Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Konferencën e XVIII-të të Kryetarëve të Parlamenteve të nismës Adriatiko-Joniane: - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Konferencën e XVIII-të të Kryetarëve të Parlamenteve të nismës Adriatiko-Joniane:

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Konferencën e XVIII-të të Kryetarëve të Parlamenteve të nismës Adriatiko-Jonian

Faleminderit shumë dhe ju uroj një mirëseardhje mjaft të përzemërt të gjithëve ju në këtë eveniment ku kam nderin të flas dhe me shpresë të mos ju mërzis. Është një mëngjes interesant, pasi dje mësuam se cilët ishin finalistët e kupës së Europës që do të ndodhë për herë të parë në historinë tonë, do të mbahet në Shqipëri. Unë e di që shumica e pjesëmarrësve në këtë nismë, në mos të gjithë ju e keni organizuar një finale evropiane të një lloji të caktuar, por do të doja ta nisja me këtë thjesht për të theksuar faktin që ky eveniment ishte i pamundur të përfytyrohej vetëm pak vjet më parë.

Thënë këtë, dua të shtoj se masa e transformimit tonë në këtë cep të botës pasi dolëm nga përvoja e tmerrshme e diktaturës, pasqyron shumë masën e barrës sonë në histori. E shkuara ka qenë më pak bujare me ne, e kësisoj shtegu drejt së ardhmes është më i vështirë, por pasi kam thënë këtë, besoj se shndërrimi që kemi parë në vendin tonë dhe në të gjitha vendet e tjera, është i pa shembullt kur bëhet fjalë për thellësinë dhe ndikimin real mbi vendet dhe mbi njerëzit.

Kemi bërë një rrugë të gjatë e një rrugë të gjatë kemi përpara, sidomos për ne këtu në Shqipëri ku historia na ka caktuar apo na caktoi një izolim shumë të vështirë, me një vështirësi të tmerrshme, me një barbari të spikatur e sidoqoftë shkalla e transformimit që Shqipëria ka përjetuar gjatë kësaj dekade është vërtet shumë e madhe. Ndërkohë, siç e shoh unë mundësitë e të sotmes janë po kështu shumë të mëdha. Kjo nismë, është diçka që i shtohet nismave gjithnjë e më të shumta të zhvillimit në kuadër të paqes, të zhvillimit dhe në një periudhë kohe ku ka mundësi vërtet të jashtëzakonshme për të kërkuar dhe për tu siguruar që të kthehen në ndryshime dhe transformime reale në jetën e qytetarëve tanë.

Ajo çka po ndodh sot në Evropë jo larg prej këtej, në Ukrainë, është një mësim i jashtëzakonshëm për të gjithë ne që të vazhdojmë e të ecim në rrugën e forcimit të paqes, forcimit të bashkëpunimit për të shmangur në të gjitha mënyrat rënien në kurthet e së shkuarës, sa më thellë që hyn në Ballkan, aq më të thella janë ato. Mësimi i kësaj lufte, është një mësim i çmuar për të gjithë ne dhe është një moment shumë i rëndësishëm në historinë tonë për ta bërë gjithçka të mundur për të ecur përpara, duke bërë çdo gjë që mundemi për të forcuar bashkëpunimin tonë në këtë rajon, për të ndërtuar sa më shumë të jetë e mundur ura të reja bashkëpunimi, ndërveprimi, shkëmbimi midis njerëzve, midis bashkësive të biznesit, midis bashkësive të artit e kulturës e sigurisht midis shteteve.

Nga ana tjetër, është mjaft e rëndësishme që të bëjmë gjithçka që ta bëjmë këtë bashkëpunim një vlerë të shtuar për të eksploruar potencialet e mëdha të vendeve tona. Nuk ka aspak dyshim se individualisht jemi më mirë sot seç ishim më parë në të shkuarën e afërt, por së bashku ende po humbasim shumë nga potenciali ynë për ta bërë jetën e secilit prej vendeve, kombeve shumë më të mirë.

Individualisht jemi shumë të vegjël në këtë rajon që të kërkojmë një ndryshim i cili në një periudhë të arsyeshme do t’i bëjë njerëzit tanë të ndihen të barabartë në bashkësinë më të gjerë të Europës, por së bashku, duke bashkuar forcat, idetë, punën nuk jemi kaq të vegjël e hapësira që mund të krijojmë mund të jetë shumë herë më tërheqëse për aktorët e mëdhenj që të na shohin si një tokë mundësisht të jashtëzakonshme edhe për ta.

Të gjithë ne ndërkohë, jemi në proces për tu integruar në Bashkimin Europian, që e kemi mësuar në kurriz që nuk është proces i lehtë, ndonjëherë edhe proces neurotik. Ndërkohë që flasim, Shqipëria është në një situatë shumë, shumë të çuditshme, peng i një bllokimi midis fqinjit tonë, Maqedonisë së Veriut dhe vendit mik, Bullgarisë. Është nga ato lloj situatash që vetëm Bashkimi Europian mund ta krijojë e nuk ka libër, nuk papërvojë apo ndonjë shpjegim të matur si mund të trajtohet. Si mund të mbetesh peng i një mosmarrëveshjeje midis dy subjekteve a vendeve të tjera? Por, ja që kështu është, siç do thoshte Donald Trump.

Kësisoj, na duhet të ecim përpara, na duhet të mos humbasim durimin, por pikë së pari na duhet të mos humbasim pasionin për Europën. Ashtu siç shkrimtari ynë i shquar ka thënë “Europa është e vetmja gjendje e natyrshme e Shqipërisë” dhe kjo nuk është kështu vetëm sepse një njeri i mençur a tejet i zgjuar në Bruksel, Paris apo Romë na e thotë këtë apo sepse na duan të jemi atje, por sepse është detyra jonë që të bëjmë sa më shumë të jetë e mundur, të ecim sa më shumë të jetë e mundur për të arritur atje, për fëmijët tanë. Europa për ne është ajo çka ishte për etërit themelues, një projekt i mirëfilltë paqeje dhe sigurie.

Për disa që janë më të mëdhenj e më të pasur, Europa është një bankomat, për ne jo. Për ne mbetet një vend paqeje dhe sigurie e jo vetëm kaq por Europa për ne është zgjedhja jonë e parë me vullnet të lirë në histori. Kemi qenë në momente të ndryshme, kemi qenë nën perandori të ndryshme, na është dashur të jetojmë nën flamuj të ndryshëm, por nuk ishte zgjedhja jonë. Ishim të detyruar ta bënim këtë, ishim të detyruar të jetonim nën diktaturë, për gati gjysmë shekulli diktaturë komuniste, ashtu siç ishim të detyruar tu përkisnim komuniteteve e familjeve politike që nuk i zgjodhëm.

Europa është zgjedhja jonë e parë me vullnet të lirë. Ndaj kjo është arsyeja pse me kokëfortësi po shtyjmë përpara e kjo është arsyeja pse nuk mendojmë aspak të heqim dorë e nuk po mendojmë për të ashtuquajturin “Plan B” apo “Plan C”. Për Shqipërinë, plani A, B dhe C është vetëm Europa.

Në ndërkohë, sidoqoftë, na duhet të mendojmë për rajonin tonë gjithmonë e më shumë jo si një alternativë ndaj integrimit europian, por si një punë përplotësuese, si një forcë përplotësuese që na duhet ta ndërtojmë për veten dhe mendoj që të gjithë duhet ta shohin siç e shohim ne.

E dimë që sllovenët dhe kroatët janë shumë herë përpara nesh. Historia ka qenë më bujare me ta ndoshta, por sidoqoftë, besoj fort se Ballkani është dhe do jetë gjithmonë e më tepër një vend i mirë, ashtu siç edhe Ballkani do jetë një vend gjithmonë e më i mirë për Greqinë e Italinë. Është një komunitet i mirë këtu në vendet e kësaj nisme.

Ne kemi shumë për të mësuar prej jush, por edhe kemi shumë për t’i dhënë kësaj nisme e rajoni dhe jemi tejet të angazhuar për ta bërë këtë gjë. Ne duam të nxisim paqen dhe bashkëpunimin në çdo mënyrë të mundemi, duam të ndërtojmë ura të reja në të gjitha drejtimet që mundemi dhe duam absolutisht të mos e lëmë veten të tundohemi nga fantazmat e së shkuarës dhe të humbasim durimit kur gjërat të mos shkojnë si duhet apo kur disa prej problemeve që ende janë të pazgjidhura mund të ngrenë tensione.

Nuk ka asnjë të mirë për ne nëse nxisim ndasitë, nëse ushqejmë tensionet apo krijojmë shqetësime, asgjë. Na duhet të punojmë së bashku për tua bërë më të mirë jetën njerëzve tanë, na duhet të punojmë së bashku për ta bërë për fëmijët tanë këtë Ballkan një vend ku thjesht mund të përqafohen dhe të ndjehen mirë me njëri-tjetrin, të ndihen mirë që janë bashkë, fqinjët nuk i zgjedh.

Njëherë, gjyshja ime më tha “Komshi i lumtur, shtëpi e lumtur. E kundërta është thjesht një makth”. Kështu që, ne jemi këtu për të qëndruar. Shqipëria nuk do shkojë kurrkund, shqiptarët nuk do shkojnë kurrkund. Natyrisht, mund të vijmë e të ikim në destinacione të ndryshme por këtu është shtëpia jonë. Serbia nuk do shkojë kurrkund, serbët do të jenë aty ashtu si dhe kroatët, ashtu si dhe sllovenët, malazezët, maqedonasit. Të gjithë ne do jemi këtu për të gjithë pjesën tjetër të mbetur të kohës sonë kështu që na duhet ta zgjidhim e së fundmi, na duhet të rritemi e të harrojmë të gjithë rrëmujën që kemi krijuar për njëri-tjetrin e të mos harrojmë se sa shumë kanë përfituar të tjerët në kurrizin tonë, mbi shpatullat tona, në dëm të së ardhmes sonë, për shkak të telasheve që kemi hapur vetë.

Realitetet e sotme në fakt, shfaqin se çfarë mund të arrihet përmes paqes dhe bashkëpunimit, tregon se sa i madh është ende potenciali dhe tregon se sa e madhe është humbja për të investuar në urrejtje, në ndasi, në shqetësime.

Natyrisht, rruga është ende e gjatë për ne, por sërish kemi bërë një rrugë të gjatë dhe sot jemi në një vend më të mirë. Krahasuar me ku ishim, jemi në një vend fantastik. Krahasuar me atë ku duhet të jemi, ende nuk jemi në një vend kaq të mirë. Kështu që na duhet të bëhemi bashkë, të punojmë së bashku dhe të mos harrojmë asnjëherë se jemi të bekuar që kemi një fqinj si Italia, që na tregon se nuk ka nevojë që të bëhesh i mërzitshëm, të mërzitesh nga jeta e të jesh tërësisht i mërzitshëm që të jesh një vend i Bashkimit Europian.

Le ta përdorim këtë bekim, le të marrim forca e le të mësojmë çdo ditë nga miqtë tanë, vëllezërit tanë, fqinjët tanë italianë. Ata janë atje për të na treguar që jeta është shumë e bukur edhe duke qenë në Bashkimin Europian.

Faleminderit!

Previous Junior Minister për 1 Qershor/ Fëmijët zëvendësojnë Muzhaqin për një ditë

Leave Your Comment