Future Hospitality Forum 2026, ministri Gonxhja: Investimet në infrastrukturën e turizmit të shoqërohen edhe me rritjen e kapitalit njerëzor

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, mori pjesë në “Future Hospitality Forum 2026”, të organizuar nga Agjencia Shqiptare për Zhvillimin e Investimeve, ku u shpreh se investimet në infrastrukturën e turizmit duhet të shoqërohen me investime në kapitalin njerëzor dhe me rritjen e standardeve të shërbimit.

“Një destinacion nuk mund të zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme nëse kërkesa rritet më shpejt se cilësia. Prandaj, një nga sfidat kryesore për vitet në vijim është të sigurojmë që investimet në infrastrukturën e mikpritjes të shoqërohen me investime po aq të rëndësishme në kapitalin njerëzor”, u shpreh ministri Gonxhja.

Ai theksoi se objektivi është që rritja e numrit të turistëve të shoqërohet me standarde më të larta, shërbime më profesionale dhe krijimin e vendeve të punës me kualifikim të lartë.

“Suksesi i një destinacioni matet jo vetëm nga numri i njerëzve që e vizitojnë atë, por edhe nga përvoja që ata marrin me vete, nga kohëzgjatja e qëndrimit, nga besimi i tyre për t’u rikthyer dhe, mbi të gjitha, nga vlera që ata krijojnë për ekonominë vendase”, u shpreh ministri.

Në fjalën drejtuar investitorëve dhe përfaqësuesve të markave ndërkombëtare, ministri Gonxhja theksoi potencialin e mëtejshëm të sektorit të turizmit dhe mundësitë për zgjerimin e investimeve në tregun shqiptar të mikpritjes.