Dojan, Tropojë mes njerëzve të palodhur të tokës për mundësitë e reja dhe potencialet për zhvillimin e bujqësisë në zonë - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Dojan, Tropojë mes njerëzve të palodhur të tokës për mundësitë e reja dhe potencialet për zhvillimin e bujqësisë në zonë

Në Dojan, të Tropojës një zonë me vlera dhe potencial të jashtëzakonshme turistik, bujqësor e blegtoral  vijoi sot dialogu i hapur i kryeministrit Edi Rama me njerëzit e tokës, fermerë e blegtorë, në një prej strukturave model të prodhimit dhe grumbullimit të gështenjave, fryt i një investimi të mbështetur nga qeveria përmes skemave kombëtare.

* * *

Përshëndetje dhe është kënaqësi për mua të rikthehem këtu në këtë pikë shumë domethënëse për mua dhe besoj kuptimplotë për këdo që dëshiron të shikojë dhe të kuptojë se si ku aty ku faktikisht deri dje dukej thjesht një utopi të mund të zhvillohej një sipërmarrje funksionale dhe fitimprurëse. Kjo gjë po ndodh, natyrisht ne do të donim që të ndodhte shumë më shumë se sa kaq por procesi i rikthimit të syve në zona të cilat gjatë gjithë viteve të pas rënies se komunizmit janë karakterizuar nga një imazh dhe nga një distancë pamundësie, nuk është një proces i lehtë.

Nga ana tjetër më vjen mirë në fakt që si kudo në fakt, edhe këtu programi i Rilindjes Urbane, që u përqendrua fillimisht në qytet, por që preku edhe disa pika të rëndësishme nevralgjike për ta ringjallur organizmin e Tropojës, i ka hapur rrugë një zhvillimi të turizmit që deri dje ishte thjesht një dëshirë e bazuar tek mrekullitë e natyrës, por pa asnjë lloj kontributi nga ana e qeverisë në Tiranë për Tropojën dhe më vjen shumë mirë që megjithëse këtu në këtë zonë, ne nuk jemi si të thuash mbështetur me votë, në mënyrë të shpeshtë do thoja, ne kemi bërë çka gjithë qeveritë e tjera të marra së bashku, nuk e kanë bërë.

Kemi bërë punë dhe investime të cilat, jo thjesht kanë ndryshuar frymën dhe kanë ndryshuar ngjyrën dhe kanë ndryshuar fuqinë tërheqëse të qytetit dhe pastaj të gjithë zonave më atraktive, por mbi të gjitha kanë hapur rrugë për këto ngjarje të këtyre viteve, që janë realisht ngjarje të rëndësishme të investimeve. Investimet në grykën e Valbonës, investimet në pika të ndryshme dhe të mendosh që sot në ketë vit, Tropoja ka numëruar më shumë se 150 mijë vizitorë vendas dhe të huaj, është diçka shumë kuptimplotë. Natyrisht që ambicia jonë dhe objektivi jonë është që këta turistë të qëndrojnë më gjatë dhe për të pasur qëndrim më të gjatë ne duhet të bëjmë ende më shumë punë, duhet të bëjmë më shumë përpjekje, më shumë investime dhe këtu kam parasysh jo vetëm investimet publike, por edhe investimet private.

Për t’u kthyer tek ajo që tha kryetari i bashkisë, ne kemi adresuar çështjen e pronës, pra faktikisht 2700 ha , në mos gabohem, të pyllit të gështenjave i janë dhënë bashkisë në dispozicion, që bashkia të bëjë identifikimin dhe ndarjen e tyre sipas atyre marrëveshjeve që janë në territor, sepse problemi me pyllin e gështenjave apo me zona të tjera, përgjithësisht në veriun e Shqipërisë, por edhe në ndonjë zonë tjetër në jug, në raste të rralla, është që kemi situata pronash të pakthyera që aktualisht përdoren nga njerëzit që nuk e kanë pranuar ligjin 7501 dhe që ndërkohë në mënyrë paqësore me njëri tjetrin kanë rënë dakord për kufijtë e vjetër, pra nuk kanë konflikte potenciale sepse është rënë dakord që këtu e ka pas kufirin familja ime dhe aty e ka pas familja jote dhe de fakto ndarja është bërë mbi bazë mirëkuptimi. Jo kudo, ka tek tuk edhe zona me konflikt dhe aty ne nuk ndërhyjmë dhe për këtë arsye ne ia kemi lënë bashkive ta menaxhojnë këtë proces. I takon bashkisë të ngrejë një grup dhe të trajtojë çështjen rast pas rasti duke i marrë pjesë-pjesë zonat dhe duke i dhënë njerëzve titullin e pronësisë sipas marrëveshjes në funksion të shfrytëzimit, pra jo ndarje kot. Pra unë jam po themi, një emigrant nga Tropoja që dëshiroj të investoj në një pronë që është prona ime, për të cilën nuk disponoj dokumente sepse 7501 nuk është zbatuar këtu, por ama të gjithë e dinë që kjo është toka ime, atëherë mbi këtë bazë bashkia ma njeh të drejtën mbi këtë pronë dhe me dokumentin që unë marr bazuar në këtë realitet, unë aksesoj fondet e mbështetjes për agroturizmin, për pikat e agropërpunimit apo për pikat përkatëse të grumbullimit. Kjo është rruga, kështu që në këtë rast qeveria e ka zgjidhur sikundër ne e kemi premtuar dhe bashkitë kanë tani përgjegjësitë së bashku me njerëzit e përfshirë që të bëjnë ndarjen e pronave ose më saktë, ta konfirmojnë, sepse faktikisht pronat njerëzit i kanë ndarë më njëri-tjetrin. Kjo është gjëja që ne e kemi arritur ta zgjidhim pasi ka qenë jashtëzakonisht e komplikuar në pikëpamjen juridike që të kemi një vend që funksionon me dy palë ligje, por nga ana tjetër nuk kemi asnjë rrugë tjetër përveçse të ecim hap pas hapi, rast pas rasti, bazuar tek propozimet konkrete për zhvillim.

Nuk mundet dot të pengojmë askënd që të investojë në vendin e vet, qoftë në rast se banon aty, qoftë në rast se banon jashtë shtetit me këto lloj pengesash që mund të kenë arsye juridike, por që nuk mund të mbahen më në rrugën e njerëzve që duan të investojnë, kështu që kjo është një çështje e zgjidhur përsa na takon.

Nga ana tjetër është shumë e rëndësishme që sot ne t’i bëjmë me dije shembujt pozitive sepse këto janë fakte, nuk janë dëshira, nuk janë plane, nuk janë projekte, janë fakte. Kjo pikë grumbullimi këtu e cila realizon çdo vit e më shumë volume eksporti dhe nga ku lindin dhe marrin jetë ide të tjera, ne pamë sot përpunimin e boronicave, kthimin e tyre në reçel që është faktikisht rritje e vlerës së produktit të grumbulluar, janë realitete të reja në Shqipëri që duhen ekspozuar, mirëpo kush t’i ekspozojë?!

Nëse juve i referoheni pasqyrave të lajmeve dhe të informacioneve dhe të kronikave dhe të reportazheve, mbani mend ndonjëherë që të keni parë zonën tuaj përveçse për ndonjë lajm të keq? Nuk besoj!

Ndërkohë që në Tropojë ka lajme shumë të mira, që janë produkt i njerëzve, i njerëzve që jetojnë këtu, i njerëzve që punojnë këtu, i njerëzve që përpiqen me vështirësi, por ia dalin ta çajnë rrugën dhe të krijojnë të ardhura. Nuk ekzistojnë, përkundrazi edhe për ata të cilët janë në rrugën e përbashkët të zhvillimit rural, lajmet janë vetëm dekurajuese, janë vetëm helmuese, janë vetëm dezinformuese. Është vetëm njëra anë e medaljes. Natyrisht që ka shumë probleme në Shqipëri, natyrisht që kur në televizor del një fermer i cili nuk ka ku shet prodhimin, ai nuk është një aktor, është një person real dhe çështja është reale. Mirëpo kjo është vetëm gjysma e së vërtetës. Gjysma tjetër e së vërtetës është që në anën tjetër të rrugës, andej nga kamera nuk i hedh sytë janë disa fermerë të tjerë të cilët janë bashkuar, punojnë, prodhojnë, eksportojnë, fitojnë dhe kështu ajo gjysmë e vërteta e parë kthehet në një gënjeshtër të madhe dhe përdoret për të demotivuar dynjanë, pse? Për një arsye shumë të thjeshtë, sepse pronari i atij ekrani kërkon t’i bëjë shantazh qeverise, kërkon t’i bëjë shantazh ministrit X apo ministres Y.

Ju e patë rastin flagrant, se nuk është i vetmi, por në atë rast ishte e mundur që të ekspozohej çështja sepse ishte dhe me letra. Ju e patë rastin sesi një televizion kombëtar i drejtohet AZHBR-së që ka bërë realisht një punë të jashtëzakonshme dhe me rezultate konkrete të padiskutueshme në këtë vend, sepse janë me qindra investimet e suksesshme të mbështetura nga AZHBR dhe i thotë: “ne duam 120 milionë lek që të promovojmë punën tuaj sepse zhvillimi i investimeve që ju po bëni është kështu e është ashtu”, pra kërkon para të cilat AZHBR nuk i ka dhe nuk i jep dot, sepse i ka për t’ia dhënë fermerëve, i ka për t’ia dhënë bujqve, i ka për t’ia dhënë artizanëve, atyre që ndërtojnë agroturizma dhe mbasi nuk i merr paratë, ekrani kthehet në një pasqyrë shpifjesh dhe gënjeshtrash dhe sajesash dhe gjysmë të vërtetash duke përzier aty brenda lloj-lloj emrash dhe lloj-lloj historish, pse? Për të goditur një punë që mund të ketë patjetër të metat e veta, që ka patjetër problematikat e veta, nuk diskutohet, s’ka punë të përsosur, por që në fund të ditës është puna e mijëra njerëzve. Dhe çfarë mesazhi merr dikush që nuk e di dhe s’ka arsye që ta di realitetin e fshatit sepse nuk i bie rruga ndonjëherë përmes këtij realiteti, që në Shqipëri vetëm vidhet, që në Shqipëri vetëm jepet e merret me duar të pista, që në Shqipëri nuk ka shans për njerëzit që nuk njohin dikë, për njerëzit që nuk janë të lidhur me dikë, për njerëzit që nuk janë kriminel.

Dhe pse bëhet kjo? Për shantazh! Dhe ky është vetëm një rast, por unë ju siguroj nga eksperienca dhe dija ime e fakteve që në ekrane çdo ditë ka shantazhe të tilla sepse në një rast tjetër i bëhet shantazh një ministri tjetër, i bëhet një ministri tjetër për të marrë një tender këtu, për të marrë një leje ndërtimi atje, për të legalizuar një shtesë pa leje atje, për të bërë një kontratë qiraje atje etj.

Ndërkohë që, djali këtu që unë kam kënaqësinë ta takoj këtu përsëri dhe e kam takuar herën e shkuar kur kam qenë po në këtë vend, nuk besoj se ka ndonjë lidhje me dikë dhe nuk është këtu në mes të maleve për asnjë arsye tjetër përveçse për një ide fituese të cilën e zbaton me shumë vullnet, jam i bindur dhe me shumë vështirësi, nuk e diskutoj fare sepse kur e sheh këtë gjë tani duket sikur çdo gjë ka shkuar fjollë dhe çdo gjë shkon fjollë, por jam i bindur që për të ardhur këtu ka vështirësitë e veta, por me siguri që nuk ka absolutisht pse të jetë në borxh askujt. Ndërkohë besoj që edhe ne që e kemi mbështetur këtë sipërmarrje nuk i kemi një borxh në kuptimin që t’i kemi futur duart në xhep. Ky është realiteti konkret.

Ato zonjat unë i takoj për herë të parë, janë pjesë e një lëvizjeje të brishtë që ne duam ta forcojmë, që është lëvizja e artizanatit e cila bëhet gjithmonë e më e vlefshme jo thjesht sepse është një lëvizje që ruan vazhdimësinë  e një tradite që ka të bëjë me veshjet, që ka të bëjë me orenditë, që ka të bëjë me shfrytëzimin e burimeve në mënyrë artizanale, por edhe pse sot ka një potencial biznesi real, pasi deri dje kush do vinte këtu? Njerëzit që vinin këtu deri dje dhe deri dje jo para 100 viteve, dje deri përpara 6, 7, 8 vitesh ishin ose njerëz që banonin këtu dhe banojnë këtu ose njerëz që kthehen këtu sepse ishin nga këtu. Po që të vinin njerëz të tjerë këtu me mijëra dhe me dhjetëra mijëra për kënaqësi, kjo ishte diçka e paimagjinueshme dhe prandaj ato produkte mbeteshin produkte të një mbijetese ekstreme, në mos thjeshtë të një pasioni përveç punës.

 

Ndërsa sot ato produkte janë fara e një zhvillimi tjetër për të bërë realisht biznes dhe te ardhura me artizanatin. Tani ne këto zonja dhe të tjera që nuk janë këtu dhe që më siguri ekzistojnë do t’i mbështesim. S’kanë asnjë detyrim ndaj nesh. As nuk e dimë se për kë votojmë, as nuk iu kërkojmë që të votojnë për ne, as nuk dimë asgjë tjetër që të jetë ekstra punës, dimë që prodhojnë gjëra fantastike. Nga ana tjetër, janë një potencial për shumë gra dhe vajza të tjera që t’i bashkohen kësaj lëvizje duke parë mundësi fitimi dhe për ta kthyer punën e dorës në një bazë të ardhurash që mund të shkojnë hap pas hapi duke u bërë të ardhura të larta. Është plotësisht e mundur. Se çfarë mund t’i ofrojmë ne kësaj bote. Ne mund t’i ofrojmë atë gjë që kompjuteri nuk e bëjnë dot; punën e dorës. Punës së dorës nuk i humbet asnjëherë vlera. Për të mos e zgjatur sepse me siguri duan të tjerë të flasin dhe është mirë të bëjmë edhe më shumë bashkëbisedim, dua të them që, sigurisht, është e pamundur dhe më bëri shumë përshtypje një artikull i një gazetareje të famshme britanike lidhur me këtë debatin e hapur në Britani pas ndërhyrjes sime në atë debat dhe thoshte “Vetëm vendet diktatoriale vënë në diskutim lirinë e njerëzve për të ikur sapo për të ardhur. Shqiptarët sot, – thoshte, – po bëjnë atë që bota e ka bërë qysh në lindje të saj, po bëjnë atë që ne, kur kemi qenë më pak të pasur se sot, e kemi bërë shumë më tepër se këta në një kohë tjetër dhe po bëjnë atë që sot e bëjnë edhe njerëz të këtij vendi, domethënë të Britanisë, që jetojnë nëpër zona të vështira, se ka dhe atje zona të vështira, dhe që vijnë në Londër”.

E solla këtu për të thënë që është e  pamundur dhe nuk është e drejtë që t’i thuhet njerëzve “Rrini këtu, mos ikni se këtu është atdheu e të tjerë”. Njerëzit janë në të drejtën e tyre të marrin vendimet e tyre sepse, shyqyr Zotit, nuk jemi më në bunkerin e komunizmit që na detyronte rrinim brenda dhe nuk na linte as të hapnim dritaren e jo më të hidheshim nga dritarja.

Por, nga ana tjetër, sot është fakt që në Shqipëri, nëse do t’i krijosh vetes mundësi, ia krijon dhe gjëja më interesante është që sot, nëse në qytet mundësitë janë më të kufizuara, në fshat janë të pafundme. Pse? Për një arsye të thjeshtë.

 

Nëse në Tropojë sot vijnë, siç janë regjistruar këtë vit, rreth 150 mijë turistë, të cilët kalojnë dhe vazhdojnë në pika të tjera, atëherë kjo do të thotë që ka një treg për këdo që jeton në fshat. Cili është tregu? Tregu është që me shtëpinë e vjetër të gjyshit, të stërgjyshit dhe në tokën rreth e rrotull, ti ke mundësi të ndërtosh një pikë që të tërheqësh disa prej tyre dhe këta disa prej tyre të vijnë jo për t’i ofruar gjëra që ata i kanë në vendet e tyre, por për t’i ofruar pikërisht gjërat që janë tek ajo tavolina atje, bashkë me gjithë mikpritjen tuaj, me komfortin e një shtëpie tropojanë në mes të mrekullive të natyrës.

Një shtëpi tropojane, mes mrekullive të natyrës, me produktet e zonës dhe burrat e gratë tropojanë nuk i gjen në një vend tjetër të botës, mund të gjesh çdo gjë, por këtë nuk e gjen, siç nuk gjen një shtëpi gjirokastrite, një shtëpi përmetare e të tjerë. Që do të thotë, me një investim jo të madh mund të ngrihet një biznes dhe ky është një lloj biznesi që nuk ka nevojë për akses të shpejtë në treg për të nxjerrë produkte bujqësore sepse ky është një biznes që produkt ka mikpritjen, ushqimin e mirë, natyrën dhe arkitekturën e një shtëpie tradicionale.

Përsa i përket konsumatorit, ai vjen tek ti, nuk shkon ti tek konsumatori dhe kjo nuk është më, shyqyr, diçka që e kemi parë jashtë. Kjo është diçka që ndodh këtu, ndodh në Shqipëri sot. Sot shtohet përditë numri i njerëzve që e kanë kuptuar këtë gjë, që e bëjnë këtë gjë dhe që kanë sukses me këtë gjë. Ne kemi parë me Fridën agroturizma në zona ku kurrën e kurrës nuk do kishte rrugë tjetër për të qëndruar dhe për të pasur të ardhura apo në zona ku është e pamundur të mendosh që ti mund të mbjellësh tokën për ta çuar prodhimin në qytet sepse të del transporti shumë i shtrenjtë ose produkti është pak për të qenë interesant për ta eksportuar.

Për këtë arsye, turizmi hyn tek eksportet sepse ti nuk e çon produktin jashtë, por ai nga jashtë vjen tek ti, personi dhe produkti jot të sjell të ardhurat.

Këto kisha, i gatshëm për të dëgjuar ju çfarë keni për të thënë.

-Ky sezon i joni këtu në Tropojë ka qenë i vështirë sepse vetë Italia, Portugalia e Spanja kanë pasur shumë gështenja. Për mendimin tim, ne kemi bërë një punë të mrekullueshme që i kemi dhënë drejtim këtij produkti, kemi arritur ta shesim tek klientët tanë besnikë që nuk na lejnë më, na e marrin gjithmonë këtë gështenjë. Përsa i përket boronicës, është viti i parë që kemi filluar ta eksportojmë. Kjo zonë ka një boronicë të jashtëzakonshme, gjithashtu dhe manaferrën.

Kryeministri Edi Rama: Dëgjo, se është shumë e bukur, fantastike, kjo është tipike. Fjalia e parë “Ky ka qenë një vit i vështirë”, pastaj “Gështenjat i kemi shitur sepse klientët besnikë nuk na kanë lënë në baltë”, pastaj shtohet boronica ndërkohë që kur e takova qepar aty, më tregoi një qese dhe më tha “E filluam këtë vit dhe kemi bërë një 200 milionë”. Ajo që ka rëndësi, në këtë rast, është që është hapur një front i ri dhe 200 milionë të hedhura në zonë tek njerëzit për të krijuar rrjetin e njerëzve që pastaj do ta mbledhin, do ta sjellin këtu, tregon që këtu ka një potencial të jashtëzakonshëm. Isha me Fridën në Bulqizë dhe një djalë, bashkë me familjen kishte ardhur nga Tirana mbrapsht dhe kishte bërë një pikë grumbullimi për bimë medicinale dhe sapo kishte hapur derën dhe na tregon nja 4 metra katrorë pirgje me bimë medicinale të mbledhura dhe tha “Kjo është mbledhja e një dite e një familjeje që mi solli këtu dhe mori 35 mijë lekë të reja”. 35 mijë lekë të reja me mbledhjen e një dite. 35 mijë lekë të reja nuk i merr në asnjë vend, kudo ku të shkosh emigrant. Natyrisht që, mbase, çdo ditë puna është shumë e vështirë për t’i marrë çdo ditë 35mijë lekë të reja, duke mbledhur bimë medicinale nëpër male, por bëni vetë llogarinë. Nëse mbledh 10 ditë dhe 20 ditë të tjera bën pushim, 35 mijë lekë të reja herë 10 ditë, bëjeni llogarinë.

 

Kështu që, mundësitë janë të jashtëzakonshme sepse ky vend është i bekuar, ka gjëra të cilat bota i mirëpret për t’i marrë, për t’i blerë.

Ka gjëra të cilat bota i mirëpret për t’i marrë, për t’i blerë. Gështenjat, boronicat, bimët medicinale.

-Ju uroj mirë se ardhjen në Tropojë. Jam biznesmen shqiptaro-amerikan me 30 vjet biznes në Amerikë. Investoj në Tropojë, dhe kam nderin të prezantoj kromin më cilësor që po prodhojmë edhe magnezin më cilësor që ka njohur historia e njerëzimit. Dy minierat që janë në Tropojë të zhvilluara. Kam një kolegun tim amerikan kemi dy farma sot në Tropojë me një bimë që prodhon metalet për bateri. Thith, pastron tokën, ujin, CO2. Në Tropojë kemi një biznes 300 milionë dollarë plan që ta bëjmë. Këto i kemi bërë, kemi krijuar e vende pune, me rroga minimumi 1 mijë euro neto, agronomët po marrin 3 mijë euro. Kam nderin të prezantoj te ju dy gjera që s’i ka bota, kromin më cilësor që ka parë historia e njerëzimit i vërtetuar nga institucionet më të mëdha shkencore të prodhuar nga shqiptarët. Ky është magnezi, minerali më eco friendly që njeh historia e njerëzimit në Tropojë, që sa ka vlerë vaji i Arabisë Saudite ky ka vlerë për të pastruar komplet CO2 e botës. Nga ju, kërkojmë që të lexohen këto asete natyrore që kam 30 vjet që i bëj. Nëse hekurudha e trenit kalon në Tropojë, utilizohen këto kodra që i sheh këtu i ka bërë Zoti për një arsye, po ndërtohet bota me atë kromin, me këtë magnezin. Të përshpejtohen pak kërkesat tona.

 

Kryeministri Edi Rama: Unë do merrem seriozisht me këtë që ju thatë sot, vetëm kam përshtypjen se i keni trembur ata të ministrisë, duke ju thënë që Tropoja do bëhet qendra e botës. Këtu do jetë problemi, dhe që Shqipëria do shpëtojë botën. Ta fillojmë nga vetja, në kuptimin që të shpëtojmë Tropojën, pastaj Shqipërinë pastaj po bëmë ndonjë gjë për botën, e bëjmë dhe atë. Po duke filluar me shpëtimin e botës, do ngelemi vetë keq. Unë do merrem seriozisht që sot me këtë punë. Do flas edhe me ata në ministri. Ata janë njerëz seriozë përgjithësisht, po kam përshtypjen se janë trembur nga kjo që i ke dhënë ngarkesë të madhe duke i thënë hajde se do shpëtojmë botën edhe janë të tërhequr. Do ta shohim konkretisht se si mund ta shpëtojmë Tropojën, pastaj Shqipërinë dhe për botën flasim prapë.

-Unë përfaqësoj një nga bizneset këtu në Tropojë, është një biznes i ri, diku 4 vite ka që ka filluar biznesi në pyllin e gështenjave sipër. Unë dua të prezantoj diçka, në mënyrë modeste do të tregoj diçka për biznesin tim. Për ta filluar këtë lloj veprimtari edhe dita-ditës mësuam edhe elementët e biznesit, të agroturizmit, kemi ecur goxha mirë dhe këtu dua të tregoj diçka në mënyrë specifike se unë jam ai person që dikur kam thënë “ o Zot, më ndihmo të largohem nga këtu”. Po unë i njëjti person, u ktheva këtu po nuk dua të tregoj për vete, por dua të them, rinia, djemtë e mi, Ermali dhe Kreshniku, këta janë djemtë që punojnë aty dhe kryejnë çdo veprim në biznes. Edhe këtë dua ta tregoj si modelin e së mirës, ky model i vlen Tropojës. Tropoja është e bukura e dheut dhe  ky model i rinisë gjallëron edhe pjesën periferike aty, aktivizohen fermerët, marrin edhe prodhimet e veta. Rruga që ecëm na sjell  në vëmendje edhe një element të ri, për ta përmirësuar edhe nivelin e shërbimit turistik. Lloji i turistit që vjen aty na imponon që ne të përmirësojmë akomodimin, infrastrukturën që për fat të mirë edhe bashkia na qëndron afër, ka bërë çdo punë edhe arritje bashkia këtu në territor. Thotë një fjalë e urtë këtu në Tropojë që “zogjtë ngado që shtegtojnë, kthehen në fole të vet’’. Të dëgjova kur the që janë të lirë njerëzit që të ikin, por gjithsesi jam I sigurtë që kjo rini e këtij vendi që po ikën jashtë, do t’i rikthehet këtij vendi, siç edhe djemtë e mi. rinia  të jetë më e dashur më vendin e vet, ta dojë e të investojë siç kanë bërë djemtë e mi. të ftoj të bësh vizitë mbi Kurorën e Gështenjave aty sipër. Të uroj suksese në qeverisje.

Kryeministri Edi Rama: Ama të lutem, atë vendin e punës mos e lër njëherë se aty po e lë vjen tjetri dhe s’e merr se problemi i madh me një pjesë të madhe të të rinjve është pikërisht ky, se i shtyjnë edhe që të marrin rrugën se duan që të marrin shumë dhe të marrin menjëherë. Dhe është normale sepse kështu ka funksionuar bota gjithmonë. Që do kthehen, do kthehen dhe kjo nuk diskutohet, një pjesë dhe një pjesë e madhe do kthehen dhe kjo ka ndodhur edhe në vende të tjera. Ne nuk jemi të parët, ne jemi të fundit që na ndodh sepse ne nuk kemi asnjë histori emigrimi deri që nga Lufta e Dytë Botërore dhe faktikisht mbyllja shumë e madhe dhe dalja vonë në rrugët e botës, ka bërë që ne të jemi ende në këtë trend historik, por trendi do kthehet dhe do ndodhë ajo që ka ndodhur në vendet e tjera dhe të rinjtë, ata që janë sot shumë të rinj, do jenë përsëri jo të vjetër, që do kthehen, do kthehen me eksperienca , do ta kenë heq atë merakun se punë meraku është. Por edhe do kenë kursyer disa lekë dhe do sjellin këtu goxha eksperiencë mendje të  hapur, kulturë pune dhe patjetër që këtu do bëjnë fitim më të madh, nuk diskutohet. Kështu ka ndodhur gjithmonë.

Ne shikojmë fshatrat tonë edhe themi që po ikin të rinjtë, po të shikojmë sa fshatra ka në Angli që ka vetëm të moshuar? Është trend i përgjithshëm. Problemi është që ne këtu të rrisim mundësitë dhe të rrisim të ardhurat, ky është problemi jonë; si të zgjerojmë  mundësitë dhe të rrisim të ardhurat dhe ne po bëjmë gjithçka që mundemi, jo gjithçka që duam, shembujt janë shumë të rëndësishëm. Ajo, unë e kam parë në atë që ka dërguar djali në atë agroturizmin tuaj, ai është ndërtuar me shumë vizion për t’iu dhënë njerëzve që vijën atë gjë që s’e gjejnë në asnjë vend tjetër, jo për të qenë diçka perfekte që mund ta gjesh kudo por për diçka që të jep një eksperiencë që se gjen dot në vend tjetër por askush nuk e di dhe askush s’ka se si ta marrë vesh për sa kohë nuk ka asnjë dashamirësi, zero, nga ata të cilët kanë në dorë të informojnë publikun për të nxjerrë në pah këto raste.

Për të nxjerrë në pah këta shembuj, për të treguar se si këta djem kthehen dhe fitojnë më shumë këtu se ç’fitonin atje, se po të mos fitonin më shumë këtu do iknin prapë atje, pra I ka sjellë patjetër tërheqja e vendit por I ka sjellë në radhë të parë, bindja që ore, sa kur rrimë këtu  akoma dhe punojmë për të tjerët,  me këto lekë që kemi mbledhur shkojmë atje, punojmë për vete dhe fitojmë më shumë se ç’fitojmë këtu, se kjo I ka sjellë, nuk I ka sjellë atdheu, hajt se po shkojmë atje dhe po rrimë pa bukë.

Për atdheun, se atdheu nuk i ka rrënjët në tokë, i ka rrënjët në bukë, kjo nuk diskutohet. Kështu që respekt për ju, edhe ne, nuk e di si e keni programin, nëqoftëse mund të kthehemi atje, s’e di sa larg është, sa afër është  me programin tonë por me shumë kënaqësi do vija dhe më vjen mirë që edhe ju jeni mbështetur kështu që jeni në proces. E meritoni plotësisht mbështetjen, për t’u zgjeruar për tu përmirësuar etj etj. Po erdha unë, mund t’ju hapa telashe se mund t’ju shtoj shpenzimet se mund t’ju bëj vërejtje kështu që më mirë vazhdoni këtë programin që keni.

-Jam çun Tirane i lindur i rritur atje. Kam ardhur për një eksperience të re në këtë vend dhe për të ndihmuar sado pak bujqësinë dhe gastronominë shqiptare. Kam ardhur me një ide që të ndërthur kuzhinën tradicionale me modernen. 

– Ju përshëndes ne emër të fermerëve të gështenjës të rrethit Tropojë. Unë kam dëshirë të flas për një burim tjetër të ripërtëritshëm të mbitokës. Nëse këto mineralet vjen një vakt e shfrytëzohen gradualisht çdo ditë, vjen një kohë që ato shterojnë dhe mbarojnë. Nëqoftëse do ta trajtojmë gështenjën dhe do t’ia ruajmë trashëgiminë gjenetike, kjo s’ka për të shteruar kurrë. Prandaj si burimi natyror i nëntokës jo i ripërtëritshëm ashtu dhe burimi natyror i gështenjës që është i përtëritshëm dhe ripërtërihet herë pas here, ne duhet t’i kushtojmë kujdesin e duhur. Fermerët e rrethit të Tropojës janë të pakënaqur me qëndrimin që kanë mbajtur qeveritë shqiptare që nga 1991 e më pas. Është hequr nga fondi dhe regjistri i pronave të shtetit gështenja qysh nga 1991.  A do ta mbrojmë gështenjën apo do ta lëmë të digjet dhe të shkatërrohet?

Kryeministri Edi Rama: Çfarë kërkon konkretisht?

– Vetëm një dorë e shtetit e fuqishme e mbron kultivarin tradicional dhe ekosistemin e gështenjës. Konkretisht për të krijuar një drejtori të shërbimit teknik që është e specializuar. Këtë investim rrënjësor duhet ta bëjnë shteti se s’mund ta bëjnë fermerët.

Kryeministri Edi Rama: Meqë u fol për të gjitha qeveritë, unë besoj që do jemi qeveria që kemi bërë atë që qeveritë e tjera se kanë bërë, duke i hapur rrugë shfrytëzimit të gështenjës dhe marrjes së titujve të pronësisë mbi ato pjesë të asaj pasurie që i shfrytëzojnë njerëzit dhe që ju takojnë njerëzve. Natyrisht pastaj kur vjen puna për t’i asistuar fermerët në raport me këto nevoja, ne këtu jemi, por kjo nuk fillon nga shteti në këtë rast sepse ajo që shteti e ka bërë që t’ju japim mundësinë që duke pasur titullin e pronësisë ju pastaj të mund të keni akses në mbështetje financiare se dhe BE nuk të jep kokërr leku nëse ti nuk tregon se të takon prona. Bëni kooperativën, quajeni si të doni, quajeni federatë, quajeni bashkësi, quajeni odë, quajeni çfarë të doni, por bëni një kooperativë dhe pastaj aty ndërtoni dhe procesin tjetër që është procesi teknik dhe procesi shkencor. Kjo është gjëja që duhet se mund ta bëjmë ne drejtorinë, por me kë do flasë drejtoria? Do ju kapi tek e tek në majë të gështenjës? Bëni një strukturë dhe pastaj atë strukturë ne e mbështesim edhe më fort sepse edhe mbas ligjit këto struktura mbështeten edhe më shumë sesa mbështeten individët pikërisht për t’i inkurajuar.

Previous Ministeriali BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë, Çuçi: Shqipëria po jep kontribut kyç në përballimin e flukseve migratore të paligjshme drejt Europës