“Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, mbështetje konkrete për biznesin e vogël dhe të mesëm
Programi “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde” ka nisur të ofrojë mbështetje konkrete për biznesin e vogël dhe të mesëm, duke krijuar mundësi të reja financimi për sipërmarrjet që synojnë zgjerimin dhe zhvillimin e aktivitetit të tyre. Deri tani, 400 sipërmarrje kanë hyrë në proces për të përfituar nga ky instrument financiar, i cili parashikon kredi me normë interesi 2%, për shuma deri në 2 milionë euro, me afat shlyerjeje deri në 10 vjet dhe me garanci shtetërore deri në 70%.
Programi synon të lehtësojë aksesin e biznesit në financim dhe të mbështesë investimet, rritjen e kapaciteteve dhe fuqizimin e mëtejshëm të sipërmarrjes shqiptare.
***
Kryeministri Edi Rama: Arsyeja pse ne i organizojmë këto takime është për të shfrytëzuar komunikimin me njerëz të sipërmarrjes që janë pjesë e këtij programi për të rritur ndjeshmërinë edhe për të informuar të tjerët që mund të mos jenë plotësisht të informuar, mund të mos dinë se si funksionon ky program dhe për t’ju bërë edhe atyre apel që të interesohen edhe të bëhen pjesë e programit në rast se kjo ju intereson.
Ajo që dua të përsëris është që programi ‘Dyfisho sipërmarrjen tënde’ ka ardhur si një nevojë për të mbështetur nga shumë afër sipërmarrje të vogla, sipërmarrje të mesme që ia kanë dalë të formësohen, ia kanë dalë t’i mbijetojnë sfidave të krijimit të tyre në një treg të hapur, ia kanë dalë të përballojnë edhe vështirësitë që normalisht çdo biznes i ri, i vogël përballon dhe që sot kanë akumuluar dije, kanë qartësi për se si mund të rriten, por nuk i kanë mundësitë financiare për t’u rritur, pasi në kushtet e një sektori bankar, ku interesat janë jo fort të favorshme në këtë moment, por edhe për shkak të masës që kanë këto biznese, që nuk janë biznese ende shumë të konsoliduara kanë nevojë për një dorë, kanë nevojë për një mbështetje dhe për këtë arsye ne kemi krijuar këtë skemë e cila faktikisht ofron një kredi me një interes deri në 2% që është një kredi praktikisht shumë e butë dhe me një garanci shtetërore deri në 70%. Financimi shkon deri në 2 milionë euro dhe afati është deri në 10 vjet.
Pra është një kornizë shumë e favorshme e bërë enkas për biznesin e vogël dhe të mesëm, për të gjithë ata që kanë një ide në kokë, që kanë një plan se si mund të rriten, por që iu duhet një financim. Ky është programi.
Më vjen shumë mirë që shohim një rritje të interesit. Praktikisht kemi sot që flasim rreth 400 biznese që janë në proces, kemi praktikisht deri në datën 5 që janë shifrat, 32 kredi të miratuara për një vlerë që shkon te rreth 5 milionë euro dhe ajo që na vjen mirë të shohim, është ritmi i përshpejtuar. Pra në gusht kemi pasur 5, në shtator 20 dhe vetëm në pesë ditë e para të tetorit 7, por hapësira është për shumë më tepër dhe prandaj ne jemi këtu bashkë me ministren që të flasim me ju, që t’i inkurajojmë dhe të tjerët, se ju jeni ndërkohë aplikantë të programit. Kështu që në qoftë se ndonjëri dëshiron të marrë fjalën.
***
– Përshëndetje, i nderuar kryeministër. Përshëndetje, e nderuar ministre. Unë faktikisht kam ngritur një fermë në vendin tim, në tokën e të parëve të mi duke shfrytëzuar patjetër banesën dhe stallën, të gjitha këto që kanë patur të parët e mi. Vendi quhet fshati Shqezë mbi kishën e Laçit. Është një fshat ndërmjet Krujës dhe Laçit. Në fakt ajo që kam ngritur unë është fermë, domethënë mbarështimin e gjedhëve dhe të imtave, por unë kam aplikuar gjithashtu edhe në uebsajt për programin ‘Dyfisho sipërmarrjen tënde’ për arsye se unë kërkoj të investoj në vendin tim. Aty unë kam tokën e të parëve që është pothuajse 1 hektar dhe dua, idetë i kam të qarta se çfarë dua të bëj në ngritjen e një agroturizmi të bujtinave, të produkteve vendase sepse çdo gjë domethënë aty si në produktin e mishit dhe të gjitha këto, çdo gjë është bio, është një pikë kyçe për arsye se kemi vizitorë nga turistët dhe është rruga e cila kalon aty është rruga që kalojnë të gjithë turistët me motorë dhe makina offroad, pra jemi gjatë gjithë kohës me të huaj më së shumti. E kam bërë këtë aplikim dhe dua domethënë dhe kërkoj në fakt dhe dua të kem mbështetjen e qeverisë në këtë hap dhe këtë nismë që kam marrë.
– Përshëndetje i nderuar Kryeministër, zonja ministre. Në 2022 nga thirrja për t’u kthyer në vendin tonë, unë jam kthyer në fshat edhe aktualisht kam afërsisht 700 krerë të imta, dhi të vendit. Kam krijuar një cikël të mbyllur komplet duke filluar me mishin e kecit, djathin, gjalpin, komplet linjën. Jam pak skeptik nga ana e bankave të nivelit të dytë. Nisma është goxha e mirë, e përshëndes, por bankat sidomos tek ne blegtorët edhe sidomos në zonat e thella malore nuk ka një besueshmëri për ne. Domethënë sikur e marrin me një sy mjaft të ashpër ndaj nesh, nuk kanë besueshmëri dhe shpresoj që kjo të ndryshojë, të kemi pak më shumë ndihmë, më shumë vëmendje, sidomos për ne që jemi mbi 1500 metra mbi nivelin e detit.
Kryeministri Edi Rama: Kije parasysh që ky program është një program i cili vërtetë është konceptuar për të mbështetur ju, por në të njëjtën kohë është një program që qeveria e konsideron si program të vetin, që do të thotë që Ministria e Ekonomisë është pjesë e procesit, që do të thotë që Ministria e Ekonomisë është në krahun tuaj, që do të thotë që raporti me bankat pikërisht pse është nganjëherë shumë i vështirë për biznesin e vogël dhe sidomos për biznese që janë të lidhura me sektorin e bujqësisë ku ka dhe më shumë risk të jetë ministria si të thuash ai ndërmjetësi dhe garanti juaj. Pra në momentin kur aplikimi që ju keni bërë mund të kthehet për një arsye ose për një tjetër, ministria është aty për ta mbështetur, për ta argumentuar dhe për të këmbëngulur që ai të financohet, e para.
E dyta, ministrja e tha, ne kur vjen puna tek investimet që janë në fshat që jemi shumë të interesuar t’i nxisim kur bëhet fjalë për përpunim të produkteve, kemi përveç programit “Dyfisho sipërmarrjen tënde” dhe programin tjetër të AZHBR-së, kështu që kemi mundësi t’i kombinojmë që të dyja. Prandaj pa të premtuar dot sot që pa diskutim gjëja do bëhet sepse ky është një proces që duhet ndjekur me detaje, të jesh i sigurt që nuk je vetëm në këtë në këtë marrëdhënie sepse ne e kemi konstatuar këtë gjë sepse programi që kishim më përpara e kishte këtë problem, që ne e vendosëm garancinë, por ndërkohë marrëdhëniet mes individëve dhe bankave ishin marrëdhënie vetëm midis tyre, ndërkohë që në këtë program midis individëve dhe bankave është edhe qeveria.
– Përshëndetje të gjithëve. Ne organizojmë ture ditore për turistët e huaj që vizitojnë Shqipërinë dhe bëjmë turizëm 365 ditë të vitit. Edhe aktualisht kemi tur, pra çdo ditë. Ne kemi pasur shumë interes për këtë për këtë program pasi e shohim shumë me benefit për kompaninë tonë, pasi ne më herët kemi shkuar tek banka dhe jemi lutur që të marrim një kredi shumë të vogël dhe me një interes relativisht shumë të lartë 12% dhe kjo mundësi është një mundësi e artë për ne, për biznesin tonë sepse 2% është realisht një shtysë shumë e madhe që programi thotë “ke një ide, ja ku i ke mundësinë dhe vazhdo përpara me idenë që ke”. Kemi aplikuar sepse kemi pasur shumë interes. Kam vetëm një pyetje. Duke qenë se banka sërish kërkojnë dokumentacione, ka procedura. Nëse ne vonohemi pak më shumë sesa pjesa tjetër, çfarë mund të ndodhë me ne?
Kryeministri Edi Rama: Nuk ka afat. Vonohesh, thjesht i bën dëm vetes askujt tjetër. Kështu që, nuk ke asnjë shqetësim në raport me afatin.
– Se mos mbase vlera totale që do të rimbursohet mbase plotësohet derisa ne të jemi gati për aplikim.
Kryeministri Edi Rama: Ne do të jemi pa limit në atë vlerë. Domethënë në momentin kur vlera e përcaktuar për ta hapur programin ezaurohet, ne do shtojmë prapë, do shtojmë prapë dhe do shtojmë prapë. Është diçka që e kemi thënë edhe është diçka që është e llogaritur, nuk është thjesht se po e them unë domethënë, por sapo të futet në ritëm ky mekanizëm, të fillojnë kreditë të shohin dhe të tjerët që kjo është një gjë reale se shumëkush thotë “kush e di se çfarë është kjo. I kanë bërë këto gjëra për të vetët. Po kush e di ku shkojnë këto? Po kushedi për çfarë janë këto”. Kur të shohin që kjo gjëja është për të gjithë, pa asnjë përjashtim, por vetëm me kriteret e përcaktuara, biznes i vogël, biznes i mesëm, jo ndërtim, jo sektor financiar, por çdo lloj biznes i vogël dhe i mesëm që ka një ide, që ka një plan, që ka një potencial për tu dyfishuar, të marri mbështetje, do fillojnë të gjithë të vijnë. Kur të vijnë do Zoti do ta ezaurojnë vlerën që ne e kemi vënë edhe ne do shtojmë.
– Jam nga një kompani që merret kryesisht me implementimin e sistemeve të automatizimit edhe sisteme teknologjike fokusuar kryesisht në sektorin e hotelerisë. A ka një formulë përllogaritëse në lidhje me shumën që biznesi mund të marri e lidhur kjo me xhiron vjetore të biznesit. Po e marr si shembull në qoftë se biznesi im ka një xhiro vjetore 1 milion euro, a mund të aplikoj për 2 milion apo lidhet vetëm me projektin?
Kryeministri Edi Rama: Nuk nga këto. Ti ke biznes, ti mund ta kesh xhiron sa ta kesh. Ajo që ka rëndësi është që ti kategorizohesh biznes i vogël ose i mesëm. Në momentin që ti je biznes i vogël ose i mesëm, ti deri në 2 milion euro mund t’i synosh. Pastaj natyrisht në diskutimin me bankën, banka mund të thotë jo, me sa shoh unë, me sa bazë ke ti, me sa kapacitet unë parashikoj që ti I ke për të ma kthyer, s’do të jap 2 milion, do të jap 1 milion, do të jap 500.000. Po që nuk ka limit.
– Domethënë lidhet me projektin?
Kryeministri Edi Rama: Lidhet vetëm me sa ti do t’i mbushësh mendjen bankës që projekti jot funksionon. Banka jep lek se do lek. Shumë e qartë. Nëse ti e bind bankën që më jep këto lekë se ti do marrësh lek, banka do t’i japi lekët. Pra varet vetëm nga projekti. Gjithmonë nëse s’je ndërtim, domethënë nëse s’je kompani ndërtimi, nëse s’je shërbim financiar, ti je komplet brenda kornizës dhe mund të aplikosh deri në 2 milion euro.
– Përshëndetje! Kam një biznes fason, prodhojmë këmisha dhe më përpara kemi tentuar me bankat, por duke qenë se jemi një nga sektorët më në risk për momentin nga ndryshimi i euros, kemi pasur gjithmonë përgjigje negative nga bankat. Ky program që në momentin e parë që e pamë në rrjetet sociale, të them të drejtën për mendimin tim është e vetmja dritë jeshile që shoh për të zhvilluar biznesin. Kështu që ju falënderoj” .
Kryeministri Edi Rama: Është e vërtetë që biznesi juaj edhe fasoni si kategori është me risk për arsyet që ju e dini shumë mirë. Siç është e vërtetë që situata e vështirë e kësaj kategorie lidhet me faktin që themeli mbi të cilin u ndërtua ky biznes ishte krahu i lirë i punës dhe krahu i lirë i punës nuk është më një kapacitet konkurrues pasi nuk ka më krah të tjerë pune dhe insistimi për të vazhduar me fason me paga të ulëta është një insistim për ta bërë ëndërr diçka që është realitet në fakt, si ai që thotë, “o Zot bëjel ëndërr”, por nuk është ëndërr, është realitet dhe ka vetëm një mundësi dhe unë besoj që banka juve do t’ju mbështesë nëse ju plotësoni dy kushte. Kushti i parë të mos keni një historik të keq me Bankën e Shqipërisë dhe kushti i dytë lidhet me mundësinë, është e vetmja mundësi që ju duhet të ndryshoni lojën. Pra, duhet të kaloni nga industria me material porositës gjysmë të gatshëm, duhet të kaloni në ‘’Made in Albania’’; duhet të kaloni në cikël të mbyllur, duhet të bëni nga A-ja te ZH-ja. Tani a është e mundur kjo? Nuk është e lehtë, por është plotësisht e mundur sepse ju keni goxha eksperiencë. Ju keni dije se si bëhen ato procese, se si bëhet këmisha. Keni njerëz që dinë ta bëjnë, keni një treg të caktuar që e njihni dhe duhet të mendoni që ju të financoni, të investoni në teknologji, të investoni në profesione brenda për brenda që nga dizajni deri tek ambalazhimi, marketimi në mënyrë që të bëni ‘’Made in Albania’’. Po e arritët këtë, juve keni dalë në një tjetër nivel dhe nuk vareni më nga lojërat ‘’jo kurs i këmbimit, jo porositësit’’, domethënë është e vështirë, është sektor i vështirë në përgjithësi sepse ju e dini më mirë se unë që edhe kompanitë e mëdha të prodhimit të veshjeve, të modës, e tjerë e tjerë nuk janë në ditët e veta më të mira, por, flas në Europë, por kjo është rruga dhe kemi brenda për brenda industrisë shembuj që po e kapërcejnë atë epokën kur ishte krahu i lirë i punës. Sepse në vitet ’90 një grua nga një familje e ardhur në Tiranë për të ndërtuar një jetë më të mire; një nënë e re ulej në makinën qepëse, ulte kokën, punonte pa pushim gjithë javën, edhe të dielën për 150 mijë lekë të vjetra. Sot, vajza e saj që është bërë 20 vjeç, 25 vjeç nuk të vjen në makinë qepëse sikur t’i japësh 2.000 euro në ditë. Ka mbaruar kjo histori, ka ndryshuar Shqipëria, kanë ndryshuar kërkesat, kanë ndryshuar standardet, ka ndryshuar kostoja e jetesës, të gjitha bashkë. Kështu që mënyra e vetme është të ndryshojë edhe sistemi juaj i funksionimit.”
-Ajo që po na mban në këmbë në këto momente është cilësia që ato kanë nevojë për ‘’Made in Albania’’, jo krahu i lirë i punës.
Kryeministri Edi Rama: Ekzakt. Kështu që në këto kushte juve jeni plotësisht e financueshme nga banka.
– Përshëndetje. Jam person përgjegjës në pjesën e komisionit që është marrë me paketën e maleve. Ne kemi 74 përfitues tashmë të miratuar me vendim të këshillit bashkiak, të cilët kanë shprehur interesin për t’u bërë pjesë dhe e programit ‘Dyfisho sipërmarrjen tënde’. Pyetja ime është, a i lejohet një poseduesi faktik që ka edhe një projekt për të aplikuar te ky program në momentin kur nuk ka një biznes më përparshëm, pra nuk ka një aktivitet ekonomik?”
Kryeministri Edi Rama: Jo, ‘’Dyfisho sipërmarrjen’’ nuk do të thotë nga zero bëhu një. Do të thotë nga 1 bëhu 2. Në këtë sens që është një sipërmarrje ekzistuese siç ka këtu plot, ka arritur deri në një pikë, ka konsoliduar pozicionin në atë që bën, por nuk rritet dot më shumë, sepse do financim dhe nuk e ka mundësinë të financohet. Shkon në bankë, banka i thotë ‘’po të financoj, por interesat i kam kaq ose jo, shiko ti në rregull je me tënden, po unë s’financoj dot ty se ti je me risk’’. Atëherë ne hyjmë dhe themi ‘’shko te banka, 70% të riskut e merr përsipër qeveria’’. Kështu që banka fillon me një garanci 70% nga qeveria. Pra risku i bankës është 30% i riskut të përgjithshëm dhe nga ana tjetër garancia jonë bën që banka të ta japë financimin me deri në 2%, mund të jetë dhe më pak, por ama ti duhet ta kesh një biznes kurse ata miqtë e mi atje të ‘’Paketës së Maleve’’ duhet njëherë të bëjnë të parën se kjo është si me kap zogun në ajër dhe ta hash në ajër. Kape zogun një herë, pastaj zbrit, piqe pastaj haje. Jo kape në ajër. A mund ta ha në ajër? Jo, s’mund ta hash në ajër. Duhet të zbresësh.”
– Përshëndetje, unë vij nga Pogradeci. Familja jeton prej 15 vjetësh në Amerikë edhe kemi ngritur një biznes. U bë një vit, në zonën e Mokrës, një bujtinë, në fshatin Selcë e Poshtme. Kam aplikuar dhe për ‘’Paketën e Maleve’’. Jam aktualisht në periudhën e pritjes 45-ditore. Edhe me këtë ‘dyfisho biznesin tënd’, kam çuar planin e biznesit pranë bankës. E vetmja gjë, ne investim komplet e kemi bërë vetë. Është një investim i konsiderueshëm. Besoj mbi 300.000$ që kemi hedhur. E vetmja gjë që na pengon është dhomat e pakta që kemi. Ne kemi tre dhoma dhe kërkesa…”
Kryeministri Edi Rama: Do t’i dyfishosh tani. Fiks. Je fiks në program.
– Domethënë plus që dhe rruga që u bë Plloçë-Qukës na dha një akses akoma më të thjeshtë. Njerëzit kalojnë.
Kryeministri Edi Rama: “Shyqyr doli njëri që tha, shyqyr doli njëri se kur the plus dhe rruga, thashë do dhe rrugën. Shyqyr doli njëri që e vlerësoi faktin që e ka rrugën se këtu duket sikur s’ka asnjeri rrugë. Je në rregull. Ke bërë aplikimin. Ministria është në krahun tënd, do të mbështesë në proces. Nëse i ke në rregull të gjitha ato letra dhe nëse e ke planin bindës, banka do të të mbështesë. Kjo është e sigurtë.
– Mirëdita. Vij nga Shkodra. Biznesi im merret me mbetjet e riciklueshme. Kam aplikuar te ‘Dyfisho biznesin’. Është e nevojshme që Shkodra të ketë një biznes që grumbullon dhe riciklon mbetjet. Me ndihmën më të madhe nga ministria, qeveria, ta çojmë një hap tjetër aty ku duhet me qenë; të riciklueshmet të shkojnë aty te bizneset ku riciklohen; të degradueshmet të shkojnë në landfill. Edhe mënyra e menaxhimit të mbetjeve dhe mënyra se si do të grumbullohen dhe mënyra se si qeveria do të ndihmojë në atë biznes që mos të bëjmë hapa falso, që të bëjmë diçka konkrete për të ardhmen.”
Kryeministri Edi Rama: Kjo është rruga, nuk diskutohet kështu që unë besoj që e njëjta rrugë është për të gjithë pavarësisht se nga cili sektor vijnë dhe është shumë e rëndësishme që të gjithë ta marrin mesazhin ashtu siç është. Ky është një program për të mbështetur çdo biznes të vogël, çdo biznes të mesëm që ka arritur të vendosë një bazë, por që ka nevojë të financohet për t’u rritur më shumë. Dhe ne në këtë pikë, kemi vendosur qeverinë në krah si aleate të biznesit, konkretisht jo thjesht me programin, por dhe me asistencën. Kemi bërë dhe një marrëveshje me ekspertët e Kombeve të Bashkuara për të asistuar në hartimin e plan-bizneseve. Në rastin që banka e kthen plan-biznesin dhe thotë nuk ka qartësi, nuk është plotësisht i përmbushur, këta ekspertë do të punojnë krahas me të gjithë bizneset që kanë këtë nevojë për të shkruar ashtu siç duhet plan- biznesin. I financon qeveria shqiptare dhe ata janë ekspertë të huaj pranë Ministrisë së Ekonomisë, të huaj ose shqiptarë sipas zgjedhjes që është bërë nga vetë zyra e Kombeve të Bashkuara. Kështu që besoj që jemi në momentin kur mund të bëjmë një kthesë të re në jetën e biznesit të vogël për të gjithë ato biznese që duan të rriten dhe kanë nevojë për një mbështetje në këtë moment.
– Unë vij nga qyteti i Përmetit. Mbas 20 vjetësh në kurbet unë jam kthyer të hap biznesin tim këtu në Tiranë, i cili ka të bëjë me fushën e ndërtimit që janë dyer dritare të brendshmes së jashtme, punim të brendshme, të jashtme. Me fuqitë e mia dhe dëshirën e madhe për të punuar biznesi ka arritur në një pikë që njihet pothuajse gjithandej. Kemi arritur të bëjmë projekte në SHBA, në Angli, në Evropë, por e gjitha kjo me sa kemi ne mundësi, pa patur ndonjë mbështetje të tillë. Ju përgëzoj për këtë nismë sepse do na ndihmojë që ne jashtë në Evropë duke patur mundësinë të blejmë makinë të automatizuara na ndihmon me uljen e fuqisë punëtore që kemi aktualisht me këtë problematikë dhe cilësia rritet, rritet dhe koha e prodhimit dhe ne dalim me një tjetër frymë, me një tjetër fytyrë domethënë përpara investitorëve të huaj. Shpresoj që kjo nisëm të eci. Na ndihmon jashtë mase shumë.
– Kam një subjekt në fushën e ndërtimit. Kam funksionuar 2008-2013 në qytetin e Fierit. E kam pezulluar pasi nisi rilindja urbane në atë kohë. Tani e kam riaktivizuar sërish. Kam bërë një aplikim në AZHT. Shpresoj të më miratohet leja për në zonën e Radhimës. Duke parë këtë si mundësi të artë për likuiditet mendova që të hapja një NIPT sekondar dhe të futesha dhe në agroturizëm, në zonën e Fierit, në Darezë, duke qenë dhe si zonë atraktive, pritet që të ketë dhe investime.
Kryeministri Edi Rama: Çdo gjë që nuk është ndërtim rezidencial është pjesë e programit. Pra jo për apartamente, jo për zyra, jo për shitje, por për biznes. Pra një ndërtim si në rastin që tha djali përpara nga Mokra apo siç tha vajza një ndërtim në funksion të një veprimtarie ekonomike, agroturizëm, agropërpunim, industriale etj, është ok.
– Jam përfaqësues i një kompanie që operon në fushën e marketingut dhe të komunikimit dhe meqë po flasim sot për Programin Dyfisho Sipërmarrjen dhe shumë biznese shqiptare marketingun e njohin si kosto dhe jo si investim. A është e mundur që të jetë brenda programit të financimit pjesë e fushatës dhe marketingu, që të jetë për ndihmën e bizneseve që të jenë dhe sa më konkurruese?
Ministrja Delina Ibrahimaj: Neve nuk kemi vënë asnjë limit për shpenzimet e njohura për projektin e investimit. Domethënë që nëse prezantohet një plan biznesi për ndërtimin e një agroturizmi dhe brenda planit të biznesit ka dhe ka ca shpenzime për promovimin, ato janë të njohura. Po neve nuk mund të financojmë vetëm promovimin. Pra duhet të jetë plani i biznesit i cili përfshin shumë elementë. Ndër të tjerat mund të jetë edhe një element promovues, por nuk mund të jetë pjesa më e madhe.
Kryeministri Edi Rama: Me sa kuptova unë, pyetja e tij ishte nëse një kompani që bën aktivitet promovues mund të aplikojë për të marrë financim? Ti mund të aplikosh, por duhet të bindësh bankën që kompania jote del me fitim.
– Zakonisht këto kompani janë digjitale dhe nuk është se kanë kolateral, asete fizike dhe banka shpesh herë e ka si risk të lartë edhe për të plotësuar 30%.
Kryeministri Edi Rama: Tek pjesa e kësaj gjësë së re të kësaj kohe të re për sa i përket aktiviteteve ekonomike digjitale, natyrisht që bankat mund të kenë ato si të thuash frikërat e tyre, por nëse gjithmonë ti bind bankën që aktiviteti yt digjital është një aktivitet fitimprurës, banka nuk ka asnjë arsye të thotë që unë nuk përfshihem. Besoj! Logjike.
Shumë faleminderit. Ju uroj të keni mbarësi dhe sukses dhe ju siguroj që ne jemi me ju për suksesin tuaj dhe për suksesin e çdo biznesi të vogël e çdo biznesi të mesëm që dëshiron të rritet dhe për t’u rritur ka nevojë për mbështetjen e qeverisë edhe për programin “Dyfisho sipërmarrjen tënde”.