Faleminderit Rubin, Kianda, Bledi, Indrit, Alesia,
Faleminderit që na dhuruat sot, hapjen më të bukur, që mund të kishte ky Kongres, për energjinë pozitive, dhe për mesazhet, të cilat ngjallin shpresë dhe marrin vlerë, pikërisht sepse dalin nga goja e profesionistëve të rinj, të cilët kanë zgjedhur që misionin fisnik të shpëtimit të jetëve ta ushtrojnë në vendin e tyre, duke u bërë një burim frymëzimi për shumë kolegë tuaj të ardhshëm.
I nderuar Kryeministër,
Anëtarë të kabinetit qeveritar
Ministra të Shëndetësisë së Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi,
Deputetë të Kuvendit të Shqipërisë,
Ambasadorë, përfaqësues të organizmave kombëtarë e ndërkombëtar,
Shumë të dashur mjekë, infermierë e profesionistë të sistemit tonë shëndetësor!
Jam krenare që mbajmë sot, për herë të parë, Kongresin e Shëndetësisë, në një organizim të paprecedentë, që bashkon mbi 2000 të ftuar, politikëbërës, ekspertë vendas dhe të huaj, ofrues shërbimesh, profesionistë të shërbimeve të kujdesit shëndetësor.
Qëllimi ynë është ndërtimi i një platforme interaktive komunikimi. Sepse ne duam që Shëndetësinë e të ardhmes ta ndërtojmë duke analizuar pikësëpari zhvillimet e derisotme. Si psh. mësimet e krizave të njëpasnjëshme që na kanë goditur me një intensitet që rrallë është parë në histori. Që nga tërmeti, tek pandemia, e deri tek pasojat e luftës 1-vjeçare në Ukrainë.
Ashtu sikurse duam të shohim dhe vlerësojmë praktikat më të mira për shëndetin publik, parandalimin e sëmundjeve, aksesin në shërbim shëndetësor, problemet e shëndetit mendor, inovacionin, digjitalizimin.
Duam të gjejmë qasjet e duhura përballë sfidave që po ndesh sot jo vetëm Shqipëria, por edhe rajoni dhe Evropa, si psh zhvillimet demografike, moshimi dhe mobiliteti i profesionistëve.
Të dashur kolegë e të ftuar,
Shëndeti si e drejtë e të gjithëve dhe jo privilegji i disave. Aksesi pa dallim në një shërbim shëndetësor cilësor, pavarësisht se nga vjen, pavarësisht statusit social dhe atij ekonomik. Janë këto parimet mbi të cilat është ngritur çdo politikë e kësaj qeverie, që në krye të herës.
Pothuaj 10 vjet më parë, ne nisëm një rrugë që e dinim se do ishte e gjatë. Duhej të rimëkëmbnim sistemin shëndetësor, të vetëdijshëm se po ngjisnim një malore të vështirë.
Por, të vendosur për ta çuar deri në fund këtë mision. Edhe pse, nuk e kishim menduar që rrugës do të ndeshnim një prej krizave shëndetësore më të mëdha që ka njohur bota.
Por, krizat mund t’i shfrytëzosh, për t’i shndërruar në mundësi. E në rastin tonë, një krizë globale si pandemia Covid, duhej ta shndërronim në burim shansesh për të forcuar hallkat e dobëta të sistemit dhe për ta fuqizuar atë në tërësi.
Një dekadë më parë, ne e gjetëm Shëndetësinë si një të sëmurë që lëngonte prej metastazave që kishin prekur çdo nivel të sistemit.
Na duhej jo vetëm një ndërhyrje kirurgjikale e kompleksitetit të lartë, por ishim të qartë se do të nevojitej gjithashtu një periudhë e gjatë terapie dhe rimëkëmbjeje.
Për ta bërë këtë kishim vizionin e Kryeministrit Rama, vullnetin për ta transformuar shëndetësinë dhe ç’është më e rëndësishmja, kishim dijet, përkushtimin dhe profesionalizmin e mjekëve dhe infermierëve tanë.
Sepse, ky i juaji është ndoshta i vetmi profesion në botë, ku DIJA, PUSHTETI dhe ZEMRA bashkëjetojnë dhe bëhen NJË!
Sot, falë kontributit të të gjithëve, ai pacienti që dergjej i pashpresë 10 vjet më parë është ngritur në këmbë. Dhe po ecën i sigurt, edhe pse kaloi të tjera trauma jashtë kontrollit tonë, siç ishte kriza e 2020-ës.
Nuk jam duke thirrur MISIONIN E PERFUNDUAM! Përkundrazi!
Mendoj se rruga që kemi përpara mund të jetë më e gjatë se ajo që kemi lënë pas. Ato që do të bëjmë për ta përsosur sistemin janë me siguri shumë më tepër se ato që kemi bërë.
Dhe unë do të kërkoja mirëkuptimin tuaj, për të bërë një bilanc të këtyre të fundit. Jo thjeshtë të arritjeve, por mbi të gjitha të mësimeve që kemi nxjerrë.
Kryefjala e çdo ndërhyrjeje që kemi bërë në sistem këtë dekadë, ka qenë një dhe vetëm një: MBULIM SHENDETESOR UNIVERSAL. Ky vizion ka qenë ombrella, nën të cilën janë implementuar shumë prej politikave tona shëndetësore me qasjen QYTETARI NË QENDËR TE SISTEMIT.
Bëmë të mundur që 600.000 qytetarë të pasiguruar, përfitojnë pa pagesë vizitat në sistemin parësor si edhe të kenë akses në barnat falas për sëmundjet kronike.
410 mijë qytetarë me sëmundje kronike përfitojnë barna të rimbursueshme, mbi 1.190 alternativa mjekësore dhe një buxhet 11,4 mld lek/vit.
Siç premtuam fishat për matjen e diabetit për të moshuarit mbi 65 vjeç rimbursohen sot nga shteti.
Me politikat e orientuara drejt parandalimit financojmë sot programe të depistimit apo diagnostikimit të hershëm për kancerin e gjirit, të qafës së mitrës dhe kolorektal.
2 mln 610 mijë kontrolle mjekësore falas janë realizuar për qytetarët 35-70 vjeç, duke mundësuar kapjen dhe trajtimin e hershëm të sëmundjeve me prevalencë të lartë si diabeti, hipertensioni, problemet malinje të gjakut.
Për herë të parë, për mbi 260 mijë fëmijë në shkolla kemi përfshirë programet e depistimit të shikimit dhe shëndetit oral.
Kalendari Kombëtar i vaksinimit është zgjeruar me Vaksinat e Rotavirusit dhe prej nëntorit 2022, mbi 15 mijë vajza do të vaksinohen çdo vit falas kundra HPV, duke zeruar shanset e prekjes nga kanceri i qafës së mitrës.
Një pjesë domethënëse të burimeve dhe përpjekjeve, ne i kemi orientuar tek rimëkëmbja e SISTEMIT SHËNDETËSOR PARËSOR.
Ndërtuam dhe rikonstruktuam 340 Qendra Shëndetësore dhe ambulanca. Infrastruktura e përmirësuar në KUJDESIN parësor solli akreditimin për standardet e cilësisë për më shumë se 260 institucioneve shëndetësore, duke mundësuar dhe shtimin e shërbimeve të reja, si kujdesi në banesë dhe integrimi i shërbimeve socio-shëndetësore. duke adresuar problemet e shëndetit mendor nga psikologë e punonjës social të dedikuar.
Nëpërmjet investimeve në vazhdim në Urgjencën Kombëtare Mjekësore mundësuam përgjysmimin e kohës së mbërritjes së ambulancës në vendngjarje, duke vendosur një standard të ri falë investimeve në sistemin unik të thirrjeve dhe flotës së mjeteve që shtohet çdo vit.
Kemi investuar në 15 spitale dhe 5 maternitete, që mundësojnë marrjen e shërbimeve në kushte moderne.
Edhe pak ditë dhe hapim dyert e Spitalit të ri të Sëmundjeve të Brendshme, një strukturë tejet moderne ku qytetarët do të marrin shërbim super cilësor.
Nuk do të jetë i pari. Në kushte moderne po ofrohen tashmë shërbimet për qytetarët në Spitalin Infektiv në QSUT, Spitalin Kirurgjikal në QSUT, Spitalin Pediatrik në QSUT, Maternitetin e Korçës, Maternitetin e Beratit, Maternitetin e Lezhës, Spitalin Bashkiak të Laçit, Spitalin Pediatrik të Durrësit, Spitalin Pediatrik dhe Spitalin e Urgjencës e Patologjisë në Elbasan, Spitalin Memorial, Spitalin e Kukësit.
Nuk do të jetë as i fundit!
Investimet tona po vazhdojnë në maternitetin Mbretëresha Geraldinë, Spitalin e Mirditës, Spitalin e Kardiokirurgjisë, Spitalin e Dibrës, Spitalin e Krujës dhe Lezhës.
Të gjitha janë pjesë e Planit Kombëtar Spitalor, të cilin e miratuam në Këshillin e Ministrave pak ditë më parë. Zbatimi i tij do të sjellë fuqizimin e 4 poleve me qëndra të ekselencës për shërbimet specialistike: Nga trajtimi i sëmundjeve Kardiovaskulare, Onkologjike, Kirurgjikale, Pediatrisë, e deri tek shërbimet e Anestezi-Reanimacionit apo Obstetrikës dhe Gjinekologjisë. Të gjitha të ngritura mbi parimin e shërbimeve pranë vendbanimit.
Në sistemin e shërbimit spitalor, falë partneriteteve publike-private është zgjeruar shërbimi laboratorik duke rritur ndjeshëm gamën e analizave me një volum mbi 4 mln analiza/vit falas për qytetarët në shërbimin spitalor, ndërsa me shërbimin e integruar në njësitë e sterilizimit dhe instrumentave kirurgjikale kemi përgjysmuar infeksionet spitalore.
Sot, falë paketave të ofruara qytetarët mund të kryejnë dializën pranë vendbanimit, të moshuarit përfitojnë falas paketën e kataraktës, ndërsa fëmijët me probleme të thella dëgjimi të mundet të përfitonë falas ndërhyrje të implantit koklear.
Investimet në teknologji e pajisje dhe edukimi në vazhdim të profesionistëve që sapo kemi nisur do të sigurojnë edhe shërbime të reja në strukturat publike, si Qendra e Fertilizimit in vitro, Transplanti i Palcës së Kockës, dhe trajtimet për Insultet Cerebrale, puna për të cilat ka filluar tashmë.
Nuk dua të lë pa përmendur Sistemin Shëndetësor Jo-Publik, me ofruesit e shërbimeve si nxitës, komplementues dhe motivues për zhvillimet në mjekësi, duke hapur shtigje të reja siç është qasja në tregje si ai i Turizmit Mjekësor.
Një nga mësimet e mëdha që na dha kriza e Pandemisë, ishte se duhet të shumëfishojmë përpjekjet për të forcuar burimet njerëzore.
Se pak vlen ndërtimi dhe rindërtimi i spitaleve, nëse nuk fuqizohen profesionistët që punojnë në ta.
Të dashur profesionistë të shëndetit,
Jo vetëm për shkak se tashmë u bënë vite që punoj me ju, por unë jam ndër ata njerëz që e besoj atë shprehjen: “Jo të gjithë ëngjëjt kanë krahë. Disa kanë stetoskopë.”
Por, fjalët e mira nuk mjaftojnë, e dimë. Prandaj i kemi shoqëruar me akte konkrete të mbështetjes financiare dhe profesionale duke mbajtur zotimet tona.
Nga pikënisja rritëm me 63% pagat e stafeve mjekësore, aplikuam bonusin e mjekëve që punojnë larg vendbanimit, ndërsa jemi zotuar të vijojmë rritjen e pagave për profesionistët e shëndetësisë.
Reforma spitalore, me modelit e ri të autonomisë spitalore do të mundësojë më shumë incentiva financiare për mjekët, nga pagesat për performancë dhe praktikën dyfishe.
Po adresojmë në dinamikë sfidën e mobilitetit të personelit shëndetësor, një sfidë që ka prekur jo vetëm vendet e rajonit por edhe ato të BE, me synim mbajtjen e profesionistëve në vend dhe zhvillimin e programeve për përthithjen e atyre që sot punojnë jashtë të përfshira këto si pjesë e Planit të Masave per Zhvillimin e Burimeve Njerëzore 20-30, për të plotësuar nevojat në të ardhmen, për profesionistë të shëndetësisë.
Përballë kësaj sfide ne kemi mundur të ruajmë ekuilibrin, falë specializimeve të hapura çdo vit. Përmes tyre kemi mundur të integrojmë më shumë se 400 specialistë në spitalet rajonale.
Falë punësimit në mënyrë transparente dhe mbi baza meritokracie, mbi 5500 profesionistë të mjekësisë ushtrojnë profesionin e tyre në çdo cep të vendit.
Dhe sot më shumë se kurrë zhvillimi i burimeve njerëzore orientohet drejt inovacionit dhe DIGJITALIZIMIT, që veprojnë si katalizator të domosdoshëm për rritjen e aksesit në kujdes shëndetësor, përmirësim të rezultateve për pacientin, ulje të kostove, rritje të kapaciteteve kërkimore për profesionistët.
Eksperienca e viteve të fundit ka dëshmuar se shërbimet digjitale e kanë ndihmuar shpejtimin e ritmit të reformave në shëndetësi, me shembuj konkretë, që nga receta elektronike, deri tek menaxhimi i informacionit spitalor.
Duke qënë në një ambient profesionistësh dhe ekspertësh të fushës, kam bindjen se janë disa pyetje që ju me të drejtë mund t’i ngrini: Si për shembull: Ç’ndryshim kanë sjellë investimet e bëra, shërbimet e shtuara, pajisjet e reja, mjekët e rinj në përmirësimin e atyre treguesve që matin cilësinë e kujdesit shëndetësor?
Fakt është se Shqipëria ka jetëgjatësinë mesatare më të lartë në rajon. Kemi reduktuar ndjeshëm fatalitetet foshnjore dhe amëtare dhe kemi një mbulim të mirë të kujdesit shëndetësor pre-natal ne me mbulimin vaksinal mbetemi në vendet e para.
Shqipëria, falë reformave dhe politikave të ndërmarra për parandalimin, kapjen e hershme dhe trajtimin efikas të SJT është në rrugën e duhur për arritjen e objektivit për reduktimin me 1/3 e fataliteteve të parakohshme deri në 2030.
Janë këto disa tregues që na bëjnë optimistë që rritja e qëndrueshme e financimit publik për shëndetësinë, investimet në çdo hallkë të sistemit, përpjekjet e përbashkëta të përditshme për të përmirësuar cilësinë e kujdesit shëndetësor po sjellin rezultatet e pritshme për shëndetin e qytetarëve.
Në fund, dua t’ju kërkoj mirëkuptimin tuaj, se renditja e gjithë fakteve që përmenda nuk ishte një përpjekje për të nxjerrë në pah një listë suksesesh!
Aq më tepër nuk do e bëja këtë për shumicën prej jush, që nuk keni nevojë t’ua them unë, se cilat ishin dhe cilat janë kushtet ku e ushtroni përditë profesionin tuaj.
Janë thjesht prova të vullnetit që kjo qeveri ka për ta ndryshuar sistemin me rrënjë. Dhe nuk kemi mbaruar. Tani kemi hyrë në një tjetër fazë.
Një fazë ku ritmi duhet të jetë më i shpejtë. Vendosmëria më e madhe. Cilësia edhe më e lartë.
Një fazë e re, të cilën e nisim me vetëdijen e plotë se probleme për t’u zgjidhur ka plot dhe se disa prej sfidave që na presin, mund të jenë edhe më të mëdha se ato që kemi lënë pas.
Dua të falënderoj nga zemra të gjithë profesionistët e shëndetit, të cilët i kanë dedikuar jetën kujdesit për të tjerët, veçanërisht në kohëra shumë të vështira që kemi kaluar së fundmi.
Ne vazhdojmë t’ju kemi dhe do t’ju kemi gjithmonë një borxh të madh mirënjohjeje.
Duke i uruar punime të mbara Kongresit tonë të parë, mbetem me bindjen se diskutimet dhe idetë që do të trajtojmë në këto ditë, do të jenë një kontribut i rëndësishëm për hartimin e politikave për Shëndetësinë që duam të kemi.
Faleminderit për angazhimin e gjithësecilit dhe
më lejoni të ftoj për fjalën e hapjes, Kryeministrin Edi Rama.