Konferencë e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Edi Rama dhe Kryeministres së Danimarkës Mette Frederiksen - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Konferencë e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Edi Rama dhe Kryeministres së Danimarkës Mette Frederiksen

Kryeministri Edi Rama mikpriti sot Kryeministren e Danimarkës, Mette Frederiksen, e cila është kryeministrja e parë daneze që viziton Shqipërinë.

Pas takimit kokë me kokë mes tyre, si dhe takimit mes dy delegacioneve, Kryeministri Edi Rama dhe Kryeministrja e Danimarkës Mette Frederiksen dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp:

* * *

Kryeministri Edi Rama: Mirëdita! Sot është një kënaqësi vërtetë e veçantë, jo sepse duhet thënë një fjalë e tillë por sepse realisht është kënaqësi vizita e kryeministres Frederiksen në Tiranë, vizita e parë në Tiranë e një kryeministri apo kryeministreje daneze dhe natyrisht është një vizitë historike në këtë aspekt, por nga ana tjetër është kënaqësi e veçante sepse kryeministrja e Danimarkës pavarësisht se vetëm sot e viziton Shqipërinë, ka qenë prezent në kuptimin e vërtetë të fjalës, në një moment shumë të vështirë për ne, në momentin kur një tërmet katastrofik, praktikisht la në qiell të hapur brenda pak sekondash, mbi 15 mijë familje dhe nuk do ta harroj kurrë që një nga të parët që më kanë shkruar dhe më kanë ofruar disponimin për çfarëdo nevoje, ishte kryeministrja.

Mes nesh, Shqipërisë dhe Danimarkës ka një histori marrëdhëniesh diplomatike shumë të mira. Danimarka ka qenë prezente në gjithë procesin e transformimit të vendit, qoftë përmes agjencisë së saj të ndihmës, por mbi të gjitha politikisht dhe diplomatikisht një mbështetëse e vendosur e Shqipërisë dhe e Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit evropian.

Nga ana tjetër historia e viteve të fundit ka qenë një histori krizash të rënda. Me kryeministren kemi pasur mundësin e komunikimit edhe gjatë pandemisë dhe unë e kam falënderuar edhe më parë dhe e falënderoj dhe këtu sepse ka qenë shumë e disponuar për të ndarë me mua eksperiencën që natyrisht që ajo ishte një histori ku askush nuk kishte eksperiencë, por eksperiencën e gjithë mënyrës se si COVID-i po trajtohej nga qeveria daneze, nga autoritetet daneze dhe edhe në këtë aspekt realisht ka qenë një ndihmë, siç ka qenë një ndihmë suporti i saj dhe suporti i një sërë liderësh europianë për ta përfshirë  Ballkanin Perëndimor në skemën e mbështetjes me vaksinat gjë që ndodhi në një kohë të dytë, por më mirë vonë se kurrë.

Natyrisht edhe kriza më e fundit, kriza e luftës, e agresionit rus mbi Ukrainën na bën bashkë përsëri dhe ndajmë absolutisht të njëjtat bindje, të njëjtat qëndrime dhe të njëjtat objektiva. Kështu që vizita e kryeministres këtu ka një rëndësi të veçantë edhe për marrëdhëniet gjeopolitike mes Europës së Bashkuar dhe Ballkanit Perëndimor edhe për marrëdhëniet e Danimarkës me Ballkanin Perëndimor.

Dua t’i them kryeministres se ne shikojmë një rritje të konsiderueshme të numrit të turistëve danezë në Shqipëri dhe fluturimet direkte nga Kopenhageni në Tiranë janë rritur vit pas viti. Ndërkohë që shikojmë edhe një interesim të sipërmarrjes daneze. Nuk flas këtu për një sërë arkitektësh të famshëm që janë danezë, arkitektë me reputacion të madh ndërkombëtarë, të cilët janë në Tiranë dhe kanë kontribuar për transformimin e qytetit tonë, por edhe për projekte të tjera jashtë kryeqytetit me talentin e tyre edhe me disiplinën e tyre të jashtëzakonshme, por flas dhe për biznese të tjera në fushën e energjisë apo në fushën e tregtisë.

Kështu që unë uroj dhe shpresoj që kryeministrja duke qenë edhe një personazh jo i parëndësishëm i rrjeteve sociale të Danimarkës dhe duke patur shumë ndjekës të rinj në rrjetet e saj sociale, me vizitën e saj të ketë influencuar në rritjen e turizmit danez në Shqipëri dhe shpresoj që edhe pse koha e qëndrimit është shumë e shkurtër dhe në bëmë çmos që ta prisnim me një ‘’kohë danezë’’, pra të mos kishte shumë diell sot që të ndihej si në shtëpinë e vet, prapëseprapë shpresoj që fjalët e mira për Shqipërinë dhe për Tiranën dhe ftesën që ta vizitojnë edhe të tjerë, nuk do të na e kursejë kur të kthehet në Kopenhagen.

Shumë faleminderit Kryeministre edhe një herë për vizitën dhe më lejo të të them që jam shumë i lumtur që më në fund, je këtu pasi normalisht vizita do të kryhej në një kohë të mëparshme, por për shkak të COVID-it dhe për shkak të  situatave të tjera u shty, por më lejo të të them gjithashtu që unë nuk e konsideroj vizitën e fundit, jo vetëm sepse mesa unë kuptoj, ti do vazhdosh të fitosh zgjedhjet në Danimarkë, por edhe sepse kjo është shumë e shkurtër për tu’ konsideruar vizita e fundit.

 

Faleminderit!

 

Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen: Faleminderit shumë Kryeministër për mirëpritjen tuaj këtu sot në Tiranë.

Jam shumë e nderuar që jam kryeministrja e parë daneze që vizitoj Shqipërinë. Ju konsideroj si një mik mjaft të mirë e të ngushtë dhe i shijoj  gjithmonë bashkëbisedimet tona kur takohemi në mbledhje apo në telefon apo në thirrje video, por sot kemi mundësinë që të kemi një diskutim  të drejtpërdrejtë me njëri-tjetrin.

Unë mendoj se ju jeni një nga zërat më të fortë në Europë kur bëhet fjalë për rëndësinë e një integrimi të plotë midis Ballkanit Perëndimor dhe pjesës tjetër të Europës dhe kjo po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme kështu që faleminderit që na ftuar dhe do të doja të thoja se Shqipëria është një partner mjaft i vlerësuar për Danimarkën dhe ju jeni një aleat mjaft i besuar i NATO-s.

Në një kohë kur Bashkimi Europian është më i rëndësishëm se kurrë më parë, unë shpresoj që ne të mund të ndërtojmë një partneritet edhe më të fortë dhe jam shumë e sigurt që do të mund ta bëjmë një gjë të tillë.

10 ditë më parë shënuam 1-vjetorin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës dhe kjo ishte një nga temat kryesore tonat sot. Ju keni reaguar mjaft qartë e shumë fort ndaj kësaj situate me punën në Këshillin e Sigurimit. Ju jeni bashkuar me sanksionet e BE-së qysh prej fillesës dhe jeni angazhuar në NATO e keni qenë një mbështetës mjaft i fortë i Ukrainës. Kjo është e rëndësishme për të gjithë ne mendoj dhe siç ju më thatë, të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm për situatën shumë të brishtë në shumë vende të Ballkanit Perëndimor.

Unë mendoj se përkushtimi juaj ndaj vlerave europiane është i rëndësishëm dhe po kështu kjo është një pjesë mjaft e fortë e çeljes së negociatave për anëtarësim e Shqipërisë ne BE.  E di që është një punë e madhe dhe kërkon shumë zgjidhje, kërkon shumë reforma, por unë e di që ju keni kapacitetin për ta bërë këtë. Ne ju mbështetshim fort në rrugëtimin dhe drejtimin tuaj këtu.

Më vjen shumë keq për të gjithë gjërat që ju po përjetoni në Shqipëri për shkak të luftës. E di që shumë njerëz vuajnë për shkak të inflacionit dhe të çmimeve të energjisë dhe na duhet të punojmë sëbashku edhe për këto çështje

Së fundi, do të doja të theksoja se rëndësia e ndërtimit të një bashkëpunimi  më të fortë kur vjen fjala për migracionin së brendshmi në BE, por edhe kur vjen fjala për kufijtë e jashtëm duhet bërë.

Edhe një herë faleminderit shumë që na mirëpritët sot dhe pikë së pari faleminderit që jeni një zë kaq i fortë kur vjen fjala për vlerat europiane.

 

 * * *

– Një pyetje për kryeministrin shqiptar. A po bën mjaftueshëm Danimarka? A është mbështesë mjaftueshëm në sytë tuaj për ambicien e misionit tuaj për tu bashkuar me BE apo ka ndonjë gjë që ju do donit që kryeministrja daneze, qeveria daneze të bëjnë më shumë sesa ç’bëjnë aktualisht në këtë drejtim?

Kryeministri Edi Rama: Jam i sigurt që nëse pyesni kryeministren tuaj a po bëni mjaftueshëm, ajo do thotë jo. Kështu që askush s’po bën mjaftueshëm, as Danimarka për ne, as ne për Danimarkën. Ka gjithmonë më shumë për të bërë. Gjithmonë më shumë mundësi për të bërë. Unë mendoj se Danimarka ka qenë shumë e drejtë me ne dhe kemi një marrëdhënie mjaft të veçantë sëbashku dhe jam krenar që Mette më konsideron një nga miqtë e saj dhe me duhet t’ju them se edhe gjatë bashkëbisedimit tonë të drejtpërdrejtë ajo është treguar shumë e qartë dhe shumë e drejtë.

Kjo është ajo për të cilën kemi nevojë në fund të fundit. Natyrisht do të ishte mirë që të imagjinonim zgjidhje të shkurtra apo të imagjinonim sesi mund të ecnim më shpejt apo të kishim zgjidhje më të shpejta, por në fund kjo nuk do të ishte gjëja më e mirë pasi ashtu siç kam avokatuar përpara se të niseshin bisedimet, që duhet të kishin nisur shumë herët, vazhdoj të mendoj të njëjtën gjë. Nuk ka të bëjë me nxitimin për tu bërë anëtar, ka të bëjë me bërjen e detyrave siç duhet dhe ka të bëjë me përfitimin e kësaj dijeje dhe ndërtimi kapacitetesh të jashtëzakonshme që kemi në BE dhe që askush nuk mund ta shpikë, kështu që është një bekim të jesh në këtë proces, pasi përfytyrojeni, vende të cilat kanë nevojë dhe duan të bëjnë të njëjtën gjë që duam të bëjmë ne por nuk kanë BE-në, gjenden në kontinente të tjera, gjenden në zona të tjera gjeopolitike. Si të mësojnë të ndërtojnë një drejtësi të pavarur. Si të mësojnë që të ndërtojnë ekuilibrat midis pushteteve të pavarura e si të mësojnë të ndërtojnë një administratë e cila nuk përputhet me politikën, por me ligjin dhe qytetarët.

Me gjithë qëllimet e mira nuk mund ta bësh nëse nuk ke njohuritë dhe këto njohuri janë kaq të çmuara dhe ne presim me padurim që të marrim më të mirën prej tyre dhe mund të them të njëjtën gjë për Holandën, si edhe për Danimarkën sepse ata janë të dyshuarit e zakonshëm të BE me qëndrimin e tyre rigoroz dhe të drejtë, por kështu duhet të jetë.

Ana tjetër e medaljes ku mendoj se ka më shumë për të bërë dhe ku mendoj se Danimarka mund të nxitë për më shumë dhe Holanda mund të nxitë për më shumë, e kemi diskutuar, është se sa ne mund të përmirësohemi në raport me marrëdhënien midis Ballkanit Perëndimor dhe BE pa pritur që vendet tona të bëhen anëtare dhe çfarë BE mund të bëjë më shumë për ne që konvergjenca e standardeve të jetesës të bëhet përherë e më e afërt e jo më e largët. Kjo është ajo çka diskutuam dhe kjo është arsyeja përse unë e mbështes plotësisht komunitetin politik europian ashtu siç e mbështet Mette dhe kam shumë shpresë që kjo ndershmëri e qenësishme dhe po themi fiziologjike e Danimarkës që është mishëruar në qeverinë daneze, të jenë rigoroz kur bëhet fjalë për hapat drejtë anëtarësimit dhe të jenë të drejtë kur bëhet fjalë për të na dhënë më shumë si familje europiane. Pra asnjë kompromis për standardet, por shumë më tepër të qenit të hapur për të na ndihmuar të ecim drejt standardeve duke përmirësuar, rritur mundësitë tona.

 

 – Pyetja e pare për kryeministren daneze. Gjatë vizitës së sotme, a keni diskutuar më zotin Rama për projekte të përbashkëta mes Danimarkës dhe Shqipërisë. Pyetja për zotin Rama. Do i bëj një pyetje për aktualitetin politik kryeministër, për shkak se tashmë po zien politika në Shqipëri. Opozita ju ka akuzuar juve se keni ndërhyrë ne vendimin e drejtësisë për sa i përket vulës së Partisë Demokratike. Si i përgjigjeni ju këtyre akuzave?

Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen: Sigurisht kemi diskutuar tanimë tema të ndryshme. Kemi temat europiane, të luftës në Ukrainë, por po kështu duam të ndërtojmë një partneritet më të fortë midis Danimarkës dhe Shqipërisë. Ka fusha të ndryshme ku mendoj se mund të bashkëpunojmë ngushtë. Arkitektura dhe rindërtimi është një prej fushave ku tashmë po punojmë sëbashku dhe është një prej fushave që diskutuam sot. Siç e tha kryeministri juaj, kjo çështja e Shqipërisë dhe BE nuk është një çështje e uljes së pritshmërive apo uljes së nivelit të përputhshmërisë por është një çështje e faktit se kur je pjesë e familjes europiane duhet të konsiderohesh si pjesë e familjes europiane në të gjitha aspektet e ndryshme. Kështu që shoh shumë fusha ku mund të punojmë sëbashku dhe sigurisht, dëgjova atë çfarë u tha për turizmin dhe sesi ne mund të mbështesim po kështu, që më shumë danezë të vijnë në Shqipëri. Pra mund të bashkëpunojmë, mendoj në nivele shumë të ndryshme dhe në shumë fusha të ndryshme

Kryeministri Edi Rama: Po, unë mund të shtojë këtë, që në gjithë procesin e integrimit njëra rrugë që është ajo autostrada kryesore po themi, është rruga e Brukselit dhe e gjithë ndërveprimeve mes grupeve tona të punës dhe grupeve të caktuara në Bruksel ndërsa rruga tjetër që është ajo e mbështetjes së këtij procesi është rruga e bashkëpunimeve bilaterale për sa i përket dijes dhe për sa i përket marrjes së eksperiencës.

Kështu që, Danimarka është sot një nga vendet më të admiruara dhe më të admirueshme në radhë të parë për shkak të dijes, jo për atë që ka, por për atë që di dhe ne sigurisht që e kemi rrugën e hapur pranë qeverisë daneze për të kërkuar ndihmë dhe për të kërkuar mbështetje teknike për fusha të caktuara dhe për projekte dhe programe të caktuara, gjë që do ta bëjmë në proces dhe ajo që tha kryeministrja lidhur me arkitekturën dhe planifikimin urban është një nga fushat që nuk janë në zërat e procesit të negociatave por që është një fushë shumë e rëndësishme e një zhvillimi të qëndrueshëm dhe e një modernizimi të domosdoshëm për një vend që aspiron të bëhet një vend i BE dhe në këtë pikë ne kemi bashkëpunime që kanë ardhur spontanisht me arkitektë të njohur danezë, me studio shumë prestigjioze daneze, por nga ana tjetër me kryeministren kemi folur dhe për se si mund të ndihmohet universiteti, se si mund të ndihmohen të rinjtë këtu në Shqipëri me asistencë dhe sesi mund të ndihmohen dhe bashkitë apo dhe qeveria qendrore, përmes agjencive të planifikimit urban, në nivele të ndryshme të pushtetit që ka Danimarka.

Sa i përket pyetjes tjetër, ju e dini shumë mirë që unë nuk flas në prani të miqve që vijnë nga jashtë apo nuk ndaj në konferenca që janë për marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë dhe për miqësitë e Shqipërisë problemet e politikës së brendshme.

– Lufta në Ukrainë si e ka ndryshuar perspektivën europiane të Shqipërisë? A ka ndryshuar? Ju thatë më parë që nuk kishte nxitim për tu anëtarësuar në Bashkimin Europian. Duhet të jenë të gjitha detajet e përsosura apo të kryera. A keni ndonjë afat sidoqoftë, që shpresoni?

Kryeministri Edi Rama: Do të varet shumë prej nesh, në kuptimin që në qoftë se jemi nxënës të mirë apo në qoftë se tregojmë se mësojmë shpejt, sigurisht që kjo do ta përshpejtojë, por do të varet edhe nga Bashkimi Europian dhe ne e dimë që vendimmarrja e Bashkimit Europian nuk është vetëm teknike, është dhe politike, ka të bëjë me shumë gjëra, por në fund, unë mendoj si më poshtë; nuk mund të kërkosh patentë në qoftë se nuk di t’i japësh siç duhet një makine sepse në fund do të kthehet kundër nesh.

Kështu që, ky proces dhe bërja e Shqipërisë shtet anëtar është për fëmijët tanë dhe për brezat tanë të ardhshëm. Nuk është për Danimarkën, për Francën apo Gjermaninë, është për ne dhe duhet ta bëjmë siç duhet dhe duhet ta bëjmë në nivelin më të lartë të mundshëm. Në qoftë se kjo do të kërkojë pak më tepër kohë, do të kërkojë më tepër kohë por ajo çfarë do të mësojmë në proces, siç e thashë, është një vendim dykahësh.

E dimë shumë mirë që në Bashkimin Europian ka ndërlikime sepse ka shtete anëtare, ka situata të ndryshme në çdo shtet anëtar e kështu me radhë. Edhe pse më duhet ta them, dhe vij tek pyetja juaj, se lufta në Ukrainën ka ndihmuar shumë Bashkimin Europian të zgjohet përkundrejt asaj çfarë ndodh përtej kufijve kombëtar dhe asaj çka ndodh përtej kufijve të BE-së.

Nuk jam i sigurt që shumë njerëz kanë parasysh, kur flasin për Ballkanin Perëndimor, se Ballkani Perëndimor është i vetmi realitet gjeografik në historinë e hartave që jeton brenda një realiteti tjetër gjeografik sepse rrethohemi nga kufijtë e BE-së. Kështu që për të ardhur në Ballkanin Perëndimor, duhet të kalosh përmes BE-së, nuk mund të vish në asnjë mënyrë tjetër dhe Bashkimi Europian është i vetmi realitet gjeografik në historinë e hartave që ka një kufi të jashtëm dhe një kufi të brendshëm.

Është njësoj si të mos ta kesh kërthizën në inventarin e trupit, por kërthiza është aty.

Pra, është shumë e rëndësishme ajo çfarë Mette tha sot dhe çfarë praktikisht është shkolla e saj e mendimit, së bashku me udhëheqës të tjerë, se ndërkohë që nuk ka asnjë kompromis me standardet për integrimin e plotë; edhe njëherë, kjo është diçka e mirë për të dyja palët, në këndvështrimin tim. Politikisht, nuk është një gjë e mirë shumë për mua ta them, por kjo është e vërteta ndërkohë që, pa kompromentuar standardet, BE-ja duhet të mendojë më shumë për nevojën për të para strukturuar mbështetjen financiare të rajonit.

Ne nuk kualifikohemi për fonde strukturore, ne nuk e presim këtë por duhet të jemi të kualifikuar për fonde para strukturore, siç ka ndodhur me Estoninë dhe me realitete të tjera.

– Ju thatë që nuk do flisni për opozitën në gjuhë të huaj por teksa shikoj kryeministren e Danimarkës në krahun tuaj, kryeministrja e një vendi që merret disa herë shembull për zgjedhjet apo demokracinë që kanë, unë kam detyrën t’iu bëj pyetjen nëse ju jeni të shqetësuar për faktin që partia më e madhe e opozitës rrezikon të mos hyjë në zgjedhje dhe a jeni i shqetësuar për pluralizmin politik në vendin tonë?

Kryeministri Edi Rama: Mua nuk më rezulton që do ketë ndonjë parti që nuk do hyjë në zgjedhje, më rezulton e kundërta; të gjithë do hyjnë dhe do hyjnë si Çeço sepse në zgjedhje nuk hyhet për njërin apo për tjetrin, hyhet për qytetarët dhe sa i përket pastaj krahasimit me Danimarkës, sigurisht do ishte vërtetë një mrekulli sikur ne të ishim sot si Danimarka dhe të kishim sot gjithçka ka Danimarka, por për këtë ëndërr realitet, do duhet të marrim në konsideratë që t’i bëjmë të gjithë hapat e nevojshëm, sado të dhimbshëm që të jenë dhe që në raport me rregullat e demokracisë dhe bashkëjetesës demokratike, të sillemi në mënyrë korrekte që të gjithë, gjë që unë e bëj dhe ne e bëjmë. Pastaj, secili nga të tjerët e vlerëson vetë, por unë nuk përgjigjem për çështje të brendshme përsëri.

Faleminderit!

Previous Kongresi i Parë i Shëndetësisë, së bashku në dialogun për sfidat e sistemit shëndetësor