Forumi i Menaxhimit të Integruar të Burimeve Ujore në Shqipëri - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Forumi i Menaxhimit të Integruar të Burimeve Ujore në Shqipëri

Fjala e Zëvendëskryeministres, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në Forumin e Menaxhimit të Integruar të Burimeve Ujore në Shqipëri:

Mirdita të gjithëve!

Është kënaqësi që të jem sot në një nga forumet teknike më të rëndësishme. Për të thënë të drejtën dua të falënderoj padyshim të gjithë partnerët tanë dhe ambasadorët që përfaqësojnë vendet e tyre, por veçanërisht mikun tim Silvion, ambasadorin Gonzato, që këtë javë na është dashur që të shihemi dy herë, gjë që tregon që bashkëpunimi mes Qeverisë Shqiptare dhe Bashkimit Europian është intensifikuar ndjeshëm vitet e fundit dhe Qeveria Shqiptare ka në fokus të saj dhe prioritet të saj që të përthithë sa më shumë jo vetëm fondet që Bashkimi Europian vë në dispozicionin tonë sot, përsa i përket të gjithë ndryshimeve që duhen bërë, duke nisur nga përafrimet ligjore dhe deri tek përfitimi i ekspertizës për këto çështje të rëndësishme, siç është nëntoka, apo siç është uji.

Por nga ana tjetër, padyshim ne jemi shumë të predispozuar dhe të angazhuar që gjatë këtyre proceseve stafet të cilat do të jenë pjesë, stafet shqiptare të institucioneve tona, që do të jenë pjesë e këtyre proceseve do të ngrenë një nivel tjetër kapaciteti teknike, duke e kthyer kështu në një ‘knowhow’ që me të vërtetë është e paçmuar përsa i përket vlerave në vazhdim për Republikën e Shqipërisë.

E nisa duke thënë që me Silvion kemi qenë edhe më parë gjatë kësaj jave në një tjetër event shumë të rëndësishëm në ngritjen e Qendrës së Inovacionit dhe Teknologjisë përsa i përket materialeve të lëndës së parë dhe kjo një iniciativë e mbështetur nga Bashkimi Europian dhe tek takohemi sot përpara përfundimit të javës për të folur për një projekt jashtëzakonisht të rëndësishëm, siç është EU4Rivers, realisht unë shikoj se tashmë maturia e kërkesave të vendit tonë dhe maturia e stafeve që janë duke punuar me këto kërkesa ka arritur një nivel të konsiderueshëm që vlerësohet edhe nga Bashkimi Europian, ashtu siç ndodhi dhe më të gjitha stafet e qeverisë shqiptare që përfaqësuan vendin tonë gjatë procesit të screening, duke marrë një raport të shkëlqyer për performancën e tyre, për përgatitjen dhe për angazhimin. Unë dua që ti siguroj të gjithë partnerët që janë sot këtu, të cilët na kanë mbështetur si në mënyrë financiare, ashtu dhe nga ana teknike që do të kemi të njëjtin angazhim dhe të gjitha stafet të cilat do të punojnë për realizimin e këtij programi, pasi është më shumë se një projekt, do të kenë të njëjtin angazhim siç ne kemi pasur gjatë periudhës së screening për të treguar profesionalizëm dhe për të treguar padyshim që ekipet shqiptare janë gati për të përthithur këtë eksperiencë dhe ekspertizë të vyer.

Duhet thënë që kemi kuptuar, sidomos 5 vitet e fundit, për shkak edhe të intensitetit të këtyre programeve se padyshim bashkëpunimi i ngushtë me Bashkimin Europian dhe të gjitha vendet e tjera anëtare është një kyç suksesi për të forcuar sektorët tonë, sidomos një sektor kaq vital, por nga ana tjetër edhe thelbësor siç është sektori i ujit. Duke përfshirë këtu nga mbrojtja e lumenjve tek mbrojtja e burimeve natyrore, tek mënyra e përdorimit të tyre me efiçencë, pasi sot jemi edhe para debateve që ndërkohë që jemi duke ndërtuar një ujësjellës në zonën e Himarës kemi një debat të hapur përsa i përket burimit nga ky ujësjellës do të furnizohet. Pra, sot flasim për çështje esenciale që kanë të bëjnë me detyrimin tonë si qeveri për të ofruar shërbime që kur vjen puna tek uji janë shërbime bazike dhe është e drejtë e çdo qytetari që të marrë sasinë e parashikuar pikërisht nga ligjet e Bashkimit Europian të ujit të pijshëm.

Por nga ana tjetër, pavarësisht kësaj nevoje dhe detyrimi të shtetit për ta ofruar ne jemi dhe shumë të kujdesshëm se cilat janë këto burime që do të disponohen për tu përdorur edhe për këto synime kaq të vyera, siç është shërbimi ndaj qytetarëve. Kështu që kjo tregon një shkallë të lartë të sensitivitetit të Qeverisë Shqiptare dhe të institucioneve dhe padyshim programi EU4Rivers vjen në momentin e duhur. Vjen në momentin e duhur atëherë kur shteti tonë do ti duhet që të përafrojë një sërë ligjesh për ti sjellë në të njëjtin nivel me ato të Bashkimit Europian, kur ne na duhet që të bëjmë një ri inxhinerim të të gjitha proceseve, qofshin këto proceset e analizës, proceset e ‘safety assessment’ që ne bëjmë për çdo lloj burimi dhe deri tek ato procese të cilat do të vendosin të gjithë këtë pasqyrë të madhe të trajtimit dhe të mbrojtjes së ujërave në një nivel tjetër teknik dhe ligjor.

Kështu që duhet thënë që deri më tani fokusi ynë padyshim ka qenë në përafrimin e legjislacionit, por tashmë një sfidë e madhe do të jetë zbatimi i tij, pasi siç e kemi thënë gjithmonë, kryeministri e përsërit shpesh, që ne kemi ligje të mira, por çalojmë në zbatimin e tyre, në përkthimin e tyre në terren, sesi ato do të gjejnë mundësi për tu zbatuar nga të gjitha njësitë, jo vetëm nga Ministritë, por deri në nivelin e pushtetit vendor. E gjitha kjo është një sfidë e madhe dhe padyshim që perspektiva europiane e menaxhimit të burimeve ujore është ngushtësisht e varur nga suksesi i këtij projekti. Qeveria Shqiptare sot shpreh angazhimin e saj maksimal për një bashkëpunim sa më të mirë dhe për të marrë nga ky projekt aq sa do të munden stafet tona, por që ne i vlerësojmë të përgatitura në një shkallë shumë të mirë profesionale.

Nga ana tjetër, duhet thënë që ky projekt është një projekt që është i mirëdizenjuar me disa shkallë ndërhyrje, me detyra të qarta të ndara midis donatorëve që do të ofrojnë eksperiencën e tyre dhe mbështetjen financiare dhe midis përfituesit që në këtë rast është Qeveria Shqiptare përmes gjithë institucioneve të saj. Ndaj planifikimi strategjik dhe financiar i këtij projekti i cili pritet të realizohet nëpërmjet një mbështetje të fuqishme që sot merr jetë përfshin dhe një sërë instrumentesh që do të na ndihmojnë në atë pikën e dobët që unë ju thashë që sipas meje është gjithmonë zbatimi.

Ne jemi të mirë për të shkruar. Jemi të mirë për ti aprovuar ato ligje, por zbatimi është një sfidë e jashtëzakonshme para nesh dhe unë këto do gjeja rastin që t’ju kërkoja të gjithë partnerëve tanë që të na ndihmojnë edhe në këtë fazë të rëndësishme. Në ndërkohë që duhet thënë që gjatë vitit 2024 janë miratuar në parlament dhe pritet të hyjnë në fuqi shumë shpejt dy ligje të rëndësishme që është ligji për burimet ujore dhe ligji për strategjinë e mbrojtjes së mjedisit detar duke shprehur dhe një herë kështu vullnetin e qeverisë dhe të parlamentit shqiptar për të përmbushur detyrimet dhe angazhimet e marra gjatë procesit të integrimit europian dhe duke theksuar se cilësia e ujit është një nga nënkapitujt më të rëndësishëm të Kapitullit 27, ashtu siç dhe e përmendi Gerta.

Në ndërkohë Qeveria Shqiptare në fund të vitit 2023 ka miratuar tre plane menaxhimi të baseneve lumore që përfaqësojnë zonën më intensive ekonomike-sociale të vendit tonë dhe sigurisht pjesët më të rëndësishme të nuklave turistike tashmë të ngritura.

Është një sfidë shumë e madhe për një qeveri dhe unë shpresoj që partnerët të na kuptojnë, pasi progresi i tyre ka qenë një progres i qetë dhe linear. Ndërkohë që progresi i Shqipërisë është një progres me rritje ekspansionale. Nëse në vitin 2019, si viti i fundit normal para pandemisë, ne flisnim për një numër vizitorësh pak më shumë se 2 milionë, vetëm në 5 vite dhe duke pasur ato dy vitet e tmerrshme të mbylljes totale dhe globale, kini parasysh që ne presim gjatë këtij viti 14 milionë turistë, të cilët janë tashmë të konfirmuar, pra ka mundësi që ky projeksion i yni të ndryshojë në rritje. Mund të imagjinoni se çfarë ndodh kur ju vetë jeni në shtëpi dhe keni ftuar për darkë 4 veta dhe ju shfaqen në derë 10. As karriget për t’u ulur nuk janë të disponueshme apo jo? Në ndërkohë që nga 2 milionë e gjysmë në dyert tona do të shfaqen 14 milionë vizitorë, të cilët janë plotësisht të mirëpritur.  Pasi nëse dimë një gjë të bëjmë mirë ne shqiptarët është të mikpresim. Zoti na ka dhënë një art të jashtëzakonshëm bujarie që shqiptarët edhe kur nuk janë të përgatitur dhe nuk i kanë të gjitha ato zahire që duhet arrijnë që ta mbushin tryezën plotë sepse e mbushin me shpirt dhe me bujari.

Por në këtë rast nuk do të funksionojë kështu sepse ne jemi të përgatitur tashmë nga ana infrastrukturore, rrugë, autostrada, tunele, aeroporte dhe porte të reja janë duke u bërë gati për t’u dorëzuar apo për të nisur ndërtimi i tyre. Kemi një fokus të jashtëzakonshëm përsa i përket trajtimit të ujërave pasi Qeveria Shqiptare ka marrë një vendim përmes një akti normativ në fillim të këtij viti që të kërkojë ndihmën e të gjithë subjekteve tregtare që operojnë sot në fushën e turizmit për të mbrojtur ujërat larës të Republikës së Shqipërisë që në fund të ditës, pasi kjo është narrativa që unë përdor me subjektet sa herë që ulem me ta, në fund të ditës është produkti i cili ne ofrojmë për turizmin. Një nga produktet, përveç maleve të larta, të gjithë atyre rrugëtimeve interesante në malet tona, përveç fushave dhe korieve, ujërat tonë larës janë ato që e bëjnë Shqipërinë tonë të veçantë. Liqenet, lumenjtë, Vjosa, i fundit lumë i egër në Europë dhe padyshim bregdeti shqiptar në të cilin në atë gjatësi, jo fortë të madhe për vendet e mëdha europiane, shtrihen dy dete, ai Adriatik me rërën e butë dhe ai i Jonit me thellësinë e kaltër epike, që kur ti del në Llogara dhe kur të dilni sivjet në 30 qershor nga tuneli i Llogarasë, do të jetë akoma dhe më mbresëlënëse.

Të gjitha këto elementë, të falur nga zoti bujarisht, nuk mund të lihen më në dëshirën e secilit, është e pamundur. Shqiptarët me të vërtetë e duan vendin e tyre. Me të vërtetë vendi i tyre është shumë i shtrenjtë dhe e mbrojnë dhe e kanë mbrojtur në të gjithë këtë fazë të egër dhe të vështirë tranzicioni, por sot ka ardhur si nevojë dhe si detyrë e qeverisë që ujërat larës, një pasuri e jashtëzakonshme e vendit tonë, e kthyer tashmë në një motor të zhvillimit ekonomik përmes turizmit, duhen mbrojtur.

Ndaj EU4Rivers vjen në momentin e duhur. Ndaj ne do të kemi një angazhim maksimal dhe unë padyshim gjej rastin këtu të falënderoj ambasadën austriake për të gjithë ndihmën që na ka dhënë. Dhe Agjencinë Austriake të Zhvillimit për lehtësimin e punës së vazhdueshme. AMBU për punën që po bën, por që sigurisht do ti kërkoja drejtueses dhe të gjitha stafeve që duhet të punojmë akoma më intensivisht për të riorganizuar të gjithë proceset e punës dhe për të hequr burokracinë e panevojshme dhe padyshim për të shtuar monitorimin për të gjithë proceset e rëndësishme që kjo Agjenci kryen. Sigurisht dua të falënderoj Bashkimin Europian, përmes përfaqësuesit këtu, ambasadori Gonzato, për të gjithë mbështetjen, për frymëzimin dhe padyshim për punën e palodhur të të gjithë stafeve të Komisionit këtu në Tiranë, pasi unë realisht ndihem që punoj me shokë, me të cilët kam të njëjtin synim për të çuar Shqipërinë përpara dhe për t’a anëtarësuar sa më shpejt.

Shumë faleminderit për vëmendjen dhe uroj që kjo të jetë sot një ditë shumë konstruktive dhe gjithçka që do diskutoni këtu të gjejë zbatim sa më shpejt.

Faleminderit.

Previous Mbledhja e mbetjeve me orar/ Kumbaro inspektim në Mat: Rrisim gjobat për kundravajtjet mjedisore