Konferencë e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Edi Rama dhe Komisionerit të BE për menaxhimin e krizave, Janez Lenarčič - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Konferencë e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Edi Rama dhe Komisionerit të BE për menaxhimin e krizave, Janez Lenarčič

Kryeministri Edi Rama: Sot jemi këtu së bashku me Komisionerin Europian Janez Lenarčič i cili besoj që është një emër dhe një fytyrë e njohur për publikun tonë, pasi ishte ndër të parët që mbërritën në Shqipëri në momentet dramatike menjëherë pas rënies së tërmetit.

Sot Komisionieri është rikthyer në Shqipëri, por këtë herë besoj për një lajm shumë të mirë që ka të bëjë me anëtarësinë e Shqipërisë në unionin e mekanizmit të mbrojtjes civile të Bashkimit Europian. Është një hap i rëndësishëm të cilin ne faktikisht mund ta hedhim në bazë të reformave që kemi bërë në funksion të transformimit të Agjencisë Kombëtare të Emergjencave Civile dhe po ashtu në bazë të punës që kemi bërë për të rritur në vijimësi kapacitetet logjistike, operacionale dhe profesionale të kësaj agjencie.

Reformimi i sistemit të mbrojtjes civile është në proces në rang kombëtar dhe sigurisht edhe si bashkërendim në nivel evropian. Janë domethënëse rastet që mund të kujtojmë lidhur me asistencën që ky mekanizëm, mekanizmi i mbrojtjes civile të Bashkimit Europian, i ka dhënë Shqipërisë. Tërmeti është një moment jashtëzakonisht me peshë në këtë mbështetje, por edhe çfarë pasoi me pandeminë, përsëri ishte mbështetja e këtij unioni të mbrojtjes civile që na i lehtësoi plagët edhe na e lehtësoi përballjen me “armikun e padukshëm”.

Nga ana tjetër, edhe falë ndihmës së drejtpërdrejtë të Komisionerit, ne kemi marrë ndihmë nga ky mekanizëm në përballjen me zjarret e rënda të vitit të shkuar, ku mjetet ajrore që u përdorën nga shtete si Holanda apo Republika Çeke, i përkisnin këtij mekanizmi.

Këtu vlen të theksohet fakti se Europa këtë mekanizëm e ka ngritur dhe po e forcon në funksion të domosdoshmërisë për ta përballur së bashku ndryshimin e klimës dhe pasojat e ndryshimit të klimës në pikërisht mjedisin tonë. Mjedisin e çdo vendi, mjedisin e Europës, por jo vetëm kaq, por për të përballur së bashku kriza të rënda, është mekanizmi i mbrojtjes civile të Bashkimit Europian që është në krye të përpjekjes për të garantuar një mbështetje sa më të madhe për Ukrainën. Gjithçka që nuk është armatim, që nga ushqimi, tek autoambulancat, që nga medikamentet tek asistenca për karburant dhe tjetër e tjetër, i mbulon ky mekanizëm.

Anëtarësim i Shqipërisë në këtë bashkim europian të mbrojtjes civile, sepse i tillë quhet në fakt ky union që funksionon me këtë mekanizëm, është një hap shumë domethënës, por është njëkohësisht edhe një lehtësim i madh për ne, po të kemi parasysh nevojat e vazhdueshme që kemi, vulnerabilitetin e vendit e të rajonit tonë. Ashtu sikundër, edhe këtu po e mbyll, nuk bëhet fjalë vetëm për të marrë, por bëhet fjalë edhe për të dhënë, nuk bëhet fjalë vetëm për të përfituar nga kontributi i të tjerëve, por edhe për të dhënë kontributin tonë sado modest në këtë mekanizëm. Kështu që dua ta falënderoj Komisionierin dhe e pamë të udhës që dorëzimin e letrës së interesit për anëtarësimin e Shqipërisë në këtë union ta bëjmë edhe publikisht, me firmën edhe të ministrit të Mbrojtjes së Shqipërisë dhe nëpërmjet meje, komisionierit.

Komisionieri i BE për menaxhimin e krizave Janez Lenarčič: Është kënaqësi që jam këtu serish në Shqipëri!

Keni të drejtë, misioni im i parë zyrtar dhe sapo mora detyrën si Komisioner për Menaxhimin e Krizave ka qenë pikërisht këtu në Shqipëri, pas tërmetit të tmerrshëm në Durrës, si dhe në zonat dhe bashkitë rreth e rrotull nga të cilët humbën jetën njerëzit, në nëntor 2019, fatkeqësisht.

Sot kam ardhur në rrethana më të mira, fatmirësisht nuk kemi të bëjmë sot me ndonjë urgjencë apo emergjencë edhe pse ka pasur një zjarr të madh në Sazan, në Vlorë përpara një jave dhe një gjë kanë këto dy fatkeqësi, tërmeti i 2019 dhe zjarret në Sazan që i kanë të përbashkëta; në të dyja rastet, me kërkesë nga pala shqiptare, mekanizmi i BE për Mbrojtjen Civile u aktivizua menjëherë dhe u organizua dhe ndihmesa që u dha, për shembull aeroplanë nga Greqia që erdhën pikërisht për të ndihmuar për të shuar zjarret në Sazan.

Dy vite e gjysmë më parë, reagimi apo përgjigja që patëm ne ishte shumë më e madhe sepse dhe nevojat ishim më të mëdha pas atij tërmeti të tmerrshëm që solli, jo vetëm nevoja për emergjenca të menjëhershme, por pastaj edhe të gjitha nevojat që lindën nga rindërtimi dhe për rindërtimin.

Ajo që mund të mësojmë nga këto dy fatkeqësi, por edhe të tjera që kemi patur më parë, 10 raste ka pasur gjithsej në 5 vitet e fundit; kam fjalën gjithmonë për ato raste kur Shqipëria është përballur me situata emergjente si përmbytje apo zjarre. Gjëja e rëndësishme është që në të gjitha këto raste, Shqipëria ka pasur mundësinë të mbështetet tek solidariteti i Bashkimit Europian, solidariteti i shteteve anëtare të BE si edhe shtete të tjera pjesëmarrëse të këtij mekanizmi të BE-së për mbrojtjen civile.

Tani po arrij tek pjesa kryesore e jona. Mekanizmi i BE-së për mbrojtjen civile nuk përmban vetëm 27 shtetet anëtare, por edhe disa shtete të tjera të cilat, siç e thashë pak më parë, ne i quajmë “Shtete të tjera pjesëmarrëse” në këtë mekanizëm. Për momentin kemi 6 shtete të tilla pjesëmarrëse; kemi Islandën, Norvegjinë, Turqinë, Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. Disa mungojnë nga kjo listë dhe njëra prej tyre është Shqipëria dhe kemi vendosur që kjo gjëja duhet të ndryshonte. Ndaj, jam shumë i lumtur që, kryeministër, ju sot keni vendosur të më dorëzoni kërkesën zyrtare të Shqipërisë, pra letrën e interesit që Shqipëria të bëhet shtet pjesëmarrës i mekanizmit të BE-së për mbrojtjen civile. E pranoj këtë kërkesë tuajën zyrtare me kënaqësi të madhe dhe mund t’ju them që edhe unë personalisht e mbështes këtë objektiv tuajin dhe synimi ynë është që ne të bashkëpunojmë me ju që kjo dëshirë e juaja të bëhet realitet sa më shpejt të jetë e mundur pasi ideja është që Shqipëria, jo vetëm të ketë mundësi të mbështetet tek solidariteti i vendeve të tjera, por që edhe Shqipëria të ketë mundësi të shprehë dhe të tregojë solidaritetin e vet kur shtetet e tjera kanë nevojë për të dhe po ashtu, të fuqizohen kapacitetet në fushën e mbrojtjes civile dhe emergjencave, në veçanti kjo e rëndësishme, jo vetëm për Shqipërinë dhe qytetarët shqiptarë, por për Shqipërinë si një shtet që do mund të ofrojë asistencë kur vende fqinje ndoshta do kenë nevojë për këtë solidaritet dhe ndihmesë.

Ne jemi të vendosur që do të vijojmë punën tonë me ju në javët dhe muajt në vijim, kështu që më lejoni që t’iu dorëzoj, nga ana jonë, një orientim apo rrugëtim që ne mendojmë që duhet ta përmbushim, duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin, pra një plan për punën që do mund të bëjmë ne në këtë mekanizëm të përbashkët të BE-së për mbrojtjen civile.

Zoti Rama si ju si komisioneri thatë që tani që kemi akses, që jemi pjesë e këtij mekanizmi, jo vetëm do të marrim por edhe do të japim. Çfarë mund të japë Shqipëria kur siç e tha komisioner,i një javë më parë zjarri në Sazan pas 4 ditësh iu desh ndërhyrja nga Greqia që të shuhej. Ju bëtë në 2019-ën një ligj për emergjencat civile, ngritët drejtorinë në një nivel agjencie. Sa kapacitet ka Shqipëria dhe a do përfitojë tashmë që është pjesë e këtij mekanizmi?

Kryeministri Edi Rama: Së pari, faleminderit sepse më jep mundësinë që ta përsëris. Ky mekanizëm është krijuar nga vendet e Bashkimit Europian për të përballuar sëbashku momente kritike në secilin prej vendeve, që do të thotë që kur flasim për një zjarr që bie dhe merr përmasa për një sërë arsyesh e për këtë në Shqipëri vjen një apo dy apo tre mjete nga ky mekanizëm, kjo nuk është për të qarë hallin sepse këtë bëjnë të gjithë, këtë e bëjnë dhe vendet më të fuqishme. Po ju them Greqinë, që përballet me zjarre shumë intensive sesa ne. Si përballet edhe pse është shumë më e avancuar sesa ne në aspektin  e logjistikes dhe mjeteve? Përballët falë këtij mekanizmi, me ndihmën e të tjerëve dhe kështu të gjitha vendet.

Nga ana tjetër, kjo që bëjmë sot nuk është diçka që mund ta bënim dje, kjo nuk është çështje dëshire, se duam ne dhe po futemi në këtë union apo u kujtuam që të futemi. Kjo vjen si rezultat i reformave që kemi bërë. Kjo vjen pikërisht si rezultat i faktit që Agjencia jonë e Mbrojtjes Civile sot i ka parametrat për tu bërë pjesë e këtij mekanizmi, sigurisht ka nevojë që të përmirësohet ende dhe përmirësimi po vazhdon jashtë syve të publikut, jashtë syve tuaj sepse nuk janë zhvillime për të bërë lajme, por jo më larg sesa sot komisioneri do të vizitojë qendrën e cila është ngritur dhe funksion për emergjencat civile, qendrën e koordinimit. Pra besoj që ne kemi bërë një transformim kolosal të strukturës së mbrojtjes civile, por patjetër që ka ende shumë për të bërë, për këtë arsye po vazhdojmë punën edhe falë mbështetjes së partnerëve italianë me të cilët qysh në krye të herës, nëse ju kujtohet, lidhëm një marrëveshje, bile formulimin e kësaj marrëveshjeje filluam ta bëjmë qysh në ditën kur ata erdhën për mbështetjen për tërmetin dhe kësaj i është shtuar edhe financimi në kuadrin e fondeve të mbledhura në konferencën e donatorëve ku Italia një pjesë të konsiderueshme të fondeve të dedikuara për Shqipërinë i ka përqendruar pikërisht tek modernizimi i strukturës së mbrojtjes civile.

 – Zoti Komisioner, a planifikon Bashkimi Europian të ofrojë ndihmë për shuarjen e zjarreve në Shqipëri gjatë muajve të verës dhe pyetja e dytë, a keni ju një vlerësim sa i takon ndihmës së dhënë nga Bashkimi Europian për rindërtimin në Shqipëri pas tërmetit të nëntorit të vitit 2019?

Komisionieri Janez Lenarčič: Faleminderit për pyetjen tuaj. Për pyetjen tuaj të parë, ju e mbani mend që vjet në verë Shqipëria u përball me shumë zjarre, si thuajse çdo vend tjetër në Mesdhe, duke nisur nga Turqia e deri në Spanjë. Shqipëria ka qenë një nga ato vende të cilat kanë kërkuar asistencë dhe kjo asistencë iu dha vjet nga mekanizmi i BE-së për mbrojtjen civile. Në rast se do ketë nevojë sivjet në verë edhe kjo do jetë mundësi dhe në fakt, ka ndodhur tashmë përpara një jave.

Mekanizmi i BE-së për mbrojtjen civile ekziston, është gati dhe i gatshëm të ndihmojë, por nuk duhet të harrojmë se çfarë e bën këtë mekanizëm të funksionojë kaq mirë. Është solidariteti në themel të tij, pra, solidariteti i vendeve anëtare dhe pjesëmarrëse në këtë mekanizëm. Ne nuk kemi avionë në Bruksel që shuajmë zjarret, i kanë shtetet anëtare dhe është solidariteti që tregojnë vendet anëtare dhe pjesëmarrëse që bën të mundur që të funksionojë mekanizmi i BE-së për mbrojtjen civile. Ajo që bëjmë ne është që organizohemi, bashkërendojmë punën dhe natyrisht, mbulojmë dhe një pjesë të madhe të financimit që kërkohet për këto lloj punësh kaq të mëdha.

Sivjet në verë ne jemi gati edhe për një verë tjetër të ngjeshur sepse mendojmë që do ketë zjarre të tjera nga moti dhe shpresojmë që edhe shtetet pjesëmarrëse të jenë gati që të bëjnë të disponueshme, bashkë me Shqipërinë, të gjitha mjetet që kanë. Ky është plani që ne kemi.

Në lidhje me pyetjen tuaj të dytë, e cila ka të bëjë me fondet për rindërtimin, kjo është një fushë e cila nuk është në mënyrë të drejtpërdrejtë pjesë e mandatit tim megjithatë unë kam dëshirë që të shoh se si kanë ecur punët që para dy vite e gjysmë më parë, prandaj nesër në mëngjes do shkoj për vizitë në disa prej atyre strukturave apo ambienteve që janë financuar me anë të fondeve për rindërtim që ka dhënë Bashkimi Europian. Nesër do shkoj në një kopsht në Durrës, një kopsht i rindërtuar me fonde të BE dhe gjithsej 75 milion euro janë dhënë nga BE-ja për rindërtimin e shkollave, kopshteve dhe të 11 bashkitë kanë përfituar nga këto fonde, pra ato bashki të cilat u prekën nga tërmeti i vitit 2019.

Në këtë mënyrë, rreth 20 mijë nxënës dhe mësues përfitojnë nga këto fonde sepse tashmë kopshti apo shkolla e tyre është e rindërtuar, e sigurt, e ndërtuar në një mënyrë rezistente ndaj tërmeteve, është shkollë më e fortë, por edhe më efikase për përdorimin e energjisë. Të gjitha këto gjëra me synimin që ne kemi që të rindërtojmë më mirë, parim të cilin e kemi shprehur edhe në Konferencën e Donatorëve në shkurt 2020 në të cilën mori pjesë dhe kryeministri Rama.

Informacioni që kam unë është që fondet janë shpenzuar mirë. Jo të gjitha ato sepse nuk janë përfunduar të gjitha proceset sepse nuk janë çështje të lehta apo të thjeshta sepse nëse do ta rindërtosh diçka më mirë atëherë duhet të marrësh të gjitha masat, të sigurohesh që ndërtesat që po rindërtohen janë rezistence apo do t’i bëjnë ballë tërmeteve, larg qoftë nëse do ketë, por që të jenë të forta duhen leje të caktuara. Janë gjëra që duan kohë. Megjithatë, unë mendoj që jemi në rrugën e duhur dhe shumica e projekteve tashmë janë përfunduar dhe ato që kanë mbetur apo shumica e atyre që kanë mbetur, plani është të përfundojnë deri në fund të këtij viti, jo vetëm programi “BE për shkollat” por edhe programi “BE për kulturën”, një program tejet i rëndësishëm, 40 milionë euro asistencë, kjo për rehabilitimin e monumenteve të trashëgimisë kulturore dhe historike. Një projekt të tillë do arrij ta vizitoj nesër, që do jetë kulla veneciane në Durrës.

Faleminderit.

Previous Nis bashkëpunimi me organizatën mjedisore amerikane “Patagonia” për shpalljen e Vjosës Park Kombëtar

Leave Your Comment