Hoxha nga Bukureshti: Bashkëpunimi rajonal dhe integrimi evropian duhet të ecin krah për krah
Ministri i Jashtëm: Një Ballkan Perëndimor më i ndërlidhur, më bashkëpunues dhe më i qëndrueshëm do të thotë një Evropë më e fortë.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, mori pjesë në Takimin Ministror të Nismës së Evropës Qendrore (CEI), të zhvilluar në Bukuresht të Rumanisë, ku theksoi rëndësinë strategjike të bashkëpunimit rajonal për forcimin e sigurisë, zhvillimin ekonomik dhe përshpejtimin e integrimit evropian.
Në fjalën e tij, Hoxha vuri në dukje se ndryshimet e thella në arkitekturën e sigurisë dhe në realitetin gjeopolitik të Evropës e bëjnë bashkëpunimin mes vendeve të rajonit më të domosdoshëm se kurrë.
“CEI mbetet një platformë e çmuar për forcimin e dialogut, ndërlidhjes dhe bashkëpunimit në rajonin tonë, duke çuar njëkohësisht përpara aspiratat evropiane të vendeve anëtare”, deklaroi ministri.
Duke u ndalur te perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor, Hoxha theksoi se bashkëpunimi rajonal dhe procesi i integrimit në Bashkimin Evropian nuk janë dy rrugë të ndara, por procese që plotësojnë dhe fuqizojnë njëri-tjetrin.
“Rajoni ynë nuk mund të bëhet plotësisht evropian nëse mbetemi të distancuar nga njëri-tjetri, dhe Evropa nuk mund të jetë plotësisht e bashkuar dhe e fortë për sa kohë rajoni ynë mbetet jashtë saj”, u shpreh ai.
Ministri nënvizoi se heqja e barrierave tregtare, ndërlidhja e sistemeve energjetike dhe korridoreve të transportit, njohja e kualifikimeve profesionale, zhvillimi i ndërlidhjes digjitale dhe forcimi i bashkëpunimit në fushën e sigurisë janë hapa konkretë që e afrojnë rajonin me standardet dhe funksionimin e Bashkimit Evropian.
Sipas Hoxhës, këto përpjekje nuk synojnë krijimin e një alternative ndaj BE-së, por përgatitjen e vendeve të rajonit për të funksionuar si pjesë integrale e tij.
Në përfundim, ministri theksoi se ndërlidhja ekonomike dhe afrimi mes shoqërive krijojnë më shumë besim, forcojnë sigurinë dhe e shndërrojnë afërsinë gjeografike në partneritet të qëndrueshëm.
“Një Ballkan Perëndimor më i ndërlidhur, më bashkëpunues dhe më i qëndrueshëm do të thotë një Evropë më e fortë. Kjo është Evropa që na duhet: më e ndërlidhur, më e sigurt, më e qëndrueshme dhe, në fund, e bashkuar në tërësinë e saj”, përfundoi Hoxha.