Dialogu kombëtar me sipërmarrjen për rritjen e pagave vijon/ Transformim rrënjësor i sistemit të pagave kudo në vend - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Dialogu kombëtar me sipërmarrjen për rritjen e pagave vijon/ Transformim rrënjësor i sistemit të pagave kudo në vend

Diskutimi mbi domosdoshmërinë e rritjes së pagave në sektorin privat dhe planet e qeverisë për transformimin rrënjësor të sistemit të pagave kudo në vend, vijoi sot në kompaninë KIKA shpk, ndër sipërmarrjet e para në fushën e ndërtimit, me aktivitet mbi 20 vjeçar në këtë fushë, ku Kryeministri Rama u takua me punonjës dhe drejtues të kompanisë që ka njohur suksesin në aplikimin e praktikave të qëndrueshme për rritjen e pagave, dhe ku sipas të dhënave të vëna në dispozicion nga kjo sipërmarrje rroga mesatare e më shumë se 100 punonjësve është aktualisht mbi 60 mijë lekë të reja.

Kryeministri Rama foli mbi planin ambicioz të qeverisë për rritjen historike të pagave, i cili do të jetësohet së shpejti në vendime konkrete.

 

* * *

Përshëndetje! Edhe unë po çohem sepse është shumë e rëndësishme kjo tabele që kemi këtu edhe për ata që na ndjekin, për të kuptuar se pse disa gjëra nuk mund të vazhdojnë të jenë më siç janë edhe pse nga ana tjetër bazuar mbi këto ne mund të shohim me qartësi se çfarë të ardhme duam të kemi nesër, duke u nisur nga çfarë bëjmë apo nuk bëjmë sot.

Përpara sesa të hyj në disa nga të dhënat e tabelës, dua ta falënderoj Avenirin, përveç të tjerave se edhe si demokrat i paepur që është na e hap derën dhe nga ana tjetër, vijmë këtu te Aveniri dhe flasim me shifra konkrete dhe nuk mund të çohen të na thonë: “foli një komunist”. Megjithëse Aveniri është demokrat po ka pasur gjithmonë prirjen për ta rilindur Tiranën dhe këtu na bashkuar ambicia dhe nga ana tjetër vullneti. Më vjen shumë mirë që sot unë kam rastin të shikoj të realizuar një projekt i cili pati nisur kur unë isha kryetar bashkie  dhe është nga projektet e para në fakt që janë paguar më shumë sesa ç’paguheshin projektet në atë kohë sepse është një projekt me arkitekt të huaj dhe sikur të mos ishin disa shqipo që i nxjerrin ato kondicionerët jashtë vendit të përcaktuar nga arkitektet e huaj ne këtu do ishim qartësisht në një kompleks që fare mirë mund të jetë në çdo vend të Europës, por na ndihmojnë shqipot në fjalë, shiko si i nxjerrin kondicionerët përpara sikur i kanë karta identiteti edhe aty e kuptojmë që jemi në Tiranë.

I thashë edhe Avenirit, në bashkëpunim me inspektoratin përkatës ne mund ta ndihmojmë që këto bubuzhela që prishin këtë pamje dinjitoze të një investimi kaq kuptimplotë t’i heqim nga sytë e njerëzve. Plus dhe diçka tjetër, Tirana kaloi një tërmet, por ja ku janë dy elementë konstruktiv shumë të veçantë për arkitekturën e asaj kohe por dhe të kësaj kohe, sepse behet fjalë për dy ura lidhëse shumë të guximshme për nga pikëpamja konstruktive dhe jo vetëm që vazhdojnë të jenë aty por s’kanë asnjë plasaritje. Kjo është përgjegjshmëria në realizimin e projektit.

Mirëpo ky projekt pavarësisht faktit që si tirons i vjetër Aveniri ka prona, pavarësisht faktit që si demokrat guximtar Aveniri ishte nga të parët që hynë në revolucionin e ndërtimit, pavarësisht faktit që Aveniri i ra rasti të kishte një kryetar bashkie komunist që e mbështeti deri në fund. Pavarësisht faktit që me kryetarët e bashkisë demokrate Aveniri eci si breshka, pavarësisht faktit që sot ne shikojmë këto rezultate, Aveniri s’do bënte asnjë gjë nëse s’do të ishit ju.

Ajo çka Aveniri ka arritur të bëjë, është falë kapitalit njerëzor që ka në dispozicion, falë punonjësve që bëjnë të mundur që projektet e bukura dhe të konceptuara mirë nga pikëpamja inxhinierike të realizohen, pavarësisht sesa investohet.

Në ndërkohë në këtë industri edhe për karakteristikat e kësaj kohe të Shqipërisë nuk është vetëm kompania Kika, nuk janë vetëm pak kompani, por janë shumë kompani. Janë faktikisht 5930 kompani të cilat kanë një numër total të punësuarish, flasim për ata të deklaruarit sepse këtu kemi dhe problemin e punës së padeklaruar, por nuk kemi ardhur të flasim për këtë aspekt sot, 53 277.

Janë pothuajse 8% e totalit të të punësuarve të të gjithë vendit. Tani me sa shisje ti metrin katror në fillim fare kur ishe demokrat në zhvillim e sipër? 300 dollarë? Natyrisht që kur metri katror në këtë zonë apo në Tiranë shitej me 300 dollarë, atëherë patjetër që edhe paga s’kishte si të ishte 300 dollarë apo 400 dollarë, por ishte më pak. Po pyetja është kur sot metri katror në Tiranë pa folur për dyqanet e ka kaluar 1 mijë eurot, si mundemi ne të kemi një pagë minimale, jo këtu në këtë kompani por në kompanitë e ndërtimit, një pagë minimale për 32% të totalit të të punësuarve? Pra 32% e 53 mijë njerëzve marrin pagë minimale, si mund të pranohet kjo?

Ky nuk është më një shpërblim i një krahu pune që bën te mundura fitimet më të mëdha dhe më sistematike për kompanitë shqiptare, ky është shfrytëzim i punonjësve deri në limitet, deri në caqet e mbijetesës dhe ne këtë nuk kemi për ta toleruar më.

Është e papranueshme sepse sot jemi në kushtet kur ekonomia dhe produktiviteti garantojnë jo vetëm fitime për sipërmarrjen, por garantojnë të ardhura që janë shumë përtej pagave që jepen ose deklarohen.

Ajo që është ana tjetër e medaljes së kësaj të keqeje, është që në këtë 32% ka një gënjeshtër të madhe sepse këto janë në një pjesë pagat që jepen, por në një pjesë janë pagat që deklarohen, ndërkohë që një pjesë tjetër paguhet në të zezë. Që do të thotë përfitime që janë përtej normales dhe që janë, si të thuash të shkojmë deri te pika e fundit e gjakut dhe e djersës nga ana e kapitalistëve tanë që po gdhenden, por po gdhenden avash, goditen dy faktorë të tjerë. Goditet njeriu, punonjësi, familja e tij, goditet shteti. Pse? Goditet njeriu, sepse faktikisht ajo paga që merret në të zezë është grabitja e pensionit dhe e asistencës shëndetësore në rast nevoje. Goditet shteti sepse pikërisht për këtë shkak, shteti nuk i merr këto të dyja sepse në pagën minimale shteti nuk ka taksa. Jo vetëm te 40 mijë lekëshi i ri që do të jetë paga e re minimale, por deri tek 50 mijë lekëshi i ri shteti nuk merr taksë, me masën e re që ne kemi vendosur te ligji i ri për tatimin mbi të ardhurat personale.

Këtu nuk është fjala për taksa, këtu është fjala për vetë ata që marrin pagën, për punonjësit të cilët zhvishen nga e drejta për të pasur një pension të denjë dhe pastaj dëgjojmë ankesat e tyre si fëmijë prindërish që janë në pension që pse nuk rriten pensionet?

Si do të rriten pensionet aq sa duhet nëse nuk ka kontribut për pensionet. Pensionet janë reflektim i drejtpërdrejtë i kontributeve dhe çfarë pensionesh do të kemi nesër nëse sot nuk paguani kontributet?

Prandaj në këtë aspekt do të bëjmë disa ndërhyrje, në të cilën njërën e përmendi Olta që është zëvendësministrja, por njëkohësisht është si të thuash ministrja e punës, sepse është e ngarkuar të merret me punën, që do të thotë do t’iu japë mbështetje punonjësve për të garantuar të drejtat e tyre, por nga ana tjetër, duhet që edhe punonjësit të përpiqen të garantojnë të drejtat e tyre,  duke bashkëpunuar me ne.

Nga ana tjetër, ne po formulojmë me ministren një draft që pastaj do ta diskutojmë dhe do ta çojmë  në qeveri dhe në parlament; ne nuk do të pranojmë më, mbase jo në parlament, por në kritere, ne nuk do pranojmë më kompani ndërtimi që të vijnë të kërkojnë para taksapaguesve për të ndërtuar rrugë, për të ndërtuar çerdhe, kopsht e shkolla apo çfarëdo tjetër ose nuk do pranojmë as kompani ndërtimi që do vijnë të kërkojnë leje ndërtimi në Republikën e Shqipërisë nëse ata sjellin paga të tilla.

Kompani që nuk garantojnë pagat reale për punonjësit e tyre, ne nuk mund t’i financojmë dot me lekët e taksapaguesve sepse i bie që të financojmë kompani që përdorin instrumentin e abuzimit ndaj njeriut, qe shkelin dinjitetin e njeriut dhe që e trajtojnë punën si shfrytëzim dhe punëmarrësin si të shfrytëzuar.

Këtu jemi në një kompani, e cila e ka garantuar pagën minimale me kohë dhe shikojeni këtu; ka me pagë minimale nga 90 punonjës, kompania Kika, ka vetëm 4%, 4 persona që pa e ditur fare mund ta merrja me mend dhe e konfirmova janë punonjës mbështetës, pastrim apo punonjës që merren me zhbllokimin e ujërave në një periudhë apo në një moment të caktuar, pra, nuk janë ata që ngjiten nëpër skela.

Ata që ngjiten nëpër skela, nga dhjetori kanë një pagë mesatare prej 60 mijë lekësh dhe pas prillit do kenë një pagë mesatare prej 68 mijë lekësh. Sikur ta bënit 70 mijë nuk ishte ndonjë humbje e madhe e madhe për demokracinë, Avenir, por këtë e di ti.

68 mijë që është një pagë mesatare, jo akoma aty ku edhe Aveniri vetë do dëshironte, por kjo në fund të ditës, siç e tha dhe ministrja, është edhe e lidhur me çmimin sepse nëse ju jep juve paga që shkojnë përtej asaj që është llogaria, pastaj do duhet t’iu heqë nga puna dhe pastaj do duhet të falimentojë dhe vetë, por ama nuk jemi në këto kushte. Kështu që, unë them që kjo 68 mund të bëhet edhe 70, por kismet mund të bëhet, pas zgjedhjeve do bëhet edhe një çikë më shumë se do fitojë demokracia, që do të thotë do fitojnë të gjithë përmes nesh.

E fundit që dua të them është që ne, e preku pak ministrja dhe sot kemi bërë një diskutim të parë mbi një draft të një reforme, që është reforma më e madhe e jona, e strukturës së pagave për të bërë një rritje historike të pagave.

Është reforma më e madhe, por është edhe reforma që mund ta bëjmë sot, nuk mund ta bënim dot dje sepse për të bërë këtë rritje të pagave është ajo që thashë pak më parë dhe për kompaninë, duhet t’i bësh mirë llogaritë sepse do duhet t’i garantosh ato paga ndër vite dhe të garantosh që nga ato paga ti të marrësh më shumë mbrapsht, jo vetëm nga pikëpamja e kontributit të punonjësve, por edhe nga pikëpamja e rritjes së organizatës, dhe në këtë rast organizata është vetë shteti.

Pse është e rëndësishme këtu ta them këtë, sepse ju jeni punonjës në sektorin privat dhe thoni “Çfarë pune kemi ne se po u rriten pagat e atyre që janë në shtet?”

Keni punë për një arsye shumë të thjeshtë; sepse rritja e pagave në sektorin publik patjetër që reflekton menjëherë edhe në sektorin privat si rezultat i faktit që krijohet vetvetiu një mekanizëm konkurrence, por edhe një mekanizëm balance që ka të bëjë me motivimin e njerëzve.

Ajo që i ndodh shtetit sot në sektorë të ndryshëm çfarë është? Është pikërisht mungesa e kapaciteteve konkurruese me aktorë të tjerë. Aktorët e tjerë mund të jenë aktorë privatë, për shembull bankat, e bëjnë të vështirë për Ministrinë e Financave ose për të tjera institucione që të kenë specialistë të nivelit më të lartë dhe ata që kemi sot janë ose specialistë që prej vitesh kontribuojnë në administratën e shtetit ose njerëz, të cilët kanë një dozë ekstra idealizmi, dëshire për të kontribuar për shtetin apo ka ndonjë që e ka penguar pandemia që të ikë dhe ka ngelur dhe pastaj vazhdon të punojë këtu e të tjerë.

Në këto kushte, ne e kemi të vështirë që t’i themi ekspertëve më të mirë të financave “Shiko se keni një mundësi të punoni dhe në shtet”, t’u themi mjekëve më të mirë “Shiko, ju duhet të vazhdoni të qëndroni këtu. Ju nuk keni nevojë të shkoni të punoni dhe në spitalet private sepse ne po ju japim mundësi që, jo vetëm të keni një pagë dinjitoze, por të keni mundësi që të punoni edhe për veten tuaj në spitalin publik me autonominë spitalore”, t’u themi atyre që na duhen sot realisht si buka e përditshme, që janë specialistët e teknologjisë së lartë që ne nuk mund dot t’i tërheqim nga tregu privat me këto paga që kemi, por ndërkohë na duhet të mbrojmë Shqipërinë nga sulmet kibernetike dhe t’u themi “Po, ju mund të keni paga konkurruese”, dhe e njëjta gjë pastaj reflektohet dhe në sektorin privat që do të detyrohet të balancojë këtë goditje që merr nga konkurrenti “shtet”.

Unë jam shumë i bindur që pavarësisht të gjitha vështirësive të mëdha që kemi pasur dhe të gjitha lëvizjeve të erës kundra fare, që nga tërmeti, tek pandemia, tek lufta në Ukrainë që ka influencuar gjithë botën e Europën në radhë të parë me inflacionin, me krizën e çmimit të energjisë, ne jemi në gjendje që ta shikojmë të nesërmen e afërt me optimizëm.

E them me bindje këtë bazuar në të gjitha analizat që kemi bërë dhe jam i bindur që dhe sektori privat do të reagojë dhe jam i bindur që tek ndërtimi do të gjejmë një aleat të rëndësishëm që, ca me hir sepse ata që janë më të mëdhenjtë dhe më të vetëdijshëm për vlerën e kapitalit njerëzor kanë filluar ta bëjnë vetë nuk kanë nevojë që t’i themi ne, ca të tjerë me pahir sepse do të dalin nga tregu fare përndryshe nëse nuk do t’i paguajnë punonjësit ashtu siç duhet, të arrijmë që të kemi paga, të cilat minimalisht të mos i detyrojnë punonjësit e ndërtimit që të lëvizin, qoftë edhe për të shkuar nëpër kantiere nëpër rajon, sepse konkurrenca me Gjermaninë dhe Britaninë është një histori tjetër, por është një histori ku nuk është më thjesht pamundësia jonë për të bërë të njëjtën gjë, siç bëjnë ato vende që janë shumë më të zhvilluara, por është dhe mundësia për të shpjeguar më shumë që nuk është kështu siç duket nga larg, nuk është thjesht çështje matjeje lek për lek “Kaq marr këtu e kaq marr atje” sepse vërtetë kaq merr këtu, por këtu paguan thuajse asgjë kur vjen puna tek taksat mbi pagën apo kur vjen puna tek sigurimet shëndetësore dhe shoqërore, që janë minimale në raport me atje, që të mos flasim për qiratë, që të mos flasim për transportin, që të mos flasim për lloj-lloj faturash që të vijnë tek ajo kasa postale çdo ditë, se i kam parë vetë se kam qenë emigrant, dhe në fund të muajit nuk është se ngelet ndonjë gjë e madhe përveç faktit që psikologjikisht nuk është e lehtë sepse je larg, nuk ke dhe në fund të ditës nuk ke dhe me kë bën muhabet. Për të kapur shqiptarin tjetër të bësh muhabet, duhet të presësh ditën e diel, po ditën e diel do të flesh pak më gjatë sepse atje nuk ka çohu për të shkuar në punë avash-avash. Atje po s’shkove në orar, ike. Po dhe kafen nuk e kanë si ne. E keni provuar ndonjëherë atë kafen e tyre çfarë tmerri është?

Kështu që, ka gjëra që duhen matur mirë përpara se të marrësh rrugën. Sigurisht që ka plot gjëra që as të mos e diskutojmë që këtu ne nuk mund t’i garantojmë si atje, por në fund të ditës është një llogari që është shumë më afër barazimit sesa duket.

Shumë faleminderit edhe një herë!

Avenir, shumë faleminderit për mikpritjen, për punën, për modelin që ke krijuar. Sikur të kishim edhe demokratë të tjerë si puna jote, do kishim shkuar shumë larg, po avash-avash.

Shumë faleminderit!

 

Previous S&P konfirmon vlerësimin “B+” si dhe me perspektivë “të qëndrueshme”