Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, zhvilloi një konferencë për shtyp, ku bëri një prezantim dhe analizë të treguesve kryesorë ekonomikë në vend.
Duke iu referuar publikimit më të fundit të INSTAT, Ministrja Ibrahimaj u shpreh se rritja ekonomike për vitin 2022 rezultoi në nivelin 4.84 % dhe ishte e e shpërndarë në të gjithë sektorët e ekonomisë. Ky niveli i rritjes ekonomike tejkaloi parashikimet e MFE dhe të institucioneve ndërkombëtare, ndërsa është ndër më të lartit ndër vendet e rajonit.
Ministrja theksoi faktin se ecuria e aktivitetit ekonomik është ndikuar si nga ecuria e konsumit, ashtu edhe nga investimet, ku gjatë vitit 2022 konsumi final i popullatës u rrit me 7.13 %, ndërsa formimi bruto i kapitalit fiks u rrit me 7 %.
“Kemi qenë të kujdesshëm që të monitorojmë konsumin gjatë gjithë vitit dhe kemi marrë masa mbështetëse qoftë për kategoritë më në nevojë, qoftë për të punësuarit në përgjithësi, me qëllim që të ardhurat e tyre të disponueshme të mos uleshin dhe që konsumi i ekonomisë të mos ndikohej nga rritja e lartë e inflacionit”, tha Ibrahimaj.
Aktiviteti ekonomik është ndikuar nga ecuria e të ardhurave, të cilat në total gjatë vitit 2022 janë rritur me 13.8 %. Në zërin e të ardhurave, Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, i cili përafron aktivitetin ekonomik të vendit, është rritur me 14.2 %.
Niveli i realizimit të të ardhurave, tha Ministrja, është ndikuar si nga niveli i inflacionit, ashtu edhe nga ecuria e aktivitetit ekonomik dhe miradministrimi. Gjatë vitit 2022, ecuria mesatare e inflacionit ka qenë 6.7 %, ndjeshëm më ulët se sa inflacioni në vendet e rajonit dhe vendet e BE-së.
“Inflacioni mesatar për vitin 2022 ka qenë 6.7 %. Nëse do të krahasojmë rritjen e të ardhurave 14.2 % me inflacionin 6.7 %, kuptohet qartë që kjo rritje e të ardhurave nga TVSH nuk vjen vetëm nga rritja e çmimeve, por vjen gjithashtu dhe nga rritja e aktivitetit ekonomik të përgjithshëm, të ndërmarrjeve private në sektorë të ndryshëm, dhe shifrat e DGP-së na tregojnë se kjo shpërndarje në të gjithë sektorët vjen edhe nga miradministrimi, i lidhur ngushtësisht me reformën madhore të fiskalizimit që gjatë vitit 2022 u përmbyll në 100 %”, u shpreh Ibrahimaj.
Ecuria e aktivitetit ekonomik është lidhur ngushtësisht dhe me treguesit kryesorë makroekonomikë dhe MFE ka qenë shumë e kujdesshme që të ruajë balancat makroekonomike dhe të shkojë drejt konsolidimit fiskal.
Bazuar edhe në të dhënat më të fundit të PBB-së, borxhi publik për vitin 2022 shënoi nivelin 64.6 %, në një kohë që parashikimi fillestar ka qenë 68.8 %, ndërsa në vitin 2021 ishte në nivelin 74 %.
Ministrja Ibrahimaj në konferencë për shtyp:
Përshëndetje të gjithëve,
Ju falënderoj që keni ardhur sot këtu. Me daljen e rezultateve të Prodhimit të Brendshëm Bruto për 3-mujorin e fundit të vitit 2022 menduam t’i rikthehemi traditës së organizimit të konferencës së përmuajshme për shtyp, me qëllim analizimin e treguesve kryesorë ekonomikë në vend.
Rritja ekonomike për vitin 2022, siç u paraqit dje nga INSTAT, rezultoi në nivelin 4.84 %. Rritja ka qenë e shpërndarë në të gjithë sektorët kryesorë të ekonomisë. Me rritje është shfaqur sektori i ndërtimit me 10.7 %, sektori i tregtisë me 9.9 %, sektori i bujqësisë me 0.06 % dhe industria me 4.45 %.
Kjo rritje prej 4.84 % ka qenë një rritje e cila ka tejkaluar parashikimet që MFE, por edhe institucionet ndërkombëtare që merren me parashikime, kishin parashikuar jo vetëm në fillim të vitit, por edhe gjatë vitit 2022. Ministria e Financave dhe Ekonomisë parashikonte një rritje prej 3.7 %, ashtu si edhe FMN, ndërkohë që BB parashikonte një rritje prej 3.5 % dhe BERZH prej 3 %. Kjo rritje është ndikuar nga ecuria e të katër tremujorëve, ku tremujori i katërt rezultoi me një rritje më lart se parashikimet tona. Tremujori i katërt i vitit 2022, në krahasim me vitin 2021, pati një rritje prej 4.73 %, ndërkohë që kjo rritje ishte më e larta e rajonit dhe ndjeshëm më lartë se sa vendet e BE. Në krahasim me rajonin ne jemi në vlera të krahasueshme me Malin e Zi, ekonomia e të cilit u rrit me 4.66 %, ndërkohë që Maqedonia e Veriut, për tremujorin e katërt, u rrit me 0.6 % dhe Serbia me 0.4 %. Mesatarja e rritjes ekonomike në vendet e BE ishte 1.7 %, pra më pak se gjysma e rritjes së ekonomisë shqiptare.
Përsa i përket shpërndarjes së rritjes, për tremujorin e katërt, ne shohim që kemi pasur një ecuri të mirë të të gjithë sektorëve kryesorë me kontributin më të lartë në ekonomi. Kemi pasur një rritje të sektorit të ndërtimit me 14.5 %, rritje të industrisë me 6.18 %, tregtia me shumicë u rrit me 5.6 %, informacioni dhe komunikacioni me 13.79 %, aktivitet financiare të sigurimit me 12.97 %. I vetmi sektor që ka pasur një ecuri më të ngadaltë ka qenë bujqësia, rezultati i rritjes i së cilës është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe vendase.
Sipas metodës së shpenzimeve, ecuria e aktivitetit ekonomik është ndikuar qoftë nga ecuria e konsumit, qoftë nga investimet, pra formimi bruto i kapitalit fiks.
Gjatë gjithë vitit 2022 dhe asaj krize të çmimeve që kaluam në këtë vit, frika dhe meraku më i madh i MFE ka qenë e lidhur me ecurinë e konsumit. Kemi qenë të kujdesshëm që të monitorojmë konsumin gjatë gjithë vitit dhe kemi marrë masa mbështetëse qoftë për kategoritë më në nevojë, qoftë për të punësuarit në përgjithësi, me qëllim që të ardhurat e tyre të disponueshme të mos uleshin dhe që konsumi i ekonomisë të mos ndikohej nga rritja e lartë e inflacionit që preku jo vetëm ekonominë shqiptare, por ekonominë e gjithë botës.
Gjatë vitit 2022, konsumi final i popullatës u rrit me 7.13 %, ndërkohë që formimi bruto i kapitalit fiks u rrit me 7 %. Pra, kemi pasur një ecuri të mirë në terma realë, të pandikuara nga çmimet, të konsumit dhe investimeve.
Për tremujorin e katërt të vitit 2022, konsumi final i popullatës u rrit me 4.5 %, konsumi final i administratës publike ra me 2.98 %, duke reflektuar kështu edhe ngadalësimin e shpenzimeve të administratës publike dhe të konsumit të saj, të ndikuar nga rialokimet e ndryshme që ne u desh të bënim me qëllim që fondet që ishin të padomosdoshme për tu shpenzuar gjatë këtij viti ti kalonim drejt mbështetjes dhe subvencioneve për kategoritë dhe shtresat në nevojë.
Nga ana tjetër, formimi bruto i kapitalit fiks për tremujorin e katërt u rrit me 9.8 %, duke reflektuar ecurinë e mirë të investimeve private në sektorë të ndryshëm dhe ecurinë pozitive të sektorit të ndërtimit, që kryesisht është ndikuar nga procesi i rindërtimit që po vijon me ritme të shpejta.
Në shifrat totale të aktivitetit ekonomik në vend, ka pasur ndikim dhe rritja e sektorit të turizmit. Në krahasim me vitin 2021, sektorët e lidhur drejtpërdrejt me turizmin u rriten me 10.12 %, ndërkohë që qarkullimi me ato industri të lidhura drejtpërdrejt me turizmin, pra me akomodimin, restorantet dhe me agjencitë turistike, ka pasur një rritje me 39.9 %. Ka të dhëna të tjera indirekte që tregojnë se ky sektor ka ardhur në rritje dhe një nga të dhënat që ne kryesisht analizojmë për sektorin e turizmit lidhet me hyrjen e shtetasve të huaj, që në vitin 2022 rezultoi rreth 7.5 milionë shtetas të huaj të hyrë gjatë gjithë vitit, në krahasim me 5.7 milionë që ishte një vit më parë. Nëse do të krahasojmë me vitin 2019 që konsiderohet si viti më i mirë, në fakt kemi një rritje prej më shumë se sa 1 milionë shtetas të huaj.
E gjithë ecuria e aktivitetit ekonomik është ndikuar nga ecuria e të ardhurave. Të ardhurat në total gjatë vitit 2022 janë rritur me 13.8 %. Ato janë ndikuar nga ecuria pozitive e të gjithë kategorive të të ardhurave, por dua të ndalem te ecuria e të ardhurave të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, i cili përafron aktivitetin ekonomik të vendit është rritur me 14.2 %. Edhe më parë kemi diskutuar mbi ecurinë e të ardhurave dhe se sa ato janë ndikuar nga inflacioni dhe sa nga aktiviteti ekonomik apo nga miradministrimi i të ardhurave gjatë këtij viti.
Inflacioni mesatar për vitin 2022 ka qenë 6.7 %. Pra, nëse do të krahasojmë rritjen e të ardhurave 14.2 % me inflacionin 6.7 %, kuptohet qartë që kjo rritje e të ardhurave nga TVSH nuk vjen vetëm nga rritja e çmimeve, por vjen gjithashtu dhe nga rritja e aktivitetit ekonomik të përgjithshëm, të ndërmarrjeve private në sektorë të ndryshëm, dhe shifrat e DGP-së na tregojnë se kjo shpërndarje në të gjithë sektorët, si dhe vjen nga miradministrimi, i lidhur ngushtësisht me reformën madhorë të fiskalizimit që gjatë vitit 2022 i përmbyll në 100 %.
Nga ana tjetër, kemi pasur një rritje të të ardhurave të tatimit mbi fitimin që për vitin 2022 janë rritur me 33.9 % dhe kemi pasur ecuri mjaft pozitive të të ardhurave të kontributeve, të lidhura kryesisht me pagat në sektorin privat, por edhe me punësimin në sektorin privat. Të ardhurat nga kontributet për vitin 2022 janë rritur me 11.5 %.
Të ardhurat nga kontributet lidhen me numrin total të të punësuarve, i cili është ndikuar nga ecuria e tregut të punës. Niveli i papunësisë për grup moshën 15-64 vjeç, që nuk është papunësia zyrtare e vendit, por është grup mosha me numrin më të lartë të të punësuarve, ka ardhur në ngadalësim nga viti në vit. Nga viti 2020 kur ky nivel u rrit në mënyrë të ndjeshme, ka ardhur në ngadalësim dhe për tremujorin e katërt të vitit 2022 arriti 11.4 %, pra më ulët se sa niveli i vitit 2019. Kjo do të thotë së efektet e krizave të njëpasnjëshme që ekonomia shqiptare ka kaluar në punësim janë amortizuar dhe janë tejkaluar. Norma zyrtare e papunësisë arriti në nivelin 10.8 % dhe ky një nivel më i ulët se sa viti 2019. Nga ana tjetër niveli i punësimit ka ardhur në rritje dhe për tremujorin e katërt të vitit 2022 arriti në nivelin 66.5 %.
Kryefjala e të gjithë analizave ekonomike të vitit 2022 ka qenë inflacioni, të cilin e përmenda edhe pak më parë. Për të gjithë vitin, ecuria mesatare e inflacionit ka qenë 6.7 %, ndjeshëm më ulët se sa inflacioni në vendet e rajonit dhe vendet e BE-së. Piku i inflacionit për vitin 2022 arriti në muajin tetor me 8.3 % ndërkohë që nga ai moment, inflacioni vjetor ka ardhur në ngadalësim duke rezultuar me 7.1 % në muajin shkurt. Siç e përmenda dhe më sipër, në krahasim me vendet e rajonit, ne gjatë gjithë vitit 2022 kemi pasur një normë inflacioni më të ulët dhe kjo është ndikuar kryesisht nga politikat që kemi ndërmarrë për mos rritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe mos rritjen e kontributit të shpenzimeve të popullatës për energjinë elektrike. Kjo ka ndodhur dhe në të gjithë kostot e prodhimit dhe inflacionin vendas. Duke mos rritur çmimin e energjisë elektrike ne indirekt kemi ndikuar në mos rritjen e inflacionit. Siç e thashë, mesatarja është 6.7 % për vitin 2022 në ekonominë shqiptare, ndërsa mesatarja e BE-së është 9.2 %, Kosova ka pasur një inflacion mesatar 11.6 %, Serbia 11.9 %, Mali i Zi 13 % dhe Maqedonia e Veriut 14.1 %.
Sa i përket financimit të konsumit, pagat mesatare në ekonomi kanë ardhur në rritje gjatë vitit 2022 ku për tremujorin e katërt paga mesatare shënoi 66 mijë lekë. Rritja është ndikuar qoftë nga rritja e përgjithshme e pagave në sektorin privat, qoftë dhe nga politika e rritjes së pagës minimale, e cila domosdoshmërisht është e lidhur me rritjen e pagës mesatare. Dua t’ju rikujtoj se gjatë vitit 2022 qeveria shqiptare vendosi të rrisë dy herë me nga 2 mijë lekë pagën minimale duke e çuar nga 30 mijë lekë në 34 mijë lekë, ndërkohë që nga data 1 prill 2023 paga minimale zyrtare shkon në 40 mijë lekë.
E gjitha ecuria e aktivitetit ekonomik është lidhur ngushtësisht dhe me treguesit kryesorë makroekonomikë. Gjatë gjithë vitit Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka qenë shumë e kujdesshme që të ruajnë balancat makroekonomike dhe të shkojë drejt konsolidimit fiskal me qëllim përballimin e çdo lloj situate në të ardhmen që mund të ndikojë ekonominë.
Borxhi publik është një nga treguesit kryesorë për të cilin ne kemi qenë të kujdesshëm për ta ngadalësuar. Në fund të vitit 2021 borxhi publik ishte në nivelin 74 % dhe më të dhënat më të fundit të Prodhimit të Brendshëm Bruto nominale borxhi publik për vitin 2022 shënoi nivelin 64.6 %. Pra kemi një reduktim të ndjeshëm të borxhit publik gjatë vitit 2022, ndonëse ka qenë një vit i cili në nivelin e shpenzimeve kanë qenë më të lartë se sa në vitin paraardhës. MFE kishte një parashikim fillestar prej 68.8 %, ndërkohë që rezultoi në 64.6 %.
Sa i përket deficitit, i cili është një tjetër tregues që ndikon qëndrueshmërinë e financave publike, ne kemi pasur një normë deficiti e cila ka ardhur në reduktim. Në vitin 2021 norma ka qenë 4.6 % ndërkohë që në fund të viti 2022 deficiti ishte 3.1 %.
Përsa i përket të dhënave të muajve të parë të vitit 2023, norma e inflacionit ka rezultuar në muajin shkurt 7.1 %, e reduktuar në krahasim me muajin janar 2023 dhe në krahasim me dhjetorin e vitit 2022.
Totali i të ardhurave në ekonomi në dy muajt e parë të vitit është rritur me 10.8 %, ndërkohë që importet kanë pasur një ndryshim të kahut në krahasim me vitin e kaluar. Pra, rritja e importeve në vëllim ka qenë me 7.2 %. Gjatë vitit të kaluar ne jemi ndikuar nga një ngadalësim i importeve në vëllim, ndërkohë që në dy muajt e parë të vitit kemi pasur rritje në vëllim të importeve me 7.2 % dhe rritje në vlerë me 3.2 %.
Sa i përket eksporteve, kemi pasur një ecuri pozitive në vlerë me 11.2 %, ndërkohë që në vëllim ka pasur një reduktim me 2.4 % për dy muajt e parë të vitit. Ngadalësimi në vëllim i eksporteve lidhet me ngushtë me mineralet dhe lëndët djegëse dhe me nëndegën e energjisë elektrike. Fatmirësisht në dy muajt e parë të vitit kemi pasur një ecuri të reshjeve e cila ka ndikuar në rritjen e prodhimit vendas të energjisë elektrike dhe në reduktimin e importeve të këtij zëri ndërkohë që eksportet kanë vijuar të rriten për ato kategori që lidhen me sektorët prodhues në vend. Pra janë rritur në vëllim për ushqime, pije dhe duhan, duke treguar një ecuri pozitive qoftë të sektorit të bujqësisë, qoftë të gjithë industrive përpunuese që lidhen me sektorin e bujqësisë dhe ka pasur një ecuri pozitive të kategorisë “lëkurë dhe artikuj prej lëkure” që lidhet kryesisht me sektorin e industrisë përpunuese në tekstile.
Faleminderit për vëmendjen.