Fjala e Ministrit të Financave, 25-vjetori i Shoqatës Shqiptare të Bankave - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Fjala e Ministrit të Financave, 25-vjetori i Shoqatës Shqiptare të Bankave

I nderuar Guvernator,

Të nderuar drejtues të Bankave,

Të nderuar pjesëmarrës,

Është kënaqësi pjesëmarrja në këtë event që shënon 25-vjetorin e krijimit të Shoqatës Shqiptare të Bankave, e shndërruar ndër vite në një platformë koordinimi brenda sektorit bankar dhe në një aktor të rëndësishëm sa i përket përfaqësimit të këtij sektori.

Sistemi bankar në Shqipëri ka bërë progres të ndjeshëm gjatë viteve të fundit, ashtu siç në fakt i gjithë sektori financiar mund të konsiderohet se ka pasur zhvillime të rëndësishme, si rezultat edhe i masave të marra pas krizës financiare të vitit 2008, konceptuar dhe zbatuar në bashkëpunim të ngushtë me FMN dhe Bankën Botërore. Shprehje e këtij konsolidimi ka qenë edhe përballimi i suksesshëm i goditjeve të njëpasnjëshme të viteve të fundit, me tërmetin, pandeminë dhe së fundmi efektet e zhvillimeve gjeopolitike dhe situatat inflacioniste.

Ekonomia e Shqipërisë, edhe në vlerësimet e institucioneve ndërkombëtare, rezultoi ndër ekonomitë më rezistente në rajon dhe tashmë parametrat makroekonomikë shfaqen edhe më të përmirësuar nga ç’kanë qenë përpara krizave.

Në fund të vitit të kaluar, vendi ynë doli nga lista gri e FATF/MONEYVAL, një zhvillim që sjell një sërë ndikimesh pozitive si për individët, ashtu edhe për transaksionet në sistemin bankar.

Gjithashtu, rritja për herë të parë e vlerësimit të Shqipërisë nga Standard& Poor’s në BB certifikon konsolidimin e pozicionit makrofiskal të vendit, shoqëruar me ecurinë pozitive të ekonomisë, performancën e mirë të të ardhurave, trendin ulës të borxhit, si edhe avancimin në procesin e integrimit europian.

Kemi pasur një ecuri shumë pozitive të negociatave, ku veçanërisht një pjesë e mirë e kapitujve që lidhen me ekonominë dhe financat kanë marrë vlerësime pozitive, dhe në kapituj të caktuar, siç është rasti i kapitullit të shërbimeve financiare, renditemi me vlerësimin më të lartë në rajon.

Në këtë drejtim, edhe Plani i Rritjes, i miratuar nga Këshilli Europian dhe që pritet tashmë të nisë zbatimin përmes një plani ambicioz reformash, do të shërbejë si një shtysë për përshpejtimin e procesit të integrimit, duke sjellë për vendet e rajonit disa nga përfitimet e anëtarësimit përpara hyrjes në BE, siç është edhe rasti i anëtarësimit të mundshëm të Shqipërisë në Zonën Unike të Pagesave në Euro, me përfitime të konsiderueshme dhe ulje të kostove të transaksioneve bankare.

Po kalojmë një moment pozitiv ekonomik. Sektori i turizmit ka një zgjerim të jashtëzakonshëm dhe investimet e huaja direkte shënuan shifrën më të lartë prej 1.5 miliardë euro gjatë vitit të kaluar.

Në vazhdën e këtij momenti, gjykoj se jemi në një pozicion të favorshëm për të rritur ambicien tonë për zgjerimin e aksesit në financë dhe për të rritur rolin e sektorit bankar në zhvillimin e sektorit privat në vend.

Janë 4 drejtime të cilat kërkojnë avancimin e përpjekjeve tona të përbashkëta dhe një përfshirje më të gjerë të sektorit bankar.

Së pari, ky sektor duhet të jetë edhe më aktiv sa i përket kreditimit dhe mbështetjes së mëtejshme të zhvillimit të ekonomisë, veçanërisht të atyre sektorëve që kanë edhe më shumë nevojë për mbështetje. Përmirësimi ndër vite i treguesve të shëndetit financiar, ulja e normave të kredive të këqija dhe konsolidimi në tërësi i sektorit bankar, duhet të shërbejnë për të rritur më tej përfshirjen e bankave në kredidhënie.

Së dyti, i duhet kushtuar vëmendje e posaçme alokimit sa më eficient të fondeve, drejt sektorëve më produktivë të ekonomisë, por gjithashtu edhe duke adaptuar dhe zgjeruar praktika të aplikuara tashmë në masë të gjerë në vendet europiane, siç janë ato që kanë të bëjnë me financimin e gjelbër dhe të qëndrueshëm. Gjithashtu, duhen më shumë përpjekje për të rritur gamën e instrumenteve financiare në këtë drejtim.

Së treti, paralelisht me rritjen e kreditimit, për të cilin po dakordësojmë një plan të përbashkët me Bankën e Shqipërisë, si edhe përmirësimin e alokimit të fondeve, duhet bërë më shumë, edhe ky është roli besoj edhe i Shoqatës, në drejtim të rritjes së përfshirjes financiare të popullsisë. Zgjerimi i aksesit në financë, shoqëruar me inciativa konkrete për thellimin e edukimit financiar, u jep më shumë njohuri dhe mundësi qytetarëve dhe bizneseve për t’u përfshirë më tepër financiarisht dhe për të ndërmarrë veprime të zgjuara në dobi të përfitimeve individuale, por edhe për ekonominë e vendit në tërësi.

Dhe së fundi, por jo më pak i rëndësishëm, inovacioni, digjitalizimi dhe modernizimi i mëtejshëm i shërbimeve, kur jetojmë në Botën e Fintech dhe inteligjencës artificiale, duhet të mbetet një prioritet i sektorit bankar. Dhe paralelisht me këto zhvillime, i duhet kushtuar vëmendje edhe rritjes së vazhdueshme të sigurisë kibernetike.

Duke ju uruar edhe njëherë për këtë përvjetor, shpresoj të vazhdojmë të njëjtin bashkëpunim të suksesshëm, si gjatë këtyre viteve.

Faleminderit!

Previous Vjenë/Forcimi i bashkëpunimit mes Shqipërisë e Austrisë në fushën e sigurisë, Balla pritet nga homologu Karner