“Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, ministrja Ibrahimaj: Mbi 1 mijë kërkesa nga bizneset, 35 kredi të miratuara
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur se, që prej lançimit të programit “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde” në korrik, janë paraqitur mbi 1 mijë kërkesa nga bizneset për financimin e investimeve dhe zgjerimin e aktivitetit të tyre. Deri tani, rreth 350 aplikime kanë përmbushur dokumentacionin e nevojshëm dhe janë përcjellë pranë bankave për shqyrtim, ndërsa 35 biznese kanë marrë miratimin për kredi, me një vlerë totale prej rreth 500 milionë lekësh. Gjatë një takimi me Kryeministrin Edi Rama dhe sipërmarrës, ministrja Ibrahimaj theksoi se programi synon të mbështesë bizneset e vogla dhe të mesme në rritjen e investimeve, zgjerimin e kapaciteteve prodhuese dhe përmbushjen e standardeve të kërkuara nga tregu evropian. Programi ofron kredi me normë interesi deri në 2%, afat maturimi deri në 10 vjet dhe vlerë maksimale deri në 2 milionë euro. Garancia sovrane e vënë në dispozicion nga qeveria shqiptare mbulon deri në 70% të kolateralit, ndërsa Banka e Shqipërisë ka vënë në dispozicion një fond prej 250 milionë eurosh për mbështetjen e financimit të biznesit. Interes për programin kanë shprehur biznese nga nëntë qarqe të vendit dhe sektorë të ndryshëm të ekonomisë, me një numër të konsiderueshëm kërkesash nga bizneset e lidhura me prodhimin bujqësor. Deri tani, rreth 400 biznese kanë hyrë në procesin e aplikimit, me një vlerë totale prej rreth 21 miliardë lekësh. Garancia sovrane u dedikohet të gjithë sektorëve të ekonomisë, me përjashtim të ndërtimit rezidencial dhe sektorit financiar, ndërsa, në varësi të kërkesës, qeveria është e gatshme të rrisë fondin e saj, duke e dyfishuar apo trefishuar atë. Për të lehtësuar aksesin në financim janë ngritur edhe dy linja këshillimi. Për bizneset në zonat rurale dhe sektorin bujqësor, në bashkëpunim me AZBR-në, agropikat në të gjithë vendin do të ofrojnë informacion për programin, këshillim për hartimin e planit të biznesit dhe mbështetje gjatë procesit të aplikimit. Për bizneset në zonat urbane është vënë në dispozicion një fond prej gati 8 milionë eurosh për mbështetjen e hartimit të planeve të biznesit. Në rastet kur aplikimet kthehen nga bankat për shkak të mangësive në këto plane, bizneset do të mund të marrin asistencë përmes agropikave ose ekspertëve të kontraktuar nga UNDP-ja, në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit. Në kushtet e procesit të integrimit evropian, ministrja Ibrahimaj nënvizoi nevojën që bizneset shqiptare të rrisin investimet dhe të përmbushin standardet e Bashkimit Evropian, për të qenë konkurruese në tregun vendas dhe më gjerë. Zbatimi i programit do të shoqërohet edhe me dialog të vazhdueshëm me sipërmarrjen, për të identifikuar nevojat konkrete të bizneseve dhe për të përshtatur, kur është e nevojshme, instrumentet e mbështetjes.