Miratohet financimi për 12 bashki, të cilat do të përfitojnë me projektet e këtij viti, nëpërmjet Fondit Social, një mekanizëm financiar i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale që mbështet bashkitë për zgjerimin e shërbimeve sociale në territor. Në një aktivitet të organizuar në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, janë firmosur marrëveshjet e bashkëpunimit mes Shërbimit Social Shtetëror dhe 12 Kryetarëve të Bashkive për monitorimin e shërbimeve që do të financohen këtë vit nëpërmjet Fondit Social.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka nënvizuar se nëpërmjet Fondit Social do të zgjerohet mbështetja për ngritjen e shërbimeve sociale në territor për të gjitha kategoritë më në nevojë .
“Ne do të mbështesim 12 bashki dhe dy qarqe për ngritjen e shërbimeve sociale, duke e çuar në 54 numrin e qendrave të përkujdesit social në të gjithë vendin. Eshtë një hap i rëndësishëm drejt standartizimit të shërbimeve sociale, një hap i rëndësishëm drejt pikëprerjes së objektivave të strategjisë sonë me shërbimet sociale në territor. 12 bashki sot do të firmosin një marrëveshje, e cila ka të bëjë me monitorimin e shërbimeve që financohen nga Fondi Social, ku Shërbimi Social Shtetëror do të ketë rol specifik për monitorimin e standardeve të këtyre shërbimeve. Rrjetit tonë në terren do t’i shtohen një armatë e re me punonjës socialë, psikologë, kujdestarë. Deri tani kemi më shumë se 490 punonjës që janë përzgjedhur nga bashkitë, por tashmë ne do të punësojmë më shumë se 100 punonjës të tjerë për orfimin e shërbimeve sociale qytetarëve më në nevojë”, – theksoi Manastirliu.
Gjatë fjalës së saj, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nxiti drejtuesit vendorë të përfshijnë gjithnjë e më shumë shërbimet për shtresat në nevojë në planet e tyre sociale, duke garantuar mbështetjen edhe nga qeveria qendrore.
“Fondi Sociali filloi me 200 milion lekë në vit mbështetje për bashkitë. Duke analizuar nevojat e bashkive, vendosëm që ky fond të rritej me 30%, duke arritur në një mbështetje për të gjitha bashkitë në 300 milion lekë”,- tha Manastirliu.
Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, ka vlerësuar mbështetjen financiare të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, nëpërmjet Fondit Social për financimin e shërbimeve në territor.
“Dua të falenderoj Ministrinë e Shëndetësisë dhe Drejtorinë e Shërbimit Social për mundësinë që na ka dhënë për të financuar disa projekte që kanë të bëjnë me shtresat në nevojë. Shërbimi i lëvizshëm që u mbështet me Fondin Social për personat me aftësi të kufizuar është vërtet një shërbim shumë i rëndësishëm dhe që po rezulton shumë efikas. Edhe shërbimet e reja që do të financohen na bëjnë më shumë optimist që jemi në rrugën e duhur për të mbështetur shtresat në nevojë”,- tha Pjerin Ndreu, Kryetar i Bashkisë së Lezhës.
Kryetarja e Bashkisë Bulqizë, Festime Mjeshtri, ka vlerësuar mbështejen nga Fondi Social për herë të parë për këtë bashki, për shërbimet e përkujdesit social edhe për personat me aftësi të kufizuar në zonat më të thella të kësaj bashkie.
“Në suportin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtes Sociale, modeli i shërbimit të specializuar në një qendër- familje, është bashkëveprim i shërbimeve qendër, familje, shkollë, për të adresuar numrin e madhe të fëmijëve dhe të rinjtë me aftësi të kufizuara në zonat e thella të Bashkisë Bulqizë. Projekti që kemi propozuar për mbështetje nga Fondi Social do të bëjë të mundur që ky shërbim të shtrihet në 8 njësitë administrative të Bashkisë Bulqizë”,- tha Festime Mjeshtri.
Duke folur për mbështetjen e kategorive në nevojë Kryetari i Bashkisë Kamëz, Rakip Suli, tha:
“Bashkia e Kamzës sot që flasim i ka përkushtuar 45 milion lekë të reja në vit problemeve sociale. Së fundmi kemi hapur edhe në qendër multifunksionale për fëmijët me aftësi ndryshe”,- tha Rakip Suli.
Mbështetja e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, nëpërmjet Fondit Social, u akordohet bashkive prej 4 vitesh. Nga fillimi deri më sot, Fondi Social ka mundësuar financimin për ngritjen e 54 shërbimeve të përkujdesit shoqëror nga të cilat, kanë përfituar 36 bashki dhe 7 qarqe.