Programi Kombëtar i Strehimit, ministrja Ibrahimaj: Mbështetja zgjerohet përtej shtresave në nevojë
Shqipëria do të kalojë drejt një sistemi kombëtar të integruar të strehimit, që synon të zgjerojë mbështetjen përtej shtresave në nevojë, duke përfshirë çiftet e reja, punonjësit që duhet të jetojnë pranë vendit të punës, të rinjtë që zhvendosen për punësim dhe kategori të tjera të shtresës së mesme.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, prezantoi drejtimet e reja të politikës së strehimit, duke theksuar se sistemi i ri do të lidhë strehimin me planifikimin e territorit, tokën publike, zhvillimin urban, transportin, tregun e punës dhe zhvillimin ekonomik.
Sipas ministres, ndryshimet demografike, urbanizimi dhe rritja e çmimeve të banesave kanë krijuar nevojën për një qasje të re. Numri i familjeve në Shqipëri është rritur me 4,7% në 11 vjet, ndërsa madhësia mesatare e familjes ka zbritur nga 3,9 në 3,2 anëtarë. Në të njëjtën kohë, rritja e ofertës nga ndërtimi nuk është përkthyer automatikisht në banesa më të përballueshme për qytetarët.
Në arkitekturën e re institucionale, ministria do të ketë rolin politikëbërës, ndërsa Agjencia e Zhvillimit të Territorit do të zgjerojë kompetencat si krahu teknik për zbatimin e politikave, identifikimin e tokave publike dhe strukturimin e projekteve që do të zbatohen nga bashkitë. Enti Kombëtar i Banesave parashikohet të transformohet në një shoqëri publike, e cila do të ndërtojë dhe menaxhojë banesa jo vetëm për qëllime sociale, por edhe për strehim të përballueshëm.
Politika e re parashikon gjithashtu krijimin e një fondi kombëtar për strehimin social dhe të përballueshëm, ku do të grumbullohet kontributi prej 3% nga zhvilluesit, së bashku me financimin nga buxheti i shtetit. Të ardhurat nga qiratë ose shitja e banesave të përballueshme do të riinvestohen në politikat e strehimit.
Gjatë prezantimit, ministrja Ibrahimaj njoftoi edhe shpalljen e 26 bashkive fituese në programin për përmirësimin e kushteve të banesave, nga 33 bashki që kishin aplikuar. Përmes një fondi prej 700 milionë lekësh do të mbështeten 663 familje në të gjithë vendin.
Vetëm këtë vit janë hapur 300 kuota për kredi me interes 0% për punonjësit e administratës publike, ndërsa vijon shpërndarja e 2000 kuotave për kredi me normë interesi të lehtësuar prej 3%, të miratuara vitin e kaluar. Bashkia e Tiranës ka shpallur gjithashtu thirrjen për 1500 kuota të tjera për kredi me normë interesi të lehtësuar.
Ministrja bëri të ditur se, nga viti 2018 deri më sot, rreth 30 mijë familje shqiptare, ose rreth 100 mijë banorë, janë mbështetur përmes politikave të ndryshme të strehimit. Gjatë kësaj periudhe, 7219 familje janë mbështetur me kredi të lehtësuara dhe 14512 familje me subvencionim qiraje, ndërsa janë ndërtuar 1058 banesa sociale dhe janë përmirësuar banesat për 6078 familje.
Paketa e re ligjore për politikat e strehimit është përgatitur dhe në vijim pritet prezantimi i instrumenteve për zbatimin e saj.