Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha sot se “buxheti prej 98.72 miliardë lekë (rreth 950 milionë euro) është më i larti i akorduar ndonjëherë në historinë e shtetit shqiptar për sektorin e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale”.
Në fjalën e saj gjatë shqyrtimit në parim të projektligjit “Për buxhetin e vitit 2024” të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në Komisionin për Punën, Çështjes Sociale dhe Shëndetësisë ministrja Koçiu theksoi se “ky buxhet tejkalon buxhetin rekord të vitit 2023 dhe është pothuajse tri herë më i lartë se buxheti i akorduar për shëndetësinë 10 vjet më parë”.
“Reformat, investimet dhe transformimi i mbështetur në këtë paketë historike prej gati “1 miliard euro” është shprehje e vullnetit të qeverisë për të bërë edhe më shumë, edhe më shpejt, në ofrimin e standardeve europiane që shqiptarët meritojnë”, tha Koçiu.
Sipas saj, buxheti 2024 rrit mbulimin universal për qytetarin, duke reduktuar kostot dhe duke rritur aksesin pranë shtëpisë.
“Buxheti 2024 rithekson rolin qendror të mjekut dhe infermierit në strategjinë tonë për shëndetësinë, duke mbështetur një rritje të mëtejshme të pagave, përmirësimin e kushteve të punës dhe rritjen e autonomisë spitalore. Ky buxhet vijon në rrugën e investimeve kapitale, duke hapur kantiere të reja modernizimi anembanë vendit”, tha Koçiu.
Konkretisht, shtoi ministrja, buxheti për Shëndetësinë dhe Mbrojtjen Sociale në vitin e ardhshëm do të jetë sa 4.06% i PBB, ose 13.4% i shpenzimeve të buxhetit të shtetit.
“I ndarë në sektorë, pothuajse 68 miliardë lekë, ose 9.24% e buxhetit të shtetit mbështet direkt shëndetësinë, ndërsa pjesa tjetër prej 30 miliardësh shkon për të mbështetur ata qytetarë që kanë më shumë nevojë, si dhe të ish-të përndjekurit politikë, ose 4.22% e buxhetit të shtetit”, theksoi Koçiu.
Ministrja Koçiu tha se “buxheti 2024 mbështet transformimin radikal të shëndetësisë shqiptare, përmes fuqizimit të mjekut, infermierit, rritjes së mbulimit universal dhe modernizimit të mëtejshëm të spitaleve dhe qendrave tona shëndetësore”.