Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Albana Koçiu u ka bërë thirrje drejtuesve të bashkive që të aplikojnë për të përfituar nga mekanizmi i Fondit Social, një instrument i rëndësishëm për ofrimin dhe zgjerimin e shërbimeve sociale, por edhe krijimin e shërbimeve të reja.
Gjatë takimit me të zgjedhurit vendorë, ku ishte i pranishëm Kryeministri Edi Rama, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku dhe ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ministrja Koçiu u shpreh se Fondi Social ka arritur në këtë periudhë 5-vjeçare të ketë një bilanc të rëndësishëm suksesi si një instrument i rëndësishëm financiar i cili garanton bashkëfinancim mes qeverisjes qendrore dhe pushtetit vendor për të ofruar shërbime sociale të domosdoshme në territor për grupet në nevojë.
“Nëse do i referoheshim 5 vite më parë, në vitin 2018 ne kishim afro 27 bashki pa asnjë qendër me shërbime sociale komunitare. Sot 61 bashkitë e vendit ofrojnë të paktën 1 shërbim social. Ky Fond mundësoi gjatë 5 viteve ngritjen e 73 shërbimeve për 33 mijë përfitues, në 54 bashki dhe 8 qarqe me 581 punonjës të punësuar”, u shpreh ajo.
Koçiu vuri në dukej se sipas tipologjive të shërbimit nga Fondi Social, janë mundësuar 18 shërbimeve të integruara komunitare me shërbime lëvizëse për personat me aftësi të kufizuar apo shërbime në banesë për të moshuarit, 32 qendra multifunskionale të cilat preken të gjitha kategoritë në nevojë, 4 shërbime emergjence kryesisht për gratë viktima të dhunës apo për fëmijët në situata rrisku, 17 shërbime të specializuara në nivel qarku dhe 2 shërbime asistencë për të moshuar në nevojë.
Ministrja Koçiu bëri të ditur se është shpallur thirrja e radhës për Fondin Social për vitin 2025 dhe u bëri thirrje drejtuesve të bashkive që të aplikojnë për të përfituar nga ky mekanizëm social deri më datë 25 tetor. Ajo nënvizoi domosdoshmërinë e ngritjes së shërbimeve të munguara dhe inovative.
“Do të inkurajoja bashkitë të cilat nuk kanë aplikuar nga Fondi Social të aplikojnë dhe të sjellin propozimet e tyre. Janë 15 bashki që nuk kanë aplikuar ende dhe përgjatë këtyre 5 viteve nuk kanë përfituar nga Fondi Social. Do t’i orientonim duke patur në konsideratë faktin që ne sot kemi hartuar dhe kemi gati një hartë digjitale të nevojave për shërbime sociale dhe çdo njëri prej jush mund të bëjë një vlerësim të shërbimeve të munguar apo nevojës për të zgjeruar shërbimet sociale kryesisht me fokus në shëndetin mendor, shërbime komunitare dhe Rezidenciale për të moshuar të vetmuar; shërbime për të rritur me spektrin autik dhe paaftësi mbi 21 vjeç; shërbime për gratë dhe fëmijët në situatë rrisku si dhe forcim i bashkëpunimit për ofrimin e shërbimeve sociale për disa bashki kufitare”, deklaroi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu.