Konferencë e përbashkët për shtyp e liderëve të vendeve të BP pas Konferencës “Mundësitë e investimit në energjinë e ripërtëritshme në Ballkanin Perëndimor” dhe bashkëpunimin e vendeve të rajonit për sigurinë energjitike - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Konferencë e përbashkët për shtyp e liderëve të vendeve të BP pas Konferencës “Mundësitë e investimit në energjinë e ripërtëritshme në Ballkanin Perëndimor” dhe bashkëpunimin e vendeve të rajonit për sigurinë energjitike

Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në konferencën rajonale “Mbi mundësitë e zhvillimit e energjisë së rinovueshme në Ballkanin Perëndimor”, që u zhvillua në Beograd, Serbi, organizuar nën kujdesin e qeverisë norvegjeze për të hapur një shteg të ri të bashkëpunimit ndër-rajonal në fushën e sigurisë energjetike, mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve nordike.

Në Konferencë morën pjesë liderë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Zëvendësministri i Energjisë së Norvegjisë, Andreas Eriksen, si dhe drejtues e përfaqësues të kompanive prestigjoze norvegjeze në fushën e energjisë, në një diskutim mbi perspektivën e investimeve në energjinë hidrike, diellore dhe të erës në vendet e Ballkanit Perëndimor, me synimin e shtimit të përpjekjeve të përbashkëta për tranzicionin e gjelbër në fushën e energjisë.

Në përfundim, liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Zëvendësministri i Energjisë së Norvegjisë, Andreas Eriksen dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp:

 

Presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksandar Vucic: Do përpiqem të jem i shkurtër në fjalimin tim, përsa i përket çështjeve që diskutuam sot, që kanë rëndësi kyçe, si në terma afatshkurtër, afatmesme dhe afatgjatë dhe siç e dini, ne kemi punuar me norvegjezet dhe kemi marrë rekomandime se çfarë mund të bëjmë si Serbi, në lidhje me prioritetet afatmesme, afatshkurtra dhe afatgjata dhe është një nivel i madh i investimeve që duhen bërë  për energjinë, flas për Serbinë. Në varësi të zgjedhjeve që ne do të bëjmë, mund të jenë investime nga 17-32 miliardë euro për vitet e ardhshme që të jemi në gjendje të mbijetojmë dhe të kemi gaz dhe energji elektrike të mjaftueshme dhe të atyre çka mund të kemi dhe për operacionalitetin e industrisë tonë dhe kjo do të ketë një efekt dhe kjo do të jetë një arsye e re, siç e tha dhe zoti Erikson në këtë sesion, një arsye për arritje se kjo është mundësia, përveç problemeve që kemi, ne të kemi një treg rajonal të qëndrueshëm dhe të ndihmojmë njeri-tjetrin. Nëse punojmë bashkë për të siguruar të ardhmen dhe çfarë është e rëndësishme, është që kjo çështje nuk është me rëndësi vetëm për këtë dimër, por për të gjithë dimrat e ardhshëm. Sot diskutuam me investitorët norvegjezë dhe dua të falënderoj zëvendës ministrin Eriksen që ishte këtu i pranishëm me ne dhe dua t’i falënderoj të gjithë ata që na ndihmuan shumë. Dhe kur flasim për Serbinë, ne do kemi reforma të vështira në ndërmarrjet tona publike dhe pasi kemi nisur reformat që prej 2014-ës, do na duhet një reformë edhe më e vështirë në sektorin e energjisë përsa i përket edhe sektorit financiar dhe fiskal sepse duhet të ndryshojmë veten që të sigurojmë një të ardhme më të mirë për veten dhe Dimitari tha gjithashtu që të gjitha vendet tona nuk kanë pasur investime në energji për gati 30 vite. Është ndërtuar thjeshtë vetëm një tubacion gazi 416 dhe ne do të kemi tubacionin Kostolec, por nuk mjafton. Më vjen keq që mora shumë prej kohës tuaj. Dua t’ju falënderoj gjithë miqtë tanë, si nga iniciativa e Ballkanit të Hapur  që ne e vlerësojmë jashtëzakonisht shumë dhe për Edi Ramën dhe Dimitar Kovacevskin, por edhe dua të falënderoj të gjithë miqtë tanë, Dritan Abazovic dhe zotin Tegeltija që nuk janë këtu për herë të parë me ne dhe qeverinë norvegjeze për dijen e tyre dhe për mbështetjen që mund të kemi prej tyre për të mësuar gjera të reja. Shumë faleminderit!

Zëvendësministri i Energjisë së Norvegjisë, Andreas Eriksen: Jam entuziast të shoh kompanitë e mëdha në numër të energjive të përtëritshme që janë këtu sot për  për të prezantuar profilet e tyre teknologjike, dijet e tyre, rëndësinë që kanë, natyrisht avantazhet e tyre për të marrë pjesë në këto diskutime se si energjia e gjelbër mund t’i japë një nxitje tranzicionit energjetik në mbarë rajonin.

Përpjekjet qe po bëjmë tashmë, do ta bëjnë rajonin më miqësor në pikëpamjen klimaterike, më rezistent e më fortë. Dua të përgëzoj presidentin për njerëzit kaq nivel të lartë e me dije që janë sjellë këtu për diskutime sepse janë tejet të rëndësishëm dhe dua po kështu të përgëzoj për përpjekjet për t’u përballur dhe për përpjekjet që ai po i kushton përballimit të nevojave të energjisë për të ardhmen.

Ne me ndihmën e qeverisë norvegjeze, jemi të nderuar që gjendemi këtu që të ndajmë një pjesë të ekspertizës sonë, jemi të nderuar që kemi kompani këtu që kanë bashkëpunuar ngushtësisht me qeverinë serbe.

E dimë që tashmë nis puna e vërtetë, puna e vështirë për t’i vënë jetë këto plane dhe duam që në çdo mënyrë që të mund të ndihmojmë, të jemi pjesë dhe t’ju ndihmojmë në tranzicionin tuaj të rëndësishëm të energjisë.

Ajo çfarë ne kemi diskutuar shumë sot, tashmë është një perspektivë shumë e rëndësishme që do të thotë, ta bëjmë këtë tranzicion energjetik edhe pjesë të nismave rajonale, të sigurohemi që të forcohet bashkëpunimi ndërkufitar në mënyrë që të krijohen sisteme më të rezistente, më të përballueshme, më të qëndrueshme të cilat mund t’i qëndrojnë testit të kohës dhe numri i njerëzve që gjenden këtu sot në nisma të ndërmarra nga qeveria serbe, jam besimplotë se edhe kjo do të realizohet. Kështu që pres me padurim që të mirëpresim presidentin në Norvegji për dy javë për të vijuar diskutimet e frytshme.

Ju urojmë fat në punën e vështirë por shumë të rëndësishme për të zhvilluar sistemet tuaja energjetike. Jemi të impresionuar nga përpjekjet që janë kushtuar për këtë konferencë dhe për t’u përballur me këto sfida për t’i shndërruar ato në mundësi në mënyrë që të krijojmë sisteme më të mira, më të forta, më rezistente në të ardhmen.

Kryeministri Edi Rama: Ishte një mundësi e shkëlqyer dhe një mbledhje vërtetë e nevojshme në këto kohë lufte, kur bombat e plagët godasin diku në Ukrainë, por ku kriza energjetike plus inflacioni i luftës kanë goditur kudo në Europë, e përtej saj, përfshirë vendet tona.

Nuk kam aspak dyshim, se në këto kohë kaq të vështira, ajo çka kemi thënë më parë kur nisëm Ballkanin e Hapur dhe kur nxitëm për një bashkëpunim më të gjerë rajonal, bëhet gjithmonë e më e dukshme, na duhet të rajonalizojmë tregjet tona dhe sa i takon energjisë, na duhet të shkojmë përtej kufijve tanë pasi në të kundërt, ende mbetemi tregje të vogla. Ajo çfarë na duhet e për të cilën kemi nevojë, nëse trajtohet në mënyrë të izoluar mund të jetë shumë më tepër e kushtueshme dhe jo vetëm kaq.

Besoj po kështu se duke vepruar në nivel rajonal, sa i takon tregut të energjisë, ne mund të kemi një qasje më të lehtë në financime dhe po kështu, mund të kemi një partneritet shumë më të fortë në sektorin privat.

Ishte një ditë vërtetë e rëndësishme kjo e sotmja dhe i jam mirënjohës qeverisë norvegjeze dhe qeverisë serbe këtu që bënë të mundur nisjen e këtij bashkëbisedimi me praktikisht, njerëzit më të mirë dhe strukturat më të mira dhe më me dije në Europë, që janë norvegjezët.

Shpresoj fort që ky bashkëbisedim do të vazhdojë dhe që ne do t’i kemi me vete partnerët dhe miqtë tanë norvegjezë për të mbështetur përpjekjet tona, për të konceptuar një masterplan rajonal dhe një udhërrëfyes investimesh.

Nuk do doja që të merrja më shumë prej kohës së askujt dhe dua ta përmbyll duke falenderuar edhe njëherë organizatorët për këtë mundësi. Pres me padurim po kështu, që ky dialog që nisi tashmë me këmbën e mbarë, të thellohet.

Kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje-Hercegovinës Zoran Tegeltija: Faleminderit shumë për komentet hyrëse edhe gjatë takimit. E thashë që Bosnje-Hercegovina është një vend i decentralizuar dhe kjo është shumë e dukshme edhe për temën e energjisë sepse kemi tri kompani që prodhojnë energji elektrike.

Kemi një kompani e cila merret me transmetimin e energjisë elektrike dhe natyrisht edhe falë prodhimit që vjen nga këto kompani publike, ne kemi këtë situatë në Bosnje-Hercegovinë që prodhon energji elektrike më shumë se na duhet për tregun boshnjak.

Natyrisht, sasia që eksportojmë kryesisht varet nga kushtet hidrologjike në vendin tonë. Cilat janë kufizimet e problemet tona më të mëdha? Aktualisht lidhen me faktin që ne kemi objekte të ndërtuara shumë kohë më parë, përveç njërit që është ndërtuar pak vite më parë. Të tjerët janë ndërtuar prej shumë kohësh dhe kërkojnë shumë investime dhe shumë modernizim.

Në Bosnje-Hercegovinë rreth 60% e energjisë elektrike prodhohet nga termocentrale dhe duke pasur parasysh idetë e tanishme, dimë që është miratuar agjenda e gjelbër e BE-së dhe kësisoj duhet ta ndryshojmë dhe ne pozicionin tonë dhe të ecim në këtë drejtim.

Jemi të vetëdijshëm për faktin se na duhet t’i zgjidhim këto probleme dhe na duhet bashkëpunim rajonal midis vendeve tona për t’i zgjidhur ato. Kemi nisur një sërë investimesh së bashku me Serbinë. Një sipërmarrje të përbashkët për një hidrocentral. Kemi aktualisht marrëveshje paraprake. Procesi ende nuk ka nisur në Bosnje-Hercegovinë për shkak të problemeve, megjithatë mesazhi për investime të përbashkëta është shumë i mirë dhe dua të them që ata që duan të bllokojnë procesin, dua të them se askujt nuk i sjell asgjë të mirë bllokimi i proceseve, veç të këqija.

Kapacitetet tona aktuale prodhuese në Bosnje duhen modernizuar e rritur, siç e thashë, por duhet natyrisht të mbeten dhe në pronësi shtetërore. Është e vetmja mënyrë me të cilën do të garantojmë sigurinë për të pasur sasi të mjaftueshme të energjisë elektrike për të përmbushur të gjitha nevojat e tregut Bosnje-Hercegovinës.

Për të gjitha investimet e tjera të burimeve të ripërtëritshme të energjisë, ne do të përdorim parimin qoftë të investimit privat. Unë jam në fakt dikush që beson në faktin se partneriteti publik-privat duhet përdorur duhet shfrytëzuar sepse na duhet siguri. Na duhet të rregullojmë çmimin me të cilin do ta kemi këtë energji elektrike dhe në qoftë se kjo energji elektrike mund të jetë e përballueshme nga qytetarët e Bosnjes.

Procesi i tranzicionit kërkon kohë, gjithashtu para. Kjo është arsyeja pse ne i ftojmë të gjithë investuesit e pranueshëm këtu sot dhe ata që nuk janë të pranishëm me ne, për t’i thënë që tregu i Bosnjes është i mirë për të ndërtuar kapacitete të reja të burimeve të ripërtëritshme.

Faleminderit shumë!

Kryeministri i Republikës së Malit të Zi, Dritan Abazovic: Më lejoni qysh prej fillimit të përshëndes Presidentin e Republikës së Serbisë, gjithashtu kryeministrat e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Kryetarin e Këshillit të Ministrave të Bosnje-Hercegovinës, gjithashtu dhe zotin Eriksen për bashkë-organizimin e kësaj konference mjaft të rëndësishme.

Besoj që kjo temë nuk vinte dot në një moment më të mirë. Është absolutisht një çështje që trajton thelbin  sepse është një problem, jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por në të gjithë Europën, që është goditur nga një krizë e jashtëzakonshme energjetike. Ajo çfarë mund të themi si përfundim i përbashkët që e dëgjuam tashmë është që vendet e Ballkanit Perëndimor janë tejet të hapura për përvojat që vijnë nga vendet skandinave, sidomos ato që vijnë nga Norvegjia e kur vjen fjala për ndërtimin e objekteve të reja energjetike.

Folëm më së shumti për energjinë e ripërtëritshme, për prodhimin e energjisë së gjelbër që është veçanërisht me rëndësi për Malin e Zi, e cila do ta ndërtojë si destinacion të gjelbër dhe që ka një pjesë të madhe të PBB që vjen nga turizmi.

Ashtu si shumë vende, por ne e kemi ndjerë më shumë, kemi një lloj çekuilibri mes stinës së pranverës dhe asaj të verës dhe të dimrit kur vjen fjala për importimin e energjisë elektrike.

Ky koncept është i papranueshëm për ne, duke qenë se shumica e qyteteve në Malin e Zi ka më shumë se 250 ditë diell. Pra, ideja është që të ndërtojmë impiante të reja. Në fakt, qysh prej kohës së ish-Jugosllavisë nuk është se kemi ndërtuar objekte thelbësore dhe të rëndësishme energjetike; kanë qenë disa, por jo shumë të mëdha. Ideja është që të kemi një ndërtim aktiv të objekteve energjetike, sidomos kur vjen fjala për impiante diellore, impiantet e energjisë të erës dhe gjithashtu edhe një impiant për gazin e lëngshëm natyror në portin e Barit që do të lidhej me impiante të cilat do të prodhonin energjinë e gazit.

Këto janë disa nga ambiciet që ne kemi.

Norvegjezët janë të pranishëm në Serbi, në Shqipëri, në Malin e Zi, por përmes këtyre hidrocentraleve të vogla, duan ta ndryshojmë këtë koncept paksa; duam që të kemi, siç e thashë, objekte shumë më të rëndësishme energjetike, në mënyrë që t’i zbusim këto goditje, tronditje me të cilat jemi hasur.

Kemi patur një diskutim që rritja ekonomike do të sjellë një konsum më të madh. Unë besoj që të gjithë ne jemi përkushtuar një objektivi të përbashkët, duam të punojmë së bashku dhe në fakt, thirrja që vjen nga njerëzit që janë këtu është e justifikuar; na duhet t’i kushtojmë më shumë vëmendje për të pasur një qasje të përbashkët, për të patur treg më të madh, treg energjetik më të shtrirë dhe disa projekte të përbashkëta, të cilat mund t’i shfrytëzojnë në të mirë të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor.

Sidoqoftë, kjo ishte një konferencë shumë e bukur, mjaft e mirë dhe dua t’iu falenderoj duke iu thënë se pritshmëria e përgjithshme e të gjithëve ne, është që reduktojmë varësinë energjetike dhe të ecim drejt ndërtimit të më shumë objekteve energjetike për të prodhuar nga burimet e energjisë së ripërtëritshme, që është prodhim edhe më i gjelbër, pasi ky është synimi, jo vetëm i Malit të Zi, por edhe i vendeve të tjera në rajon.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovačevski:  Organizimi i kësaj konference është shumë e rëndësishme për të gjithë rajonin. Në këto kohë kur në fakt kjo është çështja më e rëndësishme që diskutohet në Europë, në rajon e në të gjithë botën që është çështja e nevojës për më shumë energji.

Sot në Beograd me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit patëm mundësi, së bashku me investuesit norvegjezë të cilët janë të interesuar të investojnë në tregun e energjive të përtëritshme, patëm mundësi të diskutojmë objektivat tona strategjike. Gjithashtu patëm mundësi të flisnim për ato mundësi që kemi në fushën e ofrimit të energjisë së ripërtëritshme. Kjo është një mundësi për të shfrytëzuar mundësitë për energji të gjelbër që na ofrohen në Ballkanin Perëndimor, por po kështu edhe mundësinë për ta zhvilluar rajonin si një fuqi energjetike.

Gjatë 30 viteve të fundit kemi parë ndasi, kemi parë keqkuptime, por në periudhën e fundit sidomos gjatë dy viteve te fundit ky rajon ka nisur të jetë rajoni i bashkëpunimit, i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe dua në fakt që t’i kujtoj vetes e të gjithëve se bashkëpunimi është e vetmja mënyrë për të tejkaluar krizat e për të ndërtuar një sistem më rezistent e më të qëndrueshëm e të fortë dhe më të përballueshëm energjitik në rajon që do të tërheqë më shumë investime e më shumë edhe investime shtetërore.

Një vend i vetëm nuk mund ta zgjidhë këtë problem. Kjo mundësi na tregon se mund ta shfrytëzojmë këtë krizë globale energjie për të ngritur e për ta ndërtuar këtë rajon si qendër energjie të gjelbër që do t’i japë energji, jo vetëm rajonit, por edhe përtej. Do të përsëris fjalët e që përmenda në panelin e diskutimit, që vëmendja e qeverisë së Maqedonisë së Veriut është prodhimi i energjisë dhe ushqimit. Këtu po flasim për prodhimin e energjisë, duke qene se kjo është tema e kësaj konference. E po kështu folëm edhe për të zbutur pasojat e krizës dhe për ta bërë këtë kemi marrë masa. Masa afatmesme e afatgjata në mënyrë që të sigurojmë pavarësinë energjitike për Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Mundësia e sotme për tu takuar me investues norvegjezë është shumë e rëndësishme sepse dua t’i ftoj të investojnë në Maqedoninë e Veriut dhe në të gjitha vendet e rajonit. Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut po investon në objekte energjetike me projekte të cilat janë në të mirë të të gjithëve. Ne jemi përkushtuar drejt tranzicionit energjetik të vendit pasi jemi të sigurt se kjo është e ardhmja. Natyrisht kjo kujdeset edhe për mjedisin.

Ne qeverinë time gjatë 10 muajve të fundit kemi instaluar 27 MWh impiante fotovoltaike, në 11 MWh në rritje krahasuar me mandatin e qeverinë së e mëparshme. Kjo është thelbësore në mënyrë që të  sigurojmë këtë garanci për furnizimin energjetik. Për të patur një sistem të ardhshëm të qëndrueshëm energjetik është shumë e rëndësishme sepse është shumë e nevojshme për të zhvilluar industritë në përgjithësi. Dua të ftoj investuesit globalë e tu them që Maqedonia e Veriut arriti të zhbllokojë aspiratën e saj evropiane, të anëtarësohet në NATO, të bëhet pjese e nismës së Ballkanit të Hapur që na vë në një pozitë shumë më të mirë se 5 vjet më parë. Na duhet po kështu të kemi parasysh edhe strategjinë e re maqedonase për zhvillimin e sektorit të energjisë për 40 vitet në vijim. Kjo është një strategji që mbështetet në agjendën e gjelbër 2030 të Europës dhe po zbatohet ndërkohë që flasim.

Plani është për të instaluar kapacitete deri në 1 GWh energji të gjelbër, qoftë fotovoltaike, qoftë me parqet e erës, me investime të huaja nga Gjermania dhe Greqia. Tranzicioni energjetik ka nisur me investimin në impiantet fotovoltaike EGSM që u ndërtua. Në fakt kjo është hera e parë që tranzicioni i energjisë, nga prodhimi i energjisë nga qymyri drejt energjisë së gjelbër që është e mundshme dhe e mjaftueshme ka nisur dhe po bëhet.

Në të njëjtën kohë ne po organizojmë edhe parashikimet për central prej 100 MWh energji ere, pra energji e gjelbër. Po kështu do doja të përmendja edhe prodhimin më të lartë të energjisë të sistemeve fotovoltaike me 70 MWh në bashkëpunim me një kompani sllovene. Ky projekt është  zbatuar bashkë me këtë qeveri.

Gjatë dy viteve në vijim do të përpiqemi të sigurojmë  totalin e këtyre 100 MWh më tepër dhe së fundmi në Maqedoninë e Veriut ne parashikojmë që të kemi edhe nisjen e hidrocentralit historik të Cebrenit.

Së fundi, këtë vit kemi një tenderues për ta projektuar hidrocentral. Ai ka përmbushur kriteret e tenderit dhe ky projekt i jashtëzakonshëm do të sjellë jo vetëm rritje në sektorin energjetik në Republikën e Maqedonisë së Veriut por po kështu është një projekt me rëndësi të skajshme për rajonin sidomos për vendet me të cilat jemi të lidhur në të njëjtin rrjet të energjisë elektrike.

Pra e ardhmja është kjo edhe për rajonin tonë, por edhe për Evropën.

Jam shumë i bindur qe përmes solidaritetit dhe bashkëpunimit do të kemi mundësi të përballemi me këto sfida dhe falë miqësisë, përbashkësisë sonë ne mund të përballemi me këto kriza dhe këto sfida.

Dua po kështu të përmend përpjekjet e përbashkëta me Presidentin e Serbisë për të përdorur tepricat e gazit natyror që zotërohen nga Serbia duke pasur parasysh që ne kemi një central gazi me kapacitet 205 MWh.

Mund ta përdorim në të ardhmen këtë gaz serb me çmime më të ulëta. Ky gaz do të transferohet në Maqedoninë e Veriut, do të prodhohet energjia dhe kjo energji do të ndahet midis Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. Në këtë mënyrë  industria jonë do të ketë qasje në energjinë më të lirë dhe nga ana tjetër, Serbia do të jetë në gjendje të ketë energjinë e nevojshme sidomos në pjesën jugore në rajonin fqinj.

Në fakt diskutimi është në vijim e sipër dhe ekipet tona po gjejnë zgjidhjet e duhura dhe për momentin jemi mjaft afër zgjidhjes, më shumë se kurrë.

Faleminderit!

* * *

-Zoti kryeministër, cili është potenciali që ofron Shqipëria me energjitë e rinovueshme dhe me gazin natyror dhe cilat janë projektet prioritare në sektor? Dhe për përfaqësuesin e Norvegjisë, a është Shqipëria një vend tërheqës dhe a keni ndonjë projekt konkret?

Kryeministri Edi Rama: Nuk do doja që të merrja kohën me të gjithë të pranishmit këtu me përshkrimin  e projekteve që ne kemi në sektorin e energjisë, por edhe njëherë do të nënvizoja rëndësinë e jashtëzakonshme që ka sot rajonalizimi i tregut energjetik dhe domosdoshmëri për të bashkëpunuar në mënyrë që ky treg të strukturohet përmes një masterplani të qartë dhe një udhërrëfyesi konkret për të cilin e përsëris shpresoj që të kemi asistencën e miqve dhe të partnerëve norvegjezë të cilët janë një model i shkëlqyer suksesi për të dyja, jo thjeshtë për çfarë kanë bërë së brendshmi, por edhe për sesi së bashku me vende te tjera nordike kanë organizuar tregun rajonal të energjisë.

Zëvendësministri i Energjisë së Norvegjisë, Andreas Eriksen: Nga këndvështrimi i qeverisë norvegjeze është e rëndësishme të themi kryesisht që para së gjithash jemi këtu me kompetencën tonë për të ndërtuar sistemet, të cilat përqendrohen testit të kohës dhe që gjithashtu të integrojmë sistemet me vendet fqinje kështu që u takon kompanive norvegjeze që të vendosin se cilat janë mundësitë e investimeve që ata shohin, por në kontekstin e Shqipërisë, ne kemi një prani norvegjeze tashmë që flasim dhe natyrisht edhe me plane që po shohim që po ecin përpara në rajon, edhe Shqipëria do të jetë një vend interesant për investime norvegjeze. Shpresoj që ta përdorim këtë platformë për të forcuar bashkëpunimin tonë, jo vetëm në plan qeveritar, por gjithashtu edhe midis bizneseve përkatëse në këtë fushë.

Kryeministri Edi Rama: Nëse mundem, ka dy projekte të reja mbi të cilat po punon Statkraft në vendin tonë. Njëri prej tyre është impianti lundrues i energjisë diellore në pjesën e hidrocentralit të Devollit dhe tjetra është një sistem novator pompimi që do të bëjë të mundur përdorimin më shumë se një herë të ujit që shërben për të prodhuar energji.

Previous Fjala e Ministres Xhaçka në Kuvend për Integrimin