Hapen themelet e Teatrit të ri Kombëtar - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Hapen themelet e Teatrit të ri Kombëtar

Nisi sot puna për hapjen e themeleve të Teatrit të ri Kombëtar, me vendosjen në mënyrë simbolike të gurit të parë të themelit për një tjetër vepër arkitektonike mbresëlënëse të Tiranës së shekullit XXI, projekt-ide konceptuar nga arkitekti i famshëm danez Bjarke Ingels.

Teatrit të Ri, do t’u shërbejë me kushtet më optimale aktorëve e spektatorëve, po edhe do të hyjë me dinjitet në radhën e objekteve më të mira të të njëjtit lloj në Europë.

Ndërtesa e re do të ketë formën e një Fjongo që ndan qartazi 3 hapësirat apo zonat funksionale të një teatri: Front of House, apo zona ku ndërveprojnë vizitorët me të gjithë hapësirat e nevojshme si holli, foyer, black box; Back of House, zona e përshtatur për ambientet administrative, teknike, dhe hapësirat e nevojshme për aktorët dhe qendra apo lidhja e te dyjave me sallën kryesore të teatrit; Salla Kryesore në Qendër. Për shkak të formës së objektit krijohen 4 hapësira kryesore performimi me 1,514 ulëse.

Kryeministri Rama ishte sot i pranishëm në këtë ngjarje, së bashku me Ministren e Kulturës Elva Margariti, Kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, si dhe artistë të mirënjohur të skenës së teatrit ndër vite, ku mes të tjerash u prezantua në detaje projekti i Teatrit nga arkitekti danez Bjarke Ingels.

 

* * *

Përshëndetje të gjithëve! Shumë kënaqësi që më në fund jemi sot këtu për të konkretizuar një histori ecejakesh shumë të gjatë, ndërkohë që kur po prisnim aty jashtë dhe erdhi arkitekti, i thashë, “nuk besoj se në jetën tënde ke pasur ose do kesh më një inaugurim me polici që rrethon vendin e fillimit të punimeve”.

Ndërkohë, ajo që ka rëndësi dhe që është e bukura e kësaj skene është që prefektin e “Koncertit të Vitin ’36” e kemi këtu me ne, nuk është në anën e atyre që donin të prishnin koncertin. Nuk kemi çfarë bëjmë, kjo është historia bashkëkohore e zhvillimit të këtij vendi.

Ndërkohë që e kam menduar shpeshherë pse komuniteti i teatrit, duke i lënë mënjanë ata të cilët teatrin, stadiumin apo sheshin Skëndërbej apo të gjitha veprat e tjera i kanë parë si platforma për të kërcyer vallen e shpatave të politikës, por pse komuniteti i teatrit? Pavarësisht bindjeve, simpative normale që protagonistët e komunitetit i kanë të ndryshme kur vjen puna tek politika, kishin një mosbesim, thuajse konsensual lidhur me këtë proces edhe lidhur me dëshirën dhe vullnetin, bashkë me ambicien nuk diskutohet, për të ndërtuar më në fund, një teatër të denjë për këtë emër si Teatër Kombëtar!

Mbase nuk arrij dot t’i jap përgjigje kësaj pyetjeje në mënyrë shteruese, por besoj që një nga arsyet ishte që për shumë kohë, për shumë, shumë kohë, komuniteti i Teatrit Kombëtar u pajtua, në pamundësi për ta ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve, me inercinë e të jetuarit dhe të punuarit në kushtet shumë të vështira që kishte infrastruktura e mëparshme e Teatrit dhe dekada e dekada të tëra kaluar me premtime, me zotime, por asnjëherë nuk u bë mbarë askush që vërtetë t’i hynte seriozisht punës për të ndërtuar një Teatër të ri Kombëtar.

Pastaj patjetër që hyjnë në mes paragjykimet e lidhura me këtë kohë që ne jetojmë, ku sigurisht kemi parë shumë skena, le të themi, shqyerje të pronave, shqyerje të pasurive publike në dekada dhe vetvetiu u krijua një instinkt vetëmbrojtjeje me idenë që mbase, kjo ishte një grackë e madhe dhe këtu Teatri Kombëtar do ishte thjesht një alibi për të bënë një zhvillim për qëllim fitimi dhe do të mbetej nën hijen ose nën barkun e një kulle apo një kompleksi kullash.

Më vjen mirë që më në fund të gjitha këto u fashitën. Patjetër që nuk e heq veten mënjanë sepse besoj që uniteti i krijuar mes aktorëve lidhej edhe me faktin që unë ia kisha shpallur luftën asaj godine qysh në vitin 1998 kur u bëra ministër kulture dhe kaloi shumë kohë, kaloi shumë kohë, kur mendon që nga ’98 deri më sot mund të ishin hedhur hapat e nevojshëm dhe mund ta kishim Teatrin Kombëtar shumë kohë më parë, realisht ka kaluar shumë kohë, por nga ana tjetër, besoj që për hir të vërtetës, nuk do të kishim pasur këtë projekt që kemi sot. Mund të kishim pasur patjetër një Teatër Kombëtar të mirë, modern, me kushte optimale për komunitetin, qoftë të aktorëve e qoftë të spektatorëve, por nuk do të kishim arritur në këtë projekt.

Ky projekt shkon përtej një Teatri Kombëtar të mirë për Shqipërinë. Ky projekt është një tjetër gur i çmuar në një gjerdan veprash që praktikisht e kanë nxjerrë Tiranën jashtë vetes, jashtë kornizës së vjetër të vetes dhe e kanë projektuar si një kryeqytet europian ku ndodhin dhe bëhen gjëra që tërheqin vëmendjen edhe të të tjerëve.

Faktikisht, është shumë e lehtë sot me këtë projekt që ne fillojmë të realizojmë që ne të bëjmë një paralele me stadiumin, stadiumin që ne e kishim dhe që praktikisht as për stadium nuk mund të përdorej dot më sepse u fut në listën e zezë të UEFA-s dhe të FIFA-s dhe u ndalua organizimi i ndeshjeve ndërkombëtare të Shqipërisë apo skuadrave shqiptare në kompeticionet ndërkombëtare.

Në ndërkohë, vazhdonte një rezistencë absurde për të mos e prekur stadiumin kur në fakt, ishte shumë e qartë që nga pikëpamja e vlerës historike, e vlerës arkitektonike, e vlerës urbanistike, stadiumi ishte vetëm në një pjesë të tijin ai që kishte qenë në krye të herës ndërkohë që gjithë pjesa tjetër ishte një shtesë që e kishin sjellë vitet dhe që nuk kishte asnjë vlerë nga kjo pikëpamje.

Megjithatë, për t’i rënë shkurt kësaj pjese, ne e ndërtuam stadiumin dhe unë jam i bindur që askujt, deri përpara sesa stadiumi të bëhej realitet, nuk i ka shkuar mendja se do vinte dita që në Shqipëri të luhej një finale europiane dhe që Tirana të ishte destinacioni i një finaleje europiane që të merrte sytë e gjithë botës mbi vete.

Ja pra, ndodhi dhe ndodhi sepse ne ndërtuam një stadium të denjë dhe që i plotëson të gjitha kushtet për një finale europiane dhe më besoni që janë kushte shumë të panumërta.

E njëjta gjë do të ndodhë dhe me Teatrin sepse pa diskutim ky teatër nuk do të jetë vetëm një destinacion për komunitetin tonë të spektatorëve, të dashamirësve të teatrit dhe një vend prodhimi të shfaqjeve për komunitetin e aktorëve tanë, por do të jetë një vend ku pa diskutim me shumë probabilitet do të organizohen dhe aktivitete ndërkombëtare, do të organizohen festivale ndërkombëtare, do të zhvillohet një hapësirë ku  do të ketë ballafaqim këtu në Tiranë të teatrove të ndryshëm nga rajoni, nga Europa, nga bota dhe jam absolutisht i bindur për këtë.

Duke e mbyllur me këtë pjesë edhe me krahasimin me stadiumin dhe shprehjen e bindjes që ky teatër do jetë një destinacion edhe ndërkombëtare dua të them që me teatrin faktikisht shtohet edhe një hallkë tjetër në zinxhirin e institucioneve të rilindura dhe të kthyera në hapësira të këtij shekulli, në anën tjetër të rrugës kemi kantierin e Galerisë së Arteve që edhe ajo ishte në një situatë jo të lehtë për shkak të kushteve të konservimit të veprave të fondit, për shkak të pamundësisë për të pasur hapësirat e nevojshme që domosdoshmërish i shërbejnë dhe ambicies për tu adaptuar me të gjitha nevojat e kohës.

Në anën tjetër është Opera e re, tërësisht e rindërtuar e cila tanimë është bërë një sallë që pa diskutim jo vetëm atë festivalin e përvitshëm që e kanë mbajtur edhe më përpara në ato kushte jashtëzakonisht të vështira “Marie Kraja” por edhe të tjera aktivitete mund të organizojë. Në fund të bulevardit kemi Akademinë e Arteve. Godina historike e Akademisë së Arteve, se unë Akademia i them se këtë “Universiteti i Arteve” as nuk e kuptoj dot pse, është një tmerr ajo por nejse, duhet të bëhëej Kastrioti dhe Petriti me miqtë e mi atje, profesor doktor në Bolonja apo ku di unë se ç’thonë. Gjithsesi është godina e tërë, është e gjitha e rikonstruktuar, por jo e rikonstruktuar por e restauruar me detaje dhe tani është drejt përfundimit edhe salla të cilën kur ta shihni jam i bindur që do ndjeni një kënaqësi të posaçme se është e gjitha e ri pozicionuar në kohë duke shqyrtuar fotografitë e vjetra, duke shqyrtuar arkivat që jo me shumë lehtësi iu vunë në dispozicion projektit dhe Piramida që së shpejti do të jetë një qendër rajonale e teknologjisë për të rinjtë, për fëmijët.

Dje firmosëm marrëveshjen për dronet “Bajraktar” dhe kompania që prodhon dronet ka një sistem të tërë të qendrave të shkencës siç u quajnë, që janë qendra të aksesueshme për fëmijët për t’i futur në botën e teknologjisë dhe për ta bërë këtë gjë pa pagesë, duke pasur parasysh që shumë fëmijë të talentuar nuk i kanë mundësitë që të paguajnë jo këtu, por as në Turqi dhe as në një pjesë të konsiderueshme të vendeve tarifat e larta që kanë kushtet për teknologjinë. E vizituam dje Piramidën dhe ata me menjëherë sa e panë, shumë të impresionuar kërkuan që të ishin pjesë e atyre subjekteve që do ta shfrytëzojnë për të ofruar këtë shërbim i cili është totalisht falas për fëmijët, siç e thashë.

Natyrisht që këtë menjëhershmëri të reagimit e krijoi projekti, e krijoi vepra arkitektonike atje dhe lajmi i mirë është që sot më në fund zgjidhet dhe ai misteri i madh “ka kullë, s’ka kullë mbi teatër”, “do ndërtohet, s’do ndërtohet kullë në sheshin e teatrit”. Ky është teatri! Ky është sheshi!

Kështu që të gjitha ato spekulime, të gjitha këto gënjeshtra dhe shpifje për të ndërsyer dhe për të mërzitur komunitetin i përkasin së shkuarës. Ajo që do mbetet dhe në këtë rast do të jetë vepra, një vepër që unë do isha shumë i lumtur sikur të isha bashkë me Robert Ndrenikën dhe Tinka Kurtin për t’i hapur dyert sepse këta të tjerët janë më të rinj dhe këta dihet që do ta gëzojnë, nuk janë gjenerata ime dhe e Tinkës edhe e Bertit. Shumë faleminderit të gjithëve!

Dua të falënderoj dhe Bjarken, i cili le ta themi midis nesh që përveçse është një nga arkitektët sot më të famshëm e më të admiruar, e më të kërkuar, është dhe një nga arkitektët më të shtrenjtë që të jemi të qartë dhe jemi falënderues sepse e ka kuptuar që nuk ishte ky vendi për të vendosur ato tarifat e frikshme që ka studioja e tij dhe mund të them që kemi bërë pazar të mirë në këtë rast dhe i kam thënë Bjarkes që bëje këtë gjë për Shqipërinë dhe shqiptarët sepse do ta kesh si argument që kur të shkosh tek Shën Pjetri, e të thotë: “mor, djalë, mirë fitove tërë ato lekë po ndonjë gjë të mirë për njerëzit bëre apo thjesht punove për kapitalistët dhe për të pasurit?”

Edhe do t’i thuash, shiko se  kam bërë dhe një teatër atje në Tiranë ku kam bërë një skonto të rëndësishme. Edhe më dëgjoi dhe jam i bindur se do t’i ecë mirë, do t’i ecë mirë tani sidomos dhe tani që vepra hyn në fazën e realizimit mu në prag të Krishtlindjeve.

Nuk e di, se këta përgjithësisht janë dhe si të pafe’, këta yjet e artit dhe të arkitekturës botërore sepse e kanë këtë ndjesinë që rrinë atje lart krah për krah me Zotin dhe madje-madje, janë konkurrentë se kush është kryesori, por para Krishtlindjeve, Bjarke, kjo është diçka që do të sjellë mbarësi.

Nuk mund të them dot ta gëzoni sepse nuk keni ça të gëzoni për momentin po tani mund të them që çfarë nuk ecën, e keni me lali Erin, unë e mbarova punën time.

Faleminderit!

 

Previous “Mjekë për Shqipërinë”, Manastirliu: 190 mjekë të rinj punësohen në qendrat shëndetësore