Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, po merr pjesë në Mbledhjet e Pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Grupit të Bankës Botërore, në Uashington.
Në kuadër të këtyre takimeve, Ministrja Ibrahimaj ishte pjesë e seminarit të FMN “Shpenzim i mirë. Shpenzim me llogaridhënie”, së bashku me znj. Antoinette M. Sayeh, Zëvendës Drejtoreshë Menaxhuese e FMN; znj. Nancy Gathungu, Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kenias; z. Mario Marcel, Ministër i Financave të Kilit, seminar i cili u moderua nga z. Ravi Agrawal, kryeredaktori i revistës prestigjioze “Foreign Policy”.
Në diskutimit e saj, Ministrja Ibrahimaj theksoi faktin se vitet e fundit kanë qenë sfiduese sa i përket financave publike dhe shpenzimeve buxhetore, duke qenë se Shqipëria është përballur me tre kriza të njëpasnjëshme, tërmeti i vitit 2019, pandemia Covid-19 dhe kriza aktuale e çmimeve.
Shpenzimi me llogaridhënie, tha Ibrahimaj, ishte i rëndësishëm në përballimin e këtyre krizave, pasi gjithçka lidhej me nevojat e njerëzve dhe jetën e tyre.
“Në përgjithësi, ajo që ne bëmë ishte t’i përgjigjemi nevojës imediate, duke u fokusuar ku kishte më shumë nevojë. E bëmë këtë në vazhdimësi sepse pas pandemisë, edhe pse ekonomia jonë filloi të reagojë mirë, ne patëm krizën e çmimeve. Ne mësuam nga ai mësim dhe vazhduam të rioalokonim buxhetin tonë ku nevojat ishin më të mëdha dhe njerëzit më të prekur, në mënyrë që të adresonim inflacionin e lartë, edhe pse Shqipëria nuk u godit nga inflacioni aq sa vende të tjera të botës, ndërsa mbanim në mendje se rritja e borxhit pas nisjes së procesit të rindërtimit duhet të niste rrugën rënëse”, u shpreh Ibrahimaj.
Ministrja tha se vitet e fundit kanë qenë sfiduese për ministrat e financave kudo në botë, pasi përpos menaxhimit të krizave, detyra e tyre ka qenë edhe marrja e masave për përballimin e krizave të mundshme në të ardhmen, vijimin e reformave, konsolidimit fiskal dhe reduktimin e borxhit, ndërsa masa të tilla duhet të komunikohen sa më qartë edhe me publikun.
Sa i përket Shqipërisë, Ibrahimaj u shpreh se është arritur të përballohen tre krizat e njëpasnjëshme dhe të ketë një performancë të mirë ekonomike.
“Kemi qenë të aftë të kalojmë tre kriza të ndryshme dhe të menaxhojmë që të kemi një performancë ekonomike të mirë ende. Rritja ekonomike e vitit 2022 ishe 4.84 % dhe është duke u rritur mbi potencialin e ekonomisë. Kjo është një gjë thelbësore, sepse ndërtohet besim duke ndërtuar politika që transformohen në rritje ekonomike”.
Duke vijuar më tej, Ministrja tha se vendimet e marra nuk ka qenë të lehta: “Shumë vende vendosën të shkurtonin taksat e tyre për të përballuar atë që ekonomia po vuante. Ne nuk ulëm taksat, në gjetëm një mënyrë që të mobilizonim të ardhura të reja dhe mendoj se ky është një element i rëndësishëm, që në kohë krizash, në kohë pasigurie, nuk duhet të shkohet me taksim të ulët që do të sillte më shumë pasiguri në të ardhmen”.
Gjatë diskutimeve, një theks i veçantë iu vu rëndësisë së transparencës dhe komunikimit me qytetarët për politikat dhe vendimet që merren nga qeveritë, sidomos në kohë krizash.