Ka përfunduar projekti për rikualifikimi urban të bllokut të banesave dhe rrugëve lidhëse në qendër të Kamzës. Sot Kryeministri Rama i shoqëruar nga kryebashiaku i Kamzës Rakip Suli dhe drejtori i përgjithshëm i Fondit Shqiptar të Zhvillimit Dritan Agolli, ishin në Kamëz për të parë nga afër përfundimin e punimeve.
Projekti ka rivitalizuar zonën duke zhvilluar të gjithë infrastrukturën urbane, ku përfshihet asfaltimi i rrugëve të brendshme, hapja e hapësirave të reja në brendësi të bllokut të banesave, ndërtimi i trotuareve si dhe sistemimin e infrastrukturës nëntokësore.
“Është rehabilituar e gjithë zona, 25 pallate. Gjithsej vetëm sistemi kapot është rreth 40 mijë metër katror dhe falë këtij investimi sot kemi më pak shpenzim të energjisë elektrike dhe portofoli i qytetarëve ka një kursim nga fatura. E dyta gjë e mirë që është bërë është edhe izolimi i soletave dhe depozitat e përbashkëta. Tërmeti na i nxori në pah këtë. Tani gjithë pallatet i kanë depozitat e përbashkëta. Kanë përfunduar edhe 2.6 kilometër rrugë, infrastrukturë, e gjitha me kënde lojërash, me stola, investim nëntokësor dhe mbitokësor”, – u shpreh kryebashkiaku i Kamzës, Suli.
Një tjetër investim në zonë është edhe krijimi i tregut të fruta-perimeve. “Tani edhe Kamza do ketë tregun e vetë, jemi në mbyllje të procedurave për marrjen në dorëzim. Tregu ka përfunduar dhe jemi në proces për vënien në funksion të tij”, – u shpreh kreu i bashkisë së Kamzës.
Ndërhyrje tjetër në këtë bllok është dhe vendosja e gjelbërimit pasi në bllok gjelbërimi ishte inekzistent. Ndriçimi gjithashtu ishte një element që i mungonte bllokut të banimit dhe me shtimin e tij dhe elementëve të tjerë të mobilimit urban i jepet jetë dhe gjatë natës bllokut të banimit. “Këtu gjithçka pas orës 7 mbyllej. Tani pas investimi ke familjarë që dalin deri në 11 të darkës, fëmijët duke luajtur. Ka marrë jetë biznesi dhe gjithë zona. Ndërkohë me shkollat dhe kopshtet jemi duke vazhduar e po shkojmë 29. Kemi dhe 5 në proces dhe përfundon 100% infrastruktura arsimore”, – tha kryebashkiaku Suli.
“Ka dalë shumë bukur se ishte tmerr këtu”, – nënvizoi Kryeministri Rama teksa përshkoi në këmbë një pjesë të bllokut të banimit.
Investimi i ka dhënë një hov të ri jetës në qytet teksa jo vetëm vlera e pronave është rritur, por edhe bizneset janë shtyrë të investojnë dhe të rijetëzojnë ambientet e tyre të shërbimit.