Denaj nga Berlini: Produktet shqiptare në Festivalin Global Shqiptar të Gastronomisë të denja për sofrën globale - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Denaj nga Berlini: Produktet shqiptare në Festivalin Global Shqiptar të Gastronomisë të denja për sofrën globale

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, mori pjesë në “Festivalit Global Shqiptar të Gastronomisë” në Berlin, Gjermani, ku prodhues, biznese dhe agrobiznese prezantuan me krenari produktet e freskëta dhe autentike shqiptare në sofrën globale.
Me pjesëmarrjen e 110 kompanive nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, festivali hapi dyert për ekspozimin e produkteve të markës “Made in Albania”, ku prodhuesit shqiptarë treguan se janë gati për tregun evropian me produktet dhe shërbimet e tyre cilësore.

Ministrja Denaj u bëri thirrje gastronomëve shqiptarë të suksesshëm kudo në botë që të kthehen dhe të investojnë në Shqipëri, duke theksuar incentivat fiskale në sektorin e agroturizmit. Ajo shtoi se shumë shpejt Kryeministri do të prezantojë “Paketën e Maleve,” një nismë e dedikuar investimeve në zona të caktuara të Shqipërisë.

Në hapjen e këtij panairi morën pjesë personalitete të larta si Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, zv.kryeministri i Parë dhe ministër i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ministri shqiptar për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Kosovës, Faton Peci, kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha, kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako dhe kryebashkiaku i Sarandës, Oltion Çaçi.

Gjatë ditës së parë të panairit, ministrja Denaj ishte pjesë e panelit të diskutimit për zhvillimin e qëndrueshëm të agroturizmit, së bashku me ministrin e Kosovës Faton Peci, kryetarin e Unionit të Turizmit në Kosovë Baki Hoti, dhe sipërmarrësin e Mrizit të Zanave, Altin Prenga.

Ministrja Denaj theksoi në fjalën e saj rëndësinë që qeveria shqiptare i ka kushtuar mbështetjes së këtij sektori.

“Me lehtësitë fiskale, si 6% TVSH dhe 5% tatim mbi fitimin, po inkurajojmë rritjen e numrit të agroturizmave të certifikuar dhe përmirësimin e ofertës së subjekteve,” u shpreh ministrja Denaj, teksa shtoi se “agroturizmi, jo vetëm që ruan kapitalin njerëzor vendas, por gjithashtu gjeneron vende pune duke mbështetur ekonomikisht familjet fermere, ku mesatarisht 22 familje përfitojnë nga çdo njësi turistike.”

Ministrja Denaj vlerësoi se ky panair është një mundësi shumë e mirë për nxitjen e bashkëpunimit mes subjekteve dhe njerëzve të punës.

Panairi “Festivali Global Shqiptar i Gastronomisë”, jo vetëm që promovoi kuzhinën shqiptare, por gjithashtu e shndërroi Berlinin në një qendër të kulturës dhe traditave shqiptare për një ditë, duke e bërë atë të flasë shqip. Festivali pritet të jetë një ngjarje e përvitshme, si një mundësi e shkëlqyer për të festuar identitetin tonë në një skenë ndërkombëtare.

Në vizitën e saj në Berlin, ministrja Denaj zhvilloi edhe një takim me homologun e saj Cem Özdemir, Ministër Federal i Bujqësisë në Gjermani.

“Biseduam për forcimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Gjermanisë në sektorin bujqësor, modernizimin e tij, si dhe për produktet cilësore ‘Made in Albania’, që po afirmohen gjithnjë e më shumë në tregjet ndërkombëtare,” u shpreh ministrja Denaj, duke nxjerrë në pah se marrëdhëniet me Gjermaninë në fushën e bujqësisë do të intensifikohen.

Previous Komisioni për luftën kundër dezinformimit, Vengu: Nevojitet strategji e qartë për përballjen me këtë kërcënim