Kongresi i Parë i Shëndetësisë, së bashku në dialogun për sfidat e sistemit shëndetësor - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kongresi i Parë i Shëndetësisë, së bashku në dialogun për sfidat e sistemit shëndetësor

Kongresi i Parë i Shëndetësisë nisi sot punimet, duke sjellë së bashku politikë bërësit, ekspertët shëndetësorë, profesionistët e kujdesit shëndetësor, përdoruesit e shërbimeve dhe aktorë të tjerë në një forum të përbashkët për të ndarë përvojat dhe për t’u angazhuar në dialog në lidhje me sfidat e sistemit shëndetësor.

Ky kongres është një medium për palët e interesuara për të reflektuar mbi praktikat më të mira ndërkombëtare, për të mësuar dhe për të përshtatur ato në qëllim të ofrimit të një kujdesi më të mirë, rritjes së  cilësisë së shërbimeve dhe për t’u përditësuar me risitë më të fundit në fushën e shëndetësisë.

Pjesëmarrja dhe ndërveprimi i shumë autoriteteve nga institucione të ndryshme shëndetësore do të nxisë bashkëpunimin në adresimin e sfidave të ardhshme për një shërbim më cilësor dhe gjithëpërfshirës, duke u fokusuar në arritjen e mbulimit shëndetësor universal.

Kongresin e  Parë të Shëndetësisë e përshëndeti edhe Kryeministri Rama.

 

* * *

Përshëndetje të gjithëve! Sot do mbaj një fjalë më të shkurtër se ministrja. Besoj që këtu ministrja tha gjërat më me rëndësi dhe ju jeni mbledhur për të diskutuar gjerë e gjatë për të gjitha të tjerat dhe nuk keni nevojë për një fjalim të gjatë nga ana ime.

Së pari, më lejoni që nga zemra t’iu falënderoj ju dhe të falënderoj të gjithë bluzat e bardha të të gjitha kategorive për mundin, përkushtimin dhe për rezultatet e arritura në një fushë, e cila çdo ditë ju përball me domosdoshmërinë për të garantuar jetën dhe shëndetin e njerëzve tanë dhe është gjëja më e rëndësishme nga të gjitha gjërat që përbëjnë këtë fushë kapitali njerëzor.

Unë dua të flas vetëm për kapitalin njerëzor. Besoj se sot kemi të gjitha arsyet të themi  se kemi kapital njerëzor në fushën e shëndetësisë shumë më të qëndrueshëm, shumë më të mirëtrajtuar dhe padiskutim edhe shumë më me garanci për të sotmen dhe për të nesërmen dhe faktikisht, në kushtet kur një garë shumë frenetike ndërkombëtare ka hyrë në një fazë shumë të ethshme për të garantuar në të gjitha vendet, përfshirë dhe vendet më të zhvilluara kapitalin njerëzor në funksion të shëndetit, bëhet edhe më sfiduese për ne, që të jemi konkurrues dhe që të jemi në lartësinë, jo vetëm të sfidave të brendshme, por edhe kësaj sfide të përgjithshme ndërkombëtare sepse të gjitha vendet, duke filluar nga ato më të zhvilluarat, kanë hyrë në një fazë ku nevoja për të siguruar personel shëndetësor, nevoja për të siguruar kujdes shëndetësor, po bëhet gjithmonë e më therëse edhe si rezultat i plakjes së popullsive, posaçërisht në vendet më të pasura dhe i rritjes së kërkesës për kujdes shëndetësor dhe social.

Nga ana tjetër, ne e dimë shumë mirë se nga vijmë dhe nuk ka nevojë që t’i përsëris unë këtu, por duke ditur shumë mirë edhe se ku duam të shkojmë, jemi të detyruar që të shtyjmë shumë më me forcë përpara; flas përsa i përket vendimmarrësve,  flas përsa i përket politikë bërësve në funksion të fuqizimit dhe të garantimit të këtij kapitali njerëzor.

Ky kapital njerëzor ka nevojë për arsimimin, ka nevojë për edukim, ka nevojë për punësim sipas meritës dhe ka nevojë për kushte pune dhe për pagë dinjitozë.

Nëse marrim arsimimin, besoj se mund të themi se kemi ecur në mënyrë pozitive përpara. Sot kemi një sistem të arsimimit të bluzave të bardha, i cili, në njëfarë mënyre, e ka marrë vulën e cilësisë nga fakti që të arsimuarit në vendin tonë mirëpriten me krahë hapur edhe në vendet më të zhvilluara, pavarësisht se duhet të kalojnë aty nëpër disa procese konvertimesh, por është shumë e qartë që edhe puna e bërë atje nga mjekët dhe infermierët ka krijuar një reputacion pozitiv.

Kjo është në nderin e mjekëve dhe infermierëve, por është dhe një problem më shumë për ne.

Sidoqoftë, kur vjen puna tek arsimimi, ne kemi arsye të jemi krenarë për punën e Universitetit të Mjekësisë, për punën e trupës pedagogjike dhe për punën e përbashkët të të gjithëve, duke filluar nga provimet e deri tek specializimet.

Nga ana tjetër, sot ne jemi përpara një problemi që duhet ta adresojmë dhe duhet ta zgjidhim në mënyrë të ndershme. Arsyeja pse shtetet financojnë dhe investojnë me të gjitha mënyrat e mundshme për ta bërë sa më të lehtë procesin e studimeve dhe të formimit të mjekëve dhe infermierëve është për të garantuar shëndetin e popujve të tyre dhe në kushtet e sotme, rezulton e pamundur që shteti shqiptar, taksapaguesit shqiptarë, mundësitë e të cilëve nuk janë të pakufizuara, ndërkohë që nevoja dhe detyrimi për të dhënë një shërbim shëndetësor cilësor njësoj si kudo tjetër nuk mund të vihet në diskutim të paguajnë 15 nga 16 pjesë të financimit të studimit të një mjeku.

Pra, sot studentët e mjekësisë paguajnë 1/16 e kostos reale dhe këtë gjë shteti e bën duke marrë në konsideratë një sërë faktorësh që nuk ka nevojë t’i rendis këtu por ama shteti nuk e bën këtë dhe taksapaguesit shqiptarë nuk paguajnë për këtë që ditët që mbarojnë studimet dhe marrin diplomën e mjekut ata të cilët financohen nga ky buxhet dhe nga kjo sakrificë, të ikin dhe të shërbejnë në Gjermani. Shteti shqiptar nuk financon studimet për sistemin shëndetësor gjerman dhe ky është një problem të cilin shumë vende e kanë adresuar dhe ne ka ardhur koha ta adresojmë.

Nga ana tjetër, është aspekti i edukimit. Nuk mjafton të kesh kryer një shkollë dhe të kesh përmbushur të gjitha detyrimet e tua në aspektin teorik për t’u konsideruar një mjek por duhet edhe aspekti praktik dhe jo thjesht i praktikës së përditshme profesionale, por edhe i asaj praktike që farkëton njeriun, që farkëton misionarin pasi profesioni juaj nuk është një profesion si gjithë të tjerët; mjeku nuk është inxhinier, nuk është mekanik, nuk është as agronom dhe në këtë aspekt ka vend për reflektim përpara dorëzimit të diplomës.

Pastaj vjen punësimi sipas meritës dhe mua më vjen jashtëzakonisht mirë, që sot ne mund të themi se e kemi garantuar edhe shkollimin sipas meritës dhe së bashku me rektorin dhe me universitetin, Ministria e Arsimit po përgatit një formulë të re për ta thelluar meritokracinë në pranimin e studentëve, duke iu dhënë një shans extra në provim për të qartësuar diferencat e presjeve dhjetore, që janë diferenca që burojnë nga fakti që të gjithë ata që shkojnë në mjekësi janë nxënës të shkëlqyer dhe po kështu për specializimet.

Pas mbylljes absurde për 4 vite që akoma sot e gjithë ditën, unë nuk e kam marr vesh se nga çfarë ideje buroi, ne sot prej kohësh kemi specializime në mjekësi që janë pa asnjë kontestim. Po ashtu, për punësimin. Përgjatë vitit 2022 janë punësuar në spitalet publike 335 mjekë të përgjithshëm dhe specialistë dhe 950 infermiere dhe teknikë shkencash mjekësore, duke plotësuar nevojat e sistemit, por duke kaluar përmes një kanali punësimi, i cili është tërësisht transparent dhe tërësisht i bazuar në meritën, një kanal punësimi që ka garantuar qysh prej vitit 2018 që mbi 5500 mjekë dhe profesionistë  të shkencave mjekësore të futen në sistem në vendin e tyre, askush në vendin e dikujt tjetër dhe patjetër që kjo është e rëndësishme. Shumë  e rëndësishme është edhe pjesa e kushteve.

Një nga arsyet kryesore besoj që e mban ose e lëshon një profesionist në një punë, e cila lidhet me logjistikë, e cila lidhet me aparatura, e cila lidhet me mjete edhe shumë të shtrenjta është pikërisht edhe çfarë kushtesh kanë në vendin e punës. Dhe sot kushtet në vendin e punës për mjekët dhe infermierët, duke filluar nga Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza dhe deri në qindra e qindra qendra shëndetësore në Shqipëri janë pakrahasimisht më të mira sesa dje dhe janë plotësisht të njëjta me ato që janë në vendet e zhvilluara të Europës.

Patjetër, në fund fare, të gjitha këto lidhen të shpërblimi, tek paga, apo jo? Sepse gjithkush nga ju ka të drejtë që ndërkohë që unë flasë të thotë: po, po të gjitha këto janë të drejta, por gjermani është gjerman dhe ne jemi shumë mbrapa. Dhe ne i kemi rritur pagat, është e vërtete, nga 2013-ta me 63%, por jemi shumë të vetëdijshëm që kjo nuk mjafton dhe ndërkohë që gara bëhet gjithmonë  e më e ethshme ne na dikton që ne të shpejtojmë sepse siç ju e dini, dhe ju e dini më mirë se të tjerët, jeta është ajo që ndodh kur ne jemi duke bërë plane të tjera. Autonomia spitalore është një mekanizëm i ri, i cili ka filluar tani të testohet në spitalin Memorial dhe i cili do të krijojë më në fund mundësinë të ketë në sistemin tonë shëndetësor paga më të mira, por jo të barabarta, që do të thotë autonomia do t’ju rrisë pagat atyre që punojnë më shumë, atyre që bëjnë më shumë operacione, atyre që bëjnë më shumë vizita, e kështu me radhë siç janë të gjitha kushtet e autonomisë, por ndërkohë ne duhet të garantojmë një pagë shumë më dinjitoze tavan.

Dhe unë sot duhet t’ju them se në prill, në këtë prill, jo në prillin e vitit tjetër dhe jo në 1 prill, por në 30 prill, mjekët specialistë do fillojnë të marrin 50 mijë lek të reja plus në pagën e tyre. E përsëris, janë të reja, domethënë janë 500 dollarë në muaj plus, domethënë janë 6000 dollarë në vit nëse aritmetika ime është e saktë dhe domethënë janë nga muaji prill. Ndërkohë që do të mbajmë zotimin për rritjen 7% të pagës për mjekët e përgjithshëm dhe për infermierët. Shpresoj që mjekët specialistë mos ta kërkojnë dhe 7%-in mbi 50 mijë lekëshin dhe në ndërkohë edhe mjekëve të përgjithshëm dhe infermierëve iu them se ne po përgatisim rritje proporcionale me këtë të mjekëve specialistë dhe besoj shumë që në hyrje të 2024 do kemi edhe për mjekët e përgjithshëm dhe për infermierët një rritje të ngjashme. Dhe më në fund nëse në prill, ne me pagën për mjekët specialistë ngjitemi lartë në pagat e rajonit dhe faktikisht barazohemi me Serbinë, të njëjtën gjë do të bëjmë dhe me pagat e tjera pa diskutim brenda këtij mandati, por kjo është lufta ime dhe e Ogertës me ministren e financave, mundësisht duke filluar nga 2024.

Besoj që, kjo fjalë e fundit nuk ka nevojë për t’u shtuar me fjalë të tjera dhe ia u bën Kongresin më të ëmbël dhe qëndrimin këtu sado të gjatë, më të rehatshëm sepse kështu do të shtyni ditët deri kur të merrni 50 mijë lek plus mbi pagën.

Faleminderit shumë!

Previous Fjala e Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në Kongresin e Parë të Shëndetësisë