Dhe me llogaritë që kemi bërë janë nga 200 deri në 400 kur të plotësohet cikli, kuptohet, do të përfitojnë një bursë të barabartë me një pagë minimale. Sot paga minimale është 340 mijë lek të vjetra, kështu që kjo do jetë bursa e përmuajshme për këta nxënës, që ta dini, kështu që mos lëshoni asnjë 10 se është një bursë e konsiderueshme po të kemi parasysh që keni dhe mbështetjen e prindërve që nuk mungon.

 

Mirë, shumë faleminderit! Do shikohemi besoj patjetër përsëri dhe për çdo gjë që juve keni ide dhe nevojë në këto drejtime, ne jemi në dispozicion, natyrisht duke kaluar përmes bashkisë si ura lidhëse dhe pastaj edhe Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët është në të njëjtën kohë personi që koordinon këto përpjekje dhe koordinon këto ndërveprime, kështu që jeni të mirëseardhur nëse ju thotë mendja që mos t’ju duhemi.

Nëse nuk ju duhemi dhe ecni përpara pa ne, atëherë jeni realisht shumë të respektuar.

Shumë faleminderit!

Previous Fjala e Kryeministri Edi Rama në takimin me qytetarët e bashkive Bulqizë, Klos e Mat, për rezultatet e punës së bashkive