Gjirokastër, mes njerëzve të punës dhe pranë njerëzve në nevojë për t’u dhënë mbështetjen maksimale në përballimin e sfidave të kohës - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Gjirokastër, mes njerëzve të punës dhe pranë njerëzve në nevojë për t’u dhënë mbështetjen maksimale në përballimin e sfidave të kohës

Gjirokastra, një tjetër qytet i rilindur mes vlerave unike që mbart, është një destinacion gjithnjë e më i preferuar turistik, falë investimeve të shumta në infrastrukturë dhe atraksioneve të reja, muze, bujtina dhe shtëpi karakteristike, që edhe pse të restauruara në themel, ruajnë më së miri traditën e bukur gjirokastrite. Kryeministri Edi Rama ishte sot në Gjirokastër ku zhvilloi një takim me operatorë turistikë, të rinj të kthyer nga emigracioni, të cilët me mençuri dhe mbështetjen e duhur nga qeveria vazhdojnë të hapin dyer të reja sipërmarrjesh familjare.

* * *

Shumë faleminderit që erdhët këtu ndërkohë që mesa pashë edhe mbrëmë edhe pak sot, i keni plot me aktivitet bujtinat, hotelet, dyqanet tuaja në Qafën e Pazarit dhe më vjen shumë mirë që përsëri, ndjesia e marrë nga kjo vizitë është ndjesia e ndryshimit, e gjërave të reja, e një zhvillimi që bëhet gjithmonë më kapilar, tanimë jo vetëm falë punëve që bën qeveria me bashkinë, por edhe falë rritjes së qëndrueshme të investimeve për të krijuar sipërmarrje të reja familjare dhe për rritur ekonominë familjare dhe lokale.

Unë pata kënaqësinë dje të jem në një tjetër strukturë tjetër të re hoteliere. I kam thënë në fakt Mirelës që është një farë basti, sa herë vij në Gjirokastër dhe unë nuk vij rrallë më thënë të drejtën, dua të shoh një hotel të ri, një bujtinë të re. Deri tani në vijimësi kjo ka qenë plotësisht e mundur ndërkohë që ju e dini më mirë se unë, deri para 5-6 vjetësh këtu kishte shumë pak dyer të hapura dhe kishte shumë pak vizitorë dhe kishte shumë gri, shumë hije harrese dhe braktisjeje që kur hyje, ai sheshi i Çerçizit, makina në gropa dhe në Qafën e Pazarit ku kalldrëmet ishin keq, ndërtesat ishin keq, për të mos folur pastaj për pjesët e tjera që i bënin vetëm jehonë zbrazjes.

Tani jemi në një kthesë, në një kthesë që natyrisht vazhdon, nuk është kthesë e kryer, por jemi në një kthesë dhe për hir të së vërtetës jo vetëm janë hapur struktura të reja, por edhe cilësia është mbresëlënëse.

Hoteli i ri që isha unë, “Rose Garden”, takova sot edhe bisedova pak me pronarin që ka investuar, familja e tij, po ju them që s’ka asgjë më pak sesa hotelet me 5 yje nga pikëpamja e pastërtisë, nga pikëpamja e cilësisë së gjithë aksesorëve të dhomës, nga pikëpamja e mjedisit plus edhe pishina fantastike aty nën kalanë e Gjirokastrës, me atë pamje perfekte.

Ndërkohë kjo nuk është një situatë rozë, është një situatë shumë shqetësuese sepse bota, e bashkë me botën edhe Europa, e bashkë me Europën edhe Shqipëria, e bashkë me Shqipërinë edhe Gjirokastra, e bashkë me Gjirokastrën edhe fshati më i largët i zonës, kanë hyrë në një epokë të re kërcënimesh. Në një epokë të re rreziku që vjen nga përshkallëzimi i një konflikti i cili ka degraduar deri në një pikë që ne të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm për shkak se jetojmë të gjithë më lajme, jetojmë shumë me shpejtësinë e lajmeve, jetojmë shumë me llafe, imazhe nëpër telefona, nëpër televizorë, nëpër kanale, nëpër portale, por është e paimagjinueshme po të qëndrosh një sekondë dhe të mendosh që po flitet për një luftë bërthamore sikur të flitet për një përplasje me gurë në lagje. Një luftë bërthamore që do të thotë fundi dhe natyrisht që pavarësisht se nuk jemi aty ku hidhen bombat dhe aty ku është zemra flakëruese e këtij konflikti të madh botëror, jemi nën goditjen e inflacionit të kësaj lufte, të luftës së Vladimir Putin, të agresionit ekstrem jo ndaj Ukrainës, por ndaj Perëndimit sepse basti i Putinit është rrëzimi i Perëndimit nga dimri. Po flitet sot për një dimër që do të jetë më i vështiri pas Luftës së Dytë Botërore për Europën, por edhe për ne. Dhe do të jetë më i vështir, pse? Sepse Europës i janë kufizuar maksimalisht burimet e energjisë elektrike dhe të ngrohjes dhe të funksionimit të të gjithë industrive. Po ne ku jemi në këtë kontekst? Ne në këtë kontekst jemi ende të pagoditur për fat, por edhe për shkak të vendimit dhe vendosmërisë së qeverisë me thënë të drejtën nga rritja e çmimit të energjisë.

Ju vazhdoni funksiononi me çmimet e para luftës, ndërkohë që në faturën tuaj ajo që nuk duket është ajo që paguan buxheti, që paguan arka e përbashkët e shtetit sepse ne besojmë shumë fort që qeveria është këtu për t’u bërë mburojë dhe për të mos lejuar që kriza energjetike, që i ka çuar çmimet në stratosferë, të shfaqet ne faturën e energjisë elektrike qoftë edhe të familjeve, qoftë edhe të bizneseve të vogla. Madje pavarësisht se ne kemi vendosur një fashë deri në 800 kËh për të gjitha nevojat e familjeve dhe kemi thënë që mbi 800 kËh do të paguhet çmimi real i energjisë sepse mbi 800 kËh,  janë një numër i vogël familjesh në krahasim më tërësinë e abonentëve që shkon maksimumi deri në 60 000. Prapë se prapë duke parë që kishim një mundësi ne nuk e lamë atë mundësi për të futur duart në arkën e familjeve mbi fashën, por përsëri e shtyjmë sepse u krijuar një mundësi dhe tani jemi duke parë, do të krijohet prapë një mundësi që të mos vendoset fasha në muajin nëntor. Dhe për tu krijuar kjo mundësi duhet nga njëra anë të kemi reshje, koha është shumë e bukur. Unë jam së bashku me kolegët dhe koleget e qeverisë me një mërzi të brendshme sa herë hapim sytë dhe nuk shikojmë re dhe shi, komplet paradoks, por kështu është dhe nga ana tjetër përveç reshjeve duhet dhe kursim. Kemi parë sot dy gjëra fantastike që i janë shtuar Gjirokastrës edhe që i janë shtuar edhe biznesit tuaj sepse sa më shumë arsye shtohen për të ardhur në Gjirokastër aq më shumë njerëz do vijën dhe aq më shumë do vijën do “përplasen” tek ju për të ngrënë, për të fjetur dhe për blerë suvenire.

Muzeu etnografik, muzeu etnografik dhe shtëpia muze e Ismail Kadaresë të cilat të dyja tani janë  në një nivel komplet tjetër, muze europian falë përkujdesjes së Ministrisë së Kulturës, të ministres vetë të Turizmit dhe Mjedisit që është dhe drejtuesja e qarkut, që është deputete e Gjirokastrës dhe që i qepet siç thoshin atëherë “turku hallvës”, çdolloj pune që ka të bëjë me Gjirokastrën që nga punët që kanë të bëjnë me kulturën, deri tek ato që kanë të bëjnë me hallet personale të njerëzve këtu, por falë edhe dy projektesh fantastike të një arkitekti të famshëm i cili i dha jetë edhe muzeut Marubi dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit që po punon shumë në Gjirokastër sëbashku me bashkinë, sëbashku me kryetarin e bashkisë dhe ndërkohë dritat ndezur. Ditë, drita ndezur se e kemi sistemin që dritat ndizen menjëherë, dakord,por duhet kursyer, dhe nuk duhen dëgjuar hienat e së djathtës së rublave që skërmiten nëpër klubet e netëve televizive duke sharë e duke akuzuar për brutalitet ministren e Energjisë apo ndonjë tjetër që flasin për kursim. “Çfarë është kjo arrogancë, kujt ia tregojnë këta”? Çfarë arrogance?

Dje pashë kryetaren e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen që fliste për kursime energjie, si? Do ta kursejmë, po ta kursejmë do ta kemi po nuk e kursyem nuk do ta kemi dhe për ta pasur duhet ta paguajmë sa frëngu pulën sepse kjo është një balancë. Ne duhet ta importojmë një pjesë të energjisë dhe sa më pak shi të bjerë këtu aq më shumë duhet të importojmë. Ne edhe sikur ti kemi hidrocentralet plot, ne përmbushim vetëm 75% të nevojave, ai 25% akoma duhet importuar, prandaj po investojmë në parqet me energji diellore, prandaj po futemi dhe në energjinë e erës, prandaj po investojmë edhe për termocentralin e famshëm dhe famëkeq në Vlorë që në fund do vihet në funksion të ekonomisë shqiptare dhe të sistemit tonë të përgjithshëm energjetik duke u bërë baza e një zhvillimi të ri për gazin e lëngshëm që do të marrim në Shqipëri. E do të bëhemi kështu një pikë referimi dhe në rajon për eksporte, por të gjitha këto duan dhe kohën e tyre dhe kjo krizë erdhi pa na pyetur. Nuk e sollëm ne as luftën, as inflacionin e luftës, as rritjen e çmimeve, por nga ana tjetër ne do bëjmë çmos që dhe inflacionin e luftës dhe rritjen e çmimeve ta përballojmë më lehtë sëbashku duke vendosur më shumë financa në dispozicion të njerëzve të këtij vendi, prandaj i kemi ri indeksuar dy herë pensionet dhe kemi bërë rritjen më të madhe të pensioneve këtë vit, 10%, që nuk mjafton nuk diskutohet. Kur flas për rritje, të gjithë duhet të më bëjnë skonton sepse nuk jam duke thënë që çohuni dhe duartrokisni përkundrazi duhet t’i rrisim dhe më shumë, jemi mbrapa akoma me rritjen e pagave, jemi mbrapa, jam i vetëdijshëm që jemi mbrapa. I kemi rritur se ishim me një distancë të madhe nga rajoni, por përsëri jemi mbrapa, duhet ta rrisim më shumë pagën minimale. Edhe juve ju them, është koha për të mos menduar më me logjiken e “hë se mbajnë këta”, është koha për të mos menduar më, është koha për të paguar më shumë punonjësit, për t’i pasur këtu, edhe për t’i kthyer këtu, pse jo? Për t’i kthyer këtu nga Greqia, se vërtetë mund të marrin pak më shumë në Greqi, por paguajnë edhe më shumë se nuk kanë shtëpinë e tyre dhe nuk kanë shumë gjëra të tjera që atje duhet t’i paguash. Por si mund të kthehen në rast se paga, minimalja nuk është më e lartë.

Ne në planin tonë dhe të qeverisë e kishim që të arrinim 400 mijë lekëshin brenda mandatit, nuk është e mundur, duhet të arrijmë më shpejt, duhet ta arrijmë më shpejtë pagën minimale 400 mijë lek. Është e domosdoshme! Duhet të rrisim edhe më shumë pagat e gjithë punonjësve dhe të shërbëtorëve të shtetit edhe pse i kemi rritur, infermierë, mësues etj, prandaj ne nuk kemi bërë një paketë tjetër nga ato tre mujoret, dy mujoret apo të përkohshmet, por kemi bërë një rritje që duhet të jetë aty, duhet të jetë e qëndrueshme dhe prandaj duhet të vendosim përsëri me buxhetin tjetër të 2023-it një financim të veçantë për të përballuar këtë situatë. Do të kemi buxhetin dyfish të 2013-ës, kjo për ata që thonë: “Hë se gjërat po shkojnë keq e më keq”. Si po shkojnë keq e më keq, në çfarë formë? Po shkon keq e më keq në aspektin e përgjithshëm? Sepse për fat të keq bota po shkon keq e më keq për shkak të atij përshkallëzimi dhe për shkak të një konflikti të madh midis demokracive dhe autokracive dhe ne jemi pjesë e kësaj, por për Shqipërinë jo, për Shqipërinë jo vetëm që nuk po shkon keq e më keq, por po shkon mirë e më mirë. Ama nuk po shkon aq mirë sa duhet të shkojë, ky është problemi sepse bam tërmeti, bam pandemia, bam bum kjo situata e re dhe ne duhet të përballemi. Duhet të përballemi dhe po përballemi dhe fakti që sot këtu të gjithë ju keni punë, të gjithë ju keni më shumë punë se çfarë kishit nga vjet dhe po kalohet dhe viti më i mirë që ishte viti 2019, domethënë që gjërat po shkojnë më mirë. Patjetër që duhet të shkojnë edhe më mirë!

Ne kemi vendosur një bonus të ri të jetësimit të shtëpive dhe janë 11 përfitues në Gjirokastër për 11 shtëpi të tjera por nuk mjafton. Do të vazhdojmë, ashtu sikundër do ta vendosim më në fund dhe atë masën që kemi kohë që diskutojmë që kush mban shtëpinë e vjetër peng, jo një pronar, jo 10 pronarë, jo 40 pronarë, nuk mund ta mbajë peng. Sepse këto shtëpi nuk janë thjeshte shtëpi të pronarëve, janë trashëgimi jo e shqiptarëve por trashëgimi botërore. Gjirokastra është trashëgimi botërore kështu që nuk mund ta mbash peng dhe të thuash: “Jo, nuk e jap unë”, sepse je i detyruar dhe do gjejmë një sistem që do jetë më detyrues, siç i kanë vendet e tjera.

Nga ana tjetër po diskutojmë për artizanat, këtu ka disa që merren me këtë, apo jo? Po diskutojmë për artizanatin për ta stimuluar më shumë. Kemi nevojë që ta stimulojmë artizanatin dhe kemi nevojë që në dyqanet e artizanatit të kemi sa më shumë gjëra autentike dhe jo tre gjëra autentike dhe 15 mallra kineze, prodhime kur artizanati ka nevojë për mbështetje. Kështu që po diskutojmë për një skemë financimi të gjitha taksave të dyqaneve të artizanatit. T’ia paguajë qeveria të gjitha. Bashkia ka nevojë për taksën e pastrimit, bashkia ka nevojë për taksën e pronës, bashkia ka nevojë për tarifat vendore, t’ia marrim përsipër, nuk janë mijëra e mijëra dyqane artizanati, janë pak dhe ndërkohë do stimulojmë gjithë rrjetet e artizanëve. Ka plot gra që qëndisin nëpër fshatra, ato nuk mund të vijnë të futen në punë në qytet se janë larg, kanë një moshë të caktuar, kanë fëmije, por mund të shkojë puna tek ato duke i çuar atyre punën për të qëndisur dhe pastaj duke e marrë dhe këto rrjete kanë filluar të krijohen, por ne duhet t’i stimulojmë më shumë.

Tjetra që na ka dhënë shumë rezultat është gjithë mbështetja e veçantë që i japim bujtinave dhe mikpritjes në tërësi, qoftë me TVSH-në e ulët, qoftë me gjithë sistemin komplet të ulët dhe të lehtë të taksimit, por e përsëris, duhet të merreni vesh qartë që duhen rritur pagat. Pagat minimale duhen rritur, pagat në tërësi duhen rritur, është e domosdoshme. Është e domosdoshme sepse kostoja e humbjes së kapitalit njerëzor dhe mbetja pastaj me pak njerëz që duhet të bëjnë trefishin e punëve aty-aty del. Është një kosto që prapë nuk të çon asgjëkund. Pra nuk është se të nxjerr më me fitim në fund, duket por s’është.

Është shumë e rëndësishme që t’ju dëgjojmë, të vazhdojmë t’ju dëgjojmë sepse nga dëgjimi dhe bashkëbisedimi marrim gjithmonë impulse të reja dhe marrim gjithmonë nxitje, s’po i quaj me fjalën e madhe “Ide” se idetë janë gjëra, që si të thuash, të një kategorie më të lartë dhe ka ide që dalin, por nuk janë vetëm idetë, por janë edhe konstatimet konkrete të njerëzve, janë dhe kërkesat konkrete.

Dje ishim në Përmet, ishte një atmosferë fantastike. Dje në Qafën e Pazarit në mbrëmje unë u habita, ishte plot me të huaj. Ishte dhe njëri që e mbante gruan në shpinë, nuk e fotografuam dot, por ishte i paparë, një amerikan me gruan në shpinë. Me siguri gruan e ka pasur shqiptare ose këtej nga rajoni, e mbante në kurriz dhe i lumtur. Burrë tamam, por edhe gruaja më tamam.

Kështu që, po u dëgjojmë. Çfarë keni për të na thënë dhe të jeni të bindur që do vazhdojmë të bëjmë gjëra të rëndësishme edhe për Gjirokastrën, ashtu sikundër besoj jeni të bindur tani që sheshi i Çerçizit komplet i transformuar në hapësirë këmbësore, me parkimin me 300 vende poshtë, me pjesën poshtë që integrohet tani…

Si e ka ai pronari i hotelit poshtë që thoshte “Aman ça po më bëni”? ngjitur me Kastron.

Faktikisht, ai hoteli është bërë hoteli i qendrës, me dy shkallare të mëdha që ngjitesh, del në qendër ose zbret dhe je aty. Plus Qendra e Fëmijëve që krijohet një hapësirë e re aty, një oaz tjetër urban me shkallare, me gjelbërim dhe bypass. Ishim e pamë bypass, është një tjetër gjë e madhe që do ta kthejë  të gjithë pjesën e brendshme ku ju operoni kryesisht në një vlerë akoma më të lartë.

E fundit fare, para 5-6 vitesh ju thosha disa në Tiranë “Blini more shtëpitë atje, shkoni blini shtëpitë atje, se ishin për një copë bukë kur i thoni fjalës, se për 5 vjet nuk do blini dot më”.

Sa janë sot në krahasim me 5 vitet më parë vlera e këtyre pasurive? Sa është sot? Dhe nuk e blen dot më, nuk ta shet më njeri gjallë. Gjirokastritët…Imagjino. I thoja atij djalit te muzeu i Kadaresë “Vini sa më shumë libra të Kadaresë këtu nëpër mjedise që të ulen njerëzit t’i lexojnë”. Kemi dy, tre tha. Pse dy, tre? Vini më shumë libra, se kur thotë një gjirokastrit dy, tre, ti nuk kap asnjë, se dy janë për t’u mbajtur fshehur, njëri është për t’u dhënë, por e mban i zoti dhe thotë “Prit ta mbaroj unë” e nuk kap dot ti gjë.

Me këtë rritje të vlerës në 5 vjet, kini parasysh që për 5 vite të tjera do jetë shumë më tepër. Kështu që, kush investon këtu, nuk investon për të marrë atë që merr sot, por investon për të arritur kthimin e investimit çdo vit sepse çdo vit vlera e kësaj pasurie të madhe që na kanë lënë të parët rritet falë gjithë kësaj pune të përbashkët.

Kur ne filluam Rilindjen Urbane thoshin “Fasada, Fasada”. Rilindja Urbane ishte akupunkturë, kur je mpirë komplet dhe me ato gjilpërat e asaj terapisë së famshme antike kineze fillon rigjallërimi i trupit dhe akupunktura është e njohur në teorinë e zhvillimit urban. Po kujt t’ia thuash, atyre që akoma sot nuk heqin dorë nga ideja që i kanë bërë një shërbim të madh Shqipërisë, duke frymëzuar ndërtimet pa leje? Apo atyre që shkojnë në Gjykatë Kushtetuese? Imagjinojeni.

Është hera e parë që shkon në Gjykatë Kushtetuese një parti politike që do të marrë pushtetin, shkojnë në Gjykatë Kushtetuese për të rrëzuar vendimin e qeverisë për konfiskimin e ligjshëm dhe marrjen për tua dhënë njerëzve dhe shtetit të të gjithë metrave katrorë?

Si ka mundësi, këta që akuzojnë mua dhe na akuzojnë ne që mbështesim oligarkët, që i kemi ne, i kam unë kullat e pallateve, të cilave do u merret çdo metër katror e hotele që i kanë bërë pa leje, këta e çojnë në Gjykatë Kushtetuese për ta rrëzuar.

Imagjinojeni çfarë paraje po mblidhet për të blerë rrëzimin e një vendimi kaq të rëndësishëm, kaq domethënës dhe  kaq përfundimtar për të mos lejuar më jo të bëjnë apartamente e të bëjnë dyqane pa leje nëpër kulla e pallate, por të mos bëjnë asnjë shtesë, as këtu në shtëpitë karakteristike tradicionale. Se duket sikur ti fiton më shumë, por ti në fakt fiton më pak në krahasim me atë që do fitoje sikur ta bëje atë investim për ta përmirësuar atë pasuri.

Ai djali që ka bërë hotelin Rose Garden, ai mund të kishte bërë një gjë moderne aty, nuk e ka bërë. I mençur. Nuk ka bërë një gjë me xhama, por ka bërë një godinë me të gjitha tiparet e traditës në një fushë rrënojash dhe mbeturinash atje ti shkon e ndjehesh krenar për vendin tënd, ndjehesh i lumtur që edhe në vendin tënd, më në fund, njerëzit po shikojnë ndryshe dhe po bëjnë ndryshe sepse u orientuan nga pikërisht ajo Rilindja Urbane sepse vende të bukura dhe të varfra unë kam parë, por një vend të pisët dhe të shëmtuar që të jetë i pasur unë nuk e kam parë.

Ideja “Mos u merrni me fasada se nuk kemi bukë” është dritëshkurtësi.

Ato fasadat sjellin më shumë bukë. Pse? Sepse janë hapja e një zinxhiri që të çon deri tek buka e atyre që punësohen në hallkat e atij zinxhiri.

Si  do vinin nga Greqia, nga emigracioni në Përmet e këtu në Gjirokastër për të ribërë shtëpitë e për të hapur agroturizme dhe për të bërë biznese? Si do e bënin? Duke parë plehrat, duke parë gropat, duke parë sheshin e Cerçizit si një park makinash të prishura?

Jo, duke parë pikërisht fillimin e një rijetëzimi dhe kthimin e një dinjiteti se po të ishte fasada kaq gjë e parëndësishme, nuk kishin pse kriheshin gratë dy herë në javë tek floktorja, do dilnin me flokë të shpupurisura, as lyheshin, as kriheshin, as visheshin. Edhe burrat jo e jo, mbanim gjethen këtu përpara edhe dilnim e vazhdonim muhabetet, thonim “Nuk po blejmë rroba po blejmë bukë”.

Kaq të prapambetur janë, kaq të zhytur në batakun e injorancës janë dhe kaq të poshtër, se është dhe ligësi shumë e madhe që ushqehet nga injoranca, nga verbëria, nga inati, nga urrejtja, deri në pikën që edhe luftën bërthamore mund ta ëndërrojnë vetëm për të mos parë mirë këtu.

Shyqyr gjërat, gjithsesi, do shkojnë edhe më mirë.

Faleminderit.

 

(nga bashkëbisedimi)

– Prezantohem me “Karavan” sepse në fakt, ne nisëm me projektin e kalërimit 11 vite më parë, në një kohë që nuk kishim thuajse asnjë vizitor këtu.  Me “Visit Gjirokastra”, që ishte ndoshta projekti më i mirë i këtyre viteve të fundit që qasi bashkë vizionin e 75 bizneseve të turizmit, ne po i qasemi tregut ndërkombëtar si destinacion.

Ne kemi qenë me mbështetjen e ministrisë së Turizmit në panairin e New Deal në Londër dhe po iu them që kërkesa është jashtëzakonisht më e madhe sesa ajo që ne ofrojmë, që do të thotë që ne nuk i përmbushim dot kurrë kërkesat që po vijnë nga jashtë sepse kapacitetet ende lënë për të dëshiruar.

Një gjë tjetër që desha të theksoj që kemi vënë re është që ka nevojë që të nxiten investimet në zonat rurale dhe të largohen rrënojat sepse dhe në fshate kanë braktisur zonën.

Kryeministri Edi Rama: Nuk e preka atë pjesën e rritjes shumë të domethënëse të ndërlidhjeve, që do të thotë, për shembull, sot po shikojmë një tendencë tjetër të re që blejnë ose kërkojnë të blejnë ose të marrin me qera shtëpi në Gjirokastër për Sarandën sepse sot Saranda është maksimumi 40 minuta apo jo? Përmes rrugës së re të Kardhiqit.

Të kesh detin 40 minuta do të thotë të kesh det. Edhe në zona të tjera, flas për Europën dhe Mesdheun, 40 minuta është asgjë, por ama të kesh detin dhe Gjiroakstrën pjesë të pushimeve dhe pjesë të ofertës është fantastike. Plus, rritja e ofertës që nuk ekzistonte; çfarë oferte kishte në Tepelenë? Zero! Po Përmeti çfarë oferte kishte? Kur ne kemi nisur këtë rrugë, Gjirokastra ishte i vetmi vend ku vinin një numër i vogël fare vizitorësh dhe turistësh dhe futeshin ose tek hotel Turizmi ose në dy-tre pika të tjera ku kishte aktivitet.

Sot, ti nuk vjen vetëm në Gjirokastër ku ke gjithë këto aktivitete, gjithmonë krahasuar me më parë, ke muzeume, ke trashëgimi kulturore por ti mund të kalosh pa asnjë problem një javë e më shumë në gjithë pellgun. Po fute dhe Sarandën brenda, mund të rrish dhe 15 ditë vërdallë, duke shkuar.

Jam shumë dakord me Kristinën që duhet hyrë më në detaje të territorit për të bërë më shumë ndërlidhje brenda për brenda. Kemi bërë ndërlidhje të mëdha, tani na duhen ndërlidhje brenda për brenda.

Kur unë thoja që Nivica do bëhet vendi ku do vijnë të huajt, talleshin se nuk kishin faj. Aty jo të huajt por edhe ata që banonim mendonin A ta marrim a jo rrugën për poshtë njësoj sic mund të mendonte dikush kur arratisej në kohë të Enver Hoxhës se mund ta përpinte ndonjë gropë a ndonjë humnerë në rrëshqitje e sipër.

Sot kemi ardhur në pikën që ka për Nivicën më shumë kërkesë sesa çfarë ne ofrojmë. Ai investimi atje, suedez në Nivicë, është shumë domethënës dhe për një arsye tjetër. Unë do tiu sugjeroja ju dhe të gjithë atyre që janë të përfshirë në botën e turizmit në këtë zonë, të shkojnë atje ta vizitojnë dhe të bisedojnë me ta për të parë se me sa akoma më pak mund të bëhet më shumë sesa me më shumë; është një investim që nga pikëpamja financiare është më i vogël sesa investimet tuaja, pa llogarit faktin e transporteve e të tjerë. Ama, aty çmimet janë shumë më të larta se çmimet tuaja.

Si shpjegohet kjo? Sepse ky është luksi që kërkon një turist i cili nuk është turisti i masës por është turisti i kategorisë elitë, se po të jetë për një hotel me 5 yje, me xhama e kulla rreth e rrotull shkon në Dubai, nuk vjen në Gjirokastër, nuk shkon në Nivicë. Vjen atje për të qenë sa më afër natyrës.

Edhe një gjë tjetër të fundit. Vajta në Nivicë për t’i vizituar ata kur hapën dhe ka aty, për kë ka qenë, nja dy kilometra një rrugë tmerr, që shkon në atë vendin ku kanë bërë ata… Rrugë që të ecësh me 5 kilometra në orë dhe më erdhi shumë zor. Madje, aty nuk ka dhe valë shumë e në atë moment u përpoqa të flisja me Fondin e Zhvillimit. Vajta i thashë “Tani të bëjmë dhe këtë rrugën”. Jo, më thanë, në asnjë mënyrë. Nuk e duam, nuk duhet bërë rruga sepse është pjesë e ofertës që vihet në një vend që është natyral dhe ne nuk kemi prekur asgjë. Edhe tendat që kanë vënë ata, që janë shumë komode brenda se kanë komoditet. çfarë komoditeti kanë? Kanë një krevat komod, kanë një dush, kanë dhe ujin edhe kaq dhe janë të gjitha në ajër, mbi platforma druri.

Ata për tre ditë mund ta çmontojnë dhe ti nuk ke shenjë, pra, natyra është e parekur dhe çmimet janë ku e ku me çfarë ofron Rose Garden apo të tjerët. Është shumë e rëndësishme për ta kuptuar këtë gjë. Sa më shumë t’i rrijmë gjërave që nuk gjenden në vendet e tjera, aq më shumë do të kemi sukses, sa më shumë të imitojmë aq më pak sukses do kemi.

-Prej 25 vitesh merrem me qëndisjen e kostumeve tradicionale kombëtarë, kryesisht të trevës së Gjirokastrës. 4 vite kam që kam dalë në një punishte të vogël në Qafën e Pazarit. Kur them 4 vite, pyetje nuk ka se është e kuptueshme. Gjithë ato vitet e tjera unë punoja nga shtëpia ose e mbështetur nga ndonjë organizatë për të gjetur klientët ose klienti për të më gjetur mua.

Në këto 4 vite, me frikë si do paguaja sigurimet, tatimet e të gjitha. Duke qenë se Pazari është ai që është, duke qenë se Gjirokastra është kjo që është, të gjithë faktorët mbështetës, me shumë apo pak, në varësi të mundësive, bashkinë, prefekturën, qarkun, shoqatat e të tjerë faktorë. Unë kam 4 vite suksesin tim.

Unë dua të jem optimiste dhe shpresoj fjalën që tha zoti kryeministër që për artizanatin do ketë një vëmendje të veçantë.

Kryeministri Edi Rama: Na duhet të bëjmë një sistem certifikimi në mënyrë që në bazë të disa kritereve shumë të thjeshta, të origjinalitetit, të cilësisë, të lëndës të punë, ne ta fusim gjithë këtë rrjet artizanati në një sistem mbrojtjeje totale nga qeveria, në mënyrë që dhe bashkia të marrë pjesën e vet ca ka për të marrë por që ju të mos keni asnjë ngarkesë. Domethënë, gjithë shpenzimet tuaja t’i marrë përsipër qeveria për një periudhë të caktuar dhe kush ka dyqane të certifikuara që e di që aty shkon dhe e merr qeleshen qeleshe dhe jo kapele, atëherë aty ti je i mbrojtur dhe i mbështetur nga shteti.

Këtë gjë jemi duke e diskutuar, ashtu sikundër po diskutojmë rritjen e bonusit të rijetëzimit sepse na ka dhënë efekte shumë pozitive me aq sa kemi vënë në dispozicion ashtu sikundër po shikojmë edhe sesi duhet të bashkëpunojmë me bashkitë më shumë për të adresuar atë që tha Kristina, që është shumë e rëndësishme, për të rritur pikat ndërlidhëse brenda për brenda sepse tani ndërlidhjet e mëdha pak a shumë janë të bëra në këtë qark dhe potenciali është i jashtëzakonshëm, është i jashtëzakonshëm.

Mu bë zemra mal kur dëgjoja djalin e Rose Garden që sapo e ka hapur në fakt, ka disa muaj dhe më thoshte që është plot. Domethënë, kjo është shumë domethënëse.

Amanet pagat e punonjësve.

Previous Krenaria e komunitetit, imazhi i bukur i qytetarëve përmetarë që bëjnë emër me punën dhe talentin e tyre në shërbim të njerëzve