Fjala e Ministrit të Financave, Ervin Mete, në Forumin e CEO-ve të “Dhomës Amerikane të Tregtisë” - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Fjala e Ministrit të Financave, Ervin Mete, në Forumin e CEO-ve të “Dhomës Amerikane të Tregtisë”

Kënaqësi e veçantë për mua që të jem i ftuar sot në një takim me Bordin e Dhomës Amerikane dhe me drejtuesit e kompanive që janë anëtare të kësaj Dhome, si një nga trupat më prezente, më influencuese dhe me pjesëmarrjen më dinjitoze në hapësirën e dhomave por edhe të ndërveprimit me grupet e biznesit që ne kemi në Shqipëri.

Kemi pasur një komunikim shumë të mirë dhe më vjen mirë që, që nga momenti i zgjedhjes suaj në të cilin unë mora pjesë e deri tani, ne kemi mbajtur komunikimin të hapur dhe prandaj sugjerova që këtë komunikim, veçanërisht për fusha të caktuara, siç është pjesa fiskale që ju prej juve direkt të gjithëve por që është edhe në fokusin tonë kryesor, ne të mund ta strukturojmë dhe në një format më të drejtpërdrejtë dhe më transparent sepse jam i bindur që nga komunikimi lindin pastaj edhe nevoja e ide për të ndërmarrë masa për të ndryshuar.

Ky takim vjen pak ditë pasi ne kemi marrë lajmin shumë të mirë nga Agjencia Ndërkombëtare e Vlerësimit “Standard & Poor’s” që ka rritur vlerësimin për Shqipërinë në BB-, nga vlerësimi BB+ që ne patëm në nëntor e që më parë kishte qenë vlerësim BB, e që praktikisht është një certifikim jo vetëm i ecurisë së mirë të vendit, por edhe një vlerësim për momentin e mirë që po kalon ekonomia dhe për menaxhimin dhe qëndrueshmërinë e financave publike në tërësi.

Vlerësimi do të forcojë më tej pozitat e jashtme të Shqipërisë dhe parashikojmë se do të shoqërohet me përfitime konkrete për ekonominë e vendit, pasi jo vetëm në terma të diskutimit të brendshëm apo në terma të aspekteve financiare, por edhe në terma reputacionale për imazhin e vendit por edhe për besueshmërinë e vendit dhe klimën e investimit për investitorët e huaj, është një tregues që merret parasysh.

Ashtu si nga ana tjetër, për ne ky vlerësim është lehtësues sa i përket aksesimit dhe huamarrjes së Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare.

Vlerësimi në vetvete është një shprehje e përmirësimit të treguesve makroekonomikë, falë performancës shumë të mirë të sektorit të turizmit që u përmend, i cili gjatë vitit të kaluar solli afro 4.2 miliardë euro të hyra në ekonomi, me një rritje prej 47% krahasuar me vitin 2022. Lajm shumë i mirë që morëm dje ishte që investimet e huaja arritën në nivelin më të lartë historik në vitin 2023, prej afro 1.5 miliardë euro, sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Banka e Shqipërisë.

Vlen të theksohet se vitin e kaluar ne patëm nivelin më të ulët të detyrimeve të prapambetura prej 1% në raport me shpenzimet, që nga momenti që kemi nisur si Ministri e Financave t’i monitorojmë detyrimet e prapambetura dhe në terma të detyrimeve të prapambetura sa i përket rimbursimit të TVSH-së, ato në fund të vitit kanë qenë zero. Përderisa po diskutojmë edhe për aspektet fiskale, ju të gjithë e dini që rimbursimi i TVSH-së ka qenë një çështje dhe në momentin që ne mbyllim një vit me praktikisht zero detyrime të prapambetura sa i përket rimbursimit të TVSH-së, është një shenjë e mirë edhe për pjesën e menaxhimit fiskal.

Siç mund të jeni në dijeni, jemi në një komunikim vazhdues me Fondin Monetar Ndërkombëtar për të finalizuar një strategji të menaxhimit afatmesëm të të ardhurave, e cila do të fokusohet kryesisht në çështje të administrimit fiskal.

Edhe pse vitin e kaluar ishin parashikuar disa masa të politikës fiskale, ne nuk i ndërmorëm me synimin që pikërisht të arrinim një qëndrueshmëri të legjislacionit fiskal sa i përket ndryshimeve të politikës dhe ta fokusojmë përpjekjen te përmirësimi i administrimit, që të gjithë biem dakord se ka nevojë të avancohet më tej. Në këtë përpjekje do të kemi partner edhe FMN-në dhe ekspertët e tyre me të cilët, siç thashë, do të finalizojmë një strategji të menaxhimit afatmesëm të të ardhurave ku do të ketë një sërë masash për përmirësimin e administrimit.
Jemi në një diskutim, i cili është përmendur edhe nga Kryeministri, lidhur me disa masa të mundshme lehtësuese sa i përket tatimit, të cilat ne po i konsiderojmë dhe në qershor mundet që të prezantojmë edhe një mini paketë, me synimin që këtë moment të mirë dhe këtë ecuri të mirë të të ardhurave ta përkthejmë edhe në lehtësi veçanërisht për shtresën e mesme sa i përket tatimin mbi të ardhurat.

Një element tjetër i rëndësishëm që doja të theksoja, ndër çështje të tjera, është aderimi në Sistemin Unik Evropian të Pagesave. Ne patëm një takim shumë të frytshëm dhe një Ministerial para pak kohësh me ministrat e rajonit, së bashku me Bankën e Shqipërisë, dhe nëse do ta realizojmë e së shpejti në qershor presim të bëjmë aplikimin për t’u anëtarësuar në rrjetin evropian të pagesave, përfshirja jonë atje lehtëson transaksionet, na jep akses në sisteme moderne pagesash dhe praktikisht i përafron ato me sistemet e Bashkimit Europian.

Për të kaluar te tema jonë, unë jam marrë gjatë me fiskun, kam pasur mundësi që të ndërveproj me Dhomën Amerikane edhe më herët. Jemi në proces të ngritjes së Këshillit Tatimor, që ka qenë një strukturë shumë e mirë. Kanë ardhur një sërë propozimesh dhe do t’u nxisja që të vijnë edhe propozime të tjera për anëtarësim, në mënyrë që ne ta ngremë sa më shpejt dhe ta kemi funksional Këshillin, si një instrument apo si një mekanizëm që këto lloj takimesh i kthen në periodike dhe ballafaqon ekspertë teknikë fiskalë të mandatuar nga ju me pjesën e Ministrisë së Financave në mënyrë që të jemi edhe më të zhdërvjellët në gjetjen e zgjidhjeve.

Shumë faleminderit!

Previous Vatikan, Ministri Hasani: Dialogu dhe vëllazëria fetare thelbësore për sigurimin e paqes, Shqipëria shembulli i përkryer