Bypass-i i Tiranës përfundon në shtator 2027, ministri Karakaçi: Në nëntor nisin shpronësimet për Kashar-Rrogozhinë
Bypass-i i Tiranës parashikohet të përfundojë në shtator të vitit 2027, ndërsa në 10 kilometrat e parë të aksit janë realizuar rreth 50% e punimeve. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, gjatë inspektimit të kantierit së bashku me Kryeministrin Edi Rama, bëri të ditur se projekti po avancon në dy lotet e kontraktuara, ndërsa po përgatitet financimi për vijimin e punimeve në pjesën tjetër të aksit.
Sipas ministrit, Bypass-i i Tiranës ka një gjatësi totale prej 21 kilometrash, nga të cilat 11 kilometrat e mbetur do të financohen nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), me mbështetjen e një granti prej 40% nga Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor. Marrëveshja e financimit me BERZH-in pritet të miratohet brenda tremujorit të parë të vitit 2027, për t’i hapur rrugë vijimit të punimeve.
Ministri Karakaçi theksoi rëndësinë strategjike të Bypass-it të Tiranës për ndërlidhjen e segmenteve të Korridorit Blu, veçanërisht aksit Thumanë-Kashar me segmentin Kashar-Lekaj. Projekti synon të përmirësojë lidhjet ndërmjet akseve kryesore rrugore dhe të lehtësojë qarkullimin, duke shmangur kalimin e trafikut tranzit përmes kryeqytetit.
Sa i përket aksit Kashar-Lekaj, ministri bëri të ditur se janë miratuar projekti teknik dhe projekti i zbatimit, ndërsa nisja e punimeve parashikohet deri në fund të vitit 2026. Një tjetër projekt i rëndësishëm është segmenti Kashar-Rrogozhinë, për të cilin gjatë muajit nëntor pritet të nisin shpronësimet e para, ndërsa punimet parashikohen të fillojnë deri në fund të vitit.
Bypass-i i Tiranës, së bashku me segmentet e tjera të Korridorit Blu, synon të përmirësojë lidhjet rrugore dhe të lehtësojë lëvizjen e automjeteve përgjatë korridorit kombëtar të transportit.