E nderuar kryetare!
Të nderuar deputetë, kolegë të Këshillit të Ministrave,
Projektligji për Aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën Ndërkombëtare për Kontrollin e dëmit nga sistemet për mbrojtjen antivegjetative në anije, nisur nga titulli është disi i pazakontë.
Megjithatë, duke pasur parasysh që Republika e Shqipërisë, Qeveria Shqiptare, kanë në fokusin e tyre çdo ligj i cili e përafron vendin tonë me kriteret dhe kërkesat e Bashkimit Europian, edhe ky projektligj konsiderohet si shumë i rëndësishëm.
Pikësëpari, shënon një hap domethënës përpara në mbrojtjen e gjallesave nënujore dhe rrjedhimisht të mjedisit, për të cilin Qeveria jonë është investuar në mënyrë energjike gjatë viteve të fundit, përmes një sërë projektesh madhore, që synojnë ndryshimin rrënjësor në situatën aktuale dhe shndërrimin e porteve kryesore të vendit në zona për turizëm dhe zona atraktive. Gjithashtu, duke i hapur një rrugë të re projekteve madhore përsa i përket ndërtimit të porteve të reja ashtu siç është porti i ri ndërkombëtar i Durrësit në Porto Romano apo porti i ri ndërkombëtar i Vlorës në Triport.
Së dyti, projektligji është hartuar në përputhje me programin që ka Republika e Shqipërisë për Integrimin në Bashkimin Evropian, dhe në linjë me Strategjinë Sektoriale të Transportit dhe Planit të Veprimit.
Së treti, por jo më pak e rëndësishme, ky akt është në zbatim të të gjitha konventave rajonale dhe atyre ndërkombëtare në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe të biodiversitetit, konkretisht në zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga aderimi në Organizatën Ndërkombëtare Detare.
Për të bërë një shpjegim pak më të detajuar për publikun e gjerë më duhet të them se Sistemet antivegjetative janë lëndët që shërbejnë për të lyer fundin e anijes me qëllim parandalimin e ngjitjes së algave dhe molusqe në to, duke mos krijuar kështu probleme teknike.
Në periudhat e mëparshme, anijet për të eliminuar këtë problem sigurisht përdornin lëndë helmuese si arseniku i cili nuk shfaroste vetëm algat apo molusqet, por dhe gjallesa të tjera në det duke krijuar një rrezik shumë të madh për biodiversitetin.
Duke e patur parasysh këtë rrezik, gjithmonë e në rritje, Organizata Ndërkombëtare Detare për një periudhë të gjatë dhe në mënyrë insistuese ka nxitur kërkimet në industrinë kimike për gjetjen e një sistemi i cili nuk do të lejonte ngjitjen e algave dhe të molusqeve në fundin e anijeve dhe nuk do të ishte i dëmshëm për mjedisin.
Aktualisht, duke qenë se anijet me flamur shqiptar, objekt i konventës, kryejnë transport ndërkombëtar, ato i zbatojnë prej kohësh detyrimet e parashikuar në këtë konventë, kësisoj miratimi i këtij projektligji nuk do të ketë pasoja financiare apo pesha të tjera as për buxhetin e shtetit dhe as për kompanitë private që operojnë në këtë fushë.
Pas ratifikimit të kësaj Konvente, në muajin Shtator 2022, Organizata Ndërkombëtare Detare ka parashikuar që të organizojë në Shqipëri një trajnim me pjesëmarrjen e të gjithë palëve të përfshira në zbatimin e kësaj konvente duke përshirë institucionet shqiptare ashtu edhe ato private të vendit tonë.
Pa dashur të zgjatem më tej do t’ju bëja thirrje që ta voni këtë projektligj të rëndësishëm siç thashë përsa i përket përafrimit të legjislacionit tonë me kërkesat e Bashkimit Europian dhe si rrjedhojë me anëtarësimin tonë.
Megjithatë, e gjithë kjo bisedë që unë sapo bëra ndoshta ngjan jashtë vendit në një kohë kur vëmendja publike ka qenë e fokusuar tek komisioni hetimor për inceneratorët. Ose po gjej dhe një lidhje, duke qenë se projektligji që sapo lexova ka të bëjë ngushtësisht me përmirësimin e kushteve mjedisore, ashtu siç kishte të bënte edhe ndërmarrja, vendimmarrja, aksioni që Qeveria Rama vendosi të merrte që në fillim të emërimit të saj në 2013-ën kur u përball me gjithçka trashëgoi nga Qeveria e mëparshme.
Zona të mbytura nga plehrat që askush nga ne nuk i harron duke nisur nga Sharra që digjej nga mëngjesi deri në darkë dhe banorët e Kombinatit, por dhe ata përtej Kombinatit, jetonin në helmet që lëshonin plehrat e djegura apo Porto Romano që dukej sikur nuk ishte diçka e vërtetë. Të kujtonte filmin Aptokalipto, aty ku majat hidhnin kufomat e kurbaneve që bënin.
Duke pasur këtë situatë Qeveria Rama ndërmori një sërë masash, duke nisur nga një masterplan i detajuar, i cili tashmë jepte dhe kryente rolin e një udhëzuesi sesi Shqipëria duhet të trajtonte mbetjet, si një vend europian. Sesi Shqipëria duhej të kujdesej për qytetarët e saj, ashtu siç ata e meritojnë. U ndërmorën një sërë veprimtarish e projektesh të cilat sot japin rezultat, të cilat sot nuk janë thjesht inceneratorë, siç u damkosën për tu kthyer në një kalë beteje politik, ashtu siç kthehet çdo projekt i mirë në Republikën e Shqipërisë, ashtu siç u kthye Unaza e Madhe, ashtu siç u kthyen lodrat për fëmijë tek parku i liqenit, apo gjithçka tjetër.
Këto inceneratorë nuk janë as inceneratorët e turpit dhe as inceneratorët e 430 milionë eurove të zonjës Tabaku. Këto janë impiantet e përpunimit të mbetjeve që kryejnë një sërë procesesh duke nisur nga mbledhja e tyre, tek trajtimi, tek riciklimi dhe deri tek incenerimi për të prodhuar energji. Energji që pavarësisht se çfarë u tha dhe çfarë u dëgjua do të shkoj në përdorim të Bashkisë së Elbasanit, të Bashkisë së Fierit dhe në 2025-ën edhe të Bashkisë së Tiranës. Dhe Bashkitë do të vendosin nëse do të përdorin për sistemin e tyre të ndriçimit, për të ndriçuar shkollat, kopshtet apo gjithçka tjetër apo nëse do e sheshin në treg të lirë për të përfituar para të cilat do ti investojnë për të ndërtuar qytetet.
E gjitha kjo u shumëzua me zero, ju vu një njollë turpi përsipër dhe u shpik numri fantastik i 430 milionë eurove. Por, ne që ishim pjesë në komisionin hetimor kur ju drejtuam opozitës të na thoshte nga dilte kjo shumë, askush nuk arriti të na e thoshte, ndoshta ata nuk ishin të përgatitur për pyetje pasi morën atribute prokurori dhe gjyqtari dhe mendonin se do na vendosnin me shpatulla pas murit.
Me shpatulla pas muri nuk vihet askush që punon. Me shpatulla pas muri nuk vihen dot ata që kanë letra, fakte, dokumenta. Me shpatulla pas muri nuk vihen as ata që i kanë atje impiantet e përpunimit të mbetjeve, që pavarësisht se u vizituan nga grupi i deputetëve sërish u shumëzuan me zero.
E dini ju çfarë është 430 milionëshi i shpikur i zonjës Tabaku dhe i partive të saj? Është shifra totale që në 30 vitet e ardhshme, deri në 2047-ën, do të jetë shifra që do të paguhet për shërbimin e mbledhjes së mbetjeve. Pra, zonja Tabaku ka marrë dhe ka bërë një përllogaritje sesa do të kushtoj shërbimi i mbledhjes së mbetjeve në 30 vitet e ardhshme dhe këtë e tha që kjo është shuma që ka vjedhur Qeveria Shqiptare.
Ju besoj e kuptoni se çfarë abstraksioni është ky, të marrësh dhe të thuash që paratë që do të shpenzohen në 30 vitet e ardhshme për të pastruar Tiranën janë paratë që vodhi Qeveria, biles në kohën e shkuar, as në të ardhmen. Kjo ishte çfarë ne dëgjuam dhe u përballëm, por çfarë ishte më interesante, dje në mëngjes u harrua 430-i dhe doli një shifër e re, një shifër e re prej 100 milionësh, një discount, ulje, nga 430 shkuam në 100, pasi gjatë natës nuk na dolën llogaritë duke qenë se disa nga ministrat që u shfaqën në komision dhanë argumente që 430-i nuk ekzistonte kështu që u provua një shifër e re. Ndoshta sot dalin me 80, 90 ose edhe me 1.4 miliard, këtë nuk e dimë kurrë.
Rëndësi ka, dhe unë këtu dua të falënderoj të gjithë deputetët socialistë anëtarë të komisionit hetimor për punën profesionale që bënë dhe për qëndresën që bënë duke mos rënë pre as e provokimeve që ishin të shumta në këto javë. Dua të falënderoj edhe deputetët e opozitës, pasi pavarësisht se shkelën rregullat dhe dolën jashtë objektit, i bënë një nder të madh Qeverisë, një nder të madh maxhorancës sepse na dhatë mundësinë një herë e mirë të çmontonim të gjithë gënjeshtrat tuaja.
Shumë faleminderit.