COD, veprat e piktorit Naxhi Bakalli në ekspozitën e titulluar “Përherësi” - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

COD, veprat e piktorit Naxhi Bakalli në ekspozitën e titulluar “Përherësi”

Në mjediset e Qendrës për Hapje dhe Dialog (COD) në Kryeministri, u shpalos sot një pjesë e xhevahirit të veprave të krijuara ndër dekada të piktorit Naxhi Bakalli, në ekspozitën e titulluar “Përherësi”.

“Ka një asketizëm dhe një romantizëm në figurën e Naxhi Bakallit që e bën atë një personalitet, një personazh dhe një njeri jashtëzakonisht të veçantë.” – u shpreh Kryeministri Edi Rama, i cili ishte sot vizitor i kësaj ekspozite.

* * *

Mirë se keni ardhur për profesor Naxhiun, jo për mua, akoma më mirë dhe në këtë moment emocional për profesorin dhe për të gjithë dashamirësit e vetë, unë dua thjeshtë të ndaj me ju, jo shumë fjalë për pikturat e tij, por dy momentet e përjetimit tim të marrëdhënies me të.

Unë e mbaj mend profesorin si një personazh hijerëndë, i heshtur, mbrapa kornizës së xhamit të derës së ateliesë së tij në Liceun Artistik, ku për shkak të gjatësisë, unë shikoja përtej xhamave të dyerve dhe gjithmonë ulur tek ajo tavolina  e mësuesit që vizatonte. Dhe kur e shoh gjithmonë më kujtohet ajo kohë dhe ajo korniza e xhamit dhe gjithmonë më duket sikur kthehem në kohë dhe bëhem shumë i vogël përpara tij.

E dyta, sa herë shoh filma me momente që lidhen me punën e murgjve në miniatura apo kaligrafi gjithmonë më kujtohet profesori. Dhe nëse ju e keni parë filmin “Emri i trëndafilit”, aty ka shumë imazhe të murgjve që të përkulur mbi ato letrat e kohës shkruajnë dhe pikturojnë.

Ka dhe një moment të tretë që lidh të dyja gjërat bashkë, që lidh njeriun me dedikimin ndaj veprës, që është një moment që ju do ta gjeni diku nga fundi i korridorit, ku është një burrë dhe një grua në krevat. Ajo është kartolina romantike e dashurisë së paepur të  profesorit për zonjën dhe sot është hera e parë qysh se s’mbahet mend – se s’mbaj mend një herë të dytë, – kur unë e takoj profesorin dhe zonja nuk ishte në perimetrin e një metër rreth tij dhe u trondita dhe i thashë: Ku është dashnia? Të dashurën ku e ke? Ja aty është, – tha.

Edhe sot e dashura ishte tërhequr pak për t’ia lënë të gjithë skenën dashnorit.

Duke i thënë këto besoj se thashë diçka që lidhet me përmbajtjen e brendshme të atij që fshihet pas këtyre tablove dhe ajo çka i lidh të gjithë këto tablo së bashku që nga kjo tablo këtu, që për mua është një nga aktet e kontrabandës së asaj kohe ku një motiv shumë evident i jetës në komunizëm është marrë dhe është përdorur për të kontrabanduar një mënyrë të të parit të pikturës totalisht anti formulës së realizmit socialist dhe deri tek punimet më të reja që janë si të thuash një moment shumë i avancuar i atij udhëtimi të filluar në atë tablo.

 

Dhe kur bashkon pikturat me autorin dhe me personazhin, atëherë e gjitha bëhet plotësisht evidente.

 

Ka një asketizëm dhe një romantizëm në figurën e Naxhi Bakallit që e bën atë një personalitet, një personazh dhe një njeri jashtëzakonisht të veçantë.

E fundit që dua të them profesor, pa beretën legjendare të kam parë vetëm dy herë. Në dy raste. Ose kur ishe në klasë që rrije te ajo tavolina afër penxheres, dhe beretën e vije aty si parzmoren e Skënderbeut kur kthehej nga lufta ose tek ajo tabloja atje në fund. Shiheni atë tablonë, është ai atje, por në krevat nuk mund të rrijë me beretë kuptohet dhe ajo tablo, unë nuk e kisha parë, e pashë në mos gabohem dje paradite kur hyra është një nga deklaratat më të bukura të dashurisë që mund të bëhet përmes pikturës.

Kështu që, qofsh i dashuruar edhe në shumë vitet që ke përpara profesor. Ashtu do jesh se ti nuk jepesh dhe paç dhe për shumë vite të tjera këtë dritë të brendshme dhe këtë pasion që të mban të përkulur përpara pikturës. Asket romantik.

Shumë faleminderit për praninë tënde, e çmoj shumë edhe unë gjithmonë jam i detyruar t’i mbaj këto fjalë që do doja t’i evitoja, por është ajo pjesa para emrit zoti kryeministër që ma bën të pamundur që t’i shmangem.

Kështu që, duke uruar dhe shpresuar që të gjithë do ta shijoni këtë shfaqje, është një shfaqje e bukur linjash dhe ngjyrash, ju uroj të gjithëve që pas kësaj shfaqjeje të ndiheni edhe më mirë, për meritë të Naxhi Bakallit, por shpresoj edhe për meritë të atyre që e bënë të mundur këtë ekspozitë që profesori i falënderoi me shumë xhentilesë.

Shumë faleminderit!

Previous Ministrja Kumbaro prezanton projektbuxhetin 2025, fokusi në promovimin ndërkombëtar, në ekoturizëm dhe mjedis