Komunikim me median i Kryeministrit Edi Rama pas mbledhjes së zgjeruar dy-ditore të qeverisë - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Komunikim me median i Kryeministrit Edi Rama pas mbledhjes së zgjeruar dy-ditore të qeverisë

Komunikim me median i Kryeministrit Edi Rama pas mbledhjes së zgjeruar dy-ditore të qeverisë: 

 

Kryeministri Edi Rama: Mirëdita! Duke qenë se keni qëndruar dje, por edhe sot, në respekt të mundit tuaj, megjithëse koha është pak më e arsyeshme nga pikëpamja e temperatures, por sidoqoftë ky është një mund për t’u vlerësuar dhe për t’u respektuar, – unë mund të them disa fjalë lidhur me këtë mbledhje maratonë te zgjeruar të qeverisë ku siç kemi kohë, por në një format tjetër edhe në të shkuarën, në fund të një sesioni dhe në përgatitjen për një sesion tjetër, kemi diskutuar shumë hapur dhe me shumë debat mbi problematikat.

Është bërë një analizë e arritjeve, por duke i parë arritjet, jo nga këndvështrimi i të djeshmes, por nga këndvështrimi i së ardhmes që do të thotë me sy kritik dhe po ashtu për të diskutuar edhe nevoja për të riorganizuar gjithë procesin qeverisës, duke filluar nga vetë organizimi i këtij procesi në godinën e qeverisë dhe besoj që kemi arritur disa rezultate të dobishme dhe kemi vendosur disa piketa të rëndësishme në mënyrë që sesionin e ri ta fillojmë me një impuls të ri, por edhe me një rritje të konsiderueshme të kapaciteteve qeverisëse, duke forcuar më shumë edhe rolin e zëvendës ministrave, por edhe duke përfshirë në vendimmarrje dhe në proces edhe të tjerë drejtues të agjencive të rëndësishme.

Në ndërkohë, do të krijojmë një kanal të ri ndërveprimi me ekspertizën vendase dhe të huaj, nga bota akademike, me organizatat ndërkombëtare, por edhe me individë që kanë çfarë të na mësojnë, qoftë brenda dhe qoftë jashtë vendit.

-Zoti kryeministër, duke qenë se mbledhja dy ditore informale e qeverisë ka qenë një mbledhje me dyer të mbyllura, informacionet që ne kemi mundur të marrin janë ato që ju vetë keni postuar në rrjete sociale dhe në fakt, diçka që ka tërhequr vëmendjen e medias ka qenë pikërisht një fjalë e përdorur prej jush, “Vetëreformim”. A mund të nënkuptojmë nga kjo ndoshta një vetëreformim edhe brenda kabinetit qeveritar, duke qenë se një të tillë ju pak a shumë e keni ndërmarrë brenda Partisë Socialiste dhe me shkarkimin e Sekretariatit, por a mund të ndodhë diçka e tillë edhe në qeveri?

Kryeministri Edi Rama: Ne gjithmonë kemi tendencën t’i lidhim reformat me njerëz, me persona dhe me lirime e emërime apo dhe me shkarkime por vetëreformimi është shumë më i gjerë sesa kaq dhe unë për atë fola në fillim. Është një rikonceptim dhe një riorganizim i procesit qeverisës në funksion të rritjes së eficencës, në funksion të rritjes së kapaciteteve për të arritur rezultate më të shpejta, më të mira dhe më të qëndrueshme dhe në funksion të këtij momenti shumë të rëndësishëm në të cilin ndodhet Shqipëria.

Sot, Shqipëria është diçka krejt tjetër, por gjithmonë, nëse e krahasojmë me dje, ju keni publikuar, më duket para 2-3 ditësh, një raport, statistikat që lidhen me turizmin dhe keni parë sesi Shqipëria ka arritur që të ketë thuajse të njëjtin numër turistësh për 1000 banorë si Greqia, diçka e paimagjinueshme deri jo shumë vite më parë.

Ashtu sikundër e shikoni që imazhi i Shqipërisë në botë është i përmbysur tërësisht deri jo shumë vite më pare, ndërkohë që ajo që ne shohim, nga brenda, është rritja e paimagjinueshme deri jo shumë vite më parë, e interesit të investitorëve të huaj dhe tanimë nuk flasim për projekte të fokusuara vetëm në sektorin e energjisë ku kemi bërë një proces hapjeje dhe rritja e besimit ndaj Shqipërisë që na ka dhënë rezultat përpara sektorëve të tjerë, por këtu flasim për investitorë të mëdhenj në fushën e turizmit, investitorë të mëdhenj në fushën e teknologjisë, të cilët deri para jo shumë vite më parë nuk do ta konsideronin Shqipërinë fare si një mundësi për të zgjeruar biznesin e tyre.

Unë kam pasur, para se të vija këtu, një takim me një investitor që në botën e turizmit hyn tek investitorët e mëdhenj dhe të cilin unë e kam takuar para jo shumë vitesh dhe kur unë i kam thënë atëherë “Të ftoj të vish në Shqipëri” e mbaj mend që me shumë mirësjellje më tha që ishte shumë i zënë. Erdhi në Shqipëri këto ditë, pasi më kërkoi që të vizitonte Shqipërinë dhe kur unë i thashë “Nuk je i zënë?” e më tha “Jo, jam i zënë si gjithmonë, por unë duhet të vij para sesa Shqipëria të jetë shumë e zënë për mua”, që do të thotë që jemi në një situatë tjetër.

Por kjo na vë përpara nevojës që ne të bëjmë një kapërcim tjetër vetë, që ne të kuptojmë se çfarë sfidash të reja sjell ky ndryshim që po ndodh para syve tanë dhe që të kuptojmë se sa shumë gjëra ne duhet t’i vëmë në dispozicion nga ana e kapacitetit qeverisës këtij ndryshimin për ta çuar Shqipërinë në 2030 në atë majë që e kemi përcaktuar si vizionin tonë.

Ose, ne jemi në prag të një tjetër zhvillimi shumë të rëndësishëm në fushën e energjisë që ka të bëjë me burimet natyrore. Nuk mund të flas më shumë sepse është ende konfidenciale, por do ta shikoni shumë shpejt, në mos në javët e ardhshme që do të gjendemi përpara një situate krejt tjetër. Por çfarë do të thotë kjo? Bashkë me lajmin e mirë vjen edhe barra që në një situatë tjetër ti të kesh kapacitete për t’u adaptuar dhe për të qenë në lartësinë e situatës nga pikëpamja e procesit qeverisës.

Krahas me këto, ne kemi sfida që kanë të bëjnë me rritjen e cilësisë së krahut të punës, që kanë të bëjnë me ndryshimin e trajektores në disa sektorë. E kam thënë më parë, Shqipëria nuk mundet më të konsiderojë avantazh konkurrues forcën e lirë, krahun e lirë të punës. Ishte avantazh konkurrues në një fazë të mëparshme, sot nuk është më dhe kam pasur një debat para pak ditësh me një prej përfaqësuesve të sektorit të prodhimit.

Ne e dimë shumë mirë që në sektorin e prodhimit dhe të eksporteve ka pasur një stres jo të vogël për shkak të forcimit të lekut dhe rënies së euros, në raport me lekun, por kjo, dhe kemi pasur një konsultë të gjerë me disa nga ekspertët më të mirë ndërkombëtarë. Mos harroni që këshilltari im për ekonominë është këshilltari i kancelares Merkel.

Një lek i fortë në këtë moment dhe në këtë kohë, kur një lek i dobët do na kishte sjellë një dhimbje koke katasrofike, është një histori suksesi, por nga ana tjetër duhet kuptuar që është dhe një kambanë e fortë alarmi për atë sektor, sektorin fason ku nuk mund të vazhdohet më duke përsëritur të njëjtën gjë duke pritur rezultate të ndryshme. Duhet shkuar drejt ciklit të mbyllur, e kemi thënë 1000 herë dhe ky stres, unë jam i bindur që do të nxisë një pjesë prej tyre që do të vrapojnë drejt ciklit të mbyllur siç kanë bërë disa të tjerë. Dhe kështu me radhe ne kemi prekur të gjitha temat.

Kemi folur për një tjetër reformë, një reformë shumë të rëndësishme që duhet të nisim në arsim për të thelluar më tutje një proces ku ne nuk mund të jemi të papërgatitur përballë gjithë këtyre konjukturave të reja që po krijon kjo kohë e re lëvizjesh të mëdha demografike, rënieje të lindshmërisë në mënyrë të përgjithshme, ndryshme që ndodhin dhe vetë brenda botës së zhvillimeve teknologjike sepse për shembull ne si gjithë të tjerët u fokusuam te kodimi. Tani dhe te programet e kodimit për të rinjtë. Tani me inteligjencën artificiale ajo që ka dalë përpara gjithë botës së zhvilluar është çfarë do bëhet me këtë pjesë sepse kjo pjesë mund të dalë komplet jashtë loje dhe praktikisht një pjesë e konsiderueshme e asaj që ishte avangarda e zhvillimit dhe ku e gjithë bota bënte përpjekje për të pasur sa më shumë njerëz në atë avangardë, del jashtë loje me inteligjencën artificiale. Kemi folur gjatë për programet e inteligjencës artificiale. Do ndalem dhe këtu një minutë dhe pastaj e mbylla.

Ne kemi një proces të integrimit europian që kërkon që ne transpozojmë 4300 e ca ligje dhe akte nënligjore ne legjislacionin tonë. Kapaciteti ynë i prodhimeve të këtyre akteve është rreth 60 në vit. Po të bëni matematikën ju e merrni me mend vet sesa vite do duheshin. Këtë situatë kanë patur dhe vendet e tjera para nesh që kanë hyrë në procesin e integrimit dhe si e kanë adresuar, e kanë adresuar me mbështetje të madhe financiare dhe më një numër shumë të madh ekspertësh të angazhuar plus dhe me duzina dhe duzina përkthyesish dhe me male me letra. Jemi në një kohë tjetër. Me inteligjencën artificiale ne mund ta bëjmë këtë transpozim në një kohë shumë më të shpejtë dhe me kosto shumë më të ulëta.

Kemi folur për prokurimet. Ne e dimë shumë mirë që prokurimet publike në Shqipëri kanë ende problematikë pavarësisht se janë komplet në një nivel tjetër me çfarë ishin më parë. Ama ato prodhojnë stres, ato prodhojnë padrejtësi, ato prodhojnë edhe nga ana tjetër një pjesë të rëndësishme të perceptimit të qytetarëve për vendin, por edhe të atyre që ne na analizojnë, vëzhgojnë dhe bëjnë raporte të caktuara.

Atëherë, me inteligjencën artificiale ne mund ta transformojmë komplet procesin e prokurimit. Kemi filluar një reformë të prokurimeve. Kemi nxjerre aktualisht për konsultim publik një ligj të ri, do ndryshojmë komplet sistemin e prokurimeve pavarësisht inteligjencës artificiale, por me inteligjencën artificiale do ta çojmë këtë proces në një nivel komplet tjetër.

Po ashtu jemi duke transformuar e-Albania. Ju do shikoni që e-Albania në fillim të sezonit pas pushimeve do të komunikojë me qytetarët. Do të komunikojë me qytetarët njësoj si ChatGPT, pra nuk do ketë më nevojë për helpdesk-un e e-albania. Qytetari që do të hyjë në e-Albania do të jetë i shoqëruar nga inteligjenca artificiale njësoj si të ishte i shoqëruar nga dikush mbrapa ekranit që i shkruan, në kohë reale. “Dua të bëj këtë licencë, dua të bëj këtë shërbim”. Dhe po kështu dhe bashkëqeverisjen do ta fusim në këtë proces dhe besoj se brenda vitit ne do kemi dhe shoqëruesin virtual me zë dhe me figurë, pra e-albania nuk do të jetë më thjeshtë më shkrim, por do të marrësh në “facetime” do komunikosh me e-Albania dhe ai personi që nuk është një person real, por që është një person që i di të gjitha ato që duhet të dijë për nevojat e tua do të drejtojë kliko këtu, kliko aty, shkruaj këtu, shko aty dhe do kryesh shërbimin. Dhe këtë proces do ta shtrijmë dhe në të tjerë sektor. Edhe për drejtësinë kemi filluar një projekt të inteligjencës artificiale që do të ndihmojë në mënyrë të jashtëzakonshme sistemin e drejtësisë, do të rrisë transparencën, do të informojë publikun, mediat apo personat që hyjnë në marrëdhënie me sistemin e drejtësisë, qoftë si avokat, qoftë si të akuzuar që të kenë një tjetër instrument të një tjetër niveli dhe për shumë më tepër objektivitet edhe ne vendimmarrje të drejtësisë.

Pra janë shumë gjëra që janë duke u gatuar, por në fund të gjitha këto kërkojnë njeriun dhe kërkojnë forcën njerëzore dhe rritja e forcës njerëzore dhe e kapaciteteve të kësaj force në procesin qeverisës është objektivi im kryesor dhe edhe kjo mbledhje ishte në këtë sens.

– Në Asamblenë e para 3 ditëve keni shkarkuar pothuajse të gjithë kupolën drejtuese të Partisë Socialisten por emri që ra më shumë në sy ishte ai i Damian Gjiknurit. A ka të bëjë kjo me përfshirjen e tij në dosjen e famshme të inceneratorëve?

Kryeministri Edi Rama: Shiko, po të nisemi në vendimmarrjet tona nga thashethemet apo nga përfshirjet paraprake të kujtdo qoftë në një proces analize qoftë dhe hetimore, atëherë unë nuk di kush mbetet këtu në këtë vend pa u bërë pis, por po ju them që ndërkohë që raportin tonë me drejtësinë e kemi bërë shumë të qartë dhe e kam bërë shumë të qartë në raportin e fundit të asamblesë, lëvizja e të gjithë sekretariatit të Partisë Socialiste nuk ka të bëjë aspak me çfarë është spekuluar lidhur me Damianin. Damiani e ka bërë punën e tij dhe e ka bërë mirë për derisa edhe rezultatet kanë folur mirë për PS, por unë kam besuar gjithmonë e besoj gjithmonë që përpara se sa të të vënë të tjerët në pozitën që ti të kuptosh se çfarë duhet të bësh për të qenë mbi të tjerët, duhet ta bësh ti vetë dhe Partia Socialiste është këtu sot prej 10 vitesh se pikërisht këtë ka bërë. Të tjerët i kemi parë se si asnjëherë nuk kanë parë nga vetja, por gjithmonë i kanë gjetur shkaqet jashtë vetes dhe prandaj janë aty ku janë. Ne gjithmonë kemi parë nga vetja për të kërkuar më shumë nga vetja e për të shkuar më lart. Kjo mbase vjen dhe nga kultura sportive e imja që në një moshë kur formohet njeriu jam edukuar me idenë që çdo ditë duhet të kërceja më lartë dhe sa më shumë të punosh aq më shumë mund të kërcesh por kjo është arsyeja. Të gjitha të tjerat janë spekulime që mua nuk më interesojnë sepse raporti me drejtësinë i kësaj force politike i kësaj qeverie dhe i imi personalisht është shumë i qartë, është i ndarë nga gjërat e tjera. Lëvizjet tek ne bëhen vetëm për arsye të nevojës për ta çuar punën në një nivel tjetër, të nevojës për të kërcyer më lart.

– Zoti Rama, meqenëse jemi buzë Drinos që është pjesë e Vjosës, ReportTV shumë herë ka trajtuar problemin e depozitimit të mbetjeve urbane në zonat që prekin këtë lum që është pasuri kombëtare dhe ju vetë jeni një prej iniciatorët që Vjosa është pasuri kombëtare. Deri më tani në fakt nuk është ndërmarrë ndonjë iniciativë konkrete për trajtimin e këtyre mbetjeve. Kujtoj këtu që mbetjet e Memaliaj, Tepelenës, Përmetit apo ndonjë zone tjetër, trajtohen…

Kryeministri Edi Rama: Jo vetëm mbetjet por edhe ujërat e zeza. Kështu që ne jemi shumë të vetëdijshëm për këtë. Paraprakisht lejomëni t’ju them që Shqipëria më e pastër se sot nuk ka qenë kurrë dhe kini parasysh që në Shqipëri ne kemi një numër turistësh këtë vit që është marramendës dhe megjithatë pavarësisht se rritja e numrit të turistëve në një industri të turizmit ku prurja kryesore vjen nga turizmi i masës, kjo shoqërohet edhe me rritje të mbetjeve dhe pavarësisht kësaj, besoj se e keni vënë re që pastërtia mbetet edhe këtë vit dhe kjo është kënaqësi e madhe për mua dhe është meritë e padiskutueshme e ministres së Turizmit dhe Mjedisit që i rri në kokë të gjithë këtij procesi, ditën dhe natën dhe në kohë reale informohet se çfarë operacionesh kryhen për pastrim, pika ku të gjithë turistët e huaj thonë që jemi të impresionuar nga pastërtia.

Përsa i përket Vjosës, po të mos i kishte qendruar në kokë ministrja që është dhe deputete e këtij qarku, është dhe drejtuese e këtij qarku, Vjosa nuk do ishte arritur dot të shpallej Park Kombëtar, por ama jo ta shpallësh ti dhe pastaj të rrish të shohësh qiellin, por të shpallet Park Kombëtar me një aleancë aq të gjerë dhe juve po ja u kujtoj tani, e keni dëgjuar, por duhet rikujtuar, që programi i parkut kombëtar ka brenda zgjidhjen e problemit të kanalizimeve dhe zgjidhjen e problemit të mbetjeve, por natyrisht që këto bëhen me fonde dhe në këtë drejtim jemi duke bërë projektin edhe për qendrën e parë të pritjes në parkun kombëtar dhe për këto ndërhyrje. Kemi një mbështetje të konsiderueshme nga partnerët me të cilët kemi lidhur këtë aleancë për Vjosën, park kombëtar dhe edhe kjo situatë do të ndryshojë.

S’ka asnjë lloj penaliteti ndaj njësive vendorë që janë konsumuese të shkeljeve, pra të depozitimit të mbetjeve urbane në Vjosë. Nëse do të kishte një reagim nga qeveria, do ishte kjo situatë?

Kryeministri Edi Rama: Edhe një herë tjetër, mund të penalizosh sa të duash njësitë vendore pse ujrat e zeza derdhen në Vjosë, por unë nuk di ndonjë mënyrë sesi ujrat e zeza mund të kthejnë rrugë nëse nuk investohet që ato të kthejnë rrugë. Kapacitetet e njësive vendore të vijës së lumit nuk janë të atilla që mund ta përballojnë këtë ndryshim, prandaj ne parkun kombëtar e kemi të shoqëruar me një aleancë ku bashkëfinancojmë për transformimin e tij. Dhe e njëjta gjë edhe për mbetjet për të cilat flitet, ku meqë ra fjala, ju keni shumë të drejtë në atë që thoni, por do ishte ndihmë shumë e madhe sikur të shtoni dhe kontributin negativ të shumë individëve që kalojnë dhe hedhin shishe…

Ata që hedhin shishe, penalizohen, shkojnë në burg, por njësitë vendore nuk po penalizohen. Ka dy standarde.

Kryeministri Edi Rama: Për fat të mirë dhe të keq, në Shqipëri nuk ka shkuar në burg askush, as për hedhje plehrash dhe as për mos pagim energjie se dhe kjo e energjisë është bërë si një gjë që “këtu shkojnë në burg se s’paguajnë dritat”. Nuk ka shkuar kurrë në burg askush që s’ka paguar dritat. Në burg kanë shkuar ata që kanë vjedhur dritat. Ky është një koncept i ndryshëm nga mospagimi.

Ata që ua kanë marrë të tjerëve dritat dhe që janë grabitës. Përsa i përket atyre që hedhin mbetjet, ky është një proces dhe në këtë proces, transformimi është i dukshëm, do vazhdojë dhe patjetër dhe këto që thatë ju do korigjohen, por unë dua të përfitoj nga rasti për ata që djegin pyjet. Është meritë e madhe e policisë së shtetit dhe unë dua t’i falenderoj edhe publikisht, i kam falenderuar jo publikisht, që kanë arrestuar disa nga autorët e djegies së pyjeve për të cilët Kodi Penal parashikon burgosje të gjata dhe nga ana tjetër, dua t’i bëj një thirrje prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, që kanë shpallur në mënyrë edhe më kriminale sesa ata që kanë djegur pyjet, pushime çështjesh, mosfillime çështjesh për djegie pyjesh që të mos harrojnë fëmijët e tyre, të mos harrojnë fëmijët e fëmijëve të tyre dhe të mos harrojnë as gjyshërit dhe stërgjyshërit e tyre që kanë mbjellë ato pemë dhe që kanë bërë që ato pemë të shtohen, kur marrin përsipër vendime të tilla kriminale për mosfillimin e çështjes për këta kriminelë që duhet të shkojnë në burg dhe duhet të rrinë gjatë në burg sepse me një shkrepse që vjen vetëm nga një kotësi kriminale, djegin pasuri të tëra të vendit dhe nuk dua në asnjë mënyrë që në Shqipëri të ndodhë siç po ndodh në disa vende rreth e rrotull që po digjen e po përvëlohen nga zjarrvënia e papërgjegjshme, ndërkohë që për këtë arsye ne e kemi bërë këtë ndryshim në Kodin Penal.

Ka një nen në Kodin Penal që është zjarri, vendosja e zjarrit në pyeje, që është shumë i qartë!

Faleminderit!

Previous Shpallet thirrja për aplikimet e punonjësve të shërbimit psiko-social / Ministrja Kushi: Këtë vit vijmë me një risi!