Agroturizmi në Tepelenë dhe zonat përreth po merr një zhvillim dhe dimension të ri, falë investimeve të ndryshme private dhe ideve inovative që sjellin risi të ndërthurura bukur me traditën. Fshati Nivicë, i cili gjendet rreth 20 km nga qyteti i Tepelenës, duket se po lulëzon dhe po i rikthehet gjallëria e dikurshme prej numrit të madh të vizitorëve që e zgjedhin si destinacion.
“Camp Nivica“ është investimi i parë suedez në Shqipëri në fushën e turizmit të qëndrueshëm, një EkoResort model, mes natyrës magjike, shembull domethënës i mençurisë dhe respektit për natyrën, i cili tregon se si mund të krijohet një sipërmarrje turistike me shumë mend e jo shumë fonde.
Për t’u njohur nga afër me këtë investim interesant të çiftit suedez, ishte sot në Nivicë, Kryeministri Edi Rama,
Kampingu me pamje nga Kanioni i Nivicës është i ndërtuar në çadra që vendosen mbi struktura druri të çmontueshme dhe paketueshme. Ato janë të mbuluara me tenda model safari, të cilat vijnë për herë të parë në Shqipëri dhe montohen në struktura druri e mbulohen me kashtë për të shmangur nxehtësinë.
‘’Jemi përpjekur të ngremë këtë kamp ekologjik të stilit safari në Nivicë me kanionet si panorama përreth. Për ne ka qenë me rëndësi të ndërtojmë me materiale natyrore e të përpiqemi të krijojmë një hapësirë ku miqtë të ndihen sa më pranë natyrës, në një mënyrë të tillë që s’e bëjnë shpesh kur jetojnë në qytete të mëdha apo kur nuk shkojnë dot për ngjitje në mal. Gjithçka funksionon me 20 panele diellore gjithësej. Jemi përpjekur të bashkëpunojmë shumë ngushtë më komunitetin këtu në Nivicë.” – shpjegoi investitorja suedeze, e cila shtoi se me ngritjen e kampit interesi për ta vizituar dhe për të kaluar disa ditë aty është shumë i lartë si nga turistët vendas ashtu dhe nga ata të huaj.
“Ka shumë njerëz që vijnë për të bërë ngjitje, kemi kanionet. Kemi një panoramë,pejsazh super fantastik. Ne jemi shfaqur në median suedeze. Rezervimet vijnë nga Suedia, por edhe nga të tjerë. Është një kombinim. Shumë rezervime vijnë nga Shqipëria, 50 % do thoja dhe 50% janë ndërkombëtare, vijnë nga Holanda, Suedia, Gjermania, edhe Amerika gjithashtu.” – tregoi ajo.
Kryeministri Rama pasi vizitoi kampingun tha se ky investim është një shembull fantastik i krijimit të mjediseve luksoze pa shkatërruar natyrën. “Është po kështu një shembull fantastik për të tjerët që të mësojnë sesi të ndërtojnë mjedise luksoze pa shkatërruar natyrën. Jam i sigurt që do të krijojë valë të re të këtoj lloji turizmi. Njerëzit mund të mësojnë, përmes kësaj, se si me pak mund të ndërtosh shumë.” – u shpreh Kryeministri.
Në Bashkinë Tepelenë dhe fshatrat që përfshihen në të, numërohen rreth 12 subjekte, të cilat operojnë në fushën e agroturizmit dhe të turizmit rural, 5 prej të cilave gjenden në fshatin Nivicë. Bujtinat e ndërtuara prej këtyre subjekteve ruajnë stilin tradicional të ndërtimeve të zonës. Duke qenë se zona shquhet për blegtori, banorët vendas shfrytëzojnë prodhimet e fshatit për t’i tregtuar në bujtinat që ata kanë ndërtuar, duke ofruar gatime tradicionale të zonës së Kurveleshit si dhe prodhime bulmeti.