Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu si dhe ambasadorja e Zvicrës në Tiranë, Ruth Huber, nënshkruan të martën dy marrëveshje që forcojnë më tej sistemin e kujdesit shëndetësor parësor dhe aksesin në shërbime pranë vendbanimit të qytetarëve tanë.
Marrëveshja në kuadër të zbatimit të projektit “Shëndet për të gjithë” (HAP – Health for All), konsolidon bashkëpunimin teknik dhe financiar për modernizimin dhe zgjerimin e shërbimeve të kujdesit parësor shëndetësor pranë vendbanimit.
Ndërsa marrëveshja “për mbështetjen për gadishmërinë dhe përgjigjen ndaj emergjencave shëndetësore”, ka për qëllim forcimin e gatishmërisë dhe reagimit ndaj çdo emergjence shëndetësore.
Ministrja Koçiu i shprehu mirënjohjen ambasadores së Zvicrës për mbështetjen që qeveria zvicerane ka dhënë për reformat në vendin tonë.