Fjala e Ministres Balluku në Kuvend - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Fjala e Ministres Balluku në Kuvend

Fjala e Ministres Balluku në parlament, projektligji  për mediat audiovizive në Republikën Shqipërisë

E nderuar Kryetare,

Të nderuar kolegë,

Padyshim që transformimi i shpejtë dhe i prekshëm nga të gjithë grup moshat e kategoritë e përdoruesve është hapësira dixhitale tashmë. Kjo me gjithçka të mirë që ka sjellë në jetën tonë, sidomos gjatë pandemisë ku ne provuam kufij të rinj të botës dixhitale, por nga ana tjetër sjell dhe implikime dhe impakte negative.

Si rrjedhojë edhe tregu i shërbimeve të mediave audiovizive ka evoluar ndjeshëm dhe me shpejtësi për shkak të konvergjencës së vazhdueshme të shërbimeve të televizionit me ato të internetit që rriten çdo ditë e më shumë.  Zhvillimet teknike kanë lejuar futjen në treg të përvojave dhe të përdoruesve të ri. Zakonet e shikimit, veçanërisht ato të brezave të rinj, kanë ndryshuar ndjeshëm. Ndërsa ekrani i televizorit mbetet ende një mjet i rëndësishëm për shpërndarjen e informacionit, sidomos për brezat të cilët janë mësuar me këtë shërbim.

Llojet e reja të përmbajtjes, të tilla si videoklipet apo përmbajtja e krijuar nga vetë përdoruesit që tashmë është diçka që ndodh me të gjitha moshat, po zënë vazhdimisht një pjesë më të madhe të konsumit audiovizual për shkak edhe të aksesit më të shpejtë dhe më të gjerë. Kjo konvergjencë e mediave kërkon një kuadër të ri ligjor të përditësuar dhe të pasqyruar me të gjitha zhvillimet e tregut audioviziv, për të arritur një ekuilibër midis aksesit të shërbimeve dhe përmbajtjes online, midis mbrojtjes së konsumatorit dhe sigurisht konkurrencës.

Në këtë frymë vjen sot dhe projektligji i propozuar, i cili synon rishikimin e rregullave për transmetuesit audiovizivë si dhe për ofruesit e platformave të shpërndarjes së videove, me objektiva kryesor mbrojtjen e fëmijëve nga përmbajtjet e dëmshme, sigurimin e aksesit në informacion të personave me aftësi të kufizuar, rritjen e transparencës së pronësisë së ofruesve të shërbimeve mediatike, si dhe përforcimin e detyrimeve për ofruesit e shërbimeve audiovizive me kërkesë. Ky projektligj vjen gjithashtu si pjesë e detyrimeve të Shqipërisë në kuadër të anëtarësimit për harmonizimin e legjislacionit tonë me atë të Bashkimit Europian. Pikërisht sepse mjedisi i mediave audiovizive dhe sjellja e shikuesve kanë ndryshuar, në vitin 2018 Bashkimi Europian ka rishikuar direktivën e vitit 2013 për shërbimet mediatike audiovizuale, të cilën transpozon ky akt.

Në këtë projektligj gjen gjithashtu vend dhe trajtimi i koncepteve të reja si bashkë rregullimi, vetë rregullimi,  edukimi mediatik, shërbimi i platformave të shpërndarjes të videove”, si dhe “video e krijuar nga përdoruesi”. Do dëshiroja të ndalesha pak tek koncepti i “edukimit mediatik”, i cili ka ngritur edhe një sërë debatesh në komisione gjatë diskutimit që ka pasur ky projektligj. Koncepti “edukim mediatik” nuk ka të bëjë me “edukim të mediave” por në të kundërt, i referohet aftësive, njohurisë dhe të kuptuarit të përdoruesit. Edukimi mediatik ka të bëjë me  rritjen e ndërgjegjësimit të audiencave për të drejtat e tyre në raport me mediat, me platformat e shpërndarjes së videove online, si dhe rritjen e cilësisë së mediave dhe informimit të publikut kur lajmet e rreme, dizinformimi, gjuha e urrejtjes, apo ekstremizmi i dhunshëm përbëjnë kërcënime serioze ndaj vlerave dhe të drejtave të njeriut.

Në këtë drejtim, projektligji parashikon gjithashtu dhe rregulla të reja lidhur me ofruesit e platformave të shpërndarjes të videove online si Facebook, Instagram, Tik-Tok, Youtube, etj, apo platforma të tjera të parregulluara më parë. Ajo çka mbetet më e rëndësishme është mbrojtja e fëmijëve nga përmbajtjet që cënojnë shëndetin dhe zhvillimin e tyre mendor, moral dhe emocional, në një kohë kur rreziku ndaj ekspozimit, ndaj përmbajtjeve të dëmshme është çdo ditë e në rritje. Projektligji përforcon detyrimet e ofruesve të shërbimeve audiovizive për respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve përmes masave që përfshijnë përzgjedhjen e kohës së transmetimit, mjetet e verifikimit të moshës apo masa të tjera teknike, si dhe mbrojtjen e të dhënave të tyre personale.

Megjithëse jo pjesë e Direktivës, por tashmë pjesë e legjislacionit për barazinë gjinore dhe me kërkesë të shoqatës së grave në media drejtuar komisioneve të Kuvendit, në projektligj është shtuar dhe përkufizimi i konceptit të “seksizmit në media”, si dhe detyrimi i ofruesve të shërbimeve audiovizuale dhe platformave të shpërndarjes së videove për të respektuar parimet e barazisë dhe mosdikriminimit gjinor, ndalimit të seksizmit dhe përfaqësimit gjinor në median audiovizive në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Në përmbyllje dëshiroj të theksoj se ky projektligj është hartuar me vëmendje dhe përgjegjshmëri nga stafet teknike, duke u konsultuar gjithashtu dhe marrë dakordësi dhe nga DG Near dhe DG Connect pranë Komisionit Europian, si dhe ekspertët e Organizatës Europiane Observatore të Medias Audiovizive, ndaj dhe unë jam besimplotë që ky projektligj do të marrë mbështetjen e deputetëve sot gjatë votimit.

Faleminderit!

Previous Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 13 Prill 2023