Dy vjet nga pandemia Covid-19 në Shqipëri, Manastirliu vlerëson mjekët: Faza akute e pandemisë drejt shuarjes, vaksinimi e vetmja rrugë për të mbyllur një herë e mirë faqen me pandeminë. - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Dy vjet nga pandemia Covid-19 në Shqipëri, Manastirliu vlerëson mjekët: Faza akute e pandemisë drejt shuarjes, vaksinimi e vetmja rrugë për të mbyllur një herë e mirë faqen me pandeminë.

Në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale është organizuar një aktivitet në kuadër të dy vjetorit të fillimit të pandemisë në Shqipëri, me praninë e ekspertëve dhe mjekëve që kanë kontribuar në këto dy vite për përballimin e situatës.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka shprehur mirënjohjen e thellë për të gjithë ekipet mjekësore në strukturat shëndetësore, duke kujtuar momentet e para të fillimit të përballjes me COVID19.

“Jam e sigurt se askush nga ju prezent këtu apo nga armata e madhe e punonjësve të shëndetësisë nuk do të mund të harrojë as edhe një minutë të këtyre dy viteve të fundit. Bashkë ndërtonim skenarë e merrnim informacione, shkëmbenim mendime ndërtonim mburoja dhe hidhnim në letër masa mbrojtëse në pritje të një armiku të padukshëm, i cili e kishtë nisur tashmë marshimin. Ne ishim gati me të gjitha strukturat tona. Kishim plane veprimi sipas skenarëve të parashikuar. Por askush as ne dhe askush në botë në fakt nuk e dinte atë që do të vinte”, tha Manastirliu.

Duke folur për forcimin e kapaciteteve të sistemit shëndetësor, Manastirliu u shpreh:“Krizën shëndetësore që kaploi mbarë botën i’u përgjigjëm me forcimin e kapaciteteve mjekësore. Gjatë dy viteve të fundit kemi forcuar Urgjencën Kombëtare me mbi 60 autoambulanca të reja. Urgjenca Kombëtare ka pritur në dy vite mbi 1.4 milionë thirrje urgjente dhe ka menaxhuar mbi 279 mijë misione në banesë. Dyfishuam kapacitetet testuese. Krijuam mbi 200 pika testimi në komunitet. Rritëm kapacitetet dhe dedikuam në fazën e parë mbi 550 shtretër në 4 spitalet covid. Në total së bashku me gjithë spitalet rajonale vëndosëm në dispozicion 1600 shtretër të dedikuar dhe pajisëm të gjithë këto spitale dhe struktura me infrastrukturën e nevojshme, për t’iu përgjigjur çdo skenari të Planit tonë të Përgjigjies për periudhën e hershme shtator 2020 – mars 2021 e më tej edhe në Planin tonë 2-vjeçar të përgjigjies ndaj pandemisë dhe impaktit të saj. Siguruam të gjitha mjetet mbrojtëse për stafet tona. Rreth 4 mijë mjekë, infermierë, laborantë, staf mbështetës në vijën e parë u mbështetën me bonusin mbi pagën”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë i është përgjigjur edhe kritikëve, kur tha se u ka besuar vetëm profesionistëve.

“Siç ndodh shpesh këtyre anëve ka pasur boll debate dhe luftëra fjalësh për mënyrën se si u përballua kjo krizë e shëndetit publik. I kam konsideruar gjithmonë të mirëpritura këshillat në çdo drejtim. Ama ndërkohë që për disa, viktimat e kësaj pandemie ishin thjesht statistika për të plotësuar retorikën politike të ditës; për ne dhe mbi të gjitha për ju profesionistë të shëndetësisë, çdo pacient i sëmurë qoftë edhe në format më të rënda ishte një jetë që duhej shpëtuar me çdo kusht. Edhe në mesin e zjarrit të akuzave shpeshherë të pabaza deri në kufinjtë e absurdit, e kam thënë gjithmonë se bilancet bëhen në fund të luftës. Për fatin tonë të keq ne nuk u gjendëm thjesht përballë një pandemie. Ne u gjendëm përballë edhe një infodemie, një gjoja ekspertodemie, një shifrademie dhe grafikodemie. Siç ndodh gjithmonë brenda natës, shtimi i rasteve u shoqërua me shumëfishimin e gjoja ekspertëve të zhurmshëm. Në kontrast të plotë me ju, profesionistët e vërtetë që me punë dhe pa fjalë, me përkushtim dhe pa zhurmë shpëtuat me mijëra jetë. Dhe një prej meritave që i njoh në fakt vetes, ndjesë në këtë rast për mungesën e modestisë, është që në mesin e kakofonisë së kujt flet shumë pa thënë asgjë, ia dola që të mbaj veshët, sytë dhe mendjen të fokusuara vetëm tek zëri i pangatërrueshëm i profesionistëve tanë më të mirë. Tek zëri juaj”, tha Manastirliu.

Duke folur për vaksinimin antiCovid, Manastirliu tha: “Nëse nuk do të kishim forcuar përgjatë gjithë viteve të fundit infrastrukturën e sistemit tonë shëndetësor, përballja me atë çfarë solli pandemia do të ishte gati një mision i pamundur. Sot kur faza akute e pandemisë duket drejt shuarjes, sfida jonë nuk ka përfunduar. Ne do të vijojmë përpjekjet pa u ndalur me Programin Kombëtar të Vaksinimit si e vetmja rrugë për të mbyllur një herë e mirë faqen me pandeminë. Edhe pse sikurse ekspertët vlerësojnë, me gjasë ne do të bashkëjetojmë gjatë me këtë virus”.

Gjatë fjalës së saj Manastirliu u shpreh se së shpejti do të miratohet Strategjia 10 vjeçare për ndërhyrjet konkrete për përmirësimin e sistemit shëndetësor.

“Ne jemi të vendosur të çojmë në një nivel të ri gjithë infrastrukturën shëndetësore me finalizimin e e një plani strategjik për modernizimin e spitaleve tona duke vijuar me modernizimin e QSUT, ku vërtet po ndërtohen vepra të mëdha, por më lejoni të veçoj projektin më të ri që do të nisë së shpejti dhe që jemi duke punuar gjithashtu edhe me mbështetjen e Bankës Botërore për të mundësuar në një kohë të shpejtë rehabilitimin e plotë të spitalit Infektiv dhe rritjen e kapaciteteve për ta kthyer në një spital modern, bashkëkohor që të ofrojë akoma në një nivel më të lartë shërbimet për sëmundjet infektive për të gjithë vendin. Jemi gati që ta çojmë përpara përmirësimin e sistemit shëndetësor. Me fillimin gradual të implementimit të Autonomisë Spitalore si pjesë e vizionit tonë për të rritur efikasitetin e burimeve, duke përmirësuar kështu cilësinë e shërbimeve për qytetarët. Do të thellohemi në revolucionin dixhital. Mënyrën e organizimit të sistemit shëndetësor, nëpërmjet një sistemi transparent për vizitave dhe të konsultatave dhe gjithashtu të ekzaminimeve në sistem elektronik. Dhe tashmë me hapin e radhës të projektit të modernizimit të sistemit shëndetësor që ne jemi duke e zbatuar dhe pikërisht është sistemi i ri që ne kemi për spitalet tona, një sistem i ri digjital që do të mundësojë fillimit në 4 spitale rajonale dhe më pas në të gjithë spitalet rajonale të vendit dhe në ato universitare një sistem menaxhimi të informacionit, i cili do të mundësojë rritjen e efikasitetit por mbi të gjitha përmirësimin e shërbimit për qytetarët. Eshtë një realitet githashtu mbështetja që ne kemi bërë dhe do të bëjmë për personelin tonë shëndetësor, me rritjen e pagave edhe në një kohë të vështirë, sikurs ishte pandemia, pikërisht në vitin 2021 me 40% të rritjes së pagave dhe do të vijojmë që të rrisim pagat për mjekët dhe infemrierët ashtu sikurse jemi zotuar”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë ka falenderuar ekipet mejkësore të angazhuara në luftën ndaj pandemisë COVID. Në këto dy vite janë 771 mjekë që u angazhuan në vijën e parë, 1936 infermierë, laborantë e farmacistë, 134 epidemiologë dhe 979 staf mbështetës. 4 laboratorë publikë kanë shërbyer për testim dhe janë krijuar 230 pika testimi në komunitet për gjurmimin kapjen e hershme dhe izolimin e rasteve covid.

Në spitale u forcuan kapacitetet me 550 shtretër në 4 spitale Covid në Tiranë dhe në total 1600 shtretër të pajisur në spitalet rajonale duke siguara dhe dyfishimin e kapaciteteve në terapinë intensive. Deri tani janë siguruar nga qeveria shqiptare 5 milion doza vaksine antiCOVID.

Previous Konferencë me Kryeministrin Rama për energjinë dhe naftën

Leave Your Comment