10.1 milionë turistë, që prekën tokën shqiptare vitin e kaluar shijuan njëkohësisht një kulinari fantastike dhe ushtruan një presion të ofertës ushqimore, e cila i tejkaloi me gati 1.5 herë atë vlerë të eksporteve për të cilën ne me shumë sakrifica kemi arritur në vitin 2023.
Sipas shifrave që tha edhe kolegia Kumbaro, ky vit do të jetë akoma edhe më i suksesshëm në raport me ofertën ushqimore, e cila sëbashku me eksportet parashikon të arrijë një vlerë me 2 miliard $. Kjo na vë përpara disa sfidave të gjithëve si: përpunuesit, prodhuesit, fermerët, por edhe Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, e cila ka një detyrim dhe punën për të cilën e ka nisur prej kohësh për të siguruar një ofertë ushqimore cilësore të mirë etiketuar, konform ligjit dhe garantimin e eksperiencës së një transparence gjithnjë e më të rritur në raport me përbërësit e deklaruar. Në këtë kontekst Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, por njëkohësisht edhe gjithë institucionet e tjera sidomos Autoriteti Kombëtar për Veterinarinë dhe Mbrojtjen e Bimëve janë udhëzuar prej kohësh për të qenë të angazhuar në terren para dhe gjatë gjithë sezonit veror turistik.
Për ne garantimi i sigurisë ushqimore nuk nis sot, nuk nis në nisjen e sezonit turistik. Sigurisht, intensifikohet, por është një punë e vazhdueshme për gjatë gjithë vitit dhe kjo punë realizohet që në momentin e certefikimit të farave dhe fidanëve. Nga janari 2024 e deri tani janë certefikuar rreth 8 milion fidanë perimor, 190 800 fidanë frutor si dhe 367 kv farë e kultivave të ndryshme. Vijon gjithashtu me regjistrimin e produkteve për mbrojtjen e bimëve për të pasur një pasqyrë të qartë të përdorimit të produkteve plehruese dhe pesticideve dhe njëkohësisht për të realizuar gjurmueshmërinë e tyre.
Shqipëria falë kësaj pune të viteve të fundit ka realizuar një situatë episodike të pastër në mbarë vendin dhe kjo jo gjithmonë është vetëm fat, është një punë e dedikuar e strukturave dhe sigurisht garantojmë që edhe këtë vit do të kemi një situatë të pastër, pasi njëkohësisht po kryejmë vaksinimin e të paktën 1,8 milion krerëve të imta kundër brucelozës, e ndërlidhur dhe e koordinuar edhe me gjurmimin duke ulur në nivele minimale rrezikun për jetën e njerëzve.
Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë ofron 1631 teste analitik, të cilat janë të njohura në nivel evropian e më gjerë. Sapo kemi kaluar me shumë sukses mirëmbajtjen e 1367 testeve ekzistuese dhe siguruam certefikata e akreditimit për 264 teste që realizojmë me sukses në Shqipëri. Sigurisht që siguria ushqimore lidhet jo vetëm me ciklin nga fara, fidanët e deri në tryezë, por njëkohësisht edhe me një ndërgjegjësim të shtuar, e cila mbështet edhe me politikat fiskale. Dua të them më të fundit, atë që në paketat fiskale e vitit të shkuar mbështetëm në atë që quhet luftë biologjike, ku me ligjin e TVSH-së u përjashtuan nga tatimi mbi vlerën e shtuar në import jo vetëm kafshët e rracës së pastër për riprodhim, por njëkohësisht bletët dhe insektet që zëvendësojnë pesticidet. Lufta biologjike është shumë e rëndësishme për t’u vendosur në prioritet për të gjithë fermerët dhe punonjësit.
Ne do të vijojmë të forcojmë hallkat e këtij zinxhiri duke forcuar kontrollet, por është shumë e rëndësishme që të parandalojmë situata, të cilat kontrollet i evidentojnë. Andaj, flasim për një zinxhir të shëndetshëm nga fara në tryezë.
Unë në përfundim të fjalës gjej rastin të falënderoj të gjithë fermerët, blegtorët, përpunuesit dhe prodhuesit të cilët me punën e tyre kanë dhënë një vlerë shumë të madhe të kulinarisë shqiptare, të produktit “Made in Albania”, të cilin unë dhe kolegia ime Kumbaro po e promovojmë nga Veriu në Jug në një Strategji të Agroturizmit, e cila do të jetë jo vetëm e suksesshme, por do të ngrejë edhe më tej vlerat e produkteve tona shqiptare dhe për këtë mendoj se kemi shumë për t’u krenuar.
Shumë faleminderit dhe sezon të mbarë!