Bashkëbisedimi informues mbi pagat e punonjësve, si një prioritet kombëtar i përbashkët, vijoi sot në qytetin e Durrësit në një prej sipërmarrjeve të suksesshme private, ku Kryeministri Rama u takua me drejtues e punonjës të saj, me të cilët foli mbi reformën e re të rritjes së pagave të ndërmarrë nga qeveria, si dhe nevojën e bashkëpunimit të ngushtë të sektorit privat në këtë drejtim.
* * *
Shumë faleminderit dhe shumë respekt në radhë të parë për punëtorët e këtij kompleksi, i cili është një kompleks spektakolar për hir të së vërtetës dhe këtu merita është e sipërmarrësit. Ne jemi takuar përpara disa viteve më parë kur sapo kishte filluar hedhja e themeleve të reja të kësaj kompanie të vendosur këtu me këtë ambicie. Sot realiteti është para syve tanë dhe përpara sesa të vinim këtu ishim duke diskutuar me sipërmarrësin, me Papin dhe e pyeta për pagat.
Unë i dija se i kishim marrë informacionet më përpara që pagat këtu ishin goxha domethënëse në kuadrin e përgjithshëm të biznesit, por qëlloi që mu mbi tavolinë ishte lista e pagave dhe unë dëshiroj të them pak shifra që gjeta këtu në këtë listë, ku e para një herë gjeta vetëm një individ me pagë minimale dhe ai është personi që kujdeset për lulishten dhe natyrisht jo në kohë të plotë megjithatë Papi më premtoi që dhe atij do ia rrisë pagën.
Ndërkohë që, dhe këtë nuk e them pa arsye por përkundrazi kam një arsye të fortë që ta them, që ta dëgjojnë ata që na ndjekin dhe ndër ata, ata që janë pak ose aspak për këto realitete ku pagat janë realisht krejt ndryshe nga çfarë janë të fiksuar pjesa e atyre që thonë “në Shqipëri nuk punohet, se nuk shtyhet me 300 mijë lek të vjetra, etj”. Këtu, jo që s’ka 300 mijë lekë të vjetra por këtu po i marr me radhe që nga fleta e parë që të mos zgjatem e të mos iu lodh shumë.
2.5 milionë të vjetra, 770 mijë, – Po vazhdoj me të reja tani se është mirë që të qëndrojmë tek të rejat – 88 mijë lekë; 88 mijë lekë; 94 mijë lekë; 149 mijë lekë; 80 mijë lekë; 90 mijë lekë; 94 mijë lekë; 87 mijë lekë; 75 mijë lekë… dhe kështu vazhdojnë faqet e tjera dhe është pak a shumë ky nivel.
Dhe të gjithë punonjësit me sigurimet e plota shoqërore, shëndetësore, e kështu me radhë. Kjo është rruga. Kjo është rruga që bën që siç mësova nga Papi edhe disa punonjës që kanë ikur jashtë, janë kthyer përsëri. Është normale që njerëzit duan të provojnë dhe duan të sfidojnë situatën në të cilën gjenden me idenë që duke ikur jashtë do kenë një mundësi më të mirë, do paguhen më shumë etj ,etj, por pa vënë fare në diskutim që po të shkosh në Gjermani mundësitë janë shumë më tepër sesa të rrish në Shqipëri dhe pa e diskutuar fare që ku është Gjermani dhe ku është Shqipëria sot, shumica nuk bëjnë një hesap më të gjatë sesa pagë më pagë. Dhe patjetër që në Gjermani një punëtor që ka aftësitë e punonjësve këtu që janë punonjës të kualifikuar, – nuk janë punonjës që vijnë nga rruga sepse kjo është një fabrikë që bën eksport elementesh metalikë deri dhe në Holandë, – nuk merr atje 88 mijë lekë, apo 77 mijë lekë, apo 90 mijë lekë apo a 120 mijë lekë, merr më shumë! Por ama, ky është vetëm krahasimi i parë që i shtyn shumë që të ikin. Pastaj vjen pjesa tjetër. Sa nga ato që merr këtu të mbeten ty dhe sa nga ato që merr atje të mbeten ty? Sa të merr shteti këtu taksë nga ajo pagë dhe sa të merr shteti gjerman nga ajo pagë?
Sa kushton atje qiraja e shtëpisë dhe sa kushton këtu që përgjithësisht shqiptarët janë në shtëpinë e tyre ose në shtëpinë e prindërve, ose qoftë edhe kur kanë një qira. Sa kushton transporti për të shkuar nga shtëpia atje tek fabrika dhe për të ardhur këtu nga shtëpia? Dhe pastaj kur hyn në këtë valle edhe një familje me gruan, me fëmijët, shkolla e fëmijëve etj, në fund llogaria është pak më ndryshe.
Sigurisht që një pjesë e madhe e shqiptarëve e dinë shumë mirë këtë, që ata që janë jashtë dhe shumë prej tyre e bëjnë këtë sakrificë për fëmijët, që të jemi shumë të qartë. Jo për veten e tyre sepse për veten e tyre për hir të së vërtetës në një moment të caktuar iu del më mirë këtu sot sesa atje. Por për fëmijët, për t’i dhënë një shkollë më të mirë, për t’i dhënë një mundësi që këtu nuk janë siç janë atje, absolutisht, edhe për të pas një shans shumë më të mirë të një shërbimi shëndetësor që deri dje këtu ka qenë një katastrofë, sot është ndryshe. Sot është krejt ndryshe, patjetër ka edhe shumë më mirë dhe unë s’po bëj krahasime të kësaj natyre, kështu që gjërat këtu ndryshojnë, ndryshojnë shumë.
Nuk dua që t’i vë në pozitë emocionale ata që po më shohin gjithë emocion se, ndërkohë e di dhe kush janë ata që janë kthyer për t’iu dhënë mikrofonin në dorë, por besoj që të paktën të bien dakord me këtë lloj komenti që bëj unë edhe pse ndonjëri mund të ketë pasur dhe ndonjë arsye personale që është kthyer etj. Por po e shikojmë këtë gjë, Olta nuk e përmendi, por duke qenë se ajo ndjek drejtpërdrejtë gjithë sektorin e punës që ka të bëjë me përgjegjësinë e Ministrisë së Financave trendin e kthimeve, i cili është po ashtu në rritje në raport me të djeshmen. Ndërkohë që, pa diskutim ka më shumë largime sesa kthime ende sot që flasim. Arsyeja kryesore pse ne jemi këtu është që të vazhdojmë të përsërisim një thirrje të fortë për biznesin që të ndjekë shembullin e më të mirëve siç është kjo kompani dhe të vazhdojë rritjen e pagave. Të vazhdojë rritjen e pagave sepse momenti është shumë kritik. Të gjitha shtetet e Europës janë në një moment shumë kritik ku po vijnë pak nga pak faturat e plakjes së popullsisë dhe po rritet alarmi për mospërmbushjen e vendeve të punës me krah pune, pasi nuk ka më në Gjermani aq të rinj sa i duhen ekonomisë gjermane për të vazhduar të jetë ajo që është. Dhe për këtë arsye Gjermani, po marr shembullin e Gjermanisë, por kjo është problematika e të gjitha vendeve dhe është një problematikë që do shpërthejë fare. Gara për të tërhequr krah pune në anën tënde do jetë gara e çdo vendi. Dhe Gjermania po rend prej kohesh në fakt që të ketë sa më shumë dhe i duhen miliona, nuk i duhem më dhjetëra, mijëra, po i duhen miliona që nuk ia jep dot procesi i lindjeve brenda, nuk ia garanton.
Deri në 2030, shembull i thjeshtë, Gjermania ka nevojë për 7 milionë njerëz jashtë Gjermanisë që të vijnë në Gjermani pa llogaritur milionat e të tjerëve që janë aty dhe që futen në forcat e punës. Tani, po ne ku jemi këtu në këtë pikë? Në jemi pikën që është tani momenti i kthesës së madhe dhe fatmirësisht për shumë arsye që s’dua t’ju lodh qeveria ka arritur ta bëjë kthesën e madhe pasi ka tejkaluar tërmet, pandemi, gjithë këto problematika që solli lufta, për të cilat jemi akoma të shqetësuar dhe për të cilat vazhdojmë akoma paguajmë çdo ditë, çdo muaj, që fatura juaj e energjisë të vijë e patrazuar, por nuk është se çmimi është kthyer aty ku ishte kur ne filluam subvencionin e faturës dhe erdhëm në kushtet kur mund të rrisim pagat.
Dhe kemi filluar një rritje pagash historike, e cila ka nisur tani dhe e cila mbyllet në harkun e një viti nga tani dhe e çon pagën mesatare në sektorin publik 900 euro nga 540 apo 530 është sot, që është thuajse një dyfishim i pagës mesatare por që është i gjithi i mbështetur në a) domosdoshmërinë historike të krijimit të një fronti rezistence për të penguar rënien e madhe për shkak të rënies së kapitalit njerëzor dhe mundësuar nga fakti që mund ta bëjmë sot këtë gjë, sepse kemi pasur largpamësi dhe kemi arritur të menaxhojmë me sukses gjithë këto kriza dhe njëkohësisht të vazhdojmë të shtyjmë ekonominë përpara se ndryshe nuk do të kishim mundësi. Rritja e pagave nuk është dëshirë, dëshirë për të rritur pagat ka çdo kryeministër, çdo qeveri në botë edhe më e keqja. Rritja e pagave është mundësi. E ke apo s’e ke mundësinë. Ka pasur shumë raste historia e planetit që janë rritur pagat thjeshtë ose janë rritur pagat në mënyrë artificiale, pavarësisht se nuk ka qenë mundësia dhe pastaj janë hapur gropa shumë të mëdha.
Ne i kemi matur shumë mirë hapat dhe prandaj jemi si të thuash, kemi ecur ngadalë në këtë proces , me rritje 7%, 10%, 12% , me rritje këtu, atje, një vit, …
Tani rritja është masive dhe është në të gjithë horizontin sepse ne tani ne mund ta bëjmë këtë gjë.
Sot ne kemi faktikisht pagën, kishim pagën më të ulët minimale në rajon, sot e kemi në mesatare, jemi te tretet në rajon dhe do vazhdojmë ta rrisim, atë 40 mijë lekëshin, do vazhdojmë ta rrisim. Do ta çojmë patjetër 45 mijë brenda mandatit dhe pa shkuar te 60 mijëshi nuk mund të flemë gjumë sepse është shumë e qartë që nuk mjafton, mirëpo një nga dy vendet që është para nesh në rajon që e ka pagën minimale më të lartë, rrugës dhe jo shumë larg në kohë, ka një problem. Do duhet të shmangë një përplasje të madhe me realitetin e një borxhi që rrezikon t’i dalë jashtë kontrollit , mbi 100%.
Ky është risku që nuk duhet të marrë kurrë një qeveri e përgjegjshme, pavarësisht se njerëzit mund të jenë të pakënaqur që pagat nuk rriten më shumë. Kurrë. Sepse pastaj të kushton shumë më shtrenjtë dhe është me shumë rëndësi që në këtë pjesë, ne të jemi bashkë me biznesin.
Ne nuk mundet dot t’i imponojmë biznesit se çfarë pagash të vërë sepse kemi zgjedhur një sistem ku liritë ekonomike dhe përcaktimin e pagave, lojtarët e tregut e bëjnë vetë, por ne nuk mund të pranojmë më që të rrimë pa bërë asgjë nëse bizneset apo me ato biznese, që vazhdojnë ta konsiderojnë aftësi konkurruese numër një, pagën e ulët dhe konsiderojnë krahun e lirë të punës si aftësi konkurruese, duke nxjerrë produkte që kanë kosto më të ulët si rezultat i mospagesës së duhur të punonjësit.
Kjo ka qenë një fazë e historisë së ekonomisë sonë por sot nuk vazhdon më dot të funksionojë më një herë në radhë të parë, sepse le të marrim fasonët. Kur industria e fasonëve është krijuar ka qenë një Shqipëri tjetër dhe gratë që kanë hyrë në ato fabrika kanë qenë gra të reja, vajza të reja, në një kohë që ishte komplet tjetër. Sot atyre iu ka ardhur koha që të dalin në pension pak nga pak. Tani më thoni ju mua, nëse një zonë nga Spitalla, e cila sot është në moshën për të dalë në pension dhe ka punuar gjithë këto 30 vjet e kusur në një fason, del në pension, një vajzë nga Spitalla që është në kërkim të një pune, shkon të ulet aty te makina qepëse për një pagë 45 mijë lekë? 40 mijë lekë? 34 mijë lekë, siç është deri tani, se në prill, ka hyrë në fuqi domethënë dhe kjo është paga e parë 40 mijë lekë. Unë nuk mendoj se ka, kështu që nuk ka shans që ta zëvendësosh kollaj madje shumë vështirë. Po mirë- do thoni ju, ky biznes fason çdo bëjë se si dalin llogaritë?
Duhet të bëjë që t’i dalin llogaritë që do të thotë duhet të ndërrojë lojën. Që do të thotë duhet të shkojë nga ajo puna bazike që ka bërë në një punë me cikël të mbyllur “Made in Albania”, etj etj.
Dhe kjo që them nuk është diçka që unë e kam parë jashtë, e kam parë këtu. Ka fabrika që kanë nisur fason dhe që sot janë në një tjetër nivel dhe i kanë pagat më të larta. Ndërkohë, ne sidoqoftë do t’i marrim disa masa. Se për shembull, s’mund të pranohet që një komani ndërtimi t’i ngjisë punonjësit në skelë dimër e verë dhe kur vjen puna aty të deklarojë pagë minimale, se e para njëherë nuk është e vërtetë, se problemi i pagës ka edhe një element tjetër. Një element i pagës sot është që ta japin pak dhe elementi tjetër është që një pjesë ta japin në të zezë. Se nuk hipën njeri në skelë sot të suvatojë katin e 6-të me 34 mijë lekë. Kjo nuk diskutohet. Që do të thotë që i shkruan 34 mijë lekë dhe i jep 60-65-70mijë, sipas kualifikimit, deri edhe më shumë.
Këtë ne kemi për ta lejuar më. Si do bëjmë ne? Ne nuk do t’i japim më asnjë kontratë publike dhe asnjë leje ndërtimi kompanive të ndërtimit që nuk kanë paga dinjitoze sipas niveleve që ne i dimë shumë mirë, se Shqipëria është vend i vogël, dihen të gjitha. I paguan punëtorët me 35mijë lekë apo 40mijë lekë minimale; vazhdo paguaji, nuk të ndalon dot qeveria dhe shteti në këtë sistem që ti ta bësh këtë gjë por ama qeveria mund të vendosë që ty nuk të jep asnjë mundësi që të futesh në tender fare, nuk të jep mundësi të marrësh leje ndërtimi kështu që ti pastaj shih e bëj, e as nënkontraktor nuk mund të jesh me paga që janë abuzive ndaj punonjësve.
Sot, punonjësi, punëtori i të gjitha kategorive është padiskutim prioriteti numër një ekonomik, social, strategjik kombëtar i qeverisë sonë sepse kjo kohë është e tillë dhe në këtë kohë ne do të veprojmë kështu.
Kështu do veprojmë dhe në sektorë të tjerë, me kompani në sektorë të tjerë me të cilat do duhet të ndërtojmë këtë proces.
E fundit, duke qenë se këtu ka dhe sipërmarrës të turizmit; miqtë e mi, kemi bërë dhe do bëjmë jashtëzakonisht shumë për turizmin dhe unë po ju them që Shqipëria e 2030 do jetë kampione e Ballkanit në turizëm dhe po ju them që problemi i madh që ne do kemi do jetë jo a do kemi turistë por sa mirë do t’i trajtojmë kërkesat e tyre, që nga kërkesa për shtretër që do të rritet cdo vit deri tek kërkesa për cdo detaj në shërbim dhe jo vetëm kaq por në varësi nga cfarë do bëni ju b ashkë me ne, të ardhurat d të rriten shumë më tepër sec janë sot sepse ju do jeni në gjendje të rrisni çmimet për turistët e huaj dhe jo thjesht disa paketa All Inclusive që janë aty-aty dhe ju e dini shumë mirë që një nga arsyet pse ju po zhvilloheni dhe pse industria turistike në Shqipëri po zhvillohet dhe hoteleria po zhvillohet është që është trajtimi i veçantë me një TVSH të veçantë, që është më e ulëta në Europë dhe në rajon. Ne e kemi bërë me qëllim sepse jemi, në turizëm, në Champions League, konkurrojmë me Greqinë, që është si Real Madrit në futboll kur vjen puna për turizëm, konkurrojmë me Italinë që është si Barcelona në futboll kur vjen puna për turizëm, konkurrojmë me Kroacinë që është si Chelsea në futboll kur vjen puna për turizëm, konkurrojmë me Malin e Zi që është si Juventusi në futboll kur vjen puna për turizëm dhe si do konkurrojmë ne me këta duke luajtur si Teuta?
Për këtë arsye, një nga gjërat që bëmë, se nuk mjafton se mund të kesh detin, mund të kesh diellin, mund të kesh rërën, mund t’i kesh të gjitha këto por puna është pjesa tjetër, shërbimet. Turizmi është shërbimet.
Spanja, si thu kur je me Spanjën? Gjithë Mesdheu.
Prandaj bëmë këtë TVSH, por ama që ne të kemi 7 milionë e kusur turistë, që ne të kemi të ardhura që janë miliarda e do bëhen edhe më shumë miliarda, që ne të kemi në muajin mars, kur ishte Panairi i Berlinit që ishim ne, zyrtarisht 84% të shtretërve të zënë, të prenotuar nga maji në shtator, që ju sa herë ju takojmë, problemin e parë të keni njerëzit, krahun e punës dhe që në deklarime pastaj ne të na deklarohen me pagë minimale gjysma? Kjo nuk shkon.
Se nuk po them për pjesën tjetër të mos deklarimit të plotë, të duhur e të saktë të dhomave.
Kjo nuk shkon sepse ne e dimë shumë mirë, e dimë ne, e dini ju që ju nuk keni punonjës me pagë minimale, as pastruese nuk keni ju me 34 mijë lekë në hotelet e Durrësit, se nuk vjen njeri të pastrojë për 34mijë lekë. Kjo nuk ekziston, ju i keni me paga shumë më të mira.
Çështja është që këtu duhet një mirëkuptim se është kollaj që të nisim inspektime, të vëmë gjoba, por është rrugë e shkurtër që na ndjek pak më gjatë, kurse rrugë pak më e gjatë, por na nxjerr më shkurt është që të kuptojnë të gjithë sipërmarrësit që ky është një prioritet strategjik kombëtar, është një moment që duhet realisht menduar në mënyrë patriotike sepse nuk duhet të vijë momenti që sipërmarrja të gjendet si ai që tha “Po çfarë paska qenë ky gomari im, sa e mësova të mos hajë më ngordhi?”
Nuk duhet të vijë ai moment dhe kijeni parasysh që kemi hyrë në kohën e një lufte për mish njeriu, realisht po ju them. Vendet e zhvilluara do bëjnë çmos të thithin sa më shumë njerëz. Nuk kanë, ku t’i gjejnë? Ata nuk lindin më, si t’i zëvendësojnë?
Ne duhet me patjetër, jo vetëm të mos humbim krah pune më shumë, por dhe të fillojmë të sjellin mbrapsht krah pune për gjithë ato arsye që thashë më përpara dhe që i kanë sjellë disa nga ato çuna mbrapsht pasi kanë ikur, se kanë qenë këtu në terezi dhe kanë thënë “Po iki ta provoj njëherë”, dhe kanë vajtur e kanë provuar dhe kanë ardhur mbrapsht. Kanë ardhur mbrapsht se këta e kanë një vend pune këtu që paguhet në mënyrë dinjitoze.
Sot, nuk jemi ne akoma në fazën akoma që t’i themi shqiptarëve që janë jashtë “Kthehuni se ia vlen”. Këta po, këta kthehen dhe janë këtu dhe këtë duhet të bëjnë bizneset. Dhe ajo që tha Ani është ana tjetër e medaljes; historia që të gjithë duan të vijnë të punojnë në shtet ka aspektin e mungesës së informacionit, por ka dhe aspektin e idesë që “Po shkoj në shtet të marr një pagë të mirë dhe në zyre luaj me letra në kompjuter dhe pastaj dal tek kafja flas për politike”.
Ka dhe këtë element, pavarësisht se rritja e pagave motivon më shumë.
Kjo ishte pak a shumë ajo që deshëm të ndanim me ju. Pagën minimale ne do ta rrisim përsëri, e thashë, por nuk është thjesht kjo dhe duhet konceptuar jeta në këtë moment që edhe sikur të dalësh barazim ke bërë gjënë e duhur, nëse ti i ke dhënë punonjësve më shumë sepse ke garantuar të nesërmen dhe ndërkohë duke përmirësuar proceset, ti do të fitosh më shumë nesër se këta punonjës që ti i paguan më mirë, që ti i garanton, do japin jetën për ty, për kompaninë, për hotelin, për fabrikën dhe do jenë shumë më performues, do jenë shumë më të gatshëm të trajnohen, do jenë shumë më të gatshëm të zhvillojnë kapacitetin e tyre dhe ti do marrësh prej tyre më tepër.
Natyrisht që kjo kërkon një moment shtrëngimi, do heqësh pak më shumë nga fitimi yt, do ta konceptosh një moment jetën edhe pa shkuar për pushime në Marbella, për shembull, për një vit, për dy vite apo tre, se do paguash punonjësin.
Faleminderit!