Tiranë – Ministri i Brendshëm Taulant Balla dhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi nënshkruan sot Udhëzimin, që adreson një situatë të re të krijuar si pasojë e zhvillimeve në vend, me krijimin e disa institucioneve të reja, por edhe avancimin e teknologjisë. Ministria e Brendshme, përmes Gjendjes Civile është institucioni përgjegjës për ruajtjen e të dhënave të shtetasve, të cilat kërkohen rregullisht nga institucionet gjyqësore.
Ministri Balla nënvizoi rëndësinë e këtij dokumenti, duke vënë njëherësh në dukje kontributin konkret të Zyrës së Komisionerit në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Duke komentuar dokumentin e nënshkruar, Balla tha se u plotësua një detyrim i rëndësishëm që ka të bëjë me përcaktimin e institucioneve dhe të gjitha organeve që marrin të dhëna personale nga shërbimi i Gjendjes Civile, për mënyrën, llojin dhe sasinë e informacionit që ato marrin, duke i kushtuar vëmendje të veçantë pjesës së mbrojtjes së të dhënave personale. Në këtë projekt udhëzim janë përfshirë disa institucione të reja, të cilat kanë një rol kyç në zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e të dhënave personale, të tilla si KLGJ, SPAK, BKH, AMP, etj. Këto institucione do të kenë qasje të saktësuar dhe të përshtatur në bazë të legjislacionit përkatës për mbrojtjen e të dhënave personale.
“Me anë të këtij Udhëzimi synohet që të ketë përmirësime në Procedurat e Shërbimit të Gjendjes Civile. Më konkretisht Udhëzimi i ri, siguron që shërbimi i Gjendjes Civile të jetë më transparent dhe të ofrojë informacionin e nevojshëm për këto institucione në mënyrë të sigurt dhe të kontrolluar. Ky udhëzim përmban gjithashtu përmirësime në procesin e verifikimit të të dhënave për të garantuar integritetin dhe sigurinë e informacionit të ndarë. Integrimi i teknologjisë dhe ndryshimet ligjore janë një risi tjetër e këtij udhëzimi. Në kuadër të kësaj nisme janë përfshirë dispozita të reja që lidhen me përdorimin e teknologjisë në proceset zgjedhore, të cilat janë të rëndësishme për rritjen e besueshmërisë dhe efikasitetit të proceseve demokratike në vendin tonë. Në përgatitjen e këtij udhëzimi janë marrë parasysh dhe integruar komentet e institucioneve të ndryshme në mënyrë që dokumenti të përmbushë të gjitha kërkesat ligjore dhe të mbrojë të drejtat e qytetarëve”, u shpreh Balla.
Më tej, Ministri bëri apel për qytetarët dhe median ta mbështesin këtë iniciativë, e cila është jetike për përmirësimin e transparencës dhe besueshmërisë së institucioneve.
Komisioneri Besnik Dervishi deklaroi se u përmbyll një proces tejet i kujdesshëm në lidhje me aksesin e të dhënave e Regjistrit të Gjendjes Civile, të cilin e konsideron një proces model.
“Gjej rastin të falënderoj DPGJC, stafin, e ju personalisht për këtë proces korrekt, të kujdesshëm dhe që duhet të shërbejë si model të gjithë institucionet e tjera. Në funksion të këtyre detyrave edhe Zyra e Komisionerit, merr nuancat dhe shtohet në institucionet e sigurisë kombëtare. Veprimtaria e organeve ligjzbatuese, ku në juridiksionin e MB-së ka një veprimtari të gjerë, është shumë e ndjeshme edhe në këndvështrimin e mbrojtjes së të dhënave personale, administrimin dhe përpunimin e të dhënave në sistemet, databazat. Pa harruar transparencën që këto institucione kanë në raport me publikun, e mbështetur në standardet e BE-së dhe në rregulloren e re të Bashkimit Europian. Ne kemi konstatuar që duhet forcuar niveli i marrjes së masave të sigurisë, ruajtja e konfidencialiteti i të dhënave, identifikimi dhe gjurmimi i niveleve të aksesit, apo dhe kategoria e të dhënave që përpunohen nuk duhet të jenë në tejkalim të parashikimeve apo duhet të jenë në respektim të parimit të mjaftueshmërisë”, nënvizoi Komisionieri.