Tirana mikpriti sot në Ditën Arbëreshe, shqiptarë nga e gjithë bota, ndër të cilët figura të njohura të komunitetit arbëresh, studiues, historianë, në një seri aktivitetesh të zhvilluara në vigjilje të Samitit III të Diasporës.
Gjatë ditës u organizuan panele me tema të ndryshme, që shërbyen si pikë takimi për të diskutuar mbi kontributin mbarëshqiptar në fushën e arsimit, shëndetësisë, biznesit, artit dhe kulturës. Në mënyrë të veçantë, Arbëreshet vijojnë të kontribuojnë në zhvillimet e vendit tonë, me po të njëjtin përkushtim me të cilin kontribuojnë në zhvillimet e vendit ku jetojnë dhe punojnë, duke u shfaqur vazhdimisht si promovues dhe përforcues të marrëdhënieve mes dy popujve.
Panelet si: “Mësimi i Arbërishtes si një proces kompleks, rolet institucionale”; “Fe dhe arsye, arbërorë dhe arbëreshe: Sfidat e traditave, identiteteve dhe besimeve në epokën postmoderne”; “Historia, arti, kultura dhe traditat e diasporës historike”; “Itinerare kulturore dhe “Moti i Madh” – u kthyen në kuvendin e diskutimeve me personalitete të shquara arbëreshe, studiues dhe akademikë, të cilët përfaqësuan me dinjitet komunitetin arbëresh, që ndër shekuj ka ruajtur me besnikëri zakonet e pasura, gjuhën, veshjet, festat, traditat, ritet e besimet e paraardhësve të tyre.
Aktivitetet e ditës së sotme vijuan me mbrëmjen gala të ndarjes së çmimeve “Shqiponja e Artë”, gjatë të cilës mori pjesë edhe Kryeministri Edi Rama, si dhe Presidenti i Republikës Bajram Begaj, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani, e shumë personalitete të tjera të jetës politike, artit, kulturës, akademikë, etj.
* * *
Kryeministri Edi Rama: Të nderuar miq e të ftuar, Të dashur vëllezër e motra nga Arbëria,
Mirë se na jerdhët. Ju haristis! – Arbërisht për përshëndetje, mirëseerdhët, ju faleminderit!
Është një privilegj, përveçse një kënaqësi e posaçme, që t’u drejtohesh stërnipëve dhe stërmbesave më të afërta të Skëndërbeut, në gjuhën e Skëndërbeut, këtu sot, në Ditën e Arbëreshëve, pjesë ekskluzive e këtij Samiti të Tretë të Diasporës, që mbledh në një, Shqipërinë dhe shqiptarët.
Në kapërcim të vitit 1466, Gjergj Kastrioti, me një shpurë kalorësish udhëtoi për herë të fundit në tokën italiane.
Kronikëshkruesit rrëfejnë se me të zbarkuar në Ankonë, gjatë ndërrimit të viteve, Gjergj Kastrioti, “Dominues Albanie”, “atleta Christi”, mbajti një lutje për Arbërinë në Kishën e Shën Mikel Arkanxhelos.
Në Romë, kaloi Krishtlindjet së bashku me Papa Palin e Dytë, i cili i ofroi të qëndronte në apartamentet luksove të Bazilikës së Shën Markut, por ai zgjodhi të rehatohej tek një mik arbëresh në Trejo, aty ku sot është “Quirinale”, godina e Presidencës së Italisë.
Përpos ceremonive protokollare e dhuratave të rastit, kronikat e kohës tregojnë edhe se si Gjergji i shqiptarëve kishte ngjallur kudo kureshtje, jo vetëm prej jehonës së guximit e të triumfeve në fushëbetejë, por edhe për gjuhën e pazakontë, zakonet e panjohura të popullit të tij.
“Kurorat më të bukura janë asosh që nuk fishken kurrë”, thoshte Jul Variboba dhe kurora e thurur me gjuhën, kulturën, veshjet, zakonet e ruajtura në shekuj të Arbëreshëve, jo vetëm s’u fishk, por e ruan sot e gjithë ditën, rrezatimin, parfumin, fuqinë tërheqëse të saj.
Puna mua më ka çuar në shumë vende e mes shumë kulturash të ndryshme, tërheqëse, të bukura, mbresëlënëse, por emocioni i vizitës tek arbëreshët, më ka mbetur në një raft të veçantë të kujtesës si ato librat e kahershëm të miniaturave të mrekullueshme dhe i kam të pashlyeshme mbresat e sheshit të vogël të qytezës së parë ku zbritëm, vallen dhe këngët e fëmijëve arbëreshë që na uruan mirëseardhjen, të moçmit e asaj qyteze që qëndronin nëpër ballkone e na shikonin, Kishën arbërore ku na mikpritën hierarkët e lartë të saj dhe pasionin dhe merakun për gjuhën që na e shprehnin në të gjitha takimet.
E pikërisht atje lindi dhe ideja e kësaj dite të veçantë arbëreshe dhe për herë të parë mbase, në 111 vjet ekzistencë të shtetit shqiptar, Arbëria dhe arbëreshët nuk janë thjeshtë një prezencë për të plotësuar një panoramë folklorike. As të ftuar për të zbukuruar këtë samit me veshjet e tyre, por janë këtu të pranishëm përmes një përfaqësie të tyre dhe natyrisht edhe përmes kësaj përpjekje të përbashkët për të vendosur një gur në një rrugë që duhet ta vazhdojmë sëbashku. E atje lindi dhe ideja e një duarshtrëngimi institucional, jo për t’u rindarë duke thënë “mirupafshim, gëzohemi që u pamë e mund të shihemi prap”, por për të ndërtuar një process, duke ecur dorë për dore në funksion të një mbështetjeje më të strukturuar dhe më sistematike që shteti shqiptar duhet t’i japi këtij thesari të historisë sonë, të cilin pasioni dhe amaneti i trashëguar brez pas brezi, e ka ruajtur në kaq shumë shekuj dhe edhe pse arbëreshët janë integruar tërësisht në bashkësinë e madhe italiane, të gjitha të mirat e asaj bashkësie, nuk jua kanë tretur pasionin dhe fuqinë e atij amaneti, i cili sot po sfidohet, jo nga neglizhenca e arbëreshëve, por po sfidohet nga koha, e cila po sjell shumë furtuna të natyrës demografike për të gjithë, e njëkohësisht po sjell të reja të paimagjinueshme deri dje për fëmijët, që po kthehen në një shqetësim botëror për mësimin dhe për lartësimin e gjuhës së vendit ku jetojmë e jo më të gjuhëve si kjo e arbëreshëve që është një nga gjërat e rralla të kësaj bote.
Ne e dimë shumë mirë se vetë gjuha shqipe këtu në Shqipëri është e kërcënuar nga varfërimi, nga deformimet, nga humbja e thellësisë së saj të jashtëzakonshme si rezultat i shumë arsyeve që nuk është vendi këtu për ta diskutuar, por imagjinoni tani sa të vështirë e kanë arbëreshët e për këtë arsye, ne kemi vendosur që të hapim këtë proces që nisi me firmat që u hodhën sot këtu mes Kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe një përfaqësie të kryetarëve të komunave arbëreshe, që do të vazhdojë me një binjakëzim të të gjitha bashkive tona me të gjitha komunat arbëreshe, – jemi pak a shumë në numra të përafërt, ne kemi pak më shumë, dhe do të ndërtojmë një program të posaçëm të mbështetur nga qeveria për bashkitë për t’i dhënë jetë këtij binjakëzimi e për ta kthyer në një urë që të krijojë mundësi komunikimi të vazhdueshëm mes komunitetit arbëresh dhe të Shqipërisë.
Po atje në ato ditë aq të posaçme lindi dhe ideja e muzeut arbëresh në Shqipëri. Ne nuk e kemi një muze, ndërkohë që komuniteti arbëresh ka ruajtur me shumë fanatizëm relike të jashtëzakonshme dhe përfaqësuesit e atij komuniteti janë më shumë se sa të dëshiruar që ta kenë në Shqipëri Muzeun e arbëreshëve, të cilit i kemi gjetur edhe vendin dhe ku tjetër përveç se ne Kalanë e Skënderbeut. Janë një sërë idesh të tjera me të cilat nuk do t’ju marr kohë sot që nga këto më institucionalet e më të mëdhatë, deri tek ato që i japin jetë kësaj marrëdhënie në nivele të ndryshme njerëzore, që nga ditët e verës. Kemi bërë një ditë të parë të verërave, duke çuar disa nga prodhuesit e verave tona në Arbëri dhe do të ndërtojmë edhe për këtë, një kalendar për t’i lidhur bashkë prodhuesit sepse në fund të fundit, janë të gjitha verëra shqiptare ato që prodhohen këtu nga prodhuesit tanë e ata që prodhohen në Itali nga prodhuesit arbëreshë.
E deri tek programi i marrjes dhe i çuarjes së fëmijëve nga komunat arbëreshe në bashkitë tona, nëpër familje e nga bashkitë tona në komunat arbëreshe nëpër familje në mënyrë që t’i japim jetë një krijimi të një shtrese të re marrëdhëniesh mes fëmijësh që njohin njëri-tjetrin e njohin historinë e tyre të përbashkët, por të ndarë në kapituj të ndryshëm, – përmes kontaktit të drejtpërdrejtë.
Ishte një arbëresh, që quhej Jeronim De Rada në një nga veprat e tij “Flamuri i Arbërit”, ai që pyeti përpara të gjithë të tjerëve se “Ç’i duhet Shqipërisë?”. Dhe ishte ai që u përgjigj se çka i duhet Shqipërisë është “bashkim dhe demokraci”.
I frymëzuar prej tij, Ernest Koliqi elaboroi më tutje duke shkruar se nëpër poezi dhe apostullatë të Jeronim de Radës, arbëreshët e Italisë kryen atë vepër të mistershme shpërblimi njerëzor e kombëtar kur në një stinë stuhie, buhie tmerri lanë brigjet e atdheut dhe mërguan në një vis të huaj.
Ata morën në dorëzim amanetin e Skënderbeut dhe bashkë me të ëndrrën e një Shqipërie të lirë, e një Shqipëri që siç do thoshte Ismail Kadareja “Në kohën e Arbëreshëve ishte një Shqipëri kalorësiake” e cila i la pastaj vendin një tjetër Shqipërie për shkak të një pushtimi të gjatë, por Arbëreshët e morën me vete Shqipërinë kalorësiake, e ruajtën në të gjallë me shumë fanatizëm atë identitet të vjetër dhe ia dolën për kaq shumë shekuj.
Për ne ka një rëndësi të madhe që, po ashtu, ta shikojmë edhe më thellë këtë thesar tek vepra dhe trashëgimia e atyre profesorëve të shquar, ndër të cilët dy prej tyre, sot u nderuan me shqiponjat e arta, por nuk janë vetëm dy, janë shumë më tepër sepse është një kontribut i jashtëzakonshëm në një nivel tjetër akademik, shkencor, për të cilin qysh prej vitit 2020 Shqipëria ka dedikuar edhe qendrën e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, çka është pjesë e strategjisë sonë kombëtare për Diasporën.
Për të mos u zgjatur më tutje, kur i kërkuan të përshkruajë veten, një kryeministër i famshëm i Italisë, Francesco Crispi, shok i Garibalit, shok i Manzinit dhe Bismarkut, arbëresh i lindur pranë Horës së Arbëreshëve, tha për veten e tij” Maja e Etnës e patrazuar në shtrojën e borës që ndizet përbrenda nga llava e një materie shekullore” dhe besoj që më shumë dhe më bukur se kaq nuk mund ta përshkruajë askush veten e arbëreshëve.
E për ne, është shumë e çmuar ajo llavë materie shekullore në atë majën e Etnës dhe duke më dëgjuar mua, shpresoj që arbëreshët këtu të pranishëm, të mos kenë pëshpëritur atë shprehjen e tyre të famshme “S’jan arra sa trokullnjen” që do të thotë “Jo të gjitha këto që po thua janë të vërteta”.
Uroj shumë që së bashku të bëjmë shumëçka që duhet bërë patjetër dhe nuk mund ta lëmë pa bërë duke marrë shembull nga energjia dhe nga kurora juaj që kurrë nuk fishket.
Ju falenderoj shumë juve që jeni këtu, falenderoj nga këtu të gjithë ata që na mikpritën dhe na mikpresin sa herë që shkojmë në Arbëri, duke e mbyllur këtë fjalë me lutjen e Archimandrit Minishit të Abacisë të Arbëreshëve në Grottaferrata” Shumë zira kanë shkëputur zemrat e popullit tonë, shumë lotë kanë rënë dhe kanë njomur tokën e Shqipërisë. Bëftë perëndia që nga ajo tokë e vaditur të lëshojnë përjetë lulet e lirisë, mirësisë, dashurisë dhe dashurisë, gëzimit dhe pajtimit”.
Shumë faleminderit!