Konferencë e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Edi Rama dhe Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovačevski, në përfundim të mbledhjes së përbashkët mes dy qeverive - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Konferencë e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Edi Rama dhe Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovačevski, në përfundim të mbledhjes së përbashkët mes dy qeverive

Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovačevski: Të nderuar qytetarë të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të nderuar qytetarë të Republikës së Shqipërisë! Të nderuar përfaqësues të qeverive të dy shteteve!

Ju falënderoj për praninë e sotme në këtë konferencë për shtyp, e cila vijon pas mbarimit të seancës së dytë ndërqeveritare mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë. Kam nderin që sot jam mikpritësi i mikut tim Edi, siç ishte atëherë edhe Edi në kohën kur ishim ne në Shqipëri.

Shpeshherë, ne komunikojmë me Edin dhe kemi bashkëpunim të ngushtë mes ministrive dhe institucioneve tona, mes dy shteteve tona që unë vërtetë kam ndjenjën që sot të gjithë ne, që jemi këtu ndjehemi sikur jemi në shtëpi.

Unë dhe Edi kemi vullnet të fuqishëm politik të përbashkët për zhvillim dhe bashkëpunim. Të dy kemi treguar dhe demonstruar çfarë nënkupton të jesh lider i guximshëm dhe i përgjegjshëm dhe prandaj Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria sot së bashku gjenden në rrugën europiane.

Këtu do doja para të gjithë opinionit publik të Maqedonisë dhe Shqipërisë ta falenderoj Edin dhe Shqipërinë për mbështetjen e tij dhe të tyre që e kemi pranuar gjatë periudhës së kaluar, në veçanti këtë verë, kur jemi ulur në tryezën politike në Bruksel, duke negociuar për të filluar negociatat e merituara. Edhe kur thanë “Jo”, edhe kur thanë “Po”, edhe pse nuk ishte e lehtë, ju Edi dhe delegacioni juaj, na dhatë mbështetje të plotë Maqedonisë së Veriut. Disa nuk u besonin, por edhe sot, të dy vendet këtu, me negociata të filluara, shumë shpejt po shkojmë drejt rrugës europiane.

Miqtë njihen në vështirësi dhe ne këtu kemi mjaft vështirësi dhe në Ballkan dhe është mirë të kemi miqësi si Shqipëria. Është e qartë që, së bashku mund të bëjmë shumë më tepër dhe këtë mbështetje unë do ta mbaj mend dhe do ta çmoj gjithmonë.

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë shembull i vërtetë për atë se si ndërtohen marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe në momentet kryesore për botën ne së bashku kontribuojmë për paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor dhe rrjedhimisht dhe për Europën. Sot i tejkalojmë sfidat aktuale nga kriza ekonomike energjetike globale si anëtarë të barabartë të NATO-s dhe partnerë të SHBA, në kuadër të nismës Ballkan i Hapur, në kuadër të Procesit të Berlinit dhe nëpërmjet avancimit të marrëdhënieve dypalëshe.

Sot, ne vendosim bazat dhe themelet për atë sesi do t’i zhvillojmë vendet tona, përderisa së bashku aderojmë drejt rrugës europiane, për atë sesi t’i bëjmë shtetet tona një vend më të mirë për jetesën dhe të konfirmojmë që punojmë në mënyrë të përkushtuar dhe të japim shpresë që nesër do jetë më mirë. Nga kjo krizë do të dalim së bashku në mënyrë solidare dhe askush nuk do të jetë i lënë vetëm.

Shumë lehtë është të flitet për të kaluarën dhe atë që na ndan, por të flitet për zhvillim, për të ardhmen, për sesi të sigurohen standarde europiane në shtëpi, kërkon punë, kërkon përkushtim, kërkon vizion dhe lidership dhe ne këtë e kemi.

Jam i bindur që do t’ia dalim që për të gjithë qytetarët e vendeve tona të sigurojmë mbështetje që ta tejkalojmë dimrin e vështirë dhe të japim premtime që deri vitin e ardhshëm do jetë më mirë dhe më lehtë.

Për këtë, përpjekjet tona, provë është dhe takimi dhe seanca e dytë e sotme mes Republikës së Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Shkup, që ia kushtuam zgjidhjeve konkrete për çështje aktuale dhe për shtetasit dhe dy shtetet.

Seanca ndërqeveritare mbaroi pak më herët. Ne firmosëm shumë memorandume për avancimin e bashkëpunimit në thuajse të gjitha fushat, me fokus të veçantë energjetikën nga e cila është drejtuar edhe vëmendja e tërë botës, që të sigurojmë burime të qëndrueshme të energjisë.

Ne firmosëm memorandum bashkëpunimi në sektorin e energjisë. Me këtë, ne krijuam një kuadër për përgatitjen dhe realizimin e projekteve të përbashkëta që ka të bëjë me gazin natyror dhe burimet e rinovueshme të energjisë. Ne sot dhe në periudhat e ardhshme kemi mundësi unike që ta lëvizim transformimin energjetik që e kemi filluar. Me vizion të mirëpërcaktuar, ne investojmë në industritë e së ardhmes dhe krahas asaj që duam të sigurojmë pavarësi energjetike, do të na ofrojë mundësi për vende pune më mirë të paguara për qytetarët.

Siç e thashë, kjo krizë për ne paraqet mundësi për inovacion dhe për zhvillim, mundësi që ta shndërrojmë vendin në qendrën e energjisë së gjelbër, e cila më tutje me plan dhe strategji të mirë do të mund të furnizojë edhe rajonin edhe kontinentin me energji të fituar nga burimet e rinovueshme.

Maqedonia e Veriut ka burime, ka diell, ka ujë, ka tokë të frytshme. Detyrimi ynë është që t’i shfrytëzojmë këto burime në mënyrë të arsyeshme dhe të sigurojmë të ardhme më të mirë për qytetarët tanë. Kjo është me të vërtetë e mirë për t’u menduar, por gjithashtu për të ndërmarrë hapa konkrete.

Kjo do të kontribuojë në pikëpamjen tjetër të cilësisë së jetës së qytetarëve, përkatësisht të zhvillimit ekonomik ku ndërlidhja e shteteve ka rëndësi thelbësore. Ndaj, sot firmosëm memorandum për bashkëpunim për zhvillimin e infrastrukturës rrugore mes dy shteteve. Në këtë mënyrë, ne i forcojmë përpjekjet e përbashkëta për ndërtimin dhe mbarimin e infrastrukturës rrugore për “Korridorin 8”, me qëllim lidhjen e gjithë “Korridorit 8” deri në vitin 2030.

E gjithë kjo që po bëjmë sot ne si vend dhe rajon do të na bëjë shumë më tërheqës për investitorët e huaj që në fund të fundit do të thotë fabrika të reja, vende të reja të punës të paguara më mirë që nënkupton që të rinjtë tanë do të mbeten këtu, do të punojnë në shtëpitë e tyre, të ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu dhe më tej të zhvillojnë atë që ne sot po e fillojmë.

Edhe memorandumet e tjera që firmosëm kanë të bëjnë me thellimin e bashkëpunimit mes dy shteteve për shumë çështje të rëndësishme. Tani ju patët mundësinë të merrni pjesë në firmosjen e të gjithë marrëveshjeve dhe memorandumeve.

Ajo që dua të theksoj dhe të veçoj mes të tjerash që sot ne bëmë është dhe një provë konkrete për bashkëpunimin tonë, zhvillimit të bashkëpunimit të ndërsjellët, është po ashtu dhe marrëveshja për kthimin e artefakteve të paligjshme që janë dërguar dhe tregtuar që nga viti 2013. Ato janë pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore. Pas procedurës penale të drejtuar në Tiranë, falë marrëveshjes të sotme ato do të kthehen këtu në vendin tonë.

Unë fola me Arqipeshkvin dhe i premtova që do të punojmë në njohjen, në futjen në unitet kanonik të kishës maqedonase me të gjitha kishat ortodokse, premtova që unë do të shkojë në Shqipëri dhe 21 artefaktet apo ikona që gjenden atje, do t’i kthej në vendin tonë.

Për këtë gjë dua të falenderoj personalisht Edi Ramën i cili, së bashku me ministren e Kulturës që punoi bashkë me ministrin tonë të Kulturës, e bënë këtë të mundur që sot të gjithë mund të shikojnë një nga këto ikona apo artefakte këtu në Shkup dhe së shpejti, gjatë ditëve të ardhshme të gjithë së bashku do të kthehen këtu në Shkup, do t’ia dorëzoj peshkopit të kishës ortodokse në mënyrë që të gjithë besimtarët tanë ortodoksë nga tërë rajoni të shijojnë atë pasuri që Maqedonia e Veriut e posedon.

Në këtë takim të dytë, është kontribut i asaj që ishte seanca e parë që u mbajt në Shqipëri. Që atëherë, ne avancuam bashkëpunimin tonë në kuadër të Ballkanit të Hapur dhe të Procesit të Berlinit nëpërmjet ndihmës dhe mbështetjes së ndërsjellët në përballimin e pasojave të krizës ekonomike energjetike.

Bashkimi Europian po i shikon përkushtimet tona të përbashkëta për zhvillimin ekonomik dhe kuptohet që interesi strategjik është që Ballkani Perëndimor të jetë pjesë e Europës sepse shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë lidership demokratike dhe tani është momenti që të sigurohet rrumbullakimi i familjes europiane. Ky momentum apo hov i dorës së zgjatur nga partnerët tanë për të gjithë ne dhe nuk guxojmë ta lëshojmë.

Ne i kemi plotësuar të gjitha premtimet. Hapja e negociatave dhe fillimi i “screeining” është një sukses i madh për të gjithë ne. Në këtë konktekst për ne njohja nga Europa për identitetin maqedonas dhe gjuhën maqedonase ishte shumë e rëndësishme, negociatat ishin të mundimshme dhe të vështira dhe ne ia dolëm që t’ia arrijmë atë për të cilën luftuam. Jo vetëm që ruajtëm identitetin maqedonas dhe gjuhën maqedonase por dhe e ngritëm atë në një nivel të njëjtë me gjuhët e tjera të Bashkimit Europian.

Dëshmi për këtë premtim të plotësuar është edhe nënshkrimi i marrëveshjes me Frontex si një marrëveshje e parë e këtij lloji ku kemi vënë firmën tonë së bashku me 27 vende të tjera në gjuhën maqedonase pa asnjë shtesë tjetër apo fusnote.

Ne jemi të respektuar si një shtet i suksesshëm, shumetnik, funksional ku jemi maqedonas, shqiptarë, turq, serbë, romë, boshnjakë, vllehë dhe gjithë të tjerët që jetojnë, ne jemi si model i konfirmuar i Europës së vogël. E tërë kjo ka mundësuar që ne t’i qasemi edhe realizimit të hapave të tjerë të mundimshme që vijojnë në kuvend me qëllim të një procesi dinamik, t’i rrumbullakojmë negociatat e aderimit me BE-në deri në vitin 2030.

Nuk kemi hapësirë më tepër për arsyetime të cilat do ta ngecnin procesin, do ta bllokonin procesin e integrimeve të vendit tonë. Shpresoj të gjithë deputetët të jenë në nivel të detyrës së tyre, të tregojnë përgjegjësi në parlament dhe të vazhdojnë më hap të shpejtë të lëvizim drejt BE-së.

Anëtarësimi në BE është një objektiv strategjik i Republikës së Maqedonisë së Veriut, siç është edhe i Republikës së Shqipërisë. Së bashku e filluam dhe procesin e “screening” dhe së bashku kemi mundësi që t’i përfundojmë negociatat dhe të bëhemi anëtarë të plota të BE. Në fund falënderoj shumë për mbështetjen e madhe miqësore të Republikës së Shqipërisë gjatë anëtarësimit tonë në NATO. Kjo është dhe një pikë e ndërlidhjes mes dy vendeve tona njësoj si edhe kujdesi për qytetaret shqiptarë në RMV dhe për qytetarët maqedonas në Shqipëri.

Më vjen mirë që tërë këtë që e shkëmbejmë këtu me qytetarët është si produkti i kësaj seance ndërqeveritare, është fushë e mundësive te hapura që të avancojmë dhe të arrijmë objektivin tonë të përbashkët strategjik, anëtarësimin e plotë në BE.

Ju faleminderit shumë! Falënderoj edhe një herë kolegun Rama dhe të gjithë kolegët e tij nga qeveria e Shqipërisë që sot ishin këtu. Faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit i dashur Dimitër! Zoti Kryeministër, kemi pasur një mbledhje produktive, kemi finalizuar 21 akte të dakordësuara në një proces ndërveprimi intensiv, si pjesë tanimë organike e qeverive tona që janë në ndërveprim të vazhdueshëm me njëra –tjetrën, por njëkohësisht kemi dakordësuar edhe tre nisma të propozuara nga zv/kryeministri i parë Artan Grubi, që kanë të bëjnë në mënyrë të drejtpërdrejtë me ndërtimin e infrastrukturës së “Korridorit 8”, ndërtimin e një “Porti të Thatë” në Strugë dhe hapjen e vendkalimit të parë kufitar Strugë-Pogradec. Të treja këto me një rëndësi të madhe strategjike të diskutuara edhe më parë dhe nga ana tjetër kemi rënë dakord që përsa i takon projektit paraprak të “Portit të Thatë” të Strugës do ta marrë përsipër qeveria shqiptarë në kuadër të marrëveshjes që ka me kompaninë e mirënjohur Royal Haskoning e cila ka projektuar portin e ri komercial dhe të kombinuar me zonën ushtarake të Durrësit si dhe Portin e Thatë të Prishtinës. Kështu besojmë që ne krijojmë një infrastrukturë komplekse në funksion të rritjes së volumit të ndërveprimit mes shteteve tona gjë që ka qenë edhe qëllimi parësor dhe mbetet edhe qëllimi parësor i nismës së Ballkanit të Hapur, por po ashtu edhe Procesit të Berlinit.

Takohemi në një moment jashtëzakonisht sfidues për të gjithë Europën, për të gjithë krahun perëndimor të Rusisë, pjesë e të cilit jemi edhe ne, që edhe pse nuk e kemi nisur luftën në Ukrainë, as mund ta ndalojmë luftën në Ukrainë, vuajmë si gjithë të tjerët pasoja e kësaj lufte e cila në këndvështrimin tim është konceptuar si një luftë që nuk ka thjesht synim disa pretendime territoriale absurde mbi Ukrainën, por ka synim gjunjëzimin e gjithë botës në perëndim të Rusisë përmes rritjes marramendëse të çmimit të energjisë elektrike dhe të ngrohjes si dhe përmes inflacionit të luftës. Janë dy armë të cilat po përdoren nga Vladimir Putini për të destabilizuar Europën dhe vendet që e përbëjnë pavarësisht se janë vende të BE apo të Ballkanit Perëndimor. Ne jemi në vështirësi që të gjithë dhe në këto kohë të vështira, edhe një herë tjetër afirmohet plotësisht parimi që sa më shumë të ndër veprojmë, sa më shumë të punojmë së bashku, sa më shumë ta shohim të ardhmen si një destinacion të përbashkët, aq më mirë mund t’i përballojmë këto situata kaq komplekse që na prekin të gjithë në një botë që është gjithmonë e më e vogël.

Mua më vjen shumë mirë që me Republikën e Maqedonisë së Veriut ne kemi hedhur themele jashtëzakonisht të forta për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët e cila të jetë një e ardhme në respekt të plotë të lirive dhe të drejtave të njerëzve tanë, por njëkohësisht edhe një e ardhme e mirëqenë për gjeneratën tjetër dhe sot kur pak ditë na ndajnë nga Samiti i BE me vendet e rajonit tonë, Ballkanit Perëndimor që është dhe i pari samit në historinë e BE-së që mbahet në rajonin tonë. Këtë herë do të mbahet në Tiranë. Ne jemi shumë të vetëdijshëm që ky është një oportunitet për të nënvizuar forcën e bashkëpunimit dhe njëkohësisht për të vënë në dukje nevojat tona, jo thjesht si nevoja që duhen plotësuar për ne, por si nevoja që duhen plotësuar për të pasur një situatë ku të gjithë jemi në një front dhe ku të gjithë përpiqen që ta konsolidojnë këtë front.

Përsa i përket pastaj aspektit të marrëdhënieve tona bilaterale, ato nuk kanë qenë kurrë më mirë, ato janë marrëdhënie që po japin rezultate në vijimësi. Nisma e Ballkanit të Hapur na ka dhënë provat e dobishmërisë së saj në shifra. Mjafton të shikoni eksportet dhe importet mes dy vendeve për të parë që ka një rritje e cila është një kapërcim në trendin e eksporteve dhe importeve në vite dhe që për mua është vetëm një shenjë e rëndësishme e potencialit që kemi për ta zhvilluar më tutje këtë marrëdhënie në të mirë të të dyja vendeve, të dy shteteve.

Jemi sot së bashku, këtu për herë të parë nëse unë nuk gabohem, si vende që negociojnë tanimë anëtarësimin ne BE, pas një periudhe të gjatë dhe të vështirë ku fati desh që ne të bashkoheshim në dhimbje, në dhimbjen nga dashuria për Europën dhe nga indiferenca e Europës ndaj nesh. Sot ne jemi në një fazë tjetër, në një fazë që do të jetë jo e lehtë, por që është një fazë e re, një fazë që ka afirmuar përfundimisht se vendi ynë është në familjen e bashkuar europiane dhe ky afirmim ka ardhur falë pasionit, punës, rezultateve dhe vendosmërisë sonë për ‘’t’u martuar me hir ose me pahir me të dashurën tonë të përbashkët”, Europën e bashkuar.

Shumë faleminderit dhe jam i gatshëm t’i përgjigjem pyetjeve në rast se ka ndonjë kuriozitet akoma, megjithëse e rëndësishme është që tanimë kemi kapërcyer atë më kryesoren besoj.

* * *

Kryeministri Edi Rama:– Unë kam një pyetje për mysafirin, Kryeministrin zoti Rama. Në Bruksel ishin të dy delegacionet, të dy qeveritë, filluam procesin e negociatave, mirëpo Maqedonia e Veriut ka ndryshime kushtetuese ti realizojë dhe praktikisht janë në rrugë të integrimit nëse qeveria e Maqedonisë nuk siguron shumicën për t’i zbatuar këto ndryshime, Shqipëria do të vazhdojë drejt integrimit dhe anëtarësimit në BE.

Kryeministri Edi Rama: Ne kemi bërë së bashku, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, sepse siç e thashë fati e desh që të bashkoheshim në dhimbje për një periudhë relativisht të gjatë për ne dhe absolutisht të gjatë për ju, në pritje që të na njihej merita dhe të na njihej e drejta për të filluar bisedimet për anëtarësim. Për ju ka qenë më e vështirë, për të gjithë ato arsye që ju i dini shumë më mirë sesa unë, por dhe për ne nuk ka qenë e lehtë. Tani, ndryshimet e kërkuara në këtë rast për Maqedoninë e Veriut dhe të dakordësuara më duket se vetëm ligësia, dritëshkurtësia dhe patriotizmi i shtirur mund t’i kthejë në arsye për t’i përçarë mes veti dhe në arsye për të krijuar përsëri probleme për këtë vend, ndërkohë që ky vend ka nevojë të vrapojë njësoj si të gjithë vendet e tjera për të kapur kohën e humbur. Pse e them këtë? Sepse në dijeninë time, kushtetuta juaj ka një sërë minoritetesh të përcaktuara, që do të thotë që është një model i njohur, nuk është një shpikje dhe nuk është një rast unikal në bibliotekën e kushtetutave të planetit dhe që duhet plotësuar. Kaq e thjeshtë është. Nuk e di sa ndihmon, por mund t’ju them që ne kemi një model tjetër në Shqipëri, ama ne kemi njohur në parlament një numër jo të vogël minoritetesh, përfshirë dhe minoritetin bullgar që ka një prezencë të vetën modeste, por që e ka një prezencë të vetën në Shqipëri dhe nuk më duket se jemi të kërcënuar nga ndonjë minoritet, përkundrazi ne i konsiderojmë minoritetet një pasuri të madhe, ura lidhëse të rëndësishme sidomos në momente kritike. Dhe për ne është absolutisht në interesin tonë, jo në interesin e tyre, por në interesin tonë që ato të ndihen sa më mirë në vendin tonë dhe të mos ndjejnë asnjë dallim nga qytetarët e tjerë që janë qytetarët me kombësi shqiptare.

Kështu që, besoj që populli këtu është më i mençur, si kudo xhanëm, sesa politikanët dhe nuk besoj se do t’ia falë kujt ligësinë, shtirjen kinse patriotike dhe dritëshkurtësinë të rimarrjes peng të Maqedonisë së Veriut. Ndërkohë që, kapërcimi i bërë është epokal. Nuk mund të kapërcesh nga një epokë në tjetrën dhe pastaj të kthehesh mbrapsht tek epoka që ke kapërcyer me aq shumë mundim. Ky është këndvështrimi im dhe unë nuk dua as ta mendoj që Maqedonia e Veriut mund të rikthehet me një “plongeon” në të shkuarën dhe të vetë izolohet në mënyrën më të pakuptimtë, në kushtet kur faktikisht është ringritur dhe ka fituar një dinjitet dhe mund tua them këtë me bindjen e dikujt që është dëshmitar, ka fituar një dinjitet të rëndësishëm ndërkombëtar. Shikohet me shumë respekt, shikohet me shumë vetëdije nga të gjithë si një vend që ka bërë përpjekje epike për të afirmuar përkatësinë e vetë euroatlantike dhe kjo ka një rëndësi të madhe për të gjitha, edhe për ekonominë, edhe për zhvillimin social, edhe për të gjitha proceset e brendshme. Kështu që, ndjesë nëse u zgjata, por për mua do të ishte fatale që të kishim një kthim mbrapa me sy mbyllur në një histori që duhet konsideruar e shkuar dhe nuk duhet të ketë asnjë problem që ndër plot, – se janë një sërë minorite të përcaktuara në kushtetutën tuaj, – të shënohen edhe kush tjetër, këtu ka qoftë edhe një person të vetëm.

Me cilat projekte prioritare infrastrukturore do të aplikoni për të përthithur fonde nga Bashkimi Europian dhe si të dyja vendet do ta përballojnë sëbashku këtë krizë energjetike botërore. Në fund, do doja të dija një qëndrim tuajin në lidhje me situatën e krijuar së fundmi mes Serbisë dhe Kosovës, duke patur parasysh që Serbia është një prej vendeve të Ballkanit të Hapur. Faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Nuk dua të përsëris shumëçka që kryeministri tha duke i dhënë përgjigje shteruese pyetjes. Dua të shtoj vetëm e para, në lidhje me energjinë ne e kemi vendosur kokëfortësish të mos e prekim çmimin e energjisë elektrike për familjarët dhe për biznesin e vogël. Kjo ka një kosto shumë të lartë për buxhetin, por ne jemi të vendosur ta përballojmë këtë kosto për të mos lejuar që kjo “armë” e krijuar enkas nga Vladimir Putin për të stresuar dhe për të torturuar qytetarët e mbarë Europës, të mos funksionojë, të jetë e neutralizuar përsa i përket familjarëve dhe përsa i përket bizneseve të vogla, ndërkohë që ky është viti, sipas të dhënave statistikore me thatësirën më të madhe të 100 viteve të fundit, gjë që na vë në vështirësi edhe më shumë, por ne po rendim për të kompensuar boshllëkun mes kapaciteteve tona hidro në raport me nevojat dhe për të krijuar kapacitete të reja me energjinë diellore, të erës, edhe hidro me Skavicën dhe gazin e lëngshëm dhe në këtë aspekt kemi një sërë partneritetesh  tashmë edhe të shpallura, ose edhe partneritete që do t’i shpallim së shpejti.

Kemi folur me kryeministrin në këtë drejtim. Jemi shumë të bindur që gjithmonë e më shumë, çdo ditë, jo vetëm çdo vit, por çdo ditë e më shumë bashkimi bën fuqinë dhe vendet tona të Ballkanit nuk kanë asnjë llogari që të vazhdojnë të merren me të shkuarën ndërkohë që e ardhmja është kërcënuese në rast se ne nuk jemi të përgatitur për të.

Kemi hyrë në një epokë të re të rrezikut dhe të një kërcënimi të madh global dhe ne këtë mund ta përballojmë vetëm duke krijuar sa më shumë sinergji dhe duke punuar pikërisht për të pasur sa më shumë ndërveprim dhe mekanizma të përbashkët edhe në fushën e energjisë, edhe në fushën e ushqimit, edhe në fushën e infrastrukturës e të gjitha më radhë. Kjo ishte gjëja që desha të shtoj

E dyta, ne po përgatisim një tjetër samit të Ballkanit të Hapur në Shqipëri dhe jemi shumë të kënaqur që tanimë ka edhe vende të tjera që duan të jenë pjesë integrale e këtij procesi, pavarësisht se tre vendet tona mbeten motori i Ballkanit të Hapur dhe këtu kam parasysh Greqinë, kam parasysh Turqinë, kam parasysh Hungarinë, kam parasysh Italinë, kam parasysh vende të cilat ishin prezente fillimisht në Samitin e bërë më parë dhe që tani kërkojnë të jenë në vazhdimësi për të krijuar atë sinergji të nevojshme me kufijtë rreth e rrotull nesh, që Dimitri e përmendi.

Më vjen jashtëzakonisht mirë po ashtu, e kemi diskutuar që Procesi i Berlinit ka ri startuar. Ndër të tjera, edhe sepse ka provuar që Ballkani i Hapur nuk është asgjë tjetër veçse një njësi jetësimi i Procesit të Berlinit. Çfarë kemi firmosur ne në Berlin? Kemi firmosur ato që ne i kishim firmosur më parë me njëri-tjetrin në Ballkanin e Hapur. Pse? Sepse marrëveshjet e Ballkanit të Hapur nuk janë asgjë tjetër veçse përshpejtim i Procesit të Berlinit.

– Ju e përmendët Ballkanin e Hapur por më 3 nëntor, me mbështetjen e kancelarit gjerman, kemi një rizgjim të Samitit të Berlinit. Në Samitin e Berlinit u firmosën 3 marrëveshje që ju, zoti Rama, së bashku me zotin Kovacevski dhe presidentin e Serbisë zotin Vuçiç i keni firmosur më herët në Ballkanin e Hapur, por në ndryshim nga Ballkani i Hapur, në Berlin u firmosën nga 6 vende, të cilat Ballkani i Hapur 3 shtete të tjera nuk ka arritur ende t’i bëjë pjesë të saj. Në kushte që firmosen të njëjtat marrëveshje në Procesin e Berlinit dhe në kushtet që Ballkani i Hapur nuk i ka ende tre shtetet e tjera, a ia vlen më të vazhdohet me këtë proces?

Kryeministri Edi Rama: Ja vlen edhe më shumë sepse kështu ndërron vendin lokomotiva me vagonët dhe Procesi i Berlinit është një lokomotivë që ka tërhequr të gjithë liderët e rajonit dhe rajonin në një rrugëtim të ri, ndërkohë që në një moment të caktuar, ajo lokomotivë u mor peng nga vagonët dhe duke krijuar dhe ndryshuar raportin, ne kemi shtyrë procesin përpara duke dhënë një mesazh shumë të qartë që nuk kemi pse të presim për të jetësuar ato parime që janë të Procesit të Berlinit.

Në fund fare, do mbetemi me Ballkanin e Hapur sepse Procesi i Berlinit nuk do jetë i përjetshëm ndërkohë që Ballkani do jetë i përjetshëm. Nuk besoj që në jetë të jetëve do të na duhet që të na marrin përdore të tjerët, apo jo?

Faleminderit!

Previous Shkup, nënshkruhen një sërë marrëveshjesh bashkëpunimi mes qeverisë së Shqipërisë dhe qeverisë së Maqedonisë së Veriut