Dvoran, Korçë, me fermerë të zonës në bashkëbisedimin për bujqësinë dhe përballimin e sfidave të kohës - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Dvoran, Korçë, me fermerë të zonës në bashkëbisedimin për bujqësinë dhe përballimin e sfidave të kohës

Në fshatin Dvoran, të Korçës, zonë kryesore e prodhimit të mollëve, me peshën më të madhe  në prodhimin e përgjithshëm të pemëtarisë në këtë qark, kontribuues në rritjen e eksporteve bujqësore vendase, vijoi sot dialogu i hapur i kryeministrit Edi Rama me fermerë e blegtorë për çështje të bujqësisë, e cila këtë vit është mbështetur me fondin më të lartë të mbështetur ndonjëherë, prej gati 50 milionë dollarësh, për programet në ndihmë në të fermerëve, për skemën e naftës pa taksa, sasia e shpërndarë e së cilës është 4 herë më shumë se sa vitin e shkuar dhe numri i fermerëve përfitues 2 herë më i madh, si dhe për përballimin e sfidave të këtij sektori në një kohë të pazakontë të shkaktuar nga lufta.

* * *

Kryeministri Shumë faleminderit juve për mikpritjen në këtë oaz kaq frymëzues! Më vjen shumë mirë që jemi këtu në Korçë sot sepse e kam përdorur shpesh në këto takime shembullin e Korçës, ku janë të dyja anët e medaljes, si në çdo vend tjetër, por njëra anë e medaljes, ajo e atyre që dalin në rrugë për të hedhur mollët është bërë publike përmes pasqyrave të deformuara të televizorëve që gjysmë të vërtetat që janë dhe gënjeshtrat më të mëdha, i kanë bërë ushqimin e përditshëm të popullit tonë, sepse e vërteta e plotë është tjetër. Ata fermerë të cilët dalin dhe hedhin mollët, që nuk i shesin nuk janë aktorë, janë njerëz realë, janë fermerë që e bëjnë përpjekjen e tyre, por që dështojnë, por kjo është njëra pjesë e të vërtetës. Pjesa tjetër e së vërtetës janë shumë herë më tepër sesa ata fermerë që prodhojnë, grumbullojnë dhe eksportojnë me shume sukses mollën, përveçse e shesin dhe në tregun e brendshëm.

Pasqyrimi i vetëm gjysmës së parë të së vërtetës prodhon një gënjeshtër shumë të madhe që në Shqipëri bujqësia është thjeshtë një shkretëtirë ku një grusht njerëzish lëngojnë të braktisur nga shteti. Kjo është një gënjeshtër shumë e madhe për faktin se bujqësia sot është si asnjë vit dhe asnjë ditë më parë deri më sot, por patjetër në raport me aty ku duam të arrijmë dhe do arrijmë, pa diskutim, jemi ende në hapat e parë pas një ringritje.

Këtu kam disa fakte.

Aktualisht bujqësia shqiptare është ajo që ka pasur nivelin më të qëndrueshëm midis të gjithë vendeve të rajonit dhe nivelit më të lartë të rritjes së sektorit, shembull, duke qenë se jemi të përfshirë në Ballkanin e Hapur edhe për të ndihmuar fermerët, për të ndihmuar blegtorët, për të ndihmuar dhe agropërpunuesit me tregje shumë më të aksesueshme, nëse Shqipëria ka patur 1.5 % rritje, Maqedonia ka pasur vetëm plus, 0,1 % dhe Serbia minus 5,4 %. Ndërkohë, sipas Bankës Botërore dhe flas për raportin e shtatorit, e cila ka bërë një analizë të thellë të efekteve të krizës kudo në vendet ku ajo operon në mbarë botën, Shqipëria ka nivelin e inflacionit të çmimeve të produkteve ushqimore më të ulëta se të gjithë vendet e rajonit, qofshin apo jo pjesë e Bashkimit Europian.

Rritja e çmimit të produkteve ushqimore në Shqipëri është pothuaj sa gjysma e rritjes së verifikuar në pothuaj të gjitha vendet e rajonit, Bosnjë Hercegovinë, Kosovë, Mal i Zi dhe me radhë. Këto janë fakte. Këto nuk janë opinione! Këto janë fakte që lidhen nga një anë me fuqizimin e sektorit dhe nga ana tjetër me politikën e qeverisë shqiptare për të mos ngarkuar konsumatorin familjar dhe biznesin e vogël me barrën e re të çmimit të energjisë, pra për ta mbajtur çmimin e energjisë aty ku ishte përpara se të fillonte kriza energjetike, duke financuar nga buxheti pjesën tjetër dhe që të jemi konkretë, në faturën e energjisë që ju vjen juve në shtëpi dhe që ju vjen gjithë shqiptarëve nëpër shtëpi, familjet paguajnë 20% të çmimit. 80% i paguan buxheti i shtetit, në çdo faturë, sot që flasim. Kjo ka bërë që inflacioni të mbahet më në kontroll sesa në vendet e tjera rreth e rrotull nesh.

Për të vazhduar më tutje është e rëndësishme që të ndaj me ju, që bujqësia këtë vit është mbështetur me fondin më të lartë të mbështetur ndonjëherë, që është gati 50 milionë dollarë dhe 50% më shumë sesa fondi i miratuar në fillimit viti për shkak të, natyrisht, krizës dhe për shkak të nevojës për të mos i lënë fermerët vetëm, duke iu dhënë 8 milionë litra naftë pa taksa. Pra falas! Dhe sasia e shpërndarë e naftës është 4 herë më shumë sesa vitin e shkuar dhe numri i fermerëve dy herë më i madh si përfitues. Ndërkohë që, janë shumë fermerë që kanë përfituar nga programet dhe niveli i fondeve të injektuara vetëm nga skema e mbështetjes përtej naftës, është rreth 34 milionë dollarë.

Vazhdojmë me fondet e thithura nga BE. Kemi qenë vendi i fundit në rajon, s’merrnim dot 5 lek nga BE se ishim copë-copë. Jemi sot vendi i parë në rajon për kapacitetin për të thithur fonde, falë asaj zonjës aty si drejtore e AZHBR dhe ndërtimit të një institucioni që i ka qëndruar pranë fermerëve dhe ka bërë të mundur më shumë në fakt sesa 500 investime të reja në bujqësi. Investime të cilat kanë kaluar shifrën 180 milionë euro dhe që janë të gjitha në territor dhe ju shërbejnë, jo vetëm atyre që janë pjesëmarrës në këto investime, por ju shërbejnë të gjithëve rrugëve të zhvillimit të këtij sektori. Dhe me programin e ri ne kemi një tjetër kapacitet financiar në dispozicion prej afro 150 milionë eurosh, gjë që do të na bëjë të mundur të mbështesim edhe më shumë akoma për të shtuar pikat e grumbullimit, për të shtuar pikat e agropërpunimit, për të shtuar atë që po diskutonim këtu, kapacitete frigoriferike, në mënyrë që të rrisim vlerën e produkteve dhe në mënyrë që vendimmarrja për të nxjerrë produktet në treg të jetë një vendimmarrje e pavarur nga kushtet, nga pamundësia për t’i mbajtur në frigorifer dhe për t’i nxjerrë në momentin kur duhet të dalin me çmimin më të mirë.

E fundit që kam për shifrat është që kjo bujqësia e braktisur, ky fshat i zbrazur ku të gjithë vuajnë për bukën e gojës siç thonë televizorët, në fakt ka eksportuar deri në fund të shtatorit 57.9 milionë euro më shumë sesa në të njëjtën periudhe të vitit të shkuar. Pra kjo është në vlerë, por edhe në sasi. Mbi 50 mijë tonë më shumë produkte bujqësore të eksportuara në vendet e BE dhe më gjerë.

Po të hyjmë pak më në brendi të shifrave, 37.6% të sasisë e përbën eksporti i frutave dhe i perimeve. Këto janë shifrat, këto janë faktet, por ndërkohë këto nuk duan të thonë aspak që ne jemi të kënaqur, që bujqësia po lulëzon. Këto duan të thonë vetëm kaq, që ne kemi arritur ta nxjerrim bujqësinë nga gropa po për ta ngjitur aty ku duhet, na duhet ende një punë shumë e madhe, një mbështetjeje edhe më e madhe për ju, një mbështetje e madhe edhe për të gjithë ata që ia kanë kushtuar tokës jetën dhe punën e tyre dhe pa diskutim, një sinergji më e madhe mes nesh dhe jush që do të thotë, është koha, dhe këtë e kam kërkuar me forcë nga kryetarët e bashkive, që kryetarët e bashkive dhe bashkitë të futen në iniciativa të përbashkëta me ju. Nuk kemi pse presim më. E kemi mësuar rrugën, tani duhet vetëm të ecim më shpejt, s’kemi pse presim më që për te pasur një frigorifer, të na vijë një sipërmarrës. Mund të vijë, mund të mos vijë. Duhet ta bëjmë vetë. Si do e bëjmë vetë? Ju dhe ne. Më saktë, ju dhe ata që janë më në nevojë për ta pasur këtë frigorifer dhe ata, bashkia duke krijuar menjëherë një shoqëri të përbashkët. Ju duke futur 1 lek dhe bashkia duke futur 5 lekë dhe pastaj 24 lekë të tjera qeveria dhe kjo shoqëri është pronë e përbashkët e juaja dhe bashkisë dhe ju keni  punën tuaj këtu në plantacion, ndërkohë që pika atje, frigoriferi atje është një tjetër aktivitet ku ju jeni pjesëmarrës dhe bashkia është aty në shërbimin tuaj dhe kjo rrit vlerën e punës këtu, por kjo sjell të ardhura dhe atje për ju. Kështu që nuk duhet të presim, duhet të nxitojmë në këtë proces dhe kryetarët e bashkive kanë një detyrë që ia kemi ngarkuar për të zhvilluar të tilla nisma, të cilat do ta fuqizojnë shumë rrjetin tonë të grumbullimit dhe të agropërpunimit.

Nuk na mjafton më që të marrim dhe të eksportojmë mollë. Na duhet edhe të përpunojmë, na duhet edhe komposto, na duhet edhe reçel, pra na duhen edhe pikat e përpunimit sepse kemi një shifër këtu që diskutonim me Nikon dje, që 80% e prodhimit është e gjitha e shitur, por kemi një 20% të prodhimit që ka një problematikë cilësie, por ky 20% i prodhimit fare mirë mund të shkojë për komposto, fare mirë mund të shkojë për reçel, fare mirë mund të shkojë për t’u bërë lëng dhe për këtë çfarë na duhet? Për këtë na duhet ta kemi këtu një fabrikë. Dhe çfarë na duhet për të bërë fabrikën? Na duhet një financim të cilin nuk mund të presim ta sjelli tregu, ta sjelli një sipërmarrës që vjen dhe shfaqet këtu, se mund të vijë dhe mund të mos vijë, por ketë financim duhet ta garantojmë së bashku, duke krijuar një shoqëri, ju duke futur një shumë minimale për të qenë aksionerë, bashkia një shumë më të madhe dhe pastaj qeveria duke mbështetur qoftë me skemën e granteve, qoftë me garancinë sovrane, me kreditë të cilat kanë një tjetër rrugë për t’u shlyer dhe praktikisht e justifikojnë komplet vlerën e shtuar që krijohet dhe kështu asnjë kokërr mollë nuk mbetet pa u kthyer në vlerë të shtuar.

Ky është vetëm një shembull, por ka plot shembuj nga produktet e tjera që mund të marrim dhe Korça mund të bëhet kampione, Dibra mund të bëhet kampione. Janë zona ku punohet fuqimisht dhe nuk duhet lënë asnjë lloj kokrre frut që të ikë dëm. Kjo është e ardhmja në afat të mesëm, po presim. Imagjinoni, e kemi filluar këtë punë me 120 milionë euro eksporte, jemi sot duke i parë, eksportet bujqësore flas, jemi duke i parë javë pas jave sepse edhe mund t’i arrijmë që këtë vit, gjysmë miliardi. Gjysmë miliardi eksporte bujqësore Shqipëria, e cila deri dje i kishte lenë fermerët rrugëve, ju e dini shumë mirë. E cila deri dje kishte pafundësi tokash të papunuara, sot Shqipëria punon dyfishin e tokës bujqësore, ka akoma copëza, po për këto ne duhet të marrim disa masa të reja të cilat po i përgatisim, për një super taksim të tokës së lënë djerrë. S’mund të lësh tokën e bukës djerrë se e ke pronë, jepe ta punojnë ose punoje vetë. Për titujt e pronësisë në zona të caktuara të tokës e kështu me radhë, në mënyrë që të shfrytëzojmë çdo metër tokë, por ama sot punojmë dyfishin e tokës bujqësore. Si qenka kjo që sot paska marrë të tatëpjetën kur sot punohet dyfishi i tokës bujqësore? Dhe pse punohet dyfishi i tokës bujqësore? Për dy arsye! Arsyeja kryesore, sepse kemi çuar ujin në parcelë, se e kishin lënë të gjitha kanalet pa i prekur me dorë dhe natyrisht që fermeri mund të bëjë shumë për tokën e vet, por nuk mund të sjellë ujin nga mali në tokën e tij, këtë duhet ta bëjë shteti. Dhe e dyta, sepse nuk kishte pika grumbullimi. Sot kemi një rrjet pikash grumbullimi në të gjithë Shqipërinë, që duhen shtuar, por ama i kemi.

Këto janë pak a shumë gjërat që desha të ndaj me ju, duke ju thënë që ne jemi shumë krenarë për ju, sepse në fund të ditës krenaria kombëtare nuk është asgjë tjetër përveçse rezultat i asaj që gjithë njerëzit së bashku arrijnë të bëjnë për vendin e tyre dhe ajo që bëni, nuk është vetëm për shtëpitë tuaja por edhe për vendin. Jo thjesht sepse ju kontribuoni në ushqimin e popullit, por sepse ju jepni një shembull kuptimplotë që vërtetë puna në bujqësi, është një punë jo e lehtë, por në fund ajo shpërblen edhe shpërblen më shumë dhe më mirë sesa te punosh për llogari të të tjerëve jashtë vendit, kjo nuk diskutohet! Pa folur këtu për agroturizimin e të tjera e të tjera, po thjesht për tokën, për fermën, për prodhimet e fermës. Faleminderit!

–  Përshëndetje zoti kryeministër! Unë jam banor i fshatit Dvoran dhe kam ndërtuar fermën time rreth 5 hektarë me fruta, mollë dhe qershi, ndërkohë kam dhe një frigorifer që e kam ndërtuar në vitin 2008. Për të mos u zgjatur shumë do shtroj dy kërkesa që janë të nevojshme për gjithë komunitetin. Kërkesa e parë është që në këtë fshat janë ndërtuar rreth 20 frigoriferë, bashkë me disa fshatra të afërta mund të shkojnë rreth 30 frigoriferë dhe për këtë arsye unë mendoj se duhet shtëpia e frutave. Ne duam ato pajisjet kalibruese të mollëve dhe qershisë që të jenë të sistemit modern dhe të na japë mundësinë të bëjmë dhe eksporte. Kërkesa tjetër që do kisha është se vitet e fundit, sistemin e ujitjes këtu e kemi me sistem të mbyllur. Mendoj që ka ardhur koha që duhet bërë sepse ne jemi edhe në moshën e pemëtoreve. Për të bërë një sistem të ri me mbështetje, pa sistemin me ujitje me pikë nuk arrijmë dot ato rezultate, cilësi dhe rendiment që ne dëshirojmë.

Kryeministri Edi Rama: Më dole në shteg për të më ilustruar ekzaktësisht atë që po thosha. Për pjesën e parë por edhe për të dytën, ke shumë të drejtë por përdore një fjalë: “duam”. Nga kush e do? Pse po ta them? Sepse fondet janë aty, por që ato fonde të lëvizin duhet që ju të cilët jeni të parët në këtë zonë që keni filluar ta ndryshoni mentalitetin duke kuptuar që bujqësia nuk është thjesht hajde puno tokën, por është biznes, është sipërmarrje, kërkon logjistikë, kërkon vizion dhe kërkon bashkim. Ju duhet të hidhni hapin tjetër. Për këtë të parë, menjëherë duhet të viheni në lëvizje për të krijuar një shoqëri. Disa prej jush bashkohen dhe krijojnë një shoqëri. Me bashkinë futen në marrëdhënie dhe bashkia bëhet ortak me ju dhe kjo shoqëri e përbashkët, me një pjesëmarrje tuajën si fermerë të interesuar për këto instrumente matës dhe shtëpinë e frutave, me pjesëmarrjen e bashkisë, bën projektin, projekti merr financimin dhe ndërkohë qeveria jep dhe mbështetjen e vet dhe kjo është ndërmarrja juaj. Qeveria nuk ka punë të futet në këtë ndërmarrje. Në këtë ndërmarrje është bashkia, jeni dhe ju dhe kjo ndërmarrja është pikëmbështetja juaja për gjithë çfarë bëni ju në fermë. E njëjta gjë për tjetrën. Ju thoni që “duam”. Ne jemi i vetmi vend në Europë që nuk takson fermerin. Ju nuk paguani asnjë taksë as për tokën, për ujin, asgjë. Ku paguani? Tarifat në bashki janë minimale, por unë flas për taksat. Ne jemi të vetëdijshëm për këtë dhe kur themi merrni NIPT-in, nuk e themi merrni NIPT-in për t’ju vënë taksa. E di që e keni marrë dhe tani që doli nevoja e patë vetë që u duhej NIPT-i për të marrë mbështetje me naftë se nuk mund ta marrësh pa NIPT.

Për këtë projektin tjetër, ajo që dua të them është kjo. Duhet përsëri ju të bashkoheni dhe të thoni “Ne duam këtë ndryshim të sistemit. Të na vijë uji nga një burim dhe pastaj ne ta shpërndajmë me sistemin me pika”. Por nga ana tjetër, kur vjen puna tek sistemi me pika ky është një investim ekstra dhe për këtë investim ekstra ju duhet të bini dakord që ju do paguani për këtë. Nuk mund të vijë uji sikur vjen ai uji që vjen me pikë në çdo pemë, në çdo rrënjë, duhet paguar.

Kjo është çështje vullneti se mund ta duash ti dhe mund të jesh gati ti ta bësh, por a janë gati të gjithë ta bëjnë? Atëherë, duhet që ata që janë gati të bashkohen dhe të thonë “Po, ne jemi gati. Ju silleni deri tek burimi qendror, pjesën tjetër ne do ta mbulojmë vetë”. Kjo është një marrëveshje.

E kam fjalën që duhet pak më shumë iniciativë. Duhet shumë më tepër iniciativë nga bashkitë por duhet edhe pak më shumë nga ju dhe ata që janë këtu pionerët që e kanë carë pjesën e parë të rrugës duke ndërtuar frigoriferët, duke bërë projekte, duke marrë mbështetje, duke shkuar duke marrë kredi, duhet të çojnë më tutje këtë punë.

Duhet të jemi shumë më bashkë. Është shumë e rëndësishme kjo. Nuk mundet dot të ndërtojmë kuturu secili sipas asaj të vetës, por të kuptojmë çfarë na duhet. Çfarë lloj investimi na duhet të gjithëve ne që jemi bashkë këtu fermerë? Na duhet kjo shtëpia e frutave apo nuk na duhet apo na duhet një frigorifer tjetër? Këto janë vendime që merren bashkë dhe këto më mirë se ju nuk i di as ministria, as bashkia, as qeveria, as Europa, as askush.

Prandaj, është koha që të krijohen sa më shumë bashkime, kooperativa, Nuk doni ta quani kooperativë? Quajeni siç e kishin quajtur ata atje në Elbasan, Federata e Ullirit. 130 persona, gra dhe burra që mblidhnin ullinj vetë dhe pastaj meroheshin për t’i çuar e për t’i përpunuar. Janë bërë bashkë, kanë bërë një projekt, një aplikim, kanë marrë fondet dhe kanë pikën e tyre. I çojnë ullinjtë, aty bëjnë vajin dhe nxjerrin një vaj me një emër dhe janë në rregull. Kooperativë, federatë, shoqëri, ndërmarrje, sipërmarrje, shoqatë, quajeni si të doni, por është koha për t’i bërë këto. Nuk mund të rrihet vetëm.

Ata që dalin hedhin mollën atje, ata ngrenë sytë nga qielli, duhet t’i bëjnë pyetje vetes “Pse unë e hedh mollën dhe 5 metra larg meje ky tjetri e eksporton mollën? Çfarë ndryshimi ka midis meje dhe atij, se është i njëjti shtet, është e njëjta zonë”? Ndërsa nëse bëhen bashkë, atëherë askush nuk mbetet në rrugë të madhe dhe vlera e prodhimit shtohet sepse ke sasi më të madhe, ke cilësi më të garantuar dhe kur ke sasi më të madhe dhe cilësi më të garantuar, ke fuqi negociuese tjetër me tregun. Tjetër është të dalësh vetëm në treg me 5 kilogram dhe tjetër është të dalësh me 500 kilogram.

Kur del me 5 kg, në fund e lëshon edhe për një copë bukë, se ndryshe të kalbet në trastë. E di dhe kjo është e qartë. Secili ka pjesën e vetë, është kooperativë me bashkim forcash dhe interesash, por jo të gjithë njësoj. Unë kam 5 hektarë, ti ke 5 dynym. Unë kam pjesën më të madhe, do marr dhe pjesën më të madhe për atë që bëj. Edhe ti do marrësh, por ama produkti ynë i përbashkët ka vlerë më të lartë. Ky është thelbi.

–  Në emër të kompanisë, dua të falënderoj mbështetjen e gjithë këtyre viteve për zhvillimin e kompanisë me skemat e AZHBR dhe IPARD. Vjet kemi mbaruar një fabrikë, me një investim mbi 3 milion euro dhe investimi nga IPARD dhe qeveria ka qenë afërsisht në një milion. E gjithë pjesa e zhvillimit ka qenë për arsyen që ne të përgatitemi për të qenë konkurrentë në tregun rajonal dhe për hapat e mëtejshëm. Kemi filluar një bashkëpunim me fermerët dhe kemi nxjerrë një produkt i cili është produkt i mishit të dhisë, i cili është bërë faktor këtë vit në treg, por shikojmë edhe gjëra që mund të zhvillohen shumë e shumë më tepër. I gjithë investimi është fokusuar në zhvillimin e linjave të përpunimit të mishit të freskët dhe sigurinë ushqimore, por hasim dhe shikojmë vështirësi që siç tha dhe zoti Niko, në qoftë se industria e përpunimit të mishit ka arritur në një nivel konkurrues, sepse e shohim edhe nga opinionet që na japin njerëzit që vijnë nga jashtë, prodhimi i blegtorisë dhe fermave të prodhimit të mishit është një faktor që duhet parë me shumë sy kritik nga ana e qeverisë. Kërkesa ime do ishte të shikohet me sy kritik sesi mund të zhvillohet. Unë e shikoj si një gjë që mungon krejtësisht dhe duhet parë mbase me ndonjë formë subvencioni dhe me fshatarët.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca: Po shikoja investimet në blegtori për ngritjen e stallave, fermave të reja blegtorale, sa ka pasur Korça ndër vite. Është e vërtetë që ka pasur pak investime, jo se ka munguar mbështetja. Ashtu siç është ofruar mbështetja për ngritjen e plantacioneve të reja, mekanikës bujqësore, fabrikave, dhomave frigoriferike ka qenë dhe për ngritjen e stallave e mbështetjen e blegtorisë, përsa i takon investimeve, pra ngritjen e fermave blegtorale nga e para, por nuk ka pasur shumë kërkesë nga Korça dhe kjo më habit pak, ndërkohë që është një vend që ka një traditë blegtorale. Nga ana tjetër, na duhet të inkurajojmë edhe investitorë në bujqësi që kanë dëshirë të ngrenë stalla blegtorale, ferma blegtorale, t’i zgjerojnë ato që kanë apo t’i përmirësojnë kapacitetet ruajtëse. Qeveria çdo vit ka një mbështetje të posaçme përsa i takon blegtorëve në mbështetje të krerëve e cila këtë vit është më e madhe se vjet. Asnjëherë nuk është e mjaftueshme. Më vjen shumë keq që nuk është e mjaftueshme. Nuk i përgjigjemi dot të gjithë nevojave që ka blegtoria deri më sot. Kam kërkuar më shumë financime dhe qeveria nëpërmjet skemës së naftës ka gjetur një mënyrë për të dhënë mbështetje e për blegtorinë. Në vijim të mbështetjes që ofrohet për krerë dhe në vitin që vjen, në skemën tonë mbështetëse e kemi që pjesën më të madhe të atij buxheti, ta kalojmë në një paketë mbështetëse për blegtorinë. Jemi të vetëdijshëm për këtë nevojë tuajën. Ne nuk ecim dot me standardet e përpunimit dhe fabrikat ekselente që janë ngritur në Korçë. Duhet përgëzuar për iniciativën që keni ndërmarrë. Dua të përmend një fakt interesant, këto dy fabrika, si Tona, si Fix-i, janë fabrika me standarde shumë të larta të përputhura me Bashkimin Europian, të cilat treg nuk kanë vetëm tregun vendas në Shqipëri. Ato sot, falë marrëveshjes së Ballkanit të Hapur kanë filluar të bëjnë eksportin e këtyre produkteve të përpunuara, sidomos të produkteve Premium që ato sot ofrojnë në treg, në tregun e Serbisë e Maqedonisë. Kjo është e bërë e mundur falë marrëveshjes së Ballkanit të Hapur, për të cilën ne si administratë e bujqësisë këtë vit, kemi punuar shumë fort për të lidhur këtë marrëveshje. Për  të njohur institucionet që kanë të bëjnë me garantimin e sigurisë ushqimore, qoftë autoritetin kombëtar të ushqimit, të veterinarisë për të shkëmbyer protokollet e gjurmueshmërisë dhe kontrollit të certifikatave kombëtare dhe kemi mundur falë kësaj marrëveshje të hapim eksportin për produkte blegtorale të përpunuara apo të gjalla për këto dy tregje të rëndësishme rajonale. Maqedonia është shumë afër këtij qarku dhe është më lehtë ta çosh produktin në Ohër apo kufijtë e Maqedonisë, sesa ta çosh në Tiranë për këto fabrika. Është një punë e mirë e bërë falë dhe një insistimi të kryeministrit për të zgjeruar më tej tregjet e eksportit blegtoral të cilat ne si ministri na shërbyen që atë eksperiencë që fituam me këto vende, ta shtrijmë dhe në vendet e BE ku do duhet të negociojmë fort për t’i garantuar gjithë sistemin e gjurmueshmërisë në blegtori. Faleminderit!

–  Jam përfitues i IPARD 2 në ndërtimin e një bujtine në Voskopojë. Ju falënderoj për mbështetjen. Po që se vazhdojmë me projekte të tjera, shpresojmë të na ndihmoni përsëri. Faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Po shikoja pak rezultatet e vitit të Korçës dhe më bie në sy që Korça ka 17% të aplikimeve të gjithë Shqipërisë. Kjo është shumë domethënëse dhe ka 47% sukses. Pra gjysma e atyre që aplikojnë për mbështetje nga fondet europiane përmes AZHBR-së kanë sukses. Kjo duhet t’i nxisë dhe të tjerët që të shkojnë në këtë drejtim. Rezultatet e këtij viti janë 5 agroturizme. Agroturizmi është një territor që është ende i pashkelur, por që qysh tani e tregon shumë qartë se çfarë vlere të shtuar ka për ekonominë familjare, të atyre që investojnë në agroturizëm, por edhe për ekonominë vendore sepse sjell turistë. Turistë të cilët sjellin të tjerë, e të tjerë e kështu me radhë. Nga ana tjetër, agroturizmi është përgjigja për gjithë ata të rinj që pyesin po çfarë do bëj unë në fshat dhe shpeshherë nuk kanë dëshirë dhe nuk janë vetëm ata janë përgjithësisht të rinjtë e sotëm edhe në vendet e Bashkimit Europian që të vazhdojnë si babai të punojnë tokën. Nëse kanë një shtëpi, sado të rrënuar nga gjyshi dhe stërgjyshi në fshat, një tokë apo nëse kanë mundësi të marrin me qira një rrënoje apo një tokë, me mbështetjen tonë mund të bëjnë një biznes që pa diskutim i sjell dy, tre, katër fish më shumë sesa çfarë mund të marrin duke marrë rrugën për të bërë një punë të rëndomtë ose një punë të zakonshme kudo qoftë nëpër Europë. Kjo nuk diskutohet! Kjo është pak, por shumë e sigurt. Agroturizmi ka dhe një magji tjetër. Ta sjell turistin edhe aty ku s’ka rrugë. Më ka bërë shumë përshtypje. Vajtëm në Nivicë. Kur unë shkoja në Tepelenë dhe thosha që Nivica do të jetë një nga destinacionet për turistët e huaj, më shikonin sikur kisha rrjedhur. Faktikisht sot Nivica është një vend që ka filluar, nuk është akoma aty  ku duhet të jetë dhe ku do të jetë, por ka filluar të jetë destinacion për turistë të huaj por jo vetëm kaq, por është një vend ku është bërë një investim i huaj. Një investim që duhet të shkoni ta shikoni, për të kuptuar se çdo të thotë të kesh vizione dhe të kesh ide me shumë pak shpenzim krahasimisht me të ardhurat që merr, me shumë pak shpenzim nga një grup suedez, që është plot gjatë gjithë kohës me prenotime nga Suedia dhe vende të tjera nordike. Investim shumë i thjeshtë dhe kur vajta atje një pjesë e rrugës, nuk e di sesa mund të ishte ndoshta një ose dy kilometra, ndoshta tre, ishte tmerr, në fund fare. Dilje nga rruga që kemi ndërtuar ne për t’u futur atje dhe më erdhi zor, rrugës mora ne telefon drejtorin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit për t’i thënë “duhet të bëjmë diçka, është turp”. Shkoj atje dhe gjëja e parë i them: ndjesë për rrugën, mos kini merak.  – Jo, tha – në asnjë mënyrë, nuk duam të na rregullojnë rrugën sepse kjo është pjesë e ofertës tonë. Ata që vijnë këtu te ne nuk vijnë për rehatllëkun edhe për llojin e ofertës që kanë kur shkojnë në Ibiza apo kur shkojnë në Miami. Ata vijnë këtu pikërisht për këtë ofertë, për një vend në mes të maleve ku gjejnë gjithë këtë mrekulli këtu, por ku gjithçka është ende në një stad që ti ndihesh mes maleve, jo sikur je në një vend komercial. E sjell këtë si shembull për të thënë që agroturizmi, ai nuk është tamam agroturizëm, por dhe aty shërbehen vetëm produktet që bëjnë familjet e zonës. Ata kanë bërë marrëveshje me familjet, me gratë e zonës që i sjellin produktet nga shtëpitë, nuk ka aty produkte që të marrësh nga Suedia dhe tua u ofrosh aty, që i kanë të gjitha mundësitë dhe çmimet janë shumë të larta, mesa unë kuptova. Ndërkohë që, ajo që dua të them është që agroturizmi ta sjell turistin në fund të botës, vjen  turisti tek ty, aty ku ti nuk ke mundësi sepse ti thua: unë po prodhova këtu çfarëdo që të prodhoj unë s’kam rrugë të nxjerr prodhimin në treg, mua më shkatërrohen kamionët. Unë s’kam mundësi të konkurroj me askënd sepse askush nuk ka sesi vjen të bashkohet me mua për të prodhuar mollë atje tek një ngastër e imja. Jo, ato mollët ti prodhoji dhe vëri në tavolinë, vijnë ata tek ti, vijnë blerësit tek ti. Ky është sekreti i thjeshtë i agroturizmit dhe janë po, 20 familje atje të cilat punojnë për një agroturizëm sepse vetvetiu futen në cikël të gjithë. Kështu që, faleminderit që më dhatë mundësinë ta rithem këtë gjë  sepse realisht kush po bën agroturizëm po ia shikon hairin, pa llogaritur dhe pjesën fantastike që dhe vet je komplet në një tjetër situatë dhe këtu nuk e them se jam konflikt interesi se dhe vet jam katundar kështu që e di shumë mirë çfarë vlere ka të jetosh në fshat.

– Kam përfituar nga AZHBR rreth 110 milionë lek për sistem mbështetës në mollë, lloj fuxhi, sistem mbështetës, sistem me pika, agregate, traktor. Iu futa këtij angazhimi që të mos marrim rrugët e kurbetit se kemi shok jashtë dhe kur vijnë, vijnë nga 20 kg në peshë. Edhe këtu po të punosh arrin gjithçka. Po të hapet skema tjetër, po e presim.

Kryeministri Edi Rama:  Oreksi vjen duke ngrëne, ke të drejtë. Ju falënderoj shumë sepse kemi një tjetër takim. Shumë mirënjohje për atë që bëni, ne jemi në dispozicion. Vetëm mesazhi im është: bashkim. Nuk ka nevojë për tu bashkuar 1000 vetë, edhe mirë do ishte por edhe 10-15 veta bëjnë fuqinë, duke u bashkuar me bashkinë për të krijuar këto bërthamat e hapit tjetër dhe për të adresuar ato që u ngritën këtu, gjëra të cilat janë bërë tani të domosdoshme dhe që nuk mund të presim që ti sjelli tregu, dora e tregut, sipërmarrja etj se mund të mos i sjelli, ti bëjmë vet bashkërisht, por është kyç që ju të jeni sepse bashkia vet pa ju nuk shkon dot të aplikojë asgjëkund dhe nuk bën dot atë që e bëni ju, nuk e bën dot se mund të vijë ta ndërtojë por pastaj bëhet një ndërmarrje jo eficente, ndërsa kur jeni vet ju dhe është prodhimi juaj në lojë, aty e dini vet ju sesi e menaxhoni. Shumë e thjeshtë, faleminderit shumë!

Previous Muzhaqi çon në Komision shifrat buxhetore për rininë, Duma ndërpret seancën dëgjimore